Δευτέρα 9 Μαΐου 2016

U TREMBËN PULËBARDHAT

      Ai nuk mundi ta duronte më atë  përballim me hetuesin, me njeriun më të padëshirueshëm të jetës së tij. Përpiqej ta harronte atë kohë, ditën, çastin tek i bastisën shtëpinë dhe fytyrën e tij të urryer. Përballja e përditshme me të, u bë shkak që  të mos shkonte aty për një periudhë të gjatë. Pa çka se nuk po i shijonte më ato buzëmbrëmje vjeshte tek lokali i tij i preferuar, anës detit. 
Mankthi nuk iu nda. Përballja me të në trotuare, dyqane po e acaronte së tepërmi. Po e çudiste kryeneçësia e tij tek përplasnin shikimet me njeri tjetrin. Shikim prej një profesionisti për të gërmuar në jetën e tjetrit vazhdonte të jetonte në brendësinë e atij njeriu. Mos vallë mendon se mundet ende ta vazhdojë atë profesion i mërmëriste shpesh vetes tek rrëshqiste shikimin me të, në ecje e sipër.
 Mendon se është i pafajshëm, bënte detyrën dhe asgjë tjetër. O Zot i Madh. Mirë falje nuk po kërkojnë për ato që kanë bërë, përse ende po shfaqin arogancën e dikurshme për të treguar se kanë qenë dikush dhe vazhdimisht përpiqej ta harronte.
Po, për të nuk kishte ndodhur asgjë. Nuk kishte ndodhur asgjë edhe atëherë kur ai u kishte marrë lirinë  shumë njerëzve duke i kishte flagancënkur në ato biruca të errëta të atij sistemi. Dhe shprehej vazhdimisht “Ajo, ishte detyra ime!”...  
 Një mëngjes, këmbët instiktivisht e çuan aty. U impresionua tek pa të zonjën e lokalit të ushqente pulëbardhat. U step dhe nuk guxoi t’i  trembte ato krijesa fluturake tek lëshonin klithma, duke u sulur drejt ushqimit. Përplasja e krahëve, fëshfëritja e tyre në ajër dhe trajektoret që kryenin përgjatë fluturimit e bënë të ndjehej mirë. Që nga ai çast filloi të vinte vetëm në mëngjes. U bë edhe ai mik i pulëbardhave. Sa herë do të shkonte aty, do të sillte ushqim për to. I pruri shumë pranë. Ato uleshin përgjatë bordurës së drunjtë duke çukitur ushqimin. Kishin filluar të mos trembeshin prej tij.
Por nuk zgjati shumë kjo mrekulli.
U shfaq ai. Ia trembi pulëbardhat  duke përplasur këmbët në shkallët e hekurta, tek po hipte në verandë, ashtu si dikur zbriste në birucat e nëndheshme tek ata, armiqtë e popullit.
Si mund t’i lejonte ai, këta shpendë të fluturonin lirshëm dhe të kërkonin ushqimin e jetës së tyre.
Si mund t'a jetonin lirinë e tyre këta shpendë të bardhë si mëngjesi, kur bëheshin pre e armikut të klasës
Dhe i përplaste sërish këmbët, për t,ja dëbuar këtë iluzion prej fluturimi pulëbardhash, këtë iluzion  lirie,  viktimës së vet të dikurshme. 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου