Σάββατο 15 Οκτωβρίου 2016

NJË DEGË LULE MIMOZE

       Që në çastin që  dëgjova atë mbasdite ardhjen e gjitonëve të rinj, thirrja e një vajze të re në emrin e një luleje më dha një ndjesi të çuditëshme brenda meje.  Me gjithëse më lindi dëshira për ta parë, nuk e mora mundimin për të shkuar pranë dritares pasi zhurmërat nga jashtë prej tyre u fashitën shpejt dhe çdo gjë ra në qetësi. Të nesërmen, si zakonisht në formën time të shpejtë të kryerjes së veprimeve, rrëmbimthi dola në rrugë duke u futur mes turrmës që nxitonte, e më pas drejt shkollës. Ndërkohë, në imazhet e mia përpunoja idenë e paraqitjes së saj. Nga ngacmimi që pata me atë emër, në të gjitha orët e mësimit u mora me flokët e vajzave të klasës. Duke abstraguar, guxova deri aty sa të ngacmoja edhe veshjet e tyre. Nuk shpëtuan edhe të tria mësueset e asaj dite që kishin rradhën të shpjegonin teoritë e tyre në mësimdhënie. Më vonë u mora me emrat. Mes fantazisë të çastit emrat i lidhja me ngjyrën e flokëve, të fytyrës. Pastaj, tek i heq lules gjethet e tepërta, nisa tu zbërthejë kopsat e para të këmishave, të bluzave duke u nxjerë në pah qafën e gjokset. Ishte një punë tepër e lodhëshme pasi në klasë kishim shumë femra dhe koha nuk më mjaftonte. Τë gjitha ndodhën shumë shpejt, brenda  një dite. Ashtu siç ishin ulur në bangat e tyre  nisa ti zbukuroj të gjitha me rradhë. Jo të gjitha më kënaqën dhe u kënaqën. Ndjeja shikimin e disa prej tyre sikur po më thoshnin se kishin mundësi të dilnin edhe më të bukura po të punoja edhe më shumë me to. Ndoshta, ose duhet të më ketë shpëtuar ndonjë prej tyre pasi në imazhet e mia, mes atyre femrave të shumta, po më shfaqej, një tjetër imazh femre. Mos vall ishte ajo.          
     Në një prej ditëve në vazhdim, përbrenda asaj përhumbje që po vazhdonte të më ngacmonte, përkrah meje, rrugës që po kthehesha për në shtëpi dëgjova një zë femre. “Kujdes gjiton, shiko ku po shkel. Do të rrëzohesh e kush e di se kur do të zgjohesh nga ato ëndërime.” Ashtu vërtet, duke tundur kokën përmes miratimit e mos miratimit u ndesha me shikimin e saj. Buzëqesha dhe me trajtën e lëvizjeve të duarve sikur i thashë “jemi në rregull”. Ma ktheu me të njëjtën vlerë buzëqeshjen. Ndërkohë duke u përballuar me sytë e saj ndjeva se ajo diçka po kërkonte prej meje. Aty në krahun tim, duke ecur, vazhdoi: – “Jam edhe unë, nuk më keni vënë re akoma.” Të dy u ndalëm në të njejtin çast. Ajo për të parë reagimin tim të mëtejshëm dhe unë për të kuptuar se çfarë po më ndodhte. Ishte kohë e mjaftueshme për të reaguar. Në të vërtetë, pa i lënë kohë karshi çdo lloj veprimit tim, flokët e rëna përmbi sy, me një veprim të shpejtë të duarve ja regullova më këndshëm, dhe duke i dhënë urdhër përmes buzëqeshjes sime që të mos lëvizte, i zbërtheva edhe kopsën e dytë që zbriste më poshtë jakës së këmishës: ”Kështu po “- i u shpreha dhe aty në çast, tek i bëra një prekje të lehtë me duart e mia, diku prapa qafës, jakës i bëra një ngritje të shkujdesur. Më pas duke i dhënë të kuptoj të vazhdonim të ecnim e pyeta për emrin. Duke ndjer hapin e saj tek përpiqej të kapte ritmin tim, dëgjova të më thotë “Në cilën stinë jemi”. “Në stinën më të bukur”- ishte përgjigja ime -“në pranverë”. “Cila lule shpërthen tani” vazhdoi ajo duke tundur kokë e flokë. Aty u stepa. Mes buzëve të mija të mbërthyera fort me njera tjetrën, gërma e parë e atij emri nuk guxonte të artikulohej e të shprehej. Vërtet u ndjeva si buf. Gjitonja ime me atë emër të bukur ishte vërtetë një lule mimoze e sapo çelur. Duhet të keni mbajtur ndonjëherë në dorë degën e asaj peme. Kurorë lulesh, flokësh në bukle të vogla, me kalime në nuanca të shndritëshme të hedhura pa kursim mbi to duke qarkuar fytyrën e saj të imët e fine. Gjethet, veshja poshtë asaj kurore, me atë rregullim të vogël që i kisha bërë më parë, mbulonin hijshëm vazhdimësinë e saj trupore. Në atë ecje të shpejtë time, duke i buzëqeshur i u shpreha: -“Jeni vërtet një degë lule mimoze”.



                                          

Τρίτη 11 Οκτωβρίου 2016

DJALOSHI I GRACKAVE T Ë MËLLËNJAVE

                                ...dikur në adoleshencë pranë kroit të fshatit.

      Megjithëse shiu kishte pushuar, nga gjethet e ullishtave, shkurreve dhe ferrave përreth ende pikonin bulëza uji të shndritshme. Era kishte rënë. Ngritësi i grackave duhej të shfrytëzonte momentin pa zbritur ende në tokë mëllenjat. Ishte ngritur herët dhe prej grackave të para kishte kapur tre prej atyre zogjve pendëzinj. Mendoi se në thellësi të atyre ferrave që ndodheshin në anë të rrugës, nga ana e poshtme e saj, do të qe më i sigurt gjahu. Duke kaluar me kujdes në brendësi  të atyre degëve gjemb shpuese u përpoq të mos dëmtonte asnjë prej tyre. Mendoi se dy tre copë do të mjaftonin. Me instiktin e tij prej gjahtari, shpesh mendonte se ata fluturakë mund të kishin filluar ta ndjenin mungesën, zhdukjen e ndonjë prej tyre poshtë atyre pllakave. Dhe për këtë arsye kishte raste të kthehej me duar bosh në shtëpi.
Teknikën e ngritjes së tyre e kishte mësuar nga më të rriturit. Ajo trashëgimi e cila nuk dihej se kur qe krijuar nuk ishte vetëm një zbavitje por edhe një mënyrë për të siguruar një ushqim të këndshëm. Mjetet për të ngritur ato gracka të thjeshta  ishin më rrethanoret që siguroheshin po aty. Një pllakë guri e hollë jo shumë e madhe në raport me trupin e mëllenjës dhe disa thupra nga degët e ullinjve. Të prera në një gjatësi të barabartë, do të mbështeteshin në skajet e njëra tjetrës dhe do të mbanin gati pothuajse në këmbë pllakën. Diku, aty në qendër të atij trekëndëshi në gropën e hapur do të vendoseshin dy-tre kokra ullinj. Ishte një kalkulim tepër i thjeshtë ku vetëm me një prishje ekuilibri të atyre degëve nga këmbët e kujtdo fluturaku, pllaka do ta zinte rob atë. Pasi u bind se çdo gjë ishte në rregull mori prej degës aty pranë gjahun e mëparshëm dhe u drejtua nga monopati që kalonte nga kroi i fshatit i cili ndodhej diku aty pranë.
Si gjithmonë do të qe tepër i kujdesshëm në hedhjen e hapave. Me instiktin e gjahtarit, tek shkelte nuk do të dëgjohej as kërcitja më e vogël e gjithçkaje ku ai do të vendoste këmbën. Duke ndjekur vijën e monopatit që shkelej vazhdimisht nga fshatarët me bagëti, mushka e kuaj, vuri re se diku pranë kroit ishte ngulur një familje rome. Një nënë e re mbi zjarrin e ndezur mes trekëndëshit të ngritur kishte vendosur  një kusi. Aty pranë, duke ndjekur gati çdo lëvizje të saj, dy fëmijë të mitur me duar të mbërthyera gati në grusht të shtrira përgjatë trupit, qëndronin në këmbë. Nga zjarri i fortë midis ujit tek lëvonte, kokra të pakta orizi tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Më pas, dy kokra domate gati të pa pastruara duke i copëtuar me duart e saj të ashpra ajo i hodhi në brendësi të kusisë. Gjithashtu, me dorën e zhytur në fundin e një traste rrobe tepër të vjetruar nxori një kokër qepë. Pasi e shqeu edhe atë si domatet   e hodhi në ujin e valuar. Dhe me një lugë  druri të vjetër, orizin së bashku me perimet e sapo hedhura i trazoi fort. Kripën e mbledhur brenda pëllëmbës të dorës tjetër të cilën gjatë gjithë kohës tek kryente ato veprime e shtrëngonte fort, e hodhi si me inat brenda saj. E gjithë ajo skenë, kusia e varur mbi zjarr tek lëpihej nga poshtë saj nga gjuhë të kuqëremta të shoqëruara edhe me tym, të dy vocërakët dhe çadra më tej e mbuluar me pjesë mushamaje jo vetëm e habiti por nuk mund ta kuptonte se jetohej edhe kështu. Mes asaj që po përjetonte ndjeu lëvizjet dhe shikimin e saj të rënë mbi të i cili rrëshqiti deri tek gjahu që mbante në duar. Si për t'u larguar atij përballimi e drejtoi shikimin nga të dy fëmijët e saj. Edhe ata të dy  si pjesë e asaj skene por me një qëllim tjetër, po prisnin të bëhej gati ajo drekë e vonuar. Shikimi i tyre  fëmijnor shfaqte një padurim të theksuar, atë të uriturit. Gati sikur numëronin minutat dhe flluckat e shumta të vlimit që tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Padurimi i madh i shfaqur në kokërdhokët e zinj të syve të tyre atë e tmerruan.  I tronditur, djaloshi i grackave të mëllenjave u ndje shumë keq. Ishin tepër të mitur që të dy. Të dobët dhe të paveshur mirë. Të zbuluara nga gjuri e poshtë, kërcinjtë e tyre ishin vazhdimisht të lagur. Ajo lagështi e thithur prej shputave të këmbëve tek binin në kontakt me baltën e kthyer në llucë, transmetohej me dridhje të lehta në trupat e tyre. Të përqendruar mbi flakët tek pushtonin pjesën e poshtme të kusisë, ku në të njëjtin çast në mënyrë instiktive, me kurizin e dorës fshinin ujrat që u pikonin nga hundët, kthyen shikimin prej tij  si për ti kërkuan ndihmë.
Shpirti i tij i pa njohur me një realitet të tillë ishte gati t'i shpërthente. Zemra po i rrihte me furi. Ndjeu t'i shpërfytyrohej fytyra dhe pika loti ishin gati t'i kërcenin mbi fytyrë. Pa u menduar u drejtua prej saj duke i lënë diku aty pranë gjahun. Të dy fëmijëve u shpjegoi se disa metra më tutje, në brendësi të atyre ferrave, poshtë grackave do të gjenin mëllenja të tjera. Ishte i sigurt në atë që thoshte.
Nuk shkoi për nga kroi por mori pak më të majtë. Tek po ecte mbi rrugën automobilistike mori për nga fshati e drejt për në shtëpi duke mërmëritur   gjëra gati të pakuptimta.

Τρίτη 27 Σεπτεμβρίου 2016

PO BIE SHI

Po bie shi. Nesër dhe pasnesër është festë. Më të guximshmit nga nxënësit e gjimnazit kanë ikur nga mësimi para kohe. Anës detit, në çifte të vogla, poshtë kurorave të pemëve dhe gjetheve që po bien nga era ata shkëmbejnë me ëndje puthjen e tyre të  parë.
Në malet përreth, re të shumta si kacekë të fryrë presin radhën të shkarkohen mbi qytet.
Në qendër tek sheshi, punëtorët e dekorit të qytetit duke hedhur herë pas here shikimet e tyre mbi ato pështjellje ajri dhe uji tek po çahen nga thikat e tej nxehta të vetëtimave, nxitojnë të bëjnë zbukurimet e fundit. Aty pranë, përgjegjësi i tyre po shfryn mbi ta për vonesën. Për lënien e atyre punëve në çastin e fundit. Pritet shi i furishëm.
Dy ditë janë ato festime. Ndërkohë në qytet nuk ka entuziazëm. Duket  sikur asnjë s’do ta dijë për to, përveç atyre që merren me mbarëvajtjen dhe organizimin e asaj feste kombëtare. Në plazh, poshtë kurorave të pemëve, nxënësit e ikur nga mësimi edhe ata nuk ta dinë se për çfarë do të festohet të nesërmen e të pasnesërmen, ata ende vazhdojnë të shkëmbejnë puthje të ëmbla. Retë përmbi kurorat e maleve përreth, po presin me padurim. Përgjegjësi i punëtorëve të dekorit ende po shfryn nga zemërimi. 

Δευτέρα 5 Σεπτεμβρίου 2016

KOPËSHTARI PLAK

        Në çastet tek i ujiste e i pastronte nga barërat e egra ato pemë frutore ai bëhej njësh dhe ndjente gati sikur bashkëbisedonte me to. Shpesh, i ndodhur përmes kurorave të tyre, do të përkëdhelej nga reagimi i gjetheve të shumta tek përpiqeshin të ngatëroheshin përmes gishtrinjve të tij. Dhe do të kalonte orë të tëra aty, e do të shkëputej nga ajo “përhumbje” vetëm atëherë kur do të thërritej prej të tjerëve. Kohët e fundit diçka po e mbërthente mes atyre pemëve. I ndodhur pranë një fidani të mrekullueshëm në zhvillim gati “të marrosur” të degëve të tij të shkujdesura, me sytha në të çelur, ende nuk po i kujtohej se si ishte mbjellë.  Po përpiqej më kotë.
       Kishte kohë që nuk po kuptonte se çfarë po i ndodhte. Dëshirën e kishte shumë të madhe për t'u ndodhur në atë kopësht të mbjellë në vite me lloje të ndryshme drurësh frutorë. E shfaqte këndshëm gëzimin tek përshkonte atë rrugë të shkurtër deri sa mbrinte aty. Më pas, i ndodhur mes kurorave të tyre e ndjente veten të huaj. Duke hedhur shikimin e tij gati të verbër, niste ti prekte një nga një me duart e tij të buta. I duhej ta kryente atë veprim si për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Por jo vetëm atë, në brendësi të tij përpiqej t'u kujtonte emrat. Dhe do të ndjehej i lumtur kur arinte ti shqiptonte nën zë. Më pas, buzëqeshja në fytyrë do ti shtohej pasi çuditërisht, do ti kujtoheshin të gjitha me rradhë. Dhe ato prekjet e lehta të trupave dhe gjetheve të atyre pemëve vetëm me mollëzat e gishtrinjve do ta lumturonin edhe më shumë. Më pas ai nuk do ta kishte të lehtë shkëputjen prej andej. Në ato çaste një shkëlqim i bukur po shfaqej në sytë e tij. Dikush po e thërriste. Përmes atij zëri femëror njohu nusen e djalit. Ata banonin në qytet prej kohësh dhe ardhja e tyre do ta ngazëllente së tepërmi kopështarin plak. Po aty si i zënë  në faj, do të rikthente edhe njëherë shikimin nga ai fidan, të cilit nuk po i kujtohej ende emri. Kishte kohë pa u parë me djalin dhe me nusen. Në atë përballje me të do të ishte vet ajo që do ta ndihmonte duke i shkuar pranë, pa u përpjekur të fshihte ndryshimin që kishte filluar në trupin e saj. dhe do ta ndihmonte të shkëputej nga ajo përhumbje  tek vazhdonte të prekte me dorën e tij gjethet dhe sythet e sapo të çelura të fidanit.
Babi, unë e mbaj mend kur e mbolle. Nga ato duart e tua të buta mori jetë. Ai sëbashku me mua do të rritet e do të lulëzojë, kështu më the. Dhe ajo ktheu shikimin prej të shoqit tek rinte i hutuar. Erdhën me gëzim për ti dhënë atë lajm të bukur.  Ardhja e asaj jete të re në familjen e tyre, do të shfaqej me tronditje dhe emocione tek kopështari plak i cili do të përpiqej të mos ngashërehej. Por përsëri i pa aftë.
Si fluturat tek e ndiqnin kur ai dilte herët në mëngjes, bir dhe nuse i u ndodhën pranë. Ndërsa ai pa hequr dorë nga sythet e sapo çelur, të atij fidani që e kishte çoroditur, nuk e kishte shkëputur shikimin prej saj. Në aq sa kuptonte ku herë shtrëngonte buzët e herë çelte e mbyllte sytë, në fytytrën e tij u ndje të përhapej ajo buzëqeshja e tij e kursyer. I kujtua dita kur e mbolli atë dru frutor..Menjëherë fill pas dasmës të djalit, trashëgimtarit të vetëm.  
Mes duarve të tij, të birit dhe nuses nënës së ardhshme, i shoqëruan  në thellësi të tokës rrënjë e asaj bime. Tek do rritej e piqej, ai frut do të kuqëlonte jashtë e brenda tij.  Në të mijta kokra, duke çarë lëkurën tek përthyej drita mbi to, do të shfaqeshin me atë ngjyrë të trëndafiltë. Shega ajo bimë e vjetër sa vet njerëzimi do të simbolizonte begatinë e mirëqenien e asaj familje.

