Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2018

VARRET ANTIKE NË PËRPARIM (SHËN VASIL)*


Lakua kushëriri i  N.Dhimës më kishte thënë disa herë se mbrapa shkollës bujqësore në fshatin Përparim* aty ku nxënësit bëjnë ushtrimet gjimnastikore kishin parë copa qeramike. Dikush kishte gjetur edhe monedha të vjetra.

Aty shkuam mbasdite pasi ishte më e mundëshme të punonim të qetë Mësimi mbaronte në orën  1-1.30  dhe nuk do të kishte nxënës e mësues. Ishte gati fundi shtatorit. Që me vështrimin e parë mbi sipërfaqen e dheut, shihje copa qeramike enësh e tjergullash, ku me të cilat nuk mund të krijoje as edhe një fragment të vetëm, por në bazë të brumit të tyre dhe të ngjyrës, vërtetoje se kishe të bëje me një objekt arkeologjik.
Filluam të bënim një sondazh në një metër katror. Dheu ishte shtufor dhe pjesërisht i shkrifët. Po zbulonim një varr në formën e një arke i cili ishte ndërtuar me rrasa guri gëlqeror. Anësoret ishin në gjendje të mire, ndërsa ajo që shërbente si mbulesë mjaft e dëmtuar.
Varri kapte përmasat  2m gjatësi dhe 0.80m gjerësi. Orientimin e kishte lindje perëndim me një shmangje të vogël nga jugu. Gjatë gërmimit, në brendësi të tij, përveç skeletit gjetëm objekte që shoqëronin të vdekurin .
-Dy  kandila në trajtë disku, lëfyti i të cilave dilte horizontalisht. Sipëfaqja e jashtme e tyre ishte e lyer me vernik të zi. Madhësia e tyre shkon 10cm gjatësi dhe 3.5 cm gjerësi. Të tillë kandila kemi gjetur  edhe më parë në zonën përreth si në Bajkaj, Matomarë e Finiq, të cilat i datohen shek. lll-ll p.e.s.
-Shishe prej balte (lotore) ku trupi i saj kishte një formë të përzgjatur me qafë të gjatë e me fund të hollë unazor. Ajo kapte lartësinë 9.2 cm.
-Një enë balte me përmasa të vogla 2.5 cm lartësi dhe 2.3 cm gjerësi. Kishte trajtë bikonike  ku pjesa e sipërme është më e gjerë se fundi . Ajo përbëhet prej një brumi të pastërt, okër në roz. Gjithashtu, aty brenda gjetëm edhe shume parete enësh tepër të dëmtuara.
Duke parë me kujdes materialin e gjetur dhe duke e krahasuar me varret e gjetura në perëndim të kodrës së Finiqit, kodrave të Volloderit si dhe në fushën që shtrihet në juglindje të fshatit Bajkaj, kanë një ngjajshmëri të madhe. Ato u datohen shekujve lll-ll p. e s.
Pra, Sofokliu mendon se, objektet që zbuluam, janë pjesë  të një nekropoli që i kushtohen një vendbanimi të hapur i cili është  populluar prej shekullit të lll p.e.s. deri në shekullin e l e. sonë.
 Nga ana lindore, në anë të buzës, ku prej andej shihet Finiqi dhe gjithë hapësira përreth, vurëm re rrënojat e një ndërtimi të cilat dilnin fare pak mbi sipërfaqen e tokës. Ajo mund të kishte qenë një fortifikatë ose kullë vrojtimi. Me gërmime fare të lehta mbi sipërfaqen e saj gjetëm dy llulla duhani të periudhës së Ali- Pashës.** Më pas objektet e gjetura i mblodhëm me kujdes dhe të nesërmen i çuam në qendrën arkeologjike në Sarandë.
                                                                                                  Shtator 1983                                                                         

*   Emri i tij i vjetër Shën Vasili
 
** Sipas shënimeve të konsullit francez Pukëvil pas nënshtrimit të bregdetit Ali-Pasha në Shën-Vasil ndërtoi një kështjellë ku pjesët më të shumta të saj ishin të ndërtuara me plithar e dru. Mendojmë se ato themele duhet t'i përkasin një kohe më të herëshme.

        



