Të merrje fundo disa metra më tutje bregur shkëmbor në atë moshë dhe të mblidhje në grushtat e tua atë çka mund të kapje në ato thellësi të mëdha, do të thoshte se ishe rritur, ishe vajzëruar ose djalëruar pasi nuk kishte dallim nëse ishe vajzë ose djalë për të bërë atë konkurim fizik.
Pas turbullimit që ndjeu nga puthja e befasishme e djaloshit të saj dhe përskuqjes të shfaqur në fytyrë, ajo nuk e kuptoi se si papritur u ndodh në brendësi të detit. Në atë thellësi ujore tepër të kaltër e cila herë-herë shkonte në smerald të çelët si sytë e saj, për një çast, ajo ndjeu një lehtësi trupore të çuditëshme. Diçka po i ndodhte... Shigjeta të shumta diellore, të përthyera në brendësi të atyre ujrave magjik, aty tek qëndronte “pezull” e përshkuan tejpërtej, duke i tjetërsuar ekzistencën. Asaj gare të çmendur të bulzave të shumta, të ajrit tek ngriheshin të ngarkuara me të kuqtë e trëndafiltë të faqeve të saj, i shtohej atmosfera shumëgjyrëshe e përplasjes me flakërimën diellore në perëndim. Ja, me të dalë mbi ujë, mbi atë sipërfaqe të kuqëremtë, trupi i saj filloi të shpërndante tërë atë ndjesi të re, frymëmarjen ndryshe, e kthyer në plazëm ujore, në nimfë.
Me trajtën e saj të re nisi të të rrëshqiste mbi ujë. Duke i buzëqeshur, i kërkoi djaloshit të saj t'a përjetësonin jetën e re. Duke i shtrënguar fortë dorën njeri tjetrit, u zhytën sëbashku në atë botë magjike nënujore. Që nga ai çast nuk u ndanë as edhe njëherë duke kërkuar ëndra dhe botë të panjohura.
Sarandë 2012