Παρασκευή 27 Νοεμβρίου 2020

PËRRALLË NË KOHË PANDEMIE

                                                QYTETI I PORDHËS

                                             “  QYTETI I PORDHËS”

...  gjysho, o gjysh më lodhe me këto përrallat e tua. Boll nuk dua të dëgjoj më. Që kur u mbyllëm në shtëpi nga virrusi e deri tani vetëm atë më ke treguar. Në fillim m’u duk shumë e bukur por kurrë nuk pushove së treguari. Jo vetëm që i ndryshon fjalët sa herë ma tregon por nuk e mbaron njësoj. Duke tundur kokën i tregoi celularin si për t’i thënë se sot e mbaroi më shpejt. Më nuk dua ta dëgjoj. Ajo mund të jetë e vërtetë por unë nuk dua ta besoj. Në atë qytet të çuditshëm mënyra për të jetuar ishte vetëm pordha. Ata nuk bënin gjë tjetër. Si mund ta besoj dhe duke bërë një lëvizje me dorë për të pritur një çast, shkoi në dhomën e tij. U kthye prej andej me një fletë vizatimin në duar dhe rrezatimin e përhershëm të buzëqeshjes. Shiko se çfarë kam vizatuar dhe aty në këmbë priti në ankth reagimin e tij. Gjyshi pasi i pëlqente ta dëgjonte shpesh tingullin e ëmbëlt të atij zëri fëmijnor, e mori në prehër. Në atë fletë vizatimi ku ai mund t’i besonte fantazisë së tij, pa qytetin e përrallës. E përqafoi. U panë në sy. Pas atij shikimi qeshën me të madhe së bashku,  përtej normales. Ai vogëlush, i entuziazmuar filloi t’i shpjegonte ato vizat e “hallakatura” të hequra mbi fletën e bardhë. ku gjatë gjithë asaj kohe do ta kërkonte shpesh shikimin e gjyshit për të ndjer atë, nëse ai po e ndiqte me vëmendje.

I mrekulluar nga imagjinata ose ndoshta më saktë nga vëmendja që ai i kishte kushtuar asaj përralle, duke i shtuar edhe elementë të tjerë si gjithmonë kur ri tregohet një përrallë, filloi t’i tregonte se si kishte funksionuar ajo fabrikë, ai qytet.

Inxhinieri që e kishte vendosur në funksion atë fabrikë, provoi se mund të kryente veprime edhe punime më të vështira. Gati si në vizatimin tënd tubo metalike të dimensioneve të ndryshme.Të drejta, spirale në lëvizje, horizontale, vertikale, diagonale tek kryqëzoheshin deri në përplasje me njera tjetrën. Kulla të larta ku për atë vogëlush ishin tepër të larta, të cilat shkarkonin papastërtinë e asaj që prodhohej, prej pordhës.

E gjithë ajo masë hekurash bukuroshi im, e cila nga njerëzit quhej fabrikë nuk e di nëse e kupton pasi e përsërita prapë atë fjalë por do ta shpjegoj herë tjetër, ishte ngritur në një fushë të madhe. Në çastin e kupton apo jo, kur të vjen ajo pordha edhe ata, të gjithë duhej të shkonin ta bënin atje. Edhe burrat edhe gratë kishin vendet e tyre se ku duhej ta vendosnin të pasmen për të lëshuar të shumë kërkuarën, pordhën. E kuptove. Regjistra të tërë ruheshin në arshivën e fabrikës jo vetëm për të mbajtur llogaritë fitimprurëse por ta lënin të shkruar atë histori  për brezat e ardhshëm.

Për një kohë të gjatë pati sukses të madh pasi kishin filluar të shkonin edhe shumë të tjerë, nga qytetet për rreth të cilët u përpoqën ta kopjonin por nuk mundën.Të gjitha pordhët në  bazë të aromës mbylleshin në shishe xhami të cilat ndryshonin në madhësi e ngjyrë. Ndërkohë inxhinierit i shkoi ndërmend t'i çonte tubacionet në shtëpitë e qytetarëve por nuk i premtoi koha pasi kishte ardhur fundi i kohës së pordhëve. Dhe ai bukuroshi, syëmbli i gjyshit sërisht kaloi në botën e bukur fëmijnore të tij.

 

                                         Athinë 20 gusht 2020

                   


Πέμπτη 5 Νοεμβρίου 2020

MANASTIRI I KOSTARIT

                                            

Ishte e diela e dytë e qershorit. Me Sofokliun, shokun tim të ngushtë e kishim lënë të takoheshim tek rrapi në hyrje të Sarandës. Nuk pritëm shumë pasi na mori një nga saurelat e Minierës së Kripës. Hipëm në karoceri, përpara ishin të zëna. Zbritëm diku mbi Bistrica nr.2. Prej andej deri në manastir e kapëm për rreth 30-35 min. Në atë ngjitje, terreni ishte tepër i thyer dhe me bimësi të shkurtër. Me gjithëse kishte rrëshqitje së bashku me atë çakëllin e përhershëm që ekziston në pjerrësi të tilla nuk e kuptuam pasi e kishim të përhershëm atë veprim. Të gjitha këto ndodhën sepse nuk e dinim nga ku mund të shkohej aty. Manastiri është ndërtuar në brendësi të një masivi shkëmbor ku faqja e të cilit ka orientim jug-perëndim

Pjesa ku janë ngritur muret e manastirit, është pikërisht një shpellë e hapur, me tre faqe po ta quajmë kështu e cila në lartësi kap 12 m, gjerësi 18 m dhe thellësi afër 10 m. Pikërisht, kjo hapësirë është shfrytëzuar për atë shërbim fetar, i cilësuar si Manastiri i Kostarit.

Për të shkuar lart, kaluam nëpërmjet një shkallëzimi në faqen shkëmbore. Ai ndodhet në krahun e majtë kur je përballë tij. Vende, vende ndjehen edhe fragmente muri për të lehtësuar ngjitjen, por tepër të pakta, pasi janë shkatërruar nga koha. Në pikën më të lartë të shkallëve, ambienti që të ndodhet përpara të shfaqet si një verandë i ndodhodhur në lartësi, i rrethuar me  parmak druri i cili është gati për tu rrëzuar. Dyshemeja për rreth manastirit është e shtruar me pllaka guri. Nga faktorë të ndryshëm, ato, nuk e ruajnë më nivelimin e mëparshëm. Arsyeja që më detyronte ta vizitoja këtë vend ishte e dyfishtë. E para, ishte ajo vizive e cila m'u krijua më vonë, kur u hap rruga e Minierës së Kripës pasi më parë vetëm si mendim dija ekzistencën e tij.Ndërsa emrin e kisha dëgjuar që në fëmijërinë time të hershme  në fshat dhe shpesh herë nga im atë.