MANASTIRI I MESOPOTAMIT


        Më kishin mbetur si dy momentet më interesante sa herë që udhëtoja me autobuzat e Ballshit ose      të Gjirokastrës. Mëngjesi në të gdhirë dhe buzëmbrëmja.
Sa mer kthesën në kryqëzimin e Kranesë, për gjatë rrugës tek kthehesh majtas, në thellësi, në horizont të shfaqen konturet e Manastirit të Mesopotamit. Si në një skenografi gjigande, tek çajnë ajrin, rrezet e para të mëngjesit, në mes të fushës lartëson konturet e tij manastiri i famshëm. Edhe kur kthehesh nga Ballshi, sidomos në dimër, pasi konçidon me perëndimin e diellit, të njëjtat ndjesi më krijonin. Mëngjeset në të gdhirë dhe buzëmbrëmjet ose më saktë muzgjet pasi i shkon më për shtat,  si shprehje.
Manastir baraz me muzg. Jo në kuptimin ateist por në konceptin e kohës, si diçka që largohet në mugëtirë.  Mos funksionimi i tij. Për të gjitha këto para disa vjetësh e kisha hedhur në telajo atë moment, ato dritë-hije mëngjesi.
E kishim vendosur në program që t'i hidhnim një sy zonës për rreth dhe vetë manastirit. Si zakonisht vetëm të dielat shfrytëzonim pasi ishim në punë. Sëbashku me Sofokliun hypëm në karrocerinë e një saureli, vendet përpara ishin të zëna. Ishin të vetmet automjete të shpeshta që qarkullonin në atë zonë. Ato bënin ngarkesë në Minierën e Kripës dhe shkarkoheshin në Portin e Limionit tek kapanonet që ishin ngritur posaçërisht për të. Zbritëm tek ura që ndodhet pak më poshtë Hidrocentralit nr.2. Kaluam në rrugën e krijuar nga rrotat e automjeteve bujqësore dhe prej këmbëve të fshatarëve. Lluca, e krijuar nga shirrat e rënë ato ditë na e kalonte syrin e këmbës. Kaluam ujin e pakët të përroit i cili derdhej në kanalin e madh të hidrocentralit. Morëm të përpjetën e cila ishte punuar në brazda të mëdha. Edhe aty me vështirësi  i hodhëm hapat duke dalë në krye të saj. Përpara nesh u shfaq manastiri.
Ai ngrihet mbi sipërfaqen e një kodre ose më saktë e një ngritjeje ë konsiderueshme midis dy shtretërve të lumit Bistricë ku prej andej zotëroje gjithë hapësirën përreth saj. Kapërcyem rrethimin nga ana e vorrezave i cili është pothuajse krejtësisht i shkatëruar. Ai kap një gjatësi rreth 100 m dhe gjerësi 80 m. Dikur përgjatë tij ngriheshin 7 kulla drejtkëndëshe të cilat sot janë krejtësisht të rrënuara. Ai i përket mjesjetës së herëshme. Është tipik bizantin dhe nga më të rrallët në Shqipëri. Vizitorë dhe specialistë të ndryshëm europianë e kanë parë atë.
Manastiri është vlerësuar si Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti. Përveç tabelës që ndodhet mbi portë ka edhe një kujdestar që meret me të.
Mbrapa nga ana e djathtë, kur je përpara kishës si orientim,  me mundim kaluam në brendësi të tij nëpërmjet një dritareje të vogël pasi dera ndodhej e mbyllur. Megjithëse nga të gjithë manastiret që kemi parë është më i mbajturi edhe ai është i dëmtuar.
Shumë figura shënjtorësh janë të lyera me gëlqere. Dekoret e kollonave gjithashtu, janë të mbuluar po nga gëlqerja. Ikonostasi ishte në gjendje të shkatërruar, me gjithë atë ai mbahet ende në këmbë. Ajodhima në shesh, mbi pllakat e gurit kishte  kavanoza të sajuara si kandila. Kamaret e vogla që ndodhen në të dyja anët e saj ishin të nxirra nga tymrat e kandilave. Në një cep të saj gjetëm disa libra meshe, të cilat i lamë po aty. Dyshemeja e sallës së meshës ishte shtruar me pllaka guri të cilat nuk e ruanin mirë nivelin e tyre.
Dolëm duke e parë me kureshtje atë ndërtesë mesjetare. Për ndërtimin ishin përdorur edhe blloqe gurrësh antikë. Në të katërta faqet e saj shikoje fragmente dragonjsh në reliev, të gdhendura në gurë gëlqeror. Gjithashtu edhe tulla e kuqe ishte përdorur si element dekori e cila si karakteristikë i përket  periudhës romako bizantine Si ndërtesë është e mirëmbajtur të cilën e tregonte edhe çatia pasi është e restauruar.
Përballë kishës ndodhen rrënojat e pjesës tjetër të manastirit. Megjithëse e    dëmtuar, kambanorja qëndronte ende në këmbë e cila shkon afër në 10 m lartësi. Në krye të saj ende qëndron një kambanën. Mjediset e tjera ishin të shkatëruara. Vetëm fragmente muresh të fasadës së jashtme qëndronin në këmbë të cilat kapnin 3m lartësi
Në anën jug-perëndimore, përballë kishës ndodhej porta. Mbi të harku i madh mbështetej në murin rrethues. Rruga për të shkuar në manastir ishte  sajuar nëpërmjet tarracimeve pasi e detyronte terreni në ngritje ku është ndërtuar ai objekt kulti, manastiri.

                                                                                                                                                                         Tetor 1981








Κυριακή 21 Οκτωβρίου 2018

VEÇ SE... PAK KËRKONTE


       Me atë temporitmin e përhershëm të lëvizjeve trupore të tij të ngadalësuara, tërhoqi me majat e gishtrinjve disi mbi gjunjë pantallonat, dhe duke u ulur u mbështet në shpinoren e karikes. Pasi u bind se zuri vend mirë, bastunin që nuk e ndante as edhe një herë prej vetes e vendosi midis këmbëve. Edhe shikimin që hodhi përreth, mes asaj ngadalësie e zhvilloi. Pas të gjithave tek ai u ndje hapur indiferentizmi i tij ndaj gjithçkaje që po kryhej aty. Lëvizjet e njerëzve ku më të shumtit ishin të rinjtë, muzika rritmike dhe zhurma e mjeteve tek kalonin në rrugë nuk e shqetësonin fare. Me gjithëse qe mbështetur krejtësisht me shpinë e të ndënjura në atë karike të bollshme, ende i ndjehej kërrusja e përherëshme e trupit. Edhe në qoftë se do të deshte të shihte ose të komunikonte me tjetrin të ndodhur diku pranë tij, me dy gjysma lëvizjesh si fillim të kokës pastaj të syve, do të mundohej të hynte në lidhje me të. Në atë moment lëvizja e tij e rradhës ishte paketa e cigareve me çakmakun të cilat i vendosi mbi tavolinë.  Mes atij rritmi do të shkonte deri në ndezjen e cigares duke kryer thithje të lehta. Edhe tymi tek po vërtitej rreth fytyrës së tij, ishte i ngadaltë duke u shfaqur në disa fjolla të lehta të bardha. Në atë pritje ose më saktë përhumbje gati të pa kuptimtë nuk ndjeu praninë e kamarjeres, veçse  ato dy këmbët e saj aty përpara e bërën të reagonte. Tek po ngrinte kokën, me shikimin gati të turbullt u përpoq të komunikonte me të por u step. Një dritë e bukur u shfaq në fytyrën e tij. Ajo lloj tronditje që pësoi kishte kohë që nuk ekzistonte tek ai. Me një lëkundje të lehtë të dorës  i kërkoi asaj ti afrohej më pranë. Mes kërkesës në tone të ulëta e të copëtuar midis dhëmbëve për kafen tradicionale dhe gotën rrakisë, në atë afëri trupore me të ndjeu aromën e saj femërore. U përpoq të përqëndronte shikimin tek ajo por nuk mundi. Në fytyrën e tij lëvizje të lehta po i shfaqeshin. Në sytë, në cepat e buzëve të mbërthyera fort e deri në lëkundje të lehta të kokës si për të krijuar drejtpeshimin e ndjesive që po  zhvilloheshin  brenda tij. Kamarierja, ajo bukuroshe e cila tronditi, ose i dha një ndjesi më të bukur të jetës atë mëngjes ku të paktën nga jashtë ashtu mund të kuptohej po i qëndronte ende përballë dhe pa i shpjeguar se çfarë i kishte ndodhur, i fshiu hirin e bardhë të cigares të rënë mbi pantallona. Ndërsa reagimi i tij i pa ndërprerë ishte veçse përqëndrimi mbi atë fytyrë. Do të ishte zëri i saj që do ta “zgjonte” i cili ishte miratim i kërkesës. Ai e shkëputi shikimin prej saj dhe në formë instiktive të tipit që konsumon duhan, u përpoq të kryente atë veprim të përhershëm. Por cigarja i ishte fikur. Duke e kuptuar se nuk kishte se çfarë të kryente më pasi edhe ajo kishte ikur, zuri pozicionin e përhershëm, kërrusjen e trupit.
 Përsëri do të ishte prania e saj që do ta sillte në kohë atë njeri. E mbështeti ndjenjën e tij mbi atë fytyrë dhe nuk u përpoq ta largonte prej andej, ndërsa ajo pasi sistemoi mbi tavolinë rrakinë, kafen, tavllën dhe paketën me çakmak hodhi shikimin e saj mbi të. Pas buzëqeshjes  dhe të atij urimi të përhershëm karshi klientit për ta shijuar atë moment, u largua.
Duke konsumuar kafen dhe rrakinë mendoi se e teproi. U përpoq të ndiste cigaren por nuk mundi. Me një lëvizje dore e thërriti kamarjeren. Pasi mbështeti mirë skajin tjetër të bastunit në trotuar, dhe duke i dhënë forcë trupit për tu çuar i kërkoi ndihmë. E mbështeti dorën mbi pëllëmbën e saj me dëshirën për ta mbajtur sa më shumë, sa më shumë. Kamarierja në përpjekjen e saj për tu shkëputur, ndjeu zërin e tij në të shuar ti kërkonte, t’ja mbante edhe pak dorën.

Κυριακή 30 Σεπτεμβρίου 2018

VARRET ANTIKE TË MURSISË


        
  Vjeshta kishte filluar. Ishte koha më e mirë për eksplorim. Kur më krijohej mundësia, tek Sofua shkoja  edhe në mes jave. Kishim planifikuar që ti hidhnim një sy fushës së Vrinës. Do të fillonim  nga buza e liqenit, në rrënojat e akuaduktit romak, dhe do të vazhdonim të ecnim sa të mundeshim. Kaluam matanë lumit me lundrën dhe morëm monopatin përgjatë tij. Me një shkop që mbanim në duar, nuk linim asgjë pa e prekur dhe pa e kthyer përmbys. Në atë zonë nuk ka centimetër katror të nëntokës të mos të ketë gjurmë të jetës së hershme të njeriut. Ndoqëm linjën e akuaduktit sa do pak shfaqej ai mbi tokë.
Kur je me shikim nga Konispoli, nga krahu i majtë  ka disa të ngritura  të buta  nga rrafshi i fushës së Vrinës (Kestrinës). Me intuitën që na ishte krijuar prej kohësh, menduam se nuk do të dilnim bosh. Dhe me të vërtetë në sipërfaqen e njerës prej tyre e cila ishte dhe më e larta, ramë në material të pasur arkeologjik. Aty ndodhej një grumbull varresh, më saktë një varrezë. Orientimi i tyre  ishte pothuajse jugperëndim. Duke ndjekur linjën e pllakës pasi kishte dalë në dritë një cep i saj e pastruam dhe e ngritëm lehtësisht prej andej. Ajo qe thyer më dysh diku atje nga mesi i saj. Skeleti që ndodhej brenda ishte i pa dëmtuar dhe i plotë me shikim nga lindja. Nga të dy anët e tij ai qe i shoqëruar me enë balte të punuara hollë në brum të pastërt të cilat kapnin lartësinë 12cm, dy lotore po thuajse në ato përmasa, ku njëra ishte  në gjëndje shumë të mirë e me përafërsi në ngjyrë të kaltër.Tjetra, qe e thyer dhe copat e saj ndodheshin po aty. Gjithashtu ndodheshin edhe dy kandila të plotë balte  në trajtë disku me lëfyt horizontal të dekoruar me figura gjeometrike. Edhe pjesët anësore të arkës ishin monolite me nga një për seicilën anë të cilat kapnin afro 10cm trashësi. Të dyja pjesët e thyera të kapakut i rivendosëm në vendin e tyre dhe e rimbuluam varrin me dhe. Objektet e gjetura i morëm me vete dhe i çuam në Butrint. Si gjithmonë Dhimitër Budina do të ishte tepër i interesuar. Materiali i u duk me interes dhe na kërkoi që të nesërme ta çonim tek varret.
Nga vëzhgimi që u bë të nesërmen, vendosën të kryenin ekspeditë të rregullt. Pas një jave një grup i përbërë prej 3-4 vetash të udhëhequr nga Dhimosten Budina e Çondin sëbashku me ne, rreth orës 8-të u ndodhëm aty. Pasi formuan dy kuadrate 2x2 pranë njeri tjetrit nga ana perëndimore e saj, filluan gërmimet. Ato vazhduan dy ditë dhe në dritë dolën katër varre. Të nesërme punimet duhej të fillonin që herët dhe u detyruam të flinim në kalanë e Butrintit. Aty në krye të kalasë të rindërtuar, Ugolini shkruajti historikun e gërmimeve dhe ditaret e tij. Duke “fjetur”në një nga kolltuqet që ndodheshin përballë oxhakut të madh dhe i sulmuar nga myshkonjat e shumta me vështirësi e kalova natën. Në të gdhirë fillova të dremitja pak me gjithë atë së bashu me Çondin e Sofon, të cilët edhe ata ishin si mos më keq nga pickimet e tyre, zbritëm poshtë me vrap.
Ora 8.30 - 9 na kapi tek vendi. Puna qe e pastërt pasi punohej brenda varreve. Me gjithëse në të shumtën e rasteve vëzhgoja, ndihmoja në spostimin e dherave jashtë tyre. Pasi i fotografuan me rradhë në vendodhje dhe hodhën skicat e tyre në letër, sëbashu me skeletet dhe objektet e gjetura aty i vendosën nëpër arka. Në fund pllakat e sipërme i rivendosën  në vendet e tyre duke i mbuluan me dhera për të mos u dëmtuar varret.
Mbasditja kishte kaluar. Unë e Sofua ikëm të parët pasi nuk kishim se çfarë të bënim më aty dhe më e keqja ishte se kishim që nga darka e djeshme pa ngrënë.
       Nga lundra deri në Ksamil ecëm me këmbë. Në atë orë nuk kishte qarkullim automjetesh. Filluam ta ndjenim më shumë lodhjen jo vetëm se kishim udhëtuar gjithë ditën  por, po na gryente urria. Në kthesat, para se të shkosh në Ksamil mbi rrugë e nën të, midis ullinjve kishin mbjellë qepë të njoma. Shkulëm nga një dorë seicili, dhe rrugës duke ecur e duke shpresuar se mos kalonte ndonjë makinë, filluam ti përtypnim.  Duke qeshur, e duke fshirë lotët nga djegja që na shkaktoi ajo, pamë  njeri tjetrin në sy  e ja nisëm refrenit të një kënge që këndohej  nga rinia e aksioneve:

                                             Nëpër faqe shpate mali
                                             Neve gjetëm lumturinë


        Deri në Ksamil rrugën e bërëm me këmbë. Aty nuk pritëm shumë na mori një Zis nga të Parkut të Mallrave të Sarandës.


                                                                                                   10 Shtator 1980
                                                 



Σάββατο 25 Αυγούστου 2018

SHPELLA E LIMJONIT



 Në shpellën e Limjonit kemi zbritur disa herë me Litin, Sofokliun me mikun e shokun tim që nga fëmijëria e hershme. Për herë të parë në vitin 1973. Hera e fundit ishte ajo e vitit korik 1982. Përshtypjet e mija në bllok, më të shumtat janë emocionet e vitit 73 pasi ai ishte gati kontakti i parë me botën e nëndheshme. Vendosëm t'i bënim një përshkrim të saktë pasi na u duk me interes.
      Ajo ndodhet në gjirin e Limjonit, mbi kapanonet  e Kripës. I pari në krahun e majtë të rrugës kur zbret për në port.  Në një lartësi prej 20m mbi nivelin e detit. Hyrjen e ka pothuajse horizontale midis shtresave të shkëmbit gëlqeror dhe bimësisë mesdhetare që ndodhet përreth. Ka formën e një rrethi të copëtuar me përmasa  1.9 X 1.6 m.
 Shpella, nga hyrja  deri në dysheme ka  formën e një pusi me thellësi 9m ku  ku tabani i të cilit është i mbushur me copa gurrësh e pleh. Zbritja për në brendësi ishte e lehtë. E lëshuam litarin duke e lidhur në hyrje të saj tek një rrënjë peme. Njëri pas tjetrit duke u mbërthyer fortë me të dyja duart pas litarit, dhe duke përplasur lehtë këmbët pas faqes shkëmbore shkelëm shpejt mbi dysheme. Mundëm të orientoheshim lehtë me ambientin pasi kishte dritë të mjaftueshme nga e çara e hyrjes që ndodhej mbi kokat tona. Aty bëra fotografinë e dytë (A) pasi tek e para është hyrja e saj. Me një shikim të shpejtë vurëm re se ajo kishte dy drejtime. Nga verilindja e cila nuk vazhdonte shumë dhe nga jugperëndimi.(B) Gjithmonë orientimin me busull e bënte Sofokliu. Pas një gjatësie 3.5m vurëm re se nuk vazhdonte më. Ajo bllokohej nga faqet shkëmbore të saj dhe nga një numër i madh stalaktitesh të cilat zbresnin nga tavani. 
 Dyshemeja aty vinte ne zbritje deri ne 25’ dhe përbëhej prej gurrësh dhe plehu. Vurëm re se temperatura e ambientit ishte  19” C, ndërkohë  jashtë është 26” C.

 
Drita e elektrikut, në pjesën juglindore zbuloi një të çarrë (galeri) në formë gjarpërore. Me vështirësi të madhe zbritëm. Ishte një e çarrë vertikale gati piramidale me përmasa 1m lartësi dhe 0.90m gjerësi ku në kreun e saj gati mblidhej në qendër. Ajo zbritje ishte si një shkallë natyrale por  me shkelje larg njera tjetrës. Pas asaj zbritje të vështirë pasi duhej të përdornim majat e këpucëve, zbritëm në fund të saj. Lartësia e asaj zbritje kapte 2m. Në krahun e majtë pasi ndodheshim përball saj, ndodhej i sfinosur një tub metalik 0.50cm i ndryshkur i cili kalonte mbi 2m. Gjatësia e kësaj galerie shkonte 4m dhe pjerrësia pothuajse kapte  30 gradë. Me ndriçimin e elektrikut vurëm re lartësinë e tavanit i cili ngjitej përpjetë në formë piramide. Lartësia e tij shkonte nga 3m deri ne 6.5m. I gjithë ambienti ishte i veshur me stalaktite të madhësive të ndryshme. Edhe këtu dyshemeja është e shtruar prej gurësh e plehu. Në faqet e shpellës vurëm re një numër të madh merimangash të madhësive të ndryshme  Në mbarim të ambientit aty ku gjarpëronte  pjesa tjetër e galerisë, fill në depozitimin e ujit, djathtas në lartësinë afër 2m ndodhej i varur një skelet njeriu. Copa e telit që përshkonte qafën e të varrurit, skeletit, ganxhohej në një stalaktit i cili pasi dilte nga faqja shkëmbore kthehej po aty duke krijuar kështu një mbërthesë natyrale të fuqishme.
  Qetësia absolute brenda shpellës dhe skeleti i varrur, na trembi për një moment. Duke ngritur kokën lart, ne tavanin e saj na mahniti bukuria. Me qindra stalaktike të madhësive të ndryshme varreshin prej saj. Vetem me inisiativa të tilla mund të shijosh bukuri të tilla. I shkuam fare pranë skeletit. Vetëm kocka, që nga koka  e deri te këmbët. Zmalti midis tyre i kishte mbajtur ende të bashkuara të gjitha pjesët kockore të tij. Ajo ngjyra e bardhë e tyre më tronditi. Instiktivisht me të dyja duart preka trupin tim si për të vërtetuar se ai nuk ishte skeleti im. Nuk e di më mbeti  në mendje për shumë kohë. Kishte një bardhësi të çuditëshme. U sugjestruam. Të paktën unë e humba për një moment jo se u tremba, por ishin momente jashtë logjikës, jashtë jetës së përditëshme. Përballimin për herë të parë me një skelet njeriu dhe në një shpellë. Sofua si gjithmonë, më i guximshëm nga unë e preku me dorë dhe e gjithë ajo pamje ra në errësirë. Ishe një prekje fatale pasi nuk mbeti as edhe një pjesë e bashkuar, edhe ato më të voglat ranë aty para këmbëve tona duke u shpërndarë me çakëllin e ardhur nga jashtë. Për një çast qëndruam pa lëvizur, ndërkohë, duke hedhur dritën e elektrikut gjithandej, duhej të vëzhgonim me kujdes terrenin ku kishim shkelur. Gjetëm një shpatë ose më saktë një mjet luftues me presë nga brenda. Gjatësia e saj shkonte afër 1.10 m dhe gjerësi 0.35cm. Që nga doreza e deri tek maja, harku qe i shtrirë dhe në një moment tek maja e saj, ajo merte një hark tjetër. Ndoshta ajo pjesë e kësaj vegle vrasëse shërbente për t'i çarë barkun kundërshtarit e për të nxjerrë jashtë tij, të gjitha rropullitë e barkut.
 Nën dritën e elektrikut vurëm re se hapësirat e galerisë mbi ujë,  nuk ishin të njëtrajtëshme. Gjerësia e saj shkonte nga 0.50 në 0.15m në lartësi. Tavanit kapte kuota të ndryshme, nga 3m-10.50m. Në pjesën e galerisë që vazhdonte mbi ujë kalova vet. Mu desh të ecja me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj. Po kaloja në një lartësi mbi nivelin e ujit nga 2m deri në 3m. Lartësia varej nga distanca e faqeve të galerisë me njera tjetrën ku unë mbështesja këmbët dhe duart për të kaluar. Elektrikun të cilin e kisha të mbërthyer fort me dhëmbë, për t'u siguruar se mos më binte në ujë, pjesën tjetër të spangos e kisha kaluar në qafë. Nuk kishte zgjidhje tjetër pasi të dyja duart së bashku me këmbët, i kisha si pika mbështetëse në atë lartësi. Mënyra tjetër ishte  të futesha në ujë e të notoja deri në pikën ku vazhdonte sipërfaqja e ujit për të cilën nuk ma mbajti.
 Deri në një farë vendi eca mirë por në kthesën që mori në të majtë, galeria, u ngushtua aq sa gjoksi im. Duhej të kthehesha brinjazi që të kaloja dhe prapë me vështirësi. Aty u ndodha 2m mbi nivelin e ujit. Me vështirësi, pasi dhe duhej te mbahesha, hodha driten e elektrikut në faqet anësore e në tavan. Dhjetra stalaktike e mbulonin atë. Eca, ashtu me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj  dhe bëra matjen e dytë, të thellësisë të ujit me mjetin më thë thjeshtë, spago me peshë, ajo kapte thellësinë 8m. Matja e pare shkonte në 3m thellësi. Tavani në këtë pikë ku ndodhesha shkonte nga 3 deri në 10m lartësi. Fundi i galerisë përbëhej prej një të çare të vogël që dukej mbi sipërfaqen e ujit. Aty tavani i shpellës duke vazhduar shumë pranë sipërfaqes së tij, bie mbi ujë e duke e çare atë vazhdon në thellësi të tij, kush e di se si. Të nesërmen pasi nuk na shkoi ndërmend, mbushëm nga ai ujë një nga ato shishet grykëgjëra të qumështit dhe e çuam në laboratorin e shëndetësisë i cili ndodhej në qendër të qytetit. Ai doli me të njëjtën kripshmëri të detit. Mendojmë se ajo pjesë ujore lidhet me detin nëpërmjet sifoneve shkëmbore natyrale dhe dallgëzimi i detit aty brenda nuk ndjehej.
     Gjate sondashit të vogël që bëmë në tabanin e ambientit gjetëm një lloj bubureci, një shumëkëmbësh dhe merimangë në faqet e shpellës të cila i futa në një kuti boje këpucësh që t'i vizatoja. Me matjet e hapësirave dhe orientimin me busullën krijova në letër shtrirjen e pozicionin e saj. Prerjen vertikale dhe horizontale. Pas afro njëzet ditesh e botuam tek gazeta Bashkimi të shoqëruar me fotografi brenda jashtë saj.
    Ky qe edhe përshkrimi i shpellës së Limjonit.   