Në ato çaste i sigurtë në veprimin që po kryente, e shkëputi dorën prej atij fidani duke i përqafuar me një ngashërim gëzimi vazhdimësinë e familjes së tij. 

Πέμπτη 4 Αυγούστου 2016

MULLIXHIU

                  BOTUAR PËR HERË TË PARË NË -"SHTIGJEVE TË VENDLINDJES" nr.3

Një nga degët e arrës që ndodhej pranë derës së mullirit ishte thyer dhe ashtu siç kishte rënë qe mbështetur në  çatinë e tij. Lëkundjet e vazhdueshme të shkaktuara nga era e rrëzuan atë përtokë. Qeni i trembur për herë të dytë nga krisja e fortë e rrëzimit të saj, zuri të lehte me tërbim brenda  kolibes.
Për herë të parë u zgjua i trembur së bashku me mullixhiun kur u thye dega. Krisja e dytë ja hoqi fare atë gjumë të trazuar. Pa mbaruar mirë të shtriturit dhe kuisjen, doli me vërtik jashtë saj dhe filloi të lehte duke ngritur turinjtë përpjetë. S’dinte se kujt duhej t'i lehte prandaj i u hakërrye erës. Pasi bëri dy-tre rrotullime në oborin e mullirit u ndal. Lehu në drejtim të portës. Duke mos marë përgjigje nga i zoti i tij, zbriti më të poshtë monopatit.
Kapërceu një vijë uji që ndahej nga përroi. Më tutje, kaloi nëpërmjet dy trarëve që shërbenin si vëndkalimi. Nuk shkoi përgjatë tij që derdhej në det, por rrëzë malit. Ai e dinte se ku ndodheshin disa fole lepujsh por nuk po ndjente erën e tyre. Atë, që atij i ngacmonte flegrat e hundës e që i gufonte zemra. I njihte mirë ato vënde. Nuk kishte lënë sqinte e ferrë pa shkelur e nuhatur. Në sa e sa prej tyre kishte ngritur këmbën e kishte shurruar.
Për një moment, e hoqi vëmëndjen nga kujtimet e tij dhe i u përqëndrua natyrës.  Zhurmave që i sillte ajo nga larg. Vazhdoi ecjen duke nuhatur e duke mbajtur veshët përpjetë. U ndodh përpara një gëmushe të madhe.  Uli kokën dhe futi turinjtë në brendësi të saj. U dha këmbëve dhe trupit duke kaluar nën të. Me mundim të madh doli matanë saj.  Këmbët i prekën rërën e butë e të lagët. Vuri re se ndodhej shumë larg vijës së detit. Me ndjesinë dhe nuhatjen e tij të përherëshme ai e kuptoi se dallgët gjatë gjithë natës kishin ardhur deri aty ku po i preknin këmbët. Ato shtynin njëra tjetrën përgjatë gjithë bregut. Pasi përplaseshin fort, tërhiqeshin rrafsh tij sikur ti kërkonin të falur.
Era i solli në vesh zhurmën e një përplasjeje të çuditëshme. Instiktivisht, drejtoi kokën andej nga vinte ajo por asgjë nuk pa. Zhurma vinte e dobët dhe në mënyrë rritmike e të rregullt. Ja, tamam si përplasja e dallgëve. U mundua të shquante diçka por e pa mundur. Vetëm rëra e bardhë përgjatë bregut dhe tutje djathtas, Guri i Plakës. Ashtu i quante ata shkëmbinj i zoti i tij së bashku me fshatarët kur e përmendnin. U kthye për të ikur por ajo përplasja e ndali. Qëndroi për një hop  me kokën andej nga e thërriste instikti dhe pa u menduar u nis drejt saj. Me një shtytje të fortë të trupit përpara, u gjend mbi shkëmbin e futur përgjysëm në rërën e lagur. Me vrrull u hodh mbi tjetrin që ndodhej aty pranë. Aty ndjeu se zhurma vinte pas shkëmbit të madh që ndodhej i zhytur përgjysëm në ujë. Duke dalë nga ana tjetër e tij u ndodh përballë një varke që përplasej nga dallgët pa pushim pas shkëmbit. U mundua disa herë të hipte mbi të por nuk mundi. Ishte tepër i lartë. Duke ardhur vërdallë në rërë pak larg nga vija e detit, ndjeu gjurmën e një trupi të zvarritur. U afrua duke nuhatur. Asgjë për tu shqetësuar i tha vetes por në çast mendoi se ajo gjurmë mund të vazhdonte më tutje. Duke shkuar  pas saj nuhati erën e njeriut. Ndjeu ti rrihte zemra. I thërriti instiktit të tij shtazor dhe kërceu përpara. Për të shpëtuar nga lagështia e rërës, në brendësi të një ferre ndodhej i shtrirë një trup njeriu. U mundua disa herë të kalonte por e pati të pa mundur. Filloi të lehte e të dihaste me tërbim pasi e ndjeu se nuk mund të bënte asgjë. Ngriti turinjtë përpjetë duke lëshuar një lehje në ulërimë e cila ishte veçse  një thirrje për ndihmë duke u lëshua përpara drejt të zotit të tij që ndodhje aty lart tek mulliri i ujit, pa e ndaluar lehjen e tij të shqetësuar. Tek ndjeu konturet e mullirit  zuri të lehte më me ngulm. Ishte një e lehur e alarmuar. Nuk arriti të gërrvishte portën me thonjtë e tij të fuqishëm se mullixhiu kishte dalë tek porta me pushkë në dorë. Ato dy krijesa gati u kuptuan duke marë vrapin më të poshtë njeri-pas tjetrit. Më pas i zoti i tij pasi e tërhoqi trupin e atij njeriu për këmbësh e ktheu me kuriz nga dheu. Ai njohu Kliun, peshkatarin. More derëzi i tha me zë të brendshëm si  më je katandisur kështu, ç’farë mund të bëj me ty. Afroi veshin mbi gjoksin e tij. Nga thellësia e trupit ndjehej një  gërhitje e thellë gati e pa dëgjueshme. Në fytyrë të jepte përshtypjen e një njeriu të ikur në botën e përtejme. Ja mbështolli mirë rrobat që kishte veshur. Hoqi zhaqetën prej vetes dhe ja veshi atij. E mbërtheu mirë dhe me armën krahëqaf, me mundim të madh e hodhi mbi supe. Nuk ishte shumë i rrëndë por ishte afër dy mertra burrë. Brunua shpëtimtari, ajo krijesë katër këmbëshe u nis përpara. Me t'u ndodhur brenda e shtriu aty, pranë oxhakut duke e mbuluar me çka kishte aty. Pasi pa  flakën të përpinte çka kishte vënë në vatër u mor me të. Ja zhveshi të gjitha rrobat duke lënë vetem me brekushe. Nga shishja me raki që kishte te dollapi në qoshe të dhomës, mbushi kukumen me të cilën e vendosi në zjarr. Tek priste të ngrohej ai lëng i çuditshëm, i bëri përshtypje ai trup muskuloz. Në të ritë e tij, të gjithë djemtë ja kishin zilinë pa le më vajzat. Tek nisi ta fërkonte me ngrohtësinë dhe erën e fortë të atij lëngu po përpiqej të kuptonte ashpërsinë e jetës që nuk i u nda kurrë. Pasi ndjeu lëvizjet e para të tij