Manastiri ndodhet në gjendje të mjeruar. Si pjesët që janë ndërtuar me mur guri edhe ato me lëndë druri, janë krejt të rrënuara. Trungjet që shërbejnë si këmbë mbështetëse për katin e dytë, me një të tundur mund t'i rrëzoje. Në çdo moment pret gjithandej të bien dërrasa

Ikonostasi ishte i shkatërruar. Pjesët më interesante ishin të grabitura. Edhe ato pak figurat e shenjtorëve që mund të shihje në pjesët  që kishin mbetur, ishin tepër të nxira nga koha e tymrat. Vende, vende shihje gjurmë vajrash pasi në ajodhime, nëpër skuta e të çara, shihje kavanoza salce të sajuara si kandila. Ato nuk ishin të pakta. Kishte ende të ndezur. Besimtarë të ndryshëm i ndiznin ato fshehurazi, prej të cilëve kishte edhe nga bregdeti, më të shumtit nga Piqerasi. Për një çast mu kujtua im atë. Si shumë burra piqerasiotë, shpesh i drejtoheshin Shën Mërisë së Kostari-t. Në një nga seancat e “gjykimit të tij politik” ja përmendën atë, lutjen e tij. E dinim se besimtarë të ndryshëm vendosnin edhe lekë. Duke kërkuar gjetëm 750 lekë. Ishin të fshehura në një bashkim dërrasash të dyshemesë. Megjithëse u joshëm prej tyre, nuk e kryem atë veprim. Në fakt do të mundesha të bëja abonimin tek gazeta “Drita.” dhe revista “Nëntori.” Ishte koha për abonim, muaji Qershor në të mbyllur. Po bëheshin abonimet për 6 mujorin e dytë.

Ngjyrat e shkëmbit me kalim nga gri në okër të kuqëremtë,  në thellësi të asaj hapësire shkonte në tone më të çelëta. Dërrasat gjysëm të kalbura me atë ngjyrën në të mjaltë, të çelur, i jepnin ambientit, një gjendje mistike. Si shpirtërish e fizikisht e ndjeje veten të tërhiqej me forcë prej atmosferës së krijuar dhe të njësoheshe me të.

Ngjyra dhe konstrukte jashtë asaj të përditshmes. Ndjehesh krejt ndryshe.  Kënaqësia që kalon në tërë qenien tënde është e pa perceptueshme dhe të mbetet në memorie. Vetëm vorbulla e jetës së përditshme mund të të shkëpusë nga ai realitet i cili të mbetet si një vegim, si një ëndër.

                                                                                                       

                                                                                                             qershor 1981

 

Τρίτη 8 Σεπτεμβρίου 2020

RETË MBI QYTET

  Dimri kishte hyrë. Retë, të pa forma dhe gjithmonë në lëvizje  do ta zaptonin pothuajse të gjithë hapësirën qiellore mbi qytet. Me ajrin e freskët do të trazohej edhe një zagushi e bezdisëshme tek shfaqej papritur. Të pa pritura ishin edhe vetëtimat dredharake midis reve. Me gjithatë njerëzit ishin mësuar me këto situata të shpejta meteorologjike. Tashmë stinët sikur të ishin futur në mëri të mëdha me njera-tjetrën, ngatëronin ditët, orët, stinët sa që rrugëve të qytetit do të shihje njerëz të veshur me pallto ose gati verore. Por vetëm për një gjë nuk dyshonin se do ndryshonte, deri në fund të muajit i cili ishte edhe i parafundit i vitit, do të kishte festa lokale dhe kombëtare

 Kryetari i veteranëve të luftës NA.ÇL. kishte kohë që bënte gjumë jo të rehatshëm. Megjithëse përpiqej, nuk mundi të kuptonte nga se i vinte ai shqetësim. Ai që u mbante lart moralin atyre që kishin mar pjesë në atë luftë çlirimtare do të ishte shumë i vëmendshëm dhe i devotshëm karshi detyrës që i qe caktuar prej një kohe të gjatë. E ndjente se ishte i lindur për ta drejtuar atë shoqatë. Ishte vit jubilar. Rrethi tyre krenohej me heronjtë dhe dëshmorët e shumtë që kishin dhënë jetën në atë luftë çlirimtare. Përveç udhëzimeve të mara, nga devotshmëria që i shkonte deri në një kënaqësi të skajshme do të kishte edhe një ngarkesë të madhe emocionale ku ndoshta ishte ajo që e çonte drejt atyre ëndrave krejt të çuditshme të cilave nuk mund t’u a merte kuptimin. Mendoi të takonte shefin. Kur ndodhej para tij, duke ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të asaj fytyre ezmere dhe eshtër madhe, do t'i priste me një buzëqeshje gati të përunjur të gjitha ato shprehje pa fund e tepër ironike deri në momentin kur ai do t'i jepte leje për të ikur. Atë detyrë që e kryente me devotshmëri nga ai e kishte fituar prandaj i thoshte vetes se duhej të rinte urtë dhe mos ta shqetësonte me mendësitë e tij prej budallai. Ose a do të mundej t’i a shtjellonte ato andralla të përgjumshme

Ja, tashmë çdo gjë ishte gati. Të nesërmen fillonin festimet. Tek po i raportonte gjithçka mbi mbarëvajtjen e aktiviteteve, si një vartës besnik, në fytyrën e shefit të tij të shoqëruar me një dritë të bukur ndjeu një buzëqeshje ngazëlluese. Dhe filloi t'i përsëriste me të njëjtin rritëm në hapjen e gojës duke e  artikuluar edhe vet gjithçka ai po i tregonte. Pra po plotësohej ëndërra e tij e vjetër. Ishte gati për miratim shkresa për ngritjen në një nga lulishtet e qytetit busti i komandantit të brigadës, mikut të tij të rënë në atë pritë me pushtuesit armiq ku edhe vet ai kishte mar pjesë. Dhe ajo hare do të vazhdonte të shfaqej në fytyrat e tyre deri në momentin kur do të kryhej parakalimi i ish luftëtarëve të mbetur gjallë. Shikimit të atij vartësi vigjilent nuk do t'i shpëtonte asgjë. Në fytyrën e eprorit të tij, si retë e shumta mbi qytet vuri re të lëviznin hije të shumta. As i shkoi ndërmend t'i ndodhej pranë. Duhej të priste për të  mësuar se çfarë kishte ndodhur. Deri sa mbaruan ato festime, ditët i u dukën tepër të gjata. Megjithëse kureshtja po e gërryente, me qetësinë e një vartësi veçse do të priste. Do të vinte momenti të mësonte të vërtetën e asaj që kishte ndodhur. Ndoshta kishte lidhje edhe me pagjumësinë e tij, me ato që i shfaqeshin për natë. Vërtetë do të miratohej dhe do të plotësohej ëndëra e shefit pasi ishte një përpjekje disa vjeçare prej tij, por me  një kusht, qyteti kishte dy heronj me vlera të tilla kombëtare. Pra flitej për dy buste. Si vartës e dinte përtejshmërinë e skajshme të shefit. Nuk e mori vesh se çfarë hapa ndërmori por ata të dy nuk u përjetësuan në bronx. U përpoq të hamendësonte diçka por duke njohur karakterin e tij nuk kishte përse të mos besonte se mund të ishte ai në atë të anullimit të asaj shkrese të shumë kërkuar. 


Δευτέρα 7 Σεπτεμβρίου 2020

TEQEJA E XHERMËHALLËS

          Është tepër interesani pellgu i Delvinës. Gjithmonë e kam pëlqyer dhe i kam shkelur ato vënde

Ishte e diel tek më thirri L. Nasto, mik dhe një shok pune jo për të pikturuar por për t'i vëzhguar ato vënde pasi ja kisha shfaqur atë dëshirë. Më pëlqeu mendimi i tij dhe shkuam.

Në hyrje të Delvinës, duke filluar që nga ura poshtë në krahun e djathtë, mbrapa kalasë, gjarpëron një luginë ku në të dyja faqet e saj ndodhen shtëpi të rrethuara nga pemët e kopështet e tyre. Në qendër të luginës, në një vend të ngritur është ndërtuar një kompleks kulti i besimit musliman. Koha duke vendosur dorën e saj në mënyrë të pamëshirshme mbi të, i ka dhënë një pamje mistike. Si zakonisht kultet e çdo besimi janë ndërtuar pranë burimeve ujore.

Vendi ku buronte uji qe i trajtuar në formën më të njohur. Dy harqe të mëdhenj guri të punuar bukur  të cilët  mbështeteshin në një këmbë të vetme guri që ndodhej në qendër të asaj hapësire. Faqja ku shkarkonin ujë dy burime, ndodhej  në thellësi 1.5m. I gjithë ky ndërtim ndodhet në gjendje të keqe. Në krahun e djathtë kur kur je përballë tij, ka ndërhyrje në formën më të shëmtuar. Brenda saj hapësire ndodhet një depozitë dhe një pompë e fuqishme uji ku të gjitha në çast, emocionin e përfituar

Mbrapa saj, duke u mënjanuar pak, ndodhet një ndërtim afërsisht 4m i lartë. Ka formë të rrumbullakët me diametër 3.5m. Në lartësi mbaron me një çati konike dhe në tërë pjerësinë e saj ka dritare të vogla të cilat ndriçojnë faqet e brendëshme të saj. Edhe kjo nuk mirëmbahet pasi ka një të çarrë në mur nga futen bagëtitë. Dyshemeja është e mbushur nga gurrët e rrëzuar dhe plehu i bagëtive,

Duke zbritur më të poshtë afro 7-8m, ndodhet një tjetër e tillë me përmasa më të vogla. Në vazhdim, ndodhesh përballë ndërtesës kryesore. Ajo është një bashkim  ndërtesash në formë U-je.

Pasi kalon portën e murrit rrethues në krahun e djathtë, kur ndodhesh përballë si orientim, janë tre dhoma që ndodhen brenda një drejtkëndëshi 3x4m. Përballë saj në një tarracim dheu, më lart, duke u ngjitur në 7-8 shkallë hyn në dhomën e babait të teqesë (mendimi im). Fundi i saj jugor, bashkohet me sallën e madhe të besimit, të lutjeve. Duke i u ngjitur disa shkallëve që janë rrëzë faqes veriore të sallës së madhe dhe faqes jugore të dhomave të shërbëtorëve (përsëri mendimi im), del një tarracë që ngrihet nga fundi i përroit  afro 4m. Ajo përshkon gjithë fasadën kryesore të godinës të sallës së madhe. Në qendër të saj ndodhet hyrja. Lartësia e saktë e mureve është 4.5m, por vende-vende ato janë të rrëzuara.

Çatija nuk ekziton por janë në këmbë tre kolona guri gati katrore me përmasa 0.30-0.35 m  të cilat në lartësi bashkohen në katër harqe guri. Pasi dola prej andej bëra disa skica

Në fund të përroit, afro 15m larg ndodhet një ndërtim tjetër në formë katrore me çati konike. Në të ndodhen shumë vrima për ndriçim të cilat i janë përshtatur pjerrësisë së saj. Nga ana veriore, ndërtesa duhet të ketë qenë më e madhe pasi në lartësinë e tij muri ka mbeturinat e një harku guri. Edhe përreth  ndodhen trakte muri  që bashkohen me themelet e ndërtesës. Mbrapa tyre, në largësi 4-5m dhe duke i u përshtatur terrenit ndodhet një trakt muri që nuk dallohet mirë. Nga pozicioni që ka me përroin  dhe me ndërtesën të jep përshtypjen e një vade uji. Trakti i murit që ekziston tani, ka 3m gjatësi dhe mbështetet në këmbë guri me harqe.

Duke i vërrejtur me kujdes përroin, traktin e murit me hark, ndërtesën dhe mbeturinat e tjera mund të kuptohet funksioni i atij kompleksi. Duhet të ishin banja me ujë të ngrohtë.

Uji kalonte nëpërmjet vadës dhe shkonte në mjedisin ku sot është i shkatërruar. Ai duhet të ketë qenë vendi i ngrohjes së tij  dhe nëpërmjet tubacioneve shkonte në të katër dhomat e ndërtesës, që sot ajo po ruan karakterin e saj orgjinal pasi është e restauruar

                                                                                               E diel 12 shkurt 1989

 

 

 

 

Παρασκευή 26 Ιουνίου 2020

PAS PAK...



  Pasi i kishte zënë me rradhë që nga karriket, minderin, shtratin dhe gjithçka tjetër ku mund të ulej ose të mbështetej, ndjeu se nuk mund të qëndronte më brenda. Doli në ballkon por në çast e pa veten përsëri në sallon. Shkoi tek dritarja duke shtyrë perden pa kryer veprim tjetër por menjëherë kaloi në dhomën e gjumit duke bërë edhe aty të njëjtat veprime tek dritarja e vetme e saj. Të gjitha këto ishin gati të përditshme që nga dita kur u shfaq ai virus i mallkuar. Kaloi përsëri në sallon. Si për të vërtetuar se gjithçka ndodhej në vendin e vet, e përsëriti veprimin duke rrotulluar kokën ku më pas, shikimi i tij u ndal mbi  sipërfaqen e xhamtë të televizorit. Në qoftë se veprimet kur ndodhej përpara dritareve i ndalte në mos hapjen e tyre për të vetmen arsye se e dinte po të njëjtat do të shihte, asaj kutie të shndritshme nuk guxonte t'i afrohej për diçka tjetër. Kishte kohë që  ngacmohej prej saj. Ndoshta ishte vet ai problemi. Në të vërtetë i pëlqente t'i shihte ato programe. Do t'i ndiqte me vëmendje. Çdo gjë ishte e bukur e këndshme. Më tej lajme dhe emisione të ndryshme. Lajme, emisione, moderatorë të shumtë dhe përsëri emisione si në çdo kanal televiziv tjetër të sponsorizuar vazhdimisht nga të njëjtët njerëz. Ende nuk e kishte shkëputur shikimin prej tij. Nuk ndjeu sa qëndroi ashtu por kuptoi se po tundohej. Në atë moment, pas asaj kohe të mos hapjes ose duke mos pasur pikë dëshire të qëndronte përpara asaj kutie, pa pritur i lindi dëshira të shihte në brendësinë e saj siç e thoshte shpesh, “kutinë pandorës.”   Dhe përmes asaj turbullire që ishte krijuar në mendësinë e tij, pa e kuptuar veprimin që do të kryente, shtypi butonin e komandës. Në një prej stacioneve televizive kombëtare, aty ku e kishte fikur për herë të fundit, moderatoria e  edicioni të mbasdites,  një vajzë e bukur mes të tjerave po përpiqej të shfaqte edhe cilësitë e saj femërore. Ishte një moment kur ajo pasi mbaroi një ligjëratë të saj jo dhe fort të shkurtër u shpreh: Publicitet. Pas pak publicitet. Tek po ndiqte me vëmendje lëvizjen e buzëve të saj filloi të dëgjonte me kënaqësi zërin e tij tek shprehte të njëjtat fjalë por në formë gramatikore jo të saktë. Pas pak plubicitet, plubicitet. Ato sekuenca të shpejta i dhanë një ndjesi të bukur. Kishte dëshirë ta dëgjonte. Dhe nisi të kërcente nga gëzimi duke thërritur me zë të lartë plubicitet, plubicitet. Prej tij, deformimi i asaj shprehje nuk ishte i çastit por i hershëm. 
Pasi i kishte hequr bizhamet u përpoq të rregullonte rrobat e veshura në çast. Me këpucët u përpoq edhe më shumë pasi ato kërkonte t'i vishte si gjithmonë pa i zgjidhur lidhëset, duke i shtyrë këmbët në brendësi të tyre me vështirësi.
Doli. Në rrugë nuk pa këmbë njeriu. Nuk u ndje mirë. Mori për nga parku, nga qendra e lagjes duke ecur si i çallakatosur. Por në rrugë e gjithandej nuk pa njeri ku ai mund të këmbente ndonjë fjalë. Tek po ecte me rrëmbim ndjeu se duhej të fliste, ore edhe të bërtiste. I u  kujtuan përsëri fjalët e pakta të asaj bukuroshes kur lajmëronte për reklamë dhe ripërsëriti ato fjalë. Duke vendosur dorën pas veshit dhe me shikimin e tij kudo dhe askund, ndjeu zërin e vet të oshëtinte mes atij blloku ndërtesash. Qeshi me veten duke përplasur hapin mbi asfalt. Aty zbuloi se kishte me se të merrej. I pëlqeu kërcitja e këpucëve të cilat dikur ishin pjesë të kostumit të dhëndërisë. Edhe pse e tërhoqi kërcitja e thatë e tyre, vëmendjen e kishte pas çdo gjëje të re që mund të zbulonte. Ja, diku aty përpara tij një dritare u hap. E përshëndeti me një lëvizje koke. Me njëherë përsëriti të dyja shprehjet e moderatores. Tek u ndesh me fytyrën e personit femër të ndodhur brenda kuadratit të dritares ripërsëriti fjalën e dytë të saj dhe vazhdoi të ecte më tej. Në çastin tek do të hidhte këmbën në asfalt për të kaluar në krahun tjetër të rrugës, shpejtësia e hekurt e një mjeti policor përveç erës dhe pluhurit pas tij, shoqërohej me ulurimën therrëse të sirenës që nuk deshte të pushonte. Mbeti pa lëvizur aty në anë të rrugës si një mumje e pluhurosur. Dhe ndoshta nuk dihej se sa mund të qëndronte në qoftë se ata njerëz të rendit nuk do të riktheheshin. Të papërfillshëm ndaj ekzistencës njerëzore të tij, e mbërthejnë duke e rrasur në pjesën e pasme të xhipit. Duke mos reaguar ndaj asaj që po i ndodhte dhe me atë çehre që shfaqte në fytyrë që nuk ishte gjë tjetër veçse habi, nisi të fliste: pas pak, pas pak. Ju lutem jo tani pas pak. Kur dikush prej atyre ruajtësve të rendit do të drejtonte shikimin prej tij, do të shihte se tashmë ai njeri i çuditshëm do ta ripërsëriste atë frazë nën zë, deri në çastin kur ata do ta çonin në komisariat. E lanë diku në një qoshe të birucës. E lanë aty pa kryer as edhe një veprim të vetëm për të mësuar identitetin ose gjithçka tjetër rreth tij. E lanë në mendësinë e ngacmimit të radhës, të vetmisë së madhe që e kishte pushtuar prej kohës. Dhe do ta kalonte ditën së bashku me të nesërmen që ishte e diel, aty brenda duke u ulur e kryer ec e jake të shpeshta të shoqëruar me frazën e vetme të ngecur si gramafonët e dikurshëm me ato disqe të keqpërdorur.




Πέμπτη 23 Απριλίου 2020

HISTORIA E NJË KAFKE

Tregim

 

Pra e hëna e parë e muajit korrik e gjeti në krye të ekspeditës. Dikur, ato pak fragmente të mureve të shfaqura mbi sipërfaqen e tokës të atij terreni të pjerrët ishin hedhur në regjistrat e bërthamës arkeologjike. Shkak për t'u rikthyer aty do të bëhej një çoban në sheshimin e një sipërfaqe të vogël brenda asaj zone. Një kasolle të vogël dhe rrethim me thupra druri për një tufë bagëtish. Si në shumë raste të tjera sidomos i një varri të tillë të pa prekur ndonjëherë të gjithë do të entuziazmoheshin sa ndodheshin përreth tij. Duke u orientuar me cepin e dalë pastruan krejt sipërfaqen prej dy pllakash guri të bardhë gëlqeror. Në heshtje do t'i lëviznin ato me kujdes për t'i ulur në një vend të sigurt. Skicografi i cili ishte edhe drejtuesi gërmimeve do të ishte ai që do ta zotëronte atë hapësirë ajri e të gjithçkaje tek po binte për herë të parë në kontakt me dritën. Menjëherë pas tij edhe të dy punëtorët do të hidhnin shikimet e tyre në brendësi të asaj arke prej pllaka guri masiv që quhej varr.

 Në atë qetësi që mund të gjendet vetëm brenda  një hapësire të tillë ndodhej një skelet njeriu. I shtrirë në shpinë, me “gojën e hapur”  dhe “sytë e shqyer” të jepte përshtypjen se ishte ai që po habitej më tepër. Dora e djathtë ndodhej e përthyer gati përmbi gjoks. Aty në mes, pjesë në bronc të një rripi ku dikur mbante të shtrënguar ndoshta një pelerinë. Në lartësi me kokën, përsëri të punuara në bronc dy kupëza, zinxhir i imët dhe një krah i drejtë me ekstreme të njëjta. Më poshtë, në gjendje të mirë  gati të shpërndara katër kandila ndriçimi në qeramikë të dekoruar bukur. Midis tyre pjesë lotore qelqi në të cilat  ndjehej forma e dikurshme. Më tej, në kohë, prej skicografit do të dëgjohej kërcitja karakteristike e aparatit fotografik. Në format kartoline, ato fotografi do të ishin dëshmitë fillestare të atij zbulimi. Pastaj me një shpejtësi të habitshme ai do të skiconte ambientin me të gjitha elementet që  shoqëronin varrin si brenda dhe jashtë tij. Pasi të bindej se çdo gjë e kishte kryer me sukses do të urdhëronte të  fillonte paketimi i tyre. Duke e  parë me kërshëri atë kafkë, forma e saj i bëri  përshtypje. Buzëqeshi dhe kreu një veprim sikur po e krahasonte me ta, me punëtorët. Kaloi pëllëmbën e dorës përmbi ballë si për ta fshirë nga pluhuri i fundit dhe u përpoq t'i gjente një vend të përshtatshëm në një prej arkave që vendosnin objektet e gjetura. Gati i bindur, ai mendoi se mund të jetonte edhe sot një njeri i tillë. Me të njëjtën kafkë, me të njëjta tipare. Vazhdimisht tek njihej me njerëz të rinj, do të përpiqej të ndërtonte formimin anatomik të tyre. Eshtrat, kockat ku mbi to përshtateshin dhe modeloheshin pas tyre muskujt e fytyrës. I ndodhur mbi fragmentin e pakët të murrit që shfaqej mbi sipërfaqen e tokës, u dha urdhër punëtorëve të  mbulohej ambienti. Ishte në praktikat e zbulimeve arkeologjike. Vetëm kështu mund të mbaheshin ende të konservuara.  Duke parë në shikimet e tyre bindjen e vazhdueshme u premtoi kafe dhe raki.

Pra ajo ekspeditë një ditë pune ishte. Pretenduan për më shumë. Më pas tek Qendra Arkeologjike, në katin e parë të ndërtesës pesëkatëshe të ndërtuar mbi themelet jugperëndimore të kalasë romake, ekipi do të sistemonte materialet e gjetura. Aty ndodheshin zyrat dhe fondi i objekteve të zbuluara. Në atë shqetësim të përditshëm, brenda ndjesisë së tij profesionale ai do ta kishte vëmendjen  ende tek zbulimi  i fundit. Skeleti i gjetur me objektet që e shoqëronin do ta çonin trurin e tij në përpjekje të pafund. Pra, ekzistenca e peshores brenda varrit, të paktën kështu mendonte edhe arkeologu ish kolegu i tij,  tregonte për një njeri me pushtet.  Duhej të shfletonin diçka. Duhej të merrnin një informacion më të saktë. Për të, ai ‘’shikim i zbrazët” i atij njeriu të hershëm sikur e thërriste në vazhdim. Ideja se atë pajisje vetëm një pushtetmbajtës mund ta zotëronte, e joshte për të guxuar në atë që mendonte. Nga literatura që kishin në dispozicion, të cilat ishin të shoqëruara me skica dhe fotografi, vërtetohej disi se në të gjitha rastet, pavarësisht se kishin elemente dhe ndryshime të vogla, flitej për simbolin e  peshores. Mund të ishte një pushtet mbajtës, një ligjvënës, ose ndoshta një gjykatës.

Megjithëse i ngarkuar me punë, ku shpesh do ta thërrisnin në disa ekspedita kërkimore jashtë qendrës së tyre arkeologjike, ai vazhdimisht përpunonte tiparet e mundëshme, fizionominë e atij njeriu. Për të mos ta dëmtuar, “tiparet” e asaj kafke i hodhi në një tastiel prej gipsi. Gjithashtu në shumë skica kishte krijuar imazhin e atij portreti. Nga instituti i arteve kishte ruajtur portrete të shumta në laps. Studimi në imtësi i karaktereve, i lëvizjes që merte çdo pjesë e veçantë e portretit e kishte ndihmuar për të perceptuar në veçantitë e çdo individi. Dhe do t'i mbante mbi tavolinë, diku aty përpara. Do të kalonin ditë e do t'i merte përsëri në duar. Pas gjithë atij informacioni, aty në tavolinën e punës, mes skicave dhe objekteve të shumta filloi mbushjen me material jetësor mbi kafkën prej gipsi. Kishte ardhur koha ta konkretizonte idenë Në ditët në vazhdim, midis asaj tek po e ngjeshte atë baltë argjilore mbi kafkë, ku ajo pjesë e mishtë muskulore e tendinash, do të njësohej e do të jepte pamjen më të mundshme, ngacimi  i përditshëm me njerëzit e qytetit ku ai e përjetonte nga mëngjesi deri në darkë, gati e trembi. Vërtet mund të jetonte një tjetër me të njëjta tipare. Dha urdhër që asgjë mos të prekej nga tavolina. Ditë të tëra nuk do guxonte të kalonte prej andej. Për t’u  justifikuar doli në terren. Megjithëse ishte angazhuar në punët e përditshme, në trurin e tij duar të padukshme ende vazhdonin të punonin pambarimisht në modelimin e asaj fytyre. Nuk mund ta ndalonte atë proces.

Zona ku shtrihej ajo zonë arkeologjike e kishte tërhequr shpesh. Ishte tepër atraktive. Gjatë shkollës, kur kthehej me pushime, shumë prej peizazheve dhe skicave të atyre objekteve të hershme i kishte hedhur në letër. Atëherë nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se mund t’u rikthehej atyre vendeve dhe të emërohej si skicograf i bërthamës arkeologjike. Duke mar pjesë në disa ekspedita të cilat kishin të bënin me varre zotërinjsh të periudhës antike mori njohuritë e para për atë disiplinë. Dhe do të ishte shembull,  tepër korekt dhe profesionist. Për këtë gjë do ta çonin për specializim mbi antropologjinë. Tashmë i ndodhur në një pozicion tepër të rëndësishëm pa pritur ndjehet në siklet. Çfarë po ndodhte me të. Cilët ishin ata njerëz që mendonin se ai kishte gabuar. Me anën instiktive të karakterit të tij filloi të mendonte se nga dikush po vëzhgohej. Mos vallë ishte kafka e atij njeriu të hershëm që po i sillte ato shqetësime

Kishte rreth një javë pa shkelur në studio e cila ndodhej në brendësi të qendrës arkeologjike. Kaloi portën e drunjtë dyfletëshe duke i hedhur një shikim të shpejtë  atij ambienti gati nëntokësor. Dikush do të ishte aty duke punuar pasi të gjitha dritat ishin ndezur. Nuk qëndroi shumë por u drejtua për nga vendi i punës. Ajo hapësirë dhome e cila kishte komunikim me dritën e jashtme nëpërmjet një dritare, ishte në dispozicion të tij. Megjithëse ndjesia e përpunimit të atij portreti e shoqëronte vazhdimisht, sot nuk mundej. Si me përtesë e zbuloi. Ndjeu se dikush e kishte prekur. Mendoi se nuk ishin thjeshtë gjurmë duarsh por veprime dashakeqe. Kush mund ta kishte bërë atë veprim. Doli prej andej. Thërriti dikë. Thërriti një emër në formën më të shkurtër të tij. Nuk kaloi shumë dhe ai u shfaq nga zona më e errët e atij ambienti. Ende pa u afruar e pyeti në se mund të kishte parë dikë të futej në studion e tij. Ai, me një lëvizje të lehtë gati të gjithë trupit shfaqi atë të mohimit, por si me mbase shprehu se ndjeu hapat e dikujt të hynte e të dilte. Ishin hapa fare të lehtë vazhdoi ai. Më bëri përshtypje kërcitja e thatë e këpucëve te tij, por nuk u interesova më tej dhe ende pa mbaruar mori për nga kishte ardhur. I ndodhur ende aty ku u ndal nuk po vendoste se ç'farë duhej të bënte. Tashmë në mendje nuk do t'i shfaqej fytyra e njeriu të hershëm por arsyeja se kush nuk e dëshironte atë. Mori për të ikur. Duke zbritur shkallët e pakta i shkoi ndërmend kolegu i tij, arkeologu. Ai ishte tre-katër vjet më i madh. Kishte mbaruar të lartën për histori-gjeografi. Pasi punoi disa vjet si mësues në një shkollë të mesme e çuan në bërthamën arkeologjike. Më pas për të mbrojtur vendin e punës kreu edhe një kurs. Pas dy-tre vjetësh,  prej andej e çuan në seksionin e arsim kulturës të rrethit. I ndodhur aty në fund të atyre shkallëve i tha vetes se duhej t'i bënte edhe disa pyetje të tjera atij punëtori. I kërkoi informacion për ditët kur ai nuk ndodhej aty. Kush mund të kishte hyrë në studion e tij. Duke aluduar për ish kolegun i tha vetes se mundet. Mund të ketë qenë ai. Po, ai kishte kaluar disa ditë në vazhdim aty. Përgjigjja e punëtorit i u duk e çuditshme. Duke e vërejtur me kureshtje, për të parë nëse përputhej lirshmëria e mimikës së fytyrës me fjalët e thëna, mendoi se diçka nuk po shkonte. Tashmë shumë pikëpyetje do ta shqetësonin. Çfarë po ndodhte me kolegun e tij. Nuk kishte vënë re ndonjë gjë negative tek ai. U përpoq të kontaktonte me të. Duhej të mësonte diçka. Si fillim asgjë. Në ato bisedat e zakonshme, ku flisnin edhe për objektet e zbuluara, përmendën edhe mundësinë e atij njeriu të hershëm për të qenë një zyrtar i lartë. Ligjvënës, ndoshta edhe gjykatës. E përsëriti fare lirshëm mendimin dhe kur u përballua ja kërkoi me ngulm miratimin e idesë së tij. Dikur, për ato objekte që kërkonin bashkëpunim për përcaktime më të sakta kohore ose të diçka tjetre, do të nxirrnin mendime të përbashkëta. Por tashmë reagimi i tij rreth kafkës ishte i pakuptueshëm. Ai u mundua të mos shfaqte asgjë.  Prej tij, padurimi për t'u shkëputur ishte i dukshëm. Nuk duhej të vazhdonte më tej. Nga përvoja, tensionimi i situatës do të pakësonte mundësinë për të kuptuar atë që dëshironte. Përse ai nuk po shfaqte asgjë. Mos vallë nga xhelozia apo nga diçka ku ai nuk mundej ta kuptonte.. 

Në ditët në vazhdim, rrugës tek po ecte nuk e ndjeu përplasej me dikë. Buzëqeshja e tjetrit e ndodhur gati pranë fytyrës së tij nuk e shkëputi aq lehtë nga ajo që po përjetonte. Duhej të kalonin edhe disa sekonda ose disa minuta. Në të njëjtën kohë ai i hodhi krahun. Duke vazhduar ecjen i shprehu se edhe atij i ndodhte të kryente veprime të tilla. Hoqi shikimin prej hapave tek i hidhte mbi rrugë dhe e drejtoi nga ai. Mendoi se duhej të shprehej dhe pa e kuptuar se çfarë po bënte, pa përmendur emra gati i rrëfeu atë  që mendonte. Ai tjetri, me shikimin e hedhur në tokë i shprehu opinionet e mira që kishin për të. I zbutur nga ato fjalë vendosi të mos shqetësohej për asgjë. Që nga ai çast vuri re të përballoheshin më shpesh. Deri dje  nuk e njihte ndërsa tani po i dilte aty ku nuk mund ta mendonte. Duhej të mësonte arsyen e atyre rastësive. Dhe ja e njohu nga ecja. Gjysmë i kërrusur si gjithmonë. Me përkuljen e dyfishtë të qafës dhe të trupit i dha përshtypjen e një njeriu të pështirë. Ja me kollaron tek i tundej aty përpara, larg gjoksit. E gjitha kjo nga devotshmëria dhe përkulja ndoshta prej servili kundrejt eprorëve. Diku kishte lexuar se qendra e gravitetit të trupit të çdo individi përcakton karakterin e tij. Pikërisht kjo e shqetësonte. E kërkoi me sy shikimin e tij. Nuk pa reagim. E la të shkonte. As vet nuk e kuptoi përse nuk i thirri. Në ato pak metra larg, ajo harmoni trupore e ndodhur brenda atij kostumi zyrtar në ngjyrë gri të errët që kishte lidhje me gravitacionin e tij, e ngacmoi keq. Vazhdoi rrugën. Tek po ecte i u kujtua një nga personazhet më të spikatur të Dikensit, Uriah Hip, ai njeri i fëlliqur. Mos vallë ky njeri ishte vënë prej ish kolegut ose prej dikujt tjetër që punojnë në strukturat shtetërore. Po përse vallë.?!

Megjithëse në qendrën arkeologjike kishte ditë pa shkuar, ai kaloi në brendësi të saj pa u përshëndetur me asnjë. Në tavolinë  kafka prej gipsi e mishëruar në njeriun që po kërkonte,  e priste në qetësi. E zbuloi. Si një i verbër kaloi pëllëmbën e dorës mbi të. Mollëzat e gishtërinjve të tij njohën atë që ai mendonte. Ai material që përshtatej lehtë nëpërmjet gishtave, po plotësonte me besnikëri portretin e atij njeriu të hershëm. Balli aty përpara, me vetulla tepër të tendosura e me sytë qe tregonin vet besimin e një njeriu të pushtetshëm e bërën të buzëqeshte. I kënaqur nga ajo që po shihte, gati sikur e përkëdheli mirëseardhjen e atij njeriu të kohëve antike. Nga kjo u nxit edhe më shumë. Nofullat, mjekra dhe çdo element tjetër i fytyrës, të asaj kafke eshtërmadhe u shfaq e plotë para tij. Por nuk u mjaftua. Për t'i përshtatur me tiparet e atij njeriu u mor me flokët duke u dhënë trajtën më të mundshme. Vuri re se me dikë ngjante ose edhe me një tjetër. Çfarë ishte ajo ngjashmëri që atë e përafronin me dy persona ku gati përplasej rrugëve me ta. U ul. Kaloi shpinën e dorës diku atje tek mjekra e tij si për të pastruar diçka dhe ra në mendime. U turbullua. I lindi dëshira ta prishte por nuk e bëri. Duhej të qartësohej ndaj asaj që po e shqetësonte, ndërkohë edhe ta përfundonte punën që kishte nisur. Në ato çaste, njeriun që po i afrohej nuk e ndjeu por pesha e dorës se tij mbi sup i u duk e rëndë. Ktheu kokën. Ishte ai. Aty përpara, si gjithmonë me trupin gjysmë të përkulur. Nuk reagoi. Mendoi se duhej të priste. Duhej t'i jepte atij mundësinë për të folur i pari. Kështu do të kishte kohë të kuptonte arsyen e ardhjes. Por heshtje dhe vetëm heshtje. Dora e tjetrit sa shkonte e po rëndohej edhe më shumë. Tashmë po i kujtoheshin megjithëse të copëtuara momentet kur përballohej me të. Ajo shfaqja e tij e papritur po i bëhej më konkrete. I vënë nga dikush tjetër ai po e vëzhgonte. Dhe në çdo çast sikur i thoshte “jam këtu, po kontrolloj çdo veprim tëndin”. Ngriti kokën dhe u përballua me të si për të vërtetuar të gjitha ato që mendonte. Në ato momente vuri re shikimin e tij të drejtohej nga puna e bërë e cila ndodhej diku aty përpara. Aty ndjeu edhe buzëqeshjen e tij ironike të shfaqur dukshëm në atë fytyrë enigmatike sikur po i thoshte “të kapa më në fund.” Pa e kuptuar nuk reagoi, nuk u përpoq të mbulonte punën e tij. Por mendimet e tjetrit të shprehura me zë e ndaluan. Më kanë thënë se je punëtor i madh. Punon deri vonë. Është e vërtetë. Pa dale të shoh se çfarë ke bërë. Dhe me një shtytje u përpoq të hapte rrugën drejt kafkës prej balte e gipsi. Tashmë i ndodhur mes saj dhe njeriut të sapo ardhur, gjithë vëmendjen e përqendroi mbi të. Në çast i u kujtua prania e vazhdueshme, dhe përplasja me shikimin e tij. Ai do ta shoqëronte kudo. Çfarë kishte ndodhur vallë. Ku kishte gabuar. Përveç lirisë profesionale asgjë nuk kishte kërkuar. Shpesh kohën e lirë të tij e vendoste në dispozicion të punës. I u kujtua se edhe aty rrugës tek i hodhi dorën për herë të parë në sup, si sot, shikimin e kishte të përqendruar mbi shkëlqimin e këpucëve. Në atë çast, ajo rrobë e varur me efekte që kalonin nga ngjyra e kuqe e shoqëruar me disa vija të zeza nisi ti tundej aty përpara gjoksit. Pikërisht këtë fakt ai u përpoq ta eleminonte duke drejtuar edhe trupin që ishte gati të humbiste ekuilibrin. Dhe për të mos i dhënë kohë skicografit në atë që po përjetonte, e goditi në sup disa herë me majat e gishtërinjve. Ato ishin si thirrje, si paralajmërim. Në ato çaste të dy e kërkuan me ngulm përballimin me njeri tjetrin. Ishte shtrëngim nofullash i shoqëruar me shumë lëvizje të tjera në fytyrë. Të gjitha ato shfaqnin epërsinë për të mposhtur tjetrin përballë. I ndodhur ende në këmbë, mbajtësi i kollares përpiqej të dukej më lart tij, si një njeri ku të  gjithë të tjerët duhej t'i trembeshin, t'i nënshtroheshin. Skicigrafi, i ulur e me duar mbi kafkën prej gipsi nuk ja shkëputi shikimin. Për të, ajo kohë qe e mjaftueshme. Sy me shikim inatçiu e idhcaku. Aty mendoi ta tërhiqte me dhunë prej kollares e ta shkelte me këmbë atë njeri. Por jo. Ajo qenie njerëzore në çdo lloj formë që do të ndodhej mbi tokë, shtylla  kurizore e tij do t'i përshtatej anormalitetit gravitacional. 

Nga ai përballim, mbajtësi i kollares, të gjitha sa kishte menduar gjatë rrugës nuk po mundej t'i artikulonte në zë. Ai e ndjente se ngjashmëria e atij njeriu të hershëm me njeriun më të rëndësishëm të qytetit ishte tepër e madhe. Por për sa po ndodhnin në atë çast, shkak ishin edhe shenjat e çuditshme të lëna mbi fytyrën e njeriut më të dashur e më të respektuar të pushtetit popullor.

Për skicografin të gjitha ato nuanca dhe lëvizje muskulore në fytyrën e atij shërbëtori të devotshëm ishin të mjaftueshme. Shumë keq i shkoi mendja. Dhe nga ana tjetër ai Uriah Hip i shëmtuar ende nuk ja kishte shkëputur dorën e tij të lëngshme me veti ngjitëse. Si atë ditë rrugës tek po e ndiqte. Dhe ndjeu përsëri ato goditjet e lehta  të shoqëruara me dy fjalë: Mirë, shumë mirë.  

Tashmë për të dalë prej asaj situate absurde por më tepër komike si e mendonte ai, kuptoi se mundësia do të qe e vështirë. U çua prej karikes pa guxuar të hedh ndonjë hap më tej. Ku të shkonte. Çfarë të bënte. Për të çdo gjë që mund të ndodhte ishte e pa imagjinueshme. Megjithëse që këtej e tutje do të ishte në diskutim ekzistenca e tij në atë qendër arkeologjike, përsëri vëmendjen e kishte tek kafka e atij njeriu të hershëm. Mes shfletimeve të literaturave dhe studimeve arkeologjike, mendoi se e kishte kaluar kufirin e asaj që i kërkohej prej institucionit ku ishte punësuar. Çfarë vlere kishin ato tashmë ku në të vërtetë mungesën e një arkeologu ai e plotësonte më së miri. U ndje keq për të vetmen arsye sepse atyre u shkonte përshtat çka ai bënte. Ata në heshtje gati e miratonin pasionin e tij, ndërsa sot egzistencën e tij mund ta shpërfillnin në çast. Ktheu kokën nga ai njeri i hershëm. Shikimi i tij ndodhej në të njëjtin drejtim që nga çasti ku e kishte lënë. I shkoi pranë dhe pa menduar asgjë u ul duke u mbështetur  mbi syprinën e tavolinës. Nuk e kuptoi se sa qëndroi ashtu por vendosi ta plotësonte portretin e atij njeriu që e kishte mbajtur në ankth.

       Më tej se si vazhdoi ajo histori jo vetëm e asaj kafke por edhe e skicografit, për veçse përfliteshin dy variante, mbijetoi ajo që mendohej si më e bindshme. Ishte ai që krijoi atë situatë absurde, Uriah Hip-i dikensian që do ta shfaqte si një porosi të shefit, pasi vetëm skicografi i qendrës arkeologjike të rrethit mund të realizonte vepra të tilla.

 

 

 






Σάββατο 18 Απριλίου 2020

ELENI

 Në atë lamtumirën e fundit që i dha të shoqes, pranë i u ndodhën veçse një grup i vogël miqësh. Kërkesa e saj ishte të prehej në vendlindje. Pasi i mbaroi të gjitha çka kishte në program menjëherë u rikthye në atdheun e dytë të tij. Gati për një çerek shekulli me punë dhe jetë bashkëshortore me të cilën kishte kaluan pjesën më të lumtur të jetës tashmë ai do të jetonte i vetëm. Me ëndra të bukura për të krijuar një familje të madhe punuan fort duke siguruar strehën e tyre por prindër nuk mundën. Shfaqja e asaj sëmundje të keqe në trupin e saj do të zhdukte edhe shpresën më të vogël për vazhdimësinë e jetës.

Tashmë po kthehej pa të. Si do të mundte pa frymëmarrjen e saj. Pa e prekur dhe pa u kujdesur për trupin e saj të brishtë. Të gjitha këto dhe shumë të tjera i kaloi në trurin e tij deri në çastin kur ai automjet i madh pasagjerësh do të bënte ndalimin e zakonshëm në atë qendër shërbimi anës autostradës, ku për ta do të ishte shplodhje ose konsumim i diçkaje.
Tek po ulej për të shijuar kafen, ai çast do ta trondiste dhe do t'i rikujtonte sagën e vuajtjeve të dikurshme me të shoqen. Nga një tavolinë aty pranë, një fytyrë gati “e panjohur” u përball me shikimin e tij. Pothuajse pas një kohe të gjatë i u rishfaq po ai zemërim i asaj fytyre ku ende nuk mundi ta kuptonte shkakun. Ai ishte bashkëmoshatari dhe ish shoku i klasës, vëllai i Elenit, gruas së tij. Nga të gjitha veçse një çast i u kujtua, ai mëngjes teksa ajo po nxitonte për në shkollë. Duke i dhuruar buzëqeshjen e përhershme të saj ajo e miratoi atë ç'ka dëshironte që ai të  bënte. Pra të bisedonte me të vëllanë e saj e më pas me prindërit. I u kujtua edhe veprimi i përhershëm tek  hidhte gërshetin e vetëm mbi krahë. Gjithashtu edhe ai ndryshimi në ecje pas asaj ndjesie të bukur që ajo po përjetonte. U përpoq të përballonte shikimin me atë njeri që se kuptoi ndonjëherë arsyen për atë mos miratim të asaj dashurie të bukur por nuk mundi. Çfarë kishin më tepër ata njerëz nga ai. Po, vetëm një gjë i mungonte, i ati. Në atë kohë ai kishte veçse dy vjet që kishte ndëruar jetën. Ishte fëmija i vetëm i asaj familje që përpiqeshin të mbijetonin nga jeta e vështirë në fshat. Në mënyrë krejt të mistershme, e regjistruar dhe e ruajtur fort shpirtin e tij ajo drita e bukur e syve të saj u rishfaq në pika loti. Tashmë nuk po ndjente gjë tjetër. Për të gjithçka kishte mbaruar. Nuk i bënte përshtypje se çfarë mund të mendonte ai njeri. Krejt familja e saj nuk e miratoi ndjenjën e bukur që po përjetonte vajza e tyre. Megjithëse ndërhynë edhe njerëz dashamirës për t'u bërë ai bashkim, nuk u realizua asgjë. Të detyruar, kryen arratisjen ose rrëmbimin siç e quajtën ata, si veprimin më të drejtë për të përjetuar dashurinë e tyre pa dashurinë e të tjerëve. Si fillim ikën nga qyteti. Pothuajse për një muaj i mbajtën njerëzit e afërt e të dy familjeve. Ndërkohë me njohje pasi ishte tepër vështirë të siguroje një strehë në ato vite, do të mundeshin të jetonin me një familje në një hyrje e cila nuk ishte gjë e rrallë. Menduan se do ta përballonin si gjithë të tjerët. Por nuk do të mundnin të qëndronin gjatë atje se do të kishte të tjerë që do ta donin atë dhomë të vogël me një banjë të përbashkët. Do t'i strehonin në një barakë disi të mirë, me një  banjë me mbulim eterniti të ndodhur në periferi të qytetit. Tek shtriheshin për të fjetur, të shtrënguar fortë me njeri-tjetrin, do të shiheshin në sy si për t'u shfajësuar se nuk ishte faji i tyre për atë mjerim. Më tej ajo familje e betuar ndaj qëndrimit të vajzës së tyre, nuk e pranoi më.      
 Mes vuajtjeve, era e re tek po kalonte lirshëm kufirin shtetëror do t'u jepte shpresë të madhe edhe dy të dashuruarve. Do të shfrytëzonin momentin më të parë për t'u ndodhur në botën e lirë, matanë atij brezi me tela dhe gjemba dhe të shijonin jo vetëm lirinë por edhe bukurinë e moshës së tyre. Të etur për të jetuar e morën me dëshirë të madhe atë hyrje në katin e dytë të asaj ndërtese. Do të ndjeheshin mirë me të gjithë bashkëjetuesit të atij pallati disa katesh dhe dhurata më e bukur për ta do të ishte ardhja e një çifti të rinjsh nga qyteti ku ata kishin jetuar. Megjithëse nga mosha ishin fëmijët e tyre do të lidheshin me ta gati si familjarë.
Në pjesën tjetër të udhëtimit u ndje më i çliruar. Të tjera gjëra po kalonte në mendjen e tij. Kohët e fundit me të shoqen kishin menduar se në rastin më të parë të ardhjes në jetë të një fëmije prej tyre do t'u kërkonin ta pagëzonin vet. Edhe për ta do të ishte një gëzim të madh. Dhe si në ato ëndërimet që mund të përjetojë çdo çift bashkëshortësh në pamundësinë e një fëmije, do t'i dhuronin asaj krijese më të mirat e botës. Pa orën, kishin ende kohë për të mbritur në kryeqytetin e atdheut të tij të dytë. Mendoi se po i puthiste bukur ato që kërkonte të zbatonte. Pra, në qoftë se do të lindte vajzë, emri Eleni ishte më i përshtatshëm për të, por edhe emri i tij nuk ishte i keq në qoftë se lindte djalë. Do t'i përkushtohej jetës së asaj fëmije deri në çastin që nuk do të kishte më fuqi. U prek pa e kuptuar arsyen. Ndoshta nga ajo nëse ata nuk do të pranonin ose do të realizohej ajo dëshirë e cila ishte edhe e Elenit. Në ato momente, për shumë gjëra që po kalonte ishte gati të bërtiste. Po e shqetësonte ajo hapësira midis realitetit dhe dëshirave të tij. Mendoi se më e mira e të mirave ishte të shkonte në shtëpi, të bënte një dush dhe të binte për të fjetur. Ata do ta ndjenin ardhjen e tij dhe në momentin më të parë do t’u a thoshte të gjitha, të gjitha ato që kishte menduar me Elenin. Me imtësitë më të vogla të pasurisë të krijuar me të, gjithashtu edhe dëshirën e tij të mjerë që kur t'i vinte koha të prehej pranë saj.