Shënim: Sot ajo është e “bllokuar” dhe tepër vështirë për t'u gjetur.





Hyrja e shpellës në sipërfaqe



Hyrja e shpellës nga brenda




Vendosja e shpellës në brendësi të tokës. Prerja vertikale dhe horizontale e saj.


Τρίτη 19 Ιουνίου 2018

TEK KTHESA ME KALLAMISHTE

                                                    tregim             

 

Nuk e mendoi fare se nga duhej të kalonte për tek "Pema e Thatë", tek kthesa e vetme e kanalit vaditës e cilësuar me atë emër ku asgjë nuk kishte mbetur si e tillë. Duhej të hidhej në krahun tjetër të argjinaturës për të shkuar tek grumbulli i kallamishteve, i cili devijohej disi në të majtë. Kanali, kishte një javë që po pastrohej. Më tutje e në vazhdim ai ishte ende i pa prekur. Si gjithmonë, në punët më të vështira do të ishte i njëjti punëtor. Karakteri dhe fiziku i tij i fortë, e ngacmonte për të keq. Pa le që edhe gruan e kishte një dardane që si trembej syri. Duke patur në brigadë të paktën rreth 50 punëtorë, ishte i detyruar t’i kishte vazhdimisht nën kontroll, për më shumë ata që nuk i kishte qejf. Ai ishte “në rreth të kuq.”  Duhej të bënte diçka, qoftë edhe ta ndëshkonte në se do të mundej. Pra kishte kohë që po  mendonte. Mungonte vetëm shkaku. Dhe ja, tani kishte rastin më të mirë. Pasi i hodhi një shikim të shpejtë vendit ku do të kalonte, mori vrull për t’u hedhur në krahun tjetër të kanalit.  Por rrëshqet dhe ndjeu fytyrën t'i përplasej në llucë. Duke u ngritur, midis kallamishteve sytë i zunë një femër tek po përpiqej të mbulonte me të shpejtë kofshët e saj tepër të bardha dhe të zhdukej mbrapa  tyre. U ndje i poshtëruar. Më tepër nga indiferentizmi i punëtorit i cili po qëndronte aty përpara duke mbërthyer pantallonat. Me sytë e shqyer nga inati, i zbrazi fjalët më të ndyra për atë veprim jo vetëm imoral por që po e kryente në orar të punës. Ai, i ndodhur aty në këmbë mbi argjinaturë, i hodhi një vështrim të frikshëm brigadierit dhe u mat të zbriste ta qëllonte, por nuk e kryejti atë veprim. Me trastën që mbante ushqimin e pakët e të përditshëm dhe me lopatën në krah, mori për nga argjinatura e pastruar.

      I ndodhur në fund të kanalit, i vrarë  në ballë dhe i pistë si asnjëherë tjetër, por më tepër i poshtëruar, u përpoq të merte  veten. Doli prej andej  i pa qartë në veprimet e më tejshme. U drejtua nga rruga automobilistike, aty ku kishte lënë motorin. Drejtori dhe sekretarja e partisë duhej të ndodheshin ende në zyra. U shpjegoi atyre jo vetëm ato që pa por edhe shumë të tjera. Të tre, në mendjet e tyre kaluan variantet më të mundëshme për ta dënuar.  U caktua e diela e nesërme në qendër të fshatit për ta diskretituar. Ndërkohë ai duhej të përfitonte nga ajo situatë jo vetëm si përgjegjës por më tepër si komunist.

Në tre tavolinat e ndodhura jashtë kafenesë së vetme të fshatit ishin ulur pleqtë e përhershëm nga të cilët po komentohej ngjarja dhe më kryesorja se cila ishte ajo femër e përdalë që zbulonte në mes të ditës trupin e saj pa pikë turpi. Diku aty përpara u vendosën katër stola të gjatë. Të tjerët do të gjenin një mënyrën për tu ulur. Gjithashtu para tyre u vendos edhe një tavolinë me katër karike. Qëndra e fshatit filloi të mbushej. Me gjithëse zhurma e motorit të brigadierit u ndje më shpejt nga ardhja e tij, i cili shoqërohej edhe nga kryellogaritari, fshatarët u habitën kur e panë aty pranë, në hyrje të kafenesë. Më tepër u bëri përshtypje balli i fashuar. Në atë çast të gjithë po përpiqeshin të krijonin lidhjen që mund të kishte fytyra e tij e dëmtuar me ngjarjen, por nuk mund të hamendësonin dot asgjë. Ai kërkoi një teke rraki të cilën e ktheu me një herë. Më pas  edhe kryellogaritari tek po përtypte fara luledielli ktheu me fund dozën e mëngjesit, të rrakisë. Në gishtrinjtë e tij krejt të ngjyrosur nga nikotina e duhanit nuk do të mungonte cigarja. Ata diçka pëshpëritën me njeri tjetrin. Po aty, brigadieri, megjithëse nuk i takonte, urdhëroi të mbyllej kafeneja. Duhej ta mernin vesh edhe ata pleq përse po ndodheshin aty. Ndërkohë u dëgjua të afrohej xhipi i drejtorit të fermës bujqësore e cila ishte nga më të zhvilluar në jug të vendit. Prej tij zbritën me rradhë sekretarja e partisë së fermës një grua rreth të dyzetave e martuar dhe pa fëmijë, drejtori dhe më pas shefi i sigurimit të zonës ku prezenca e tij i tulati të gjithë. As miza nuk po dëgjohej. Menduan se  nuk ishte e rastësishme. Diçka më e rëndë duhej të kishte ndodhur.   Tashmë ku brigadieri  do të kishte mbështetje të fortë nga sekretarja e partisë, duhej të hidhej në sulm. Me një shikim të shpejtë mbi ata njerëz kërkoi prej tyre vëmëndje. Çështja ishte tepër serioze. Kishte të bënte me moralin e shoqërisë. Partia nuk i falte veprime të tilla. E thirri atë të dilte aty përpara, të jepte llogari, të rrëfente atë turp që kishte kryer. Dhe ai u nis drejt dënimit më të pa menduar ndonjëherë që mund të ndodhte. Tek hidhte hapat mbi zhavorishte, ato lëshonin mbrapa tij një pluhur të lehtë, por që kumbonin tepër frikshëm mbi të gjithë fshatarët. Forca e ligjit e shfaqur në vështrimet e atyre njerëzve që e përfaqësonin atë, të ulur aty përpara, e ndalën në vend. Në atë çast ndjeu një tkurje, rrëshqitje ose më saktë tërheqje brenda asaj humnere të krijuar në të gjithë trupin e tij. Mblodhi veten dhe hodhi shikimin mbrapa. Nuk duhej të shfaqte frikë pasi ishte i sigurtë se një pjesë do të kënaqeshin ta shihnin në atë gjëndje. Ndërkohë brigadieri po i kërkonte se duhej të tregonte për ngjarjen e ndodhur, për atë gruan e përdalë. Të tregonte cila ishte ajo. Mes atij hutimi të krijuar në çast, u habit për ç’farë po i kërkohej.  Aty vuri re fashosjen e ballit pa i shkuar ndër mend asgjë. Ç’farë kam bërë përsëriti, ç’farë duhet të rrëfej. Nga brigadieri shikimin e tij e kaloi tek sekretarja e partisë, drejtori, shefi i sigurimit të zonës dhe më pas nga fshatarët. Tashmë brigadieri po u tregonte të gjithëve se si e gjeti atë duke bënte dashuriçka në orar të punës. Kërkesa këmbëngulëse e brigadierit për tu rrëfyer e trullosi fare. Ç’farë është kjo që po kërkon i u kthye përsëri atij. Ajo është një çështje personale. A e bëj punën në kohë dhe me cilësi. Të tjerat nuk të interesojnë. Sekretarja e partisë, një femër e bëshme dhe tepër autoritare tek po e shihte me vëmëndje atë mashkull të ri e të fortë, po përpiqej ta imagjinonte atë çast aty mes kallamave. Por e zboi shpejt atë tundim, aty ishin mbledhur për një qëllim tjetër, duhej mësuar cila ishte ajo femër që shkonte me të. Në fjalën e saj të rëndë, të shkoqur e të pastërt në ato që shtronte, nuk lejonte as edhe një njeri të njolloste shoqërinë e re që po ndërtonte partia me në krye udhëheqësin e tyre të dashur. Na rrëfe i u drejtua ajo. Partia di t'i mbajë afër ata që e kuptojnë gabimin. Me dëshirën tënde, tonën mund të ndreqet çdo gjë. Por prej tij e njëjta përgjigje doli. Nuk kam as edhe një gjë për të thënë përsëriti ai. Ajo është çështje personale. Sekretarja e partisë, tashmë e inatosur pas këmbënguljes tek po shfaqej si i pa faj, i u kthye me të ashpër. Ajo filloi të fliste për punën e madhe të bërë nga partia për mirëqenien e popullit dhe emancipimin e shoqërisë. E veçoi si rastin më negativ veprimin e tij. Edhe të asaj që shkon e ngrin fustanin në mes të ditës. Ajo u shpreh se ai duhej ti dorëzohej drejtësisë. Po, u hodh e tha brigadieri duke mbështetur mendimin e saj. Përveç që duhet të tregojë do të përgjigjet edhe për dhunën që ka ushtruar mbi mua. Jo vetëm kaq foli kryellogaritari duke u ngritur  në këmbë, do të shkoj në terren për të parë nga afër volumin e punës me ditët që ka punuar. Brigadieri i kënaqur nga mbështetja e tij hodhi shikimin mbi drejtuesit e mbledhjes dhe kryesisht mbi shefin e sigurimit të zonës. Ai duke u mbështetur mirë në karike i dha një drejtim më serioz ngjarjes dhe situatës që po zhvillohej. Sikur vetëm me një prej të dy rasteve që po tregon brigadieri të jetë e vërtetë tha ai, të arrestoj në çast. Fol vazhdoi, na trego cila është ajo vajzë ose grua që vjen me ty. E tha shoqja sekretare e partisë së fermës, partia  ja zgjat kujtdo dorën që përpiqet të thotë të vërtetën. Do të kesh lehtësira, na trego pra. Por në atë ç’farë u dëgjua nga të gjithë ai përsëriti ato që kishte thënë duke shtuar se ata nuk mund ta kuptonin pozicionin e tij.  Na e thuaj pra. Gruan e ke të re. Edhe vet i ri je. Keni dy fëmijë si pëllumba ç’farë po kërkon tjetër. Cila është ajo femër mbaroi fjalën e tij shefi i sigurimit të zonës. Po, pikërish këtu qëndron problemi i ktheu ai përgjigje menjëherë. Nuk mund të tregoj asgjë, ai është problem familjar. Sa për atë që thotë brigadieri se e kam qëlluar nuk është  e vërtetë. Ai rrëshqiti e ra në kanal aty tek erdhi në befasi, për të më kontrolluar nëse isha në punë. Ka kohë që po më ndjek. Ç’farë kërkoni prej meje. Atëhere iu drejtua sekretarja e partisë, të erdhi tek vëndi i punës dhe të gjeti duke bërë atë punën tjetër. Shyqyr që pranove më në fund. Na trego pra cila ishte ajo femër pastaj e vërtetojmë ne nëse e ke qëlluar apo jo brigadierin. Të gjithë sa ndodheshin aty, pas gjithë kësaj historie që po dëgjonin nëse u përkiste të mësonin se kush ishte ajo femër, përqëndruan shikimin dhe dëgjimin e tyre mbi atë njeri që ndodhej aty përpara, në këmbë. I ndodhur mes asaj nëse duhej ta thoshte ose jo se ç’farë kishte ndodhur në të vërtetë, nuk duhej të heshte më. Ai burrë, babai i dy fëmijve, përgjegjësi kryesor i asaj familje që e mbante me shpirt ndër dhëmbë jetën e tyre, duhej  të dilte sa më shpejt nga ajo situatë. A do ta besonin apo ndoshta do ta kalonin me humor dhe do të bëhej gazi i dynjasë. A do të mundej të jetonte më në atë fshat. Hodhi shikimin mbi ata njerëz që në ato çaste kishin në duart e tyre fatin e familjes së tij. Duke u drejtuar prej sekretares të partisë të fermës, u mundua t’i tregonte se ishte tepër e vështirë për t’u shpjeguar ajo situatë. U përpoq të ishte më konkret në atë që deshte të tregonte duke filluar pikërisht nga jeta e saj personale. Për shtëpinë ku ajo jetonte. Për atë hapësirë banimi e cila quhej hyrje e madhe. Pikërisht këtu është problemi që unë ende besoj se ju nuk do të më kuptoni. Ju lutem dëgjomëni me vëmendje për atë që do tju rrëfej. Në qoftë se do të vini në shtëpinë time do të shihni dhomën dhe një ambient që mund të quhet aneks. Jemi  6 veta që jetojmë aty. Të dy prindërit, unë me gruan dhe të dy fëmijtë e mi. Që të mësoni se me kë isha dje mes atyre kallamave do t'ju them se isha me gruan time. Po, po me gruan time. Edhe ata të dy fëmijë mes atyre brazdave dhe ugareve i kam zënë. Jam ende i ri nuk mund të jetoj pa të. Ajo natën në vënd të shtrihet pranë meje, pështjell ata dy vocërrakët. Imagjinojeni, atë hapësirë të dhomës ku flejnë prindërit dhe gruaja me të dy fëmijtë. Po unë ku mendoni se shtrihem, në hapësirën që mund të mbetet bosh. Heshtje nga turma e fshatarëve dhe nga ata që kishin në dorë fatin e tij. Buzëqeshja cinike e shfaqur tek ata dhe më së shumti në fytyrën e brigadierit të tij, i dha kurajë të vazhdonte:  sa për fashon që ai ka në fytyrë shkak është rrëzimi në kanal. Mes njerëzve kishte rënë një heshtje e çuditëshme. Ndjehej trishtim, humor dhe disi ëmbëlsi. Por për brigadierin dhe kryesinë ai rrëfim nuk ishte asgjë. Ata i kërkuan që ti  bindte që ishte ajo. Duke e parë brigadierin në sy i kërkoi nëse mbante mënd rrobat që ajo kishte veshur. Fustan i kaltër me pulla roz në vishnjë.  Bluzë e kuqe me vija të bardha. Po, ja ku jam u dëgjua një zë. Të gjithë kthyen kokat prej nga erdhi, ishte e shoqja e tij. Me hapin e rëndë të saj, ajo u afrua pranë atyre njerëzve që përfaqësonin ligjin. E mendoi edhe vet se duhej të vinte aty, ndryshe nuk dihej se ç’farë drejtimi mund të merte ajo çështje. E vështroi ëmbël të shoqin dhe pastaj u drejtua nga brigadieri. U thuaj shokëve të partisë dhe të pushtetit tani se kush ishte ajo femër. Mos isha gjë unë. Tek po i merej goja, brigadieri hodhi shikimin nga njerëzit e pushtetit të ndodhur pranë tij, nga ajo dhe fshatarët aty përpara. U mundua të artikulonte ndonjë fjalë por e pati të  pa mundur. Ndjeu sikur po e humbiste aftësinë e të folurit dhe po bëhej qesharak para të gjithëve. Tek po përpiqej të gjente një pikë mbështetje, përballja me shikimin e shefit të sigurimit të zonës sikur i dha një siguri. Në çast e mendoi. Po shoqja sekretare filloi të flas ai. Po shoku shef tani e kuptoj ai ishte veçse një kurth. Kjo ishte ajo femër. Përse iku dhe u fsheh, për të më diskretituar mua. Përse nuk qëndroi dhe më pas të shpjegonin arsyen e atij veprimi. Gjatë gjithë asaj kohe për të krijuar siguri në ato që thoshte nuk e ndau shikimin prej shefit të sigurimit të zonës. Më thuaj përse më ofendon në personalitetin tim. Çohu ti, i u drejtua dikujt aty pranë. Ç’farë të ka thënë për mua. Fol. Personi në fjalë i ndodhur diku tek rrjeshti i dytë mbeti i hutuar. Duke lëvizur kokë dhe duar gati si fshehurazi nga të tjerët, kërkoi ndihmë prej tij. Reagimi i brigadierit e detyroi jo vetëm të çohej por edhe të fliste. Tashmë këtej e tutje fshatarët do të njihnin njeriun që mund t’i kishte qëndruar afër brigadierit dhe t’i tregonte gjithçka që ndodhte në  brigadë. Po është e vërtetë nisi të flasë ai. Aty tek po hanim në pushimin e drekës, në bisedat e ndryshme ra muhabeti tek shoku brigadier. Në fakt unë nuk fola fare të tjerët nisën të komentonin shprehjen e tij. Unë nuk do të guxoja as ti mendoja ato fjalë e jo t'i shprehja. Më e keqja ishte se ajo shkaktoi komente dhe të qeshura të mëdha, jo vetëm atë ditë por edhe të  nesërmen e të pasnesërmen. Ai heshti për një çast, si për të marë pëlqimin e tyre nëse do të vazhdonte por reagim nuk pati nga asnjë. Heshtjen e krijuar nga ai rrëfim e thjeu shefi i sigurimit të zonës. Kërkoi ata të tjerët që u ndodhën në atë moment. Nga turma e fshatarëve, si për të kërkuar bashkëpunëtorët e atij “krimi,” pati reagim të shpejtë. Në ato përballje veçse përgjigje nuk mund të mernin. Përsëri do të ishte i plotfuqishmi i zonës që do të kërkonte të shfaqeshin vetë ata  njerëz. Apo kishin frikë. U ndje një përpjekje aty mes turrmës por u tulat shpejt. Fshatari që i kishte qëndruar afër brigadierit prej kohësh duke e marë përsipër detyrën e tij, i thirri në emër. Mërmërima dhe pëshpëritje të pa fund mes fshatarëve. Tashmë gjithçka po merte drejtim tjetër. Përsëri nga vështrimi i egër i pushtetit aty përballë, në veçanti të shefit të sigurisë, si pula të lagura, ata u ngritën në këmbë. Nisën të flisnin njëherash, por kohën, rradhën e morën nga pushteti i ndodhur aty përpara tyre. Dhe nisën të tregonin. Megjithëse kishte shtesa dhe interprentime midis tyre për të plotfuqishmin e zonës, thelbi nuk ndryshonte. Mendoi se deri tani gjysmën e dosjes e kishte mbushur. U ngrit në këmbë dhe urdhëroi ata, të cilët ishin tre, së bashku me protagonistin e ngjarjes të veçoheshin nga turma. Krerëve të fermës të cilët po e ndiqnin me vëmëndje, nuk u dha asnjë shpjegim. Pasi komunikoi me qendrën në telefonin e vetëm të fshatit, u kërkoi të gjithëve të bënin durim dhe mos të gabonin, përpara tyre kishin një person që jo vetëm duhej demaskuar, por edhe ti dorëzohet drejtësisë sëbashku me këta që në heshtje miratuan mendimet e tij.

