Σάββατο 25 Αυγούστου 2018

SHPELLA E LIMJONIT



 Në shpellën e Limjonit kemi zbritur disa herë me Sofon. Për herë të pare në vitin 1973. Hera e fundit ishte ajo e vitit 1982. Përshtypjet në bllok, më të shumtat janë emocionet e vitit 73 pasi ai ishte gati kontakti i parë me botën e nëndheshme. Vendosëm t'i bënim një përshkrim të saktë pasi na u duk me interes.
      Ajo ndodhet në gjirin e Limjonit, mbi kapanonet  e Kripës. I pari në krahun e majtë të rrugës kur zbret për në port.  Në një lartësi prej 20m mbi nivelin e detit. Hyrjen e ka pothuajse horizontale midis shtresave të shkëmbit gëlqeror dhe bimësisë mesdhetare që ndodhet përreth. Ka formën e një rrethi të copëtuar me përmasa  1.9 X 1.6 m.
 Shpella, nga hyrja  deri në dysheme ka  formën e një pusi me thellësi 9m ku  e cila është e mbushur me copa gurrësh e pleh. Zbritja për në brendësi qe e lehtë. E lëshuam litarin duke e lidhur në hyrje të saj tek një rrënjë peme. Njëri pas tjetrit duke u mbërthyer fortë me të dyja duart pas litarit, dhe duke përplasur lehtë këmbët pas faqes shkëmbore shkelëm shpejt mbi dysheme. Mundëm të orientoheshim lehtë me ambientin pasi kishte dritë të mjaftueshme nga e çara e hyrjes që ndodhej mbi kokat tona. Aty bëra fotografinë e dytë. (A) Me një shikim të shpejtë vurëm re se ajo kishte dy drejtime. Nga verilindja e cila nuk vazhdonte shumë dhe nga jugperëndimi.(B) Gjithmonë orientimin me busull e bënte Sofua. Pas një gjatësie 3.5m vurëm re se nuk vazhdonte më. Ajo bllokohej nga faqet shkëmbore të saj dhe nga një numër i madh stalaktitesh të cilat zbresnin nga tavani. 
 Dyshemeja aty vinte ne zbritje deri ne 25’ dhe përbëhej prej gurrësh dhe plehu. Vurëm re se temperatura e ambientit ishte  19” C, ndërkohë  jashtë është 26” C.

 
Drita e elektrikut, në pjesën juglindore zbuloi një të çarrë (galeri) në formë gjarpërore. Me vështirësi të madhe zbritëm. Ishte një e çarrë vertikale gati piramidale me përmasa 1m lartësi dhe 0.90m gjerësi ku në kreun e saj gati mblidhej në qendër. Ajo zbritje ishte si një shkallë natyrale por  me shkelje larg njera tjetrës. Pas asaj zbritje të vështirë pasi duhej të përdornim majat e këpucëve, zbritëm në fund të saj. Lartësia e asaj zbritje kapte 2m. Në krahun e majtë, gjithmonë të krahut tonë, ndodhej i sfinosur një tub metalik 0.50cm i ndryshkur i cili kalonte mbi 2m. Gjatësia e kësaj galerie shkonte 4m dhe pjerrësia shkonte në 30 gradë. Me ndriçimin e elektrikut vurëm re lartësinë e tavanit i cili ngjitej përpjetë në formë piramide. Lartësia e tij shkonte nga 3m deri ne 6.5m. I gjithë ambienti ishte i veshur me stalaktite të madhësive të ndryshme. Edhe këtu dyshemeja është e shtruar prej gurësh e plehu. Në faqet e shpellës vurëm re një numër të madh merimangash të madhësive të ndryshme  Në mbarim të ambientit aty ku gjarpëronte  pjesa tjetër e galerisë, fill në depozitimin e ujit, djathtas në lartësinë afër 2m ndodhej i varur një skelet njeriu. Copa e telit që përshkonte qafën e të varrurit, skeletit, ganxhohej në një stalaktit i cili pasi dilte nga faqja shkëmbore qe rikthyer prap aty duke krijuar kështu një mbërthesë natyrale të fuqishme.
  Qetësia absolute brenda shpellës dhe skeleti i varrur, na trembi për një moment. Duke ngritur kokën lart, ne tavanin e saj na mahniti bukuria. Me qindra stalaktike të madhësive të ndryshme varreshin prej saj. Vetem me inisiativa të tilla mund të shijosh bukuri të tilla. I shkuam fare pranë skeletit. Vetëm kocka, që nga koka  e deri te këmbët. Zmalti midis tyre i kishte mbajtur ende të bashkuara të gjitha pjesët kockore të tij. Ajo ngjyra e bardhë e tyre më tronditi. Instiktivisht me të dyja duart preka trupin tim si për të vërtetuar se ai nuk ishte skeleti im. Nuk e di më mbeti  në mendje për shumë kohë. Kishte një bardhësi të çuditëshme. U sugjestruam. Të paktën unë e humba për një moment jo se u tremba, por ishin momente jashtë logjikës, jashtë jetës së përditëshme. Përballimin për herë të parë me një skelet njeriu dhe në një shpellë. Sofua si gjithmonë, më i guximshëm nga unë e preku me dore, dhe e gjithë ajo pamje ra në errësirë. Qe një prekje fatale pasi nuk mbeti as edhe një pjesë e bashkuar, edhe ato më të voglat ranë aty para këmbëve tona duke u shpërndarë me çakëllin e ardhur nga jashtë. Për një çast qëndruam pa lëvizur, ndërkohë, duke hedhur dritën e elektrikut gjithandej,     duhej të vëzhgonim me kujdes terrenin ku kishim shkelur. Gjetëm një shpatë turke me presë nga brenda. Gjatësia e saj shkonte afër 1m dhe me gjerësi 0.35cm. Që nga doreza e deri tek maja harku qe i shtrirë dhe në një moment, aty, ajo rimerte një hark tjetër. Ndoshta ajo pjesë e kësaj vegle vrasëse shërbente për ti çarë barkun armikut e për të nxjerrë jashtë tij, të gjitha rropullitë e barkut.
 Nën dritën e elektrikut vurëm re se hapësirat e galerisë mbi ujë,  nuk ishin të njëtrajtëshme. Gjerësia e saj shkonte nga 0.50 në 0.15m në lartësi. Tavanit kapte kuota të ndryshme, nga 3m-10.50m. Në pjesën e galerisë që vazhdonte mbi ujë kalova vet. Mu desh të ecja me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj. Po kaloja në një lartësi mbi nivelin e ujit nga 2m deri në 3m. Lartësia varej nga distanca e faqeve të galerisë me njera tjetrën ku unë mbështesja këmbët dhe duart, për të kaluar. Krahas elektrikut që e kisha të mbërthyer fort me dhëmbë, pasi na mungonin paisjet. Për t'u siguruar se mos më binte, spangon e kisha kaluar në qafë. Nuk kishte zgjidhje tjetër pasi të dyja duart së bashku me këmbët, i kisha si pika mbështetëse në atë lartësi. Mënyra tjetër ishte  të futesha në ujë e të notoja deri në pikën ku vazhdonte sipërfaqja e ujit për të cilën nuk ma mbajti.
 Deri në një farë vendi eca mirë por në kthesën që mori në të majtë, galeria, u ngushtua aq sa gjoksi im. Duhej të kthehesha brinjazi që të kaloja dhe prapë me vështirësi. Aty u ndodha 2m mbi nivelin e ujit. Me vështirësi, pasi dhe duhej te mbahesha, hodha driten e elektrikut në faqet anësore e në tavan. Dhjetra stalaktike e mbulonin atë. Eca, ashtu me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj  dhe bëra matjen e dytë, të thellësisë të ujit. Ajo kapte thellësinë 8m. Matja e pare shkonte në 3m thellësi. Tavani në këtë pikë ku ndodhesha shkonte nga 3 deri në 10m lartësi. Fundi i galerisë përbëhej prej një të çare të vogël që dukej mbi sipërfaqen e ujit. Aty tavani i shpellës duke vazhduar shumë pranë sipërfaqes së tij, bie mbi ujë e duke e çare atë vazhdon në thellësi të tij, kush e di se si. Të nesërmen pasi nuk na shkoi ndërmend, mbushëm nga ai ujë një nga ato shishet grykëgjëra të qumështit dhe e çuam në laboratorin e shëndetësisë i cili ndodhej në qendër të qytetit. Ai doli me të njëjtën kripshmëri të detit. Mendojmë se ajo pjesë ujore lidhet me detin nëpërmjet sifoneve shkëmbore natyrale dhe dallgëzimi i detit aty brenda nuk ndjehej.
     Gjate sondashit të vogël që bëmë në tabanin e ambientit gjetëm një lloj bubureci, një shumëkëmbësh dhe merimangë në faqet e shpellës të cila i futa në një kuti boje këpucësh që ti vizatoja. Me matjet e hapësirave dhe orientimin me busullën krijova në letër shtrirjen e pozicionin e saj. Prerjen vertikale dhe horizontale. Pas afro njëzet ditesh e botuam tek gazeta Bashkimi të shoqëruar me një fotografi e cila qe bërë nga brenda jashtë saj.
    Ky qe edhe përshkrimi ë shpellës së Limjonit.   




Shënim: Sot ajo është e “bllokuar”ose më saktë e uzurpuar nga banorët e ardhur nga zonat rurale dhe është tepër vështirë për tu gjetur. Vetëm me dashamirësinë e “pronarit” të sotëm mund të bëhet e mundur për tu ri eksploruar.





Hyrja e shpellës në sipërfaqe



Hyrja e shpellës nga brenda




Vendosja e shpellës në brendësi të tokës. Prerja vertikale dhe horizontale e saj.