e mbështolli mirë me ç’kishte aty pranë. Doli jashtë me vrap dhe erdhi brenda me tre katër degë të prera. Ngarkoi mirë zjarrin me dru, dhe u ul për të marë një çikë frymë. Hodhi sytë nga lundërthyeri, Kliu, dhe si gjithmonë lëshoi shprehjen e tij; ku do vejë kjo punë kështu, ku do vejë. Më pas duke mbështetur dorën në gjurin e djathtë i dha forcë vetes të ngrihej në këmbë. Aty nëpër të po përpiqej të kujtohej se ku e kishte lënë orën. Dy gjëra të shenjta kishte të trashëguara prej të jatit.  Mullirin dhe orën. Shtëpinë lart në fshat, e kishin humbur nga borxhet. U detyrua të emigronte. Shkoi deri në Francë. Punoi në minierat e famshme të saj. Shpirti tij e dinte sa vuajti  dhe me ato lekë të mbledhura u kthye në fshat. Jo vetëm për t'u rimëkëmbur por edhe për t'i treguar njerëzisë se edhe ai dinte të jetonte me nder. Vinte nga një fis i dëgjuar. Tre fëmijë kishte bërë i jati i tij. Atë dhe dy motrat. Me gjithëse ishte më i madh, i martoi e i çoi në derë të botës. E gjeti orën të varur te trau ku mbështeste dorën tek shikonte gurin e rëndë kur rrotullohej e bluante. Sa herë që e merte në dorë  atë orë e kamaroste.  Qe  e qëndisur me ar siç i thoshnin. Ende nuk kishte shkuar shtatë. Ishte errët akoma.
Nuk kishte se ç’farë të bënte gati në mulli. Ishin kohë të vështira. Kohë urie. Njerëzia kishte gjëra të pakta në sëndukët e vet. Pëshpëritej se do të kishte luftë. Andej matanë Italia e madhe po bëhej gati të kapërcente detin. Edhe kur vinte ndonjë për të bluar i thoshte,” këta dy thasë, njëri me pak grurë e tjetri me miser janë të mitë, ndërsa ky tjetri po me misër është i hallë Sofos. Ti e di që ajo nuk ka njeri në shtëpi e nuk mund të vijë këtu për një çikë miell misri. Pa le që nuk ka pikë fuqie”.
E ndërkohë që mullixhiu bëhej gati të lëshonte ujët, deri sa rrota të mirte xhirrot e saj të para, i ardhuri kishte bërë gati dy cigare të dredhura. Duke ndezur të tijën, tjetrën ja jepte mullixhiu. Ai e merte pa bërë zë. E sikur e kishin bërë me llafe ndronin, cigare me njëri tjetrin. E koha  kalonte dy a tri herë. Gruri e misri ishin bluar e hedhur në thasë me kohë. Ngriheshin kur shihnin orët që kishin ikur. Aty ku i ardhuri merej me ngarkimin e gomarit ose të mushkës, me gjënë e bluar, mullixhiu përpiqej të bënte diçka tjetër. Kështu i shtynte ditët me rradhë. Bile ndodhte që javë të tëra mos të shkelte këmbë njeriu. Shpërblimi që merte nga këto punë qe i vogël, por ç’farë të bënte, kishte rrugë tjetër.  Kishte raste që u shënonte emrin njerëzve e ai vinte vërdallë, aty, brënda duke kruar  kokën. Herë shpatullën e ndonjë gjë tjetër pa e kuptuar fare se ç’farë po bënte. Dhe aty pa pritur përpiqej të futej në kohë. Ato ishin të shkuara,duhej të mendonte për të sotmen.