Pretendimi i brigadierit, i bazuar në dëshmitar e fakte, të cilat flisnin për cilësime dhe ofendime kundrejt anës fizike dhe karakterit të tij, u quajtën veprime të rënda edhe për vet faktin pasi poshtërohej figura e njeriut militant, komunistit. Në të njëjtën kohë kur ai punëtor bujqësie po merte dënimin e merituar,  brigadieri u ngrit në detyrë.

 

 

 

                              

 

 





Παρασκευή 18 Μαΐου 2018

BUDALLAI DHE MBRETI I TIJ


                  
                                

 

Dikur një budalla i mërzitur nga ajo që po konstatonte kohët e fundit se bashkëfshatarët e tij tashmë nuk kishin më interes për të, ra në dëshpërim të madh. Me mendësinë e llojit të tij u përpoq të mësonte se çfarë po ndodhte. Në fakt kishte vënë re se edhe po imitohej herë pas here prej tyre. Për shumë arsye mendoi të bënte diçka tjetër. Duke mos pasur preferenca jashtë asaj forme të jetuari, ndjente se i mungonte ajo që e kënaqte shumë kur ndërhynte mes tyre vend e pa vend duke imituar ata dhe kafshë të ndryshme. Do ta shtrembëronte edhe më shumë fytyrën e tij duke e shoqëruar me zëra dhe ulërima të çuditshme por asgjë. Aty nisi të shqetësohej. Një pjesë e shihnin si për herë të parë kurse të tjerë largoheshin duke tundur kokën si për të thënë se nuk ja vlente ose e ndjenin veten të barabartë me të. Tashmë që t’u tërhiqte vëmendjen duhej bënte diçka më ndryshe. Mendoi të largohej prej andej. Midis të tjerave që po përhapte në fshat, kryesorja ishte të takonte mbretin. Ai mund t'ja kishte nevojën. Pasi e pa se të gjithë filluan të merreshin me të e tha dhe e bëri. U nis drejt pallatit mbretëror. Përgjatë gjithë rrugës tek ndeshej me njerëz të ndryshëm,  prej tyre ndjente përçmimin e vazhdueshëm. I qetë në atë që kishte vendosur, nuk u a vuri veshin fyerjeve dhe talljeve. Por pyetjeve të shumta se çfarë mund të bënte një budalla tek mbreti, ai u përgjigjej se edhe mund të bëhej mësuesi i tij.

Mbreti, nga informatorët e shumtë të shpërndarë mbarë mbretërisë, kishte marë vesh se një budalla po  kërkonte të takohej me të. Duke menduar se ja vlente ai urdhëroi ta sillnin në pallat pasi edhe vet loloja po plakej edhe më shumë. Festimet në pallat ishin gati të përditshme duhej diçka tjetër. Ai mund të ishte një suprizë e këndshme. Urdhëroi të shtroheshin tavolina të bollshme. Përveç shpurës mbretërore ftoi edhe shumë të tjerë. Ja, që në çastin e parë tek u shfaq në atë formën të përhershme dhe përkulja e tij e cila u prit me një mërmërimë humori, bëri që të gjithë ta ndiqnin me vëmendje. Kam mar vesh se je njeri tepër i zgjuar dhe se kudo ku shkon të shohin me respekt të madh dhe mbreti duke marë qëndrimin e përhershëm autoritar, i kërkoi arsyen përse kërkoi takim. A e ndjen përgjegjësinë e ardhjes këtu. Mes asaj gjendje që mund të quhej qetësi ku vetëm ai mund ta zotëronte në atë formë tek e shfaqte deri në artikulacionin që i jepte trupit u dëgjua zëri i budallait: Im Zot, jam këtu për t’u bërë mësuesi i Juaj. Në atë kërkese të shpejtë të tij ndjehej një siguri tepër të madhe. I ndodhur aty në këmbë, mes picërimit të syve ku vetëm ai mund t’i bënte ashtu po priste pëgjigje. Jo vetëm i habitur por edhe i inatosur pasi po e dëgjonin të gjithë sa ndodheshin aty, mbreti i kërkoi se çfarë mund të mësonte prej tij. Ai veçse një budalla ishte. Urdhëroni imzot, vazhdoi qetë-qetë budallai. Në çast, tani filluat të më bëni pyetje.

Në sallë ra heshtje. Shpura rreth tij, duke menduar nëse në atë çast mbreti do të zemërohej, ai mund të shkarkohej tek ta. Mes asaj përulje të vazhdueshme për të, në atë tulatje gati me symbyllur prisnin vazhdimin, daljen e budallait nga ajo situatë. Me një qetësi ku vetëm ai mund ta shfaqte kaq hapur pasi as edhe njëherë nuk mund të dilte nga vetja, budallai vazhdoi: Mbreti im vetëm një njeri si unë ka një përgjigje për të gjitha. Por çfarë mendimi mund të krijojnë shtetasit e m'i vazhdoi mbreti në tone të ashpra, në qoftë se një budalla si ti mendon se unë e mbaj të më mësojë çdo gjë.

Kryesore është të kesh një mësues budalla se sa një mbret budalla i ktheu përgjigje ai pa e shkëputur shikimin prej mbretit.

Dhe kështu pas të gjitha atyre që  ndodhën, budallai u bë mësuesi i mbretit