Κυριακή 19 Σεπτεμβρίου 2021

TEK STOLI NË HYRJE TË PALLATIT

 Me gjithëse sa herë hynte dhe dilte nga hyrja e pallatit tek u jepte të tria atyre plakave nga një përshëndetje, ajo nuk e mori mundimin të ndalej ndopak për të shkëmbyer ndonjë fjalë.

Koha përgjatë të tridhjetë ditëve të muajit kur vinte nga jashtë atdheut ndoshta do të ishte e mjaftueshme për t’u çliruar nga streset dhe emocionet e mbledhura nga jeta e vrullshme të qytetit ku jetonte por nuk do të ishte e mundur. Për këtë gjë asaj nuk do t’i bënte përshtypje çka ndodhte përreth. As edhe shikimet e atyre plakave të cilat ishin gati të përditshme të ulura në stolin e vetëm të ndodhur diku aty pranë hyrjes së pallatit. Teksa po përpiqej të kalonte çelësin në brendësi të bravës, të portës së pallatit, ktheu kokën prej tyre. Shikimi i saj u dha dritë syve të atyre zonjave në moshë të madhe tek po krekoseshin edhe më shumë mbi atë stol të drunjtë. Në atë moment, në vend që ta shtynte portën në brendësi hyrjes, ajo e tërhoqi duke u dhënë shpresë atyre. Por në të njëjtën kohë, në atë çka bluante në kokën e saj, me një mbërthim të fortë të buzëve shfaqi atë të mos komunikuarit të vazhdueshëm. Ato plaka përsëri nuk do të mësonin gjë prej saj. Dhe do të ishte përsëri kërcitja e portës tek po mbyllej nga brenda, që ato të tërhiqeshin në botën e tyre të përditshme.

Do të kalonin disa ditë ndoshta një javë që të mos përballeshin me të. Me qetësinë e tyre do të përpiqeshin të krijonin ndopak një ide mbi jetën e asaj gjitone të re e cila kishte rreth tre muaj që banonte aty. Të vetmen gjë që dinin kishin mësuar se, hyrjen ku banonin e kishin të tyre, nuk ishin qeraxhinj. Për këtë, kishin shpresë se një ditë do të ishte vetë ajo që do të kërkonte për t’u njohur. Por asgjë. Përballimi me të do të ishte dalja ose hyrja e shpejtë e saj në pallat. Se qysh e tek, ato kishin mësuar për zotërimin prej saj edhe të një shtëpie në fshat dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që ajo së bashku me të shoqin nuk shfaqeshin aty. E njëjta situatë do të vazhdonte dhe atyre zonjave tepër të moshuara do t’u shuhej shpresa për të këmbyer ndonjë llaf me gjitonen e tyre të re. Do ta shikonin shpesh të nxituar dhe të lodhur e cila kuptohej në të ecurën e saj. Përshëndetja e shpejtë që ajo lëshonte nuk do të ishte e mjaftueshme por me durim ato do të shfrytëzonin situatën më të mundshme të dëgjonin sadopak zërin e saj, të cilat kishte rast të mendonin se mund të ishte shurdhmemece.

Mes jave ishte ajo ditë kur përpara hyrjes të pallatit u ndal një mjet tip veturë me targë të shtetit fqinj. Prej saj doli gjitonia e re. Ajo duke regulluar rrobat mbi trup vazhdonte të debatonte me të shoqin e saj i cili me duar ende mbi timon nuk po reagonte në gjithçka që ajo po i thoshte. Nuk u mor vesh se për çfarë po diskutonin por atyre plakave tek përgjonin mbrapa dritareve u lindi kureshtja. Prej saj ndjen urdhrin që po i jepte atij për diçka. Ai hezitoi për një çast por doli duke përplasur portën. Duke marë dy çanta prej bagazhit u drejtua për nga hyrja e pallatit ndërsa ajo shkoi dhe u ul tek stoli. Nuk kaloi shumë ato një e nga një, pa marë parasysh se çfarë mund të ndodhte shfrytëzuan pjesën bosh duke u ulur pa bërë zhurmë. Gjitonia e re, mes gjendjes psikologjike të çastit që po kalonte nuk i kushtoi rëndësi veprimit e të tria plakave. Nuk kaloi shumë dhe vëmendjen u a hoqi zhurma karakteristike e çelësit dhe hapja e portës. Ai, i shoqi i saj, doli vrullshëm duke u drejtuar nga mjeti. Të njëjtin veprim bëri edhe ajo, duke u ngritur pa i përfillur ato plaka të çuditëshme. Por, aty mes asaj distance të shkurtër nga stoli tek makina, do të ndalej për të reaguar kundrejt  pyetjes pa vend të njërës prej tyre. Mori frymë thellë për të sistemuar të gjitha andrallat që i vërtiteshin në kokë duke u kthyer prej tyre. Si t’ja bëj filloi të flas ajo. Shtëpia në fshat më mori shpirtin. Kemi disa vite rresht, të gjitha për bukuri. Me drita, me ujë. Kopshtet për bukuri. Qetësi e Zotit na pushton nga të gjitha anët. A e dini se si e kemi ngritur. Çdo gjë i kemi çuar me këto duar dhe gomarin. Është i vetmi gomar që ekziston në fshat dhe pleqtë e mbetur. Të rinj nuk ka. Gomarin e kam blerë diku larg pasi asnjë nuk guxon të mbaj, janë të gjithë pleq kuptoni, me çfarë do ta ushqejnë. Aty dimri është shumë i keq. Ngarkim shkarkimet, llaç e tulla me këto duar i kam bërë. U përpoqa ta siguroja ose më saktë t’u a falja gomarin por asnjë prej tyre nuk pranoi. Më thoni si tja bëj dhe pa pritur përgjigje prej tyre u nis drejt makinës. Hapi derën dhe duke u ulur, pa e hedhur shikimin prej atyre plakave të çuditshme sikur nuk do të kthehej më aty tërhoqi me forcë portën.

 

 

 

 


Σάββατο 24 Ιουλίου 2021

LOVE STORY

       

   Në atë natë të qetë, njëri prej të dy burrave aty ku po peshkonin buzë detit dikur rekordmen kombëtar në gara noti, duke i krahasuar përplasjet e valëve mbi shkëmbinjtë si përkëdhelje e puthje, foli me zë të lartë: A mundet. A mund të kenë lidhje me njëra tjetrën. Si valët e detit edhe puthjet e femrave të rrëmbejnë e të zhysin në thellësi të tyre. Edhe thellësia e madhe poshtë valëve të detit të mbyt. Duke u kthyer në intonacionet e ulëta të zërit të tij të mëparshëm mërmëriti: Dikur i mbytur isha edhe unë. 

    Ndjesia që po përjetonte në ato çaste nuk ishte dhe aq e thjesht. Kishte nevojë të dëgjonte zërin e tij. Kishte nevojë ta dëgjonte edhe  dikush tjetër. Duke treguar po rikrijonte përpara syve të tij atë periudhë. Pasi hodhi shikimin nga i vetmi njeri që kishte pranë, nisi monologun gati me zë të lartë. I kishte të gjitha shijet e frutave puthja e saj. Ishte një përzierje magjike që më tundonte vazhdimisht. I ke provuar shegët e athëta. Megjithëse të thartojnë, kërkon t'i konsumosh deri në fund. Athëti e ëmbëlsi të shoqëruara me gjithfarë frutash ekzotikë, të përziera me mjeshtëri, mbushnin vazhdimisht prej saj gota të tëra me musht dehës erotik. Si Circia, më robëroi ajo magjistare e tërbuar

   Ishte si një ëndërr. Nuk po e ndjeja më ekzistencën time, as tokësor as perëndi. Në atë “ishull magjik” të veshur me mister prej saj, nuk po e kuptoja më konceptin e kohës dhe të hapësirës ndërsa energjia e saj femërore shkarkohej tek unë vazhdimisht e pambarim. Në të vërtetë diçka të tillë e kisha dëshiruar. Tek lëvizja në ato hapësira të pafund, në ato labirinte portash, dhomash, ndjeja të më shoqëronin tinguj muzikor të pafund të një bote të mistershme. Të krijohej bindja se koha kishte ndaluar. Edhe graviteti. Pikërisht atje ku përpiqesha të ndjeja formën e gjithçkaje tek i prekja, ato shpërbëheshin duke u kthyer në grimca të vogla fosforeshente shumëngjyrëshe dhe më pas ribashkoheshin duke konfiguruar trajtën trupore të saj. Ajo  do të afrohej duke më buzëqeshur dhe do të më rrëmbente puthjen e dëshiruar. Si venduza të fuqishme ajo masë mishi e lëngshme do të shkarkonte tek unë energji të pafund. Do të përgatiste ushqimin special me filtra magjik dhe aty, duke i konsumuar ato, do të më rrëfente gjithçka që ajo mendonte se duheshin thënë. Për jetën, kënaqësitë e saj.

      U ndal dhe ktheu shikimin prej njeriut të vetëm që i ndodhej aty pranë. Megjithëse kishin ardhur për peshkim, të dy ishin të rrëmbyer nga ajo histori. Njëri rrëfente tjetri dëgjonte. Në atë që po kuptonte se ai dëshironte të mësonte më shumë për atë histori dashurie, për atë femër, vazhdoi. Ke të drejtë të habitesh por kështu ka ndodhur. Isha i ftuar në atë takim prej një mikut tim.  Festa kishte filluar kur ne u ndodhëm aty. Tek po hidhja shikimin gjithandej, nuk mund të mendoja se çfarë po më sillte ai rast. Më vonë e mësova se gjithçka ishte e sajuar. Ajo kishte kërkuar të më njihte nga afër. Ai më prezantoi me të tre vajzat ku të cilat gati po na prisnin aty përpara. Në mënyrë të ndërsjelltë dhe tepër të shpejtë sikur komandoheshim nga diku, sytë e mi dhe të saj u përplasën fuqishëm. Vetëm shikim nuk ishte. Nga ai çast, koha deri tek veprimet e mëtejshme nuk mund të mendoheshin se si do të zhvilloheshin. Të gjithë sensorët e komunikimit nuk po më funksiononin. Veçse do të ishte aroma e saj të më zgjonte aftësinë time mashkullore. O zot mërmërita dhe me sytë gati të mbyllur kërkova të zhytesha brenda gjendjes të saj trupore por reagimi i lehtë i shfaqur në çast, në fytyrën e saj, më bëri të stepem. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Eshtrat e asaj dore elegante të mbërthyer prej meje, ishin gati të thyheshin. Ndjeva një hutim dhe pavendosmëri të madhe në atë se si duhej të sillesha më tej. Të gjitha këto do të mjaftonin për të dhe shoqërinë që na rrethonte. Shikimeve të mikeshave të saja kundrejt meje, ajo u vuri fre.  Që në ato çaste, u përpoq në forma të ndryshme  të vërtetonte se tashmë isha pronë e saj. Më rrëmbeu. Tek kërcenim u bë njësh me trupin tim. Në atë mbrëmje pa mbarim, të dehur më tepër nga afshet e ndërsjellta se sa nga pijet e shumta që kishim kthyer, në të gdhirë u ndodhëm në shtëpinë vilë të saj. Ish kampioni notit, si për të mar fuqi për ato që do të tregonte në vazhdim heshti. Ndroi ushqimin e pakët që kishte mbetur në grep. Tek hodhi filispanjën vazhdoi historinë. I kujtoj shpesh ato momente. Aty gjithçka zotërohej prej saj. Edhe ato që mendoja e përpunoja në mendjen time “çelësin”e kishte ajo ku vetëm me një kërcitje gishtërinjsh i vinte dhe u ndryshonte funksionin. Ai përsëri heshti. Ngërçi që e kishte kapur nuk po e lejonte të fliste. Qe larguar prej gjithçkaje nga familja e shoqëria. U përpoq të “kruante” zërin si për të gjetur fjalën, mendimin e radhës të asaj që kishte përjetuar. Të asaj kënaqësie ku herë herë mendonte se nuk do ta gjente më. Të asaj që mendonte se në ato çaste brenda asaj “kulle të filndishtë” përjetoi vetminë më të madhe të jetës së tij. Të asaj tek kuptoi se ajo nuk ja kishte më nevojën. Të asaj që kishte filluar ta ndjente që po vinte ajo ditë. Asaj Circe-je nuk i shpëtonte asgjë. Koha me të kishte mbaruar. Ajo po kërkonte tjetrin, mashkullin e radhës. Sensualiteti i saj femëror do të tërhiqte gjithkënd. Tek shfaqej shpesh në ekranet e stacioneve televizive, rrezatimi i saj femëror do të joshte këdo.  Falë këtyre cilësive bëri karierë dhe dhe gjithçka që ajo kërkonte.

       Të gjitha këto ai ja rikujtoi vetes, nën zë. U ngrit. Pa menduar shumë u zhvesh. Drita e hënës shfaqi bukurinë e tij mashkullore. Ende e zotëronte atë që shumë shokë e meshkuj të tjerë do ta dëshironin ta kishin. Me një të kërcyer thjeu sipërfaqen e shndritshme ujore. Ajo do të qëndronte  e qetë për aq kohë sa ai do të qëndronte në thellësi të saj, vetëm kështu mund të freskohej e të shkëputej nga gjithçka tjetër. Më pas, duke dalë  vrullshëm në sipërfaqe, në formën më instiktive, me krahët e tij të fuqishme filloi të shtynte mbrapa masa të shumta ujore dhe më tej tek do të mbështeste duart mbi mbajtëset e hekurta të zadrës do të ndjente atë magjinë e brohoritjeve të pafund tek thyente rekordet e shumta kombëtare në atë stil  që ende nuk kishte kundërshtar t'ja kalonte. Doli, tek po ecte ende pa mbritur aty, vazhdoi rrëfimin pa u shqetësuar në se ai tjetri, nuk e kishte vëmendjen. -Që atëherë nuk pata më lidhje me femra. As nuk guxoja t'i shihja e jo më t’u afrohesha. Kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë deri sa u njoha me gruan që vura kurorë.

     Por i ish dashuruari nuk mundi të heshte. Është për t’u çuditur vazhdoi, se pas shumë kohësh po më kujtohet shpesh puthja e parë e adoleshencës. Megjithëse ishim të dy fruta ende të pa bërë, pesëmbëdhjetë ajo, gjashtëmbëdhjetë unë, sot nuk mund ta gjejë atë aromë pjeshke. Dhe nuk besoj. Në fshatin tonë pjeshka kishte një shije të veçantë.

 

 

              

             

 

Τετάρτη 23 Ιουνίου 2021

IDIL

 

O lule e barit të njomë

Hajde flemë në një stromë

 

O lule e barit të thatë

Hajde flemë në një shtratë

 

Vargje idilike të kënduara në Piqeras jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga më të mëdhenjtë në moshë, ndoshta që nga koha e mbretërimit të Zogut të Parë. Pjesë nga libri në dorëshkrim me vargje, ngjarje e histori të  bregdetit të poshtëm.

Δευτέρα 14 Ιουνίου 2021

RRUGICAVE TË FSHATIT TIM

Duke përshëndetur

Kujtimin e thica Angjeliqis

Tek e shihja në sofatin e

Portës së saj...

Mora të përpjetën e

Rrugicës së kalldrëmtë.

 

Kujtova edhe të puthurën

Në dorën e hallë Vitorisë

Dhe vazhdova të përpjetën e

Rrugicës që u rrita

 

E këputa trëndafilin,

Tek porta e Rozës!

E ish moshatares sime,

Tek kthesa ku dielli

Lëshon të parat rreze!

 

I përshëndeta të gjithë siç  bënim atëherë,

Tek zbrisnim për në det

E ktheheshim prej tij.

 

Duke mar të përpjetën e kalldrëmtë,

U ndala.

Për një çast, u ndjeva mes tyre.

 

               

                    Prill 2014

Σάββατο 15 Μαΐου 2021

HËNA E MEME

  Pjesë nga libri në dorëshkrim.

 

Keni dëgjuar për “Hënën e Meme”! Jo ?! Po ju a tregoj.

Ishte një natë e bukur behari. Hëna lart në qiell po e shoqëronte hap pas hapi udhëtarin e vonuar i cili po kthehej për në shtëpi të tij pas një udhëtimi të lodhshëm. Sado që rruga e monopatet e detyronin atë t’i fshihej  shikimit të saj nën kurorat e ullinjve, ajo do të gjente të çara midis tyre për t'i ndriçuar rrugën. E shoqëroi deri lart në fshat. Bile për një çast,  ku u ndal në këmbë, mbi kokën e tij ndjeu buzëqeshjen e saj. Aty, duke i dhënë ritmin frymëmarrjes së tij të lodhur, nuk e ndau shikimin prej atij disku dritëlëshues që e shoqëroi përgjatë gjithë udhës. Në çast, nën zë i foli vetes se pa tjetër ai i plotfuqishmi lart ja dërgoi për t’i bërë shoqëri. U a tha të gjithë njerëzve e miqve të tij. “Hëna e Meme” siç u quajt më vonë nga të gjithë, përveç udhëtarit të vonuar i cili quhej Polo Memi u bë sinonim si “m*** pas këpucës.

Ndodhur gjatë mbretërimit të Zogut I-rë                    

                                                                  Piqeras


Τετάρτη 12 Μαΐου 2021

TEK KROI

 

Tek kroi në riz* i  kuaj

Qën-ë i qënit m’u ngarkua

Më ngau njërën grua

 

    Zënkë në kafene. Dikush, duke ngritur gotën e verës përpjetë i thotë tjetrit që ndodhej në tavolinën për ballë: “Kjo gotë me verë të kuqe është si faqet e gruas tënde”. Tjetri,  ishte hera e dytë  që prekej në nder dhe... tavolina, karike të thyera, grushte, shkelma burrash dhe nxjerje thikash. Njëri nga të dy bie i vrarë. Ishte ai që dëshironte gruan e tjetrit. Tre gra kishte në shtëpi vrastari, të jëmën, të motrën dhe të shoqen.

                                                                         Qeparo

*riz- vendi ku mërzejnë kuajt.

 

   Pjesë nga libri në dorëshkrim me ngjarje, ndodhi e vjersha jo vetëm nga Piqerasi por edhe nga gjithë bregdeti i poshtëm, të ndodhura shumë kohë para mbretërimit të Zogut të I-rë e në vazhdim, nga të cilat më të shumtat m’i rrëfente nëna ime.