U kujtua se në dhomën ku flinte kishte Kliun. U hodh përpjetë si i zënë me cimba. Ai vazhdonte në gjumë të thellë ndërsa zjarri nuk qe mirë, dukej  i mekur.  Mori drutë e tjera që kishte pranë oxhakut, i hodhi në të. Duke ngacmuar prushet me cimbidh i dha vrull atij. U ngroh për një copë herë, u ngrit e shkoi te dollapi që ndodhej në qoshe të dhomës. Nxori prej andej një pagur uji që thoshnin se ishte nga koha e rrobërve që kishin hapur rrugën e bregdetit. Duke sheshuar vendin midis drurëve me fundin e kukumes të mbushur me qumësht e la aty të ngrohej. Kliu kishte filluar të gërhiste; një gërhitje tepër të ngadaltë, e thellë dhe e çjerrë që dilte trupi i tij i drobitur. Duke e prekur me duart e tij të mëdha e të buta, po i fliste me një zë të ngadaltë e të ëmbël që të çohej. Papritur Kliu u çua me rrëmbim në të  ndënjura por, po ashtu ra prap si në jerm nga dhimbjet e mëdha që ndjeu befas në tërë trupin duke humbur sërisht.         
Mullixhiu qete-qetë  i u afrua pranë e duke i a marë kokën në gjunjë e duke i mbuluar shpatullat, arriti ta sillte në vete. I kërkoi të pinte pak nga ai lëng i bardhë e i ngrohtë. Me sytë gati të mbyllur plotësisht, ai e piu atë  me gllënka të vogla deri në fund duke rënë menjëherë në qetësi.  Mullixhiu u çua, i çoi gjërat në vendin e vet dhe aty u kujtua se duhej të hidhte diçka në gojë. Nga buka që nxori nga dollapi,  preu dy feta dhe duke rregulluar zjarrin në vatër, i mbështeti të dyja pranë cimbidhit, ndërsa në kupën që kishte aty pranë hodhi një grusht ullinj të rinj kokër mëdhenj. Kulloi një pikë vaj mbi ta se e pëlqente dreqin, e u ul pranë vatrës. I ktheu fetat e bukës nga krahu tjetër. Sa të mirnin një të ngrohtë u mor me zjarrin, duke fshirë vatrën me një tufë pendë ku  dikur kapardiseshin në bishtin e ndonjë kokoshi. Duke u përtypur, mendjen e la të lirë të bridhte ku të donte.
Në të vërtetë, nuk kishte ndonjë gjë kushedi ç’farë për t’u menduar. Vetëm era dhe uji i përroit ishin në lëvizje. Çdo gjë tjetër kish  ndaluar. Ndonjë herë i dukej se dhe zemra e frymëmarja do t'i ndalonin. Moti i keq e kishte mbyllur njerëzinë në shtëpitë e tyre dhe ata si arinjtë po tresnin dhjamin e pakët që u kishte mbetur.
U kujtua për Brunon, qenin e tij besnik. Sa dimëra e behare kishte kaluar me të. Duhej ushqyer edhe ai. Preu një pjesë të mirë nga buka, duke e coptuar e hodhi në një kusi të vogël e te nxirrë nga zjarri. Hodhi masën e ujit dhe e vari te çengeli brenda oxhakut. Nuk mund ta vendoste pirrostinë pasi zjarri ishte i madh. Nga dollapi brenda murit nxorri një trastë e cila ishte pothuajre bosh. Atë pak trahana që ishte e ndau në dy pjesë. E hodhi atë në kusi dhe me dorën tjetër e trazoi me lugën e drunjtë. Pasi e pa që mori një avull, e kapi nga vegja dhe u nis për të dalë jashtë. Hapi derën dhe pa prapa saj qenin po e shihte me vëmëndje. Nuk i u hodh nëