Atë vit shkollor, në klasë kisha zënë vend në rreshtin e mesit, në bangën e parafundit, nga e djathta. Kishim matematikë. Mendimi më kishte fluturuar diku jashtë klase. Nuk mbaj mënd se çfarë më ishte shfaqur para syve, por nëpër mjegull mund të kujtoj disa copëza…pyll i dendur me pemë të larta, lëvizje ritmike e degëve, e gjetheve, e trupave drunorë. Lëvizje e disa trupave të paqartë që afroheshin drejt ekranit të syrit tim nën ritmin e fyellit e të flautit. Ishin trupa femërorë e jo drunorë. Më erdhi për të qeshur për atë rimim pa dashur, femëror e jo drunor. Po, vërtet ishin trupa femërorë që vazhdonin të lëviznin para syve të mi. Trupa femërorë të ajthëm, të cilët nën ritmin e lëvizjeve të tyre, përbrenda fustaneve të tejdukshëm zbulonin plot hir pjesëza epshndjellëse. M’u kujtua tabloja e piktorit të rilindjes italiane Boticelit, “La primavera.” Iu afrova më pranë vegimit-tablo dhe ashtu i turbulluar siç isha, e kapërxeva realen për të prekur irealen. U ndodha mes tyre dhe po mundohesha të largoja atë mjegull, atë tis që më pengonte të shihja fytyrat e atyre trupave femërorë që po më qarkonin. Ishte e pabesueshme: fytyra tepër të ngjajshme, lëvizje të ndryshme duarsh, këmbësh, trupash e portrete të njëjta. Mos vallë është ajo që mendimi im e ndjek pas kudo që shkon. Realja, ajo po më qartëson. Po, vërtet është portreti i saj. I asaj që ndodhet në klasë, në rreshtin e parë nga dera, dy tavolina përpara meje. Instiktivisht, nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxora portaminën dhe ashtu nëpërmjet tij, në fletën e fundit të fletores fillova ta skicoj. Kishte profil të bukur. Maja e lapsit po e jepte me vërtetësi portretin e saj. Ja balli i sheshtë dhe hunda nazike me pak kurriz. Buzë e mollëza të kuqëremta e pak të dala. Sytë, ah sytë e saj, në të cilët sa herë mundohesha të shihja veten time, në brendësi të tyre, ajo turbullohej. Tek po mundohesha nëpërmjet lapsit të përqendroja shikimin e syve tëë saj siç e kishte zakon t’i mbante dhe ja ajo e kuptoi. U mbështet mirë në shpinoren e karikes për të më treguar se mund të vazhdoja. S'më pëlqeu miratimi. Nuk do të desha ta vizatoja me dëshirën e saj, por lapsi vazhdoi punën e tij. Po dilte portreti i një vajze fshatarake tepër vulgare. Ajo bukuri që kisha shprehur pak më parë po humbiste. Një lëvizje lapsi dhe në buzë i doli një epsh i tërbuar. Dukej se kjo vajzë kishte nevojë për dashuri. Buzët e saja ishin të alarmuara dhe portreti m’u neverit. E lash. S’e di përse nuk vazhdova më. U mundova t’i shihja e t’u shkoja pranë shtojzavalleve të mia, por më kot, realja më kishte mbërthyer dhe nuk më lëshonte.
Sarandë 1982 - 2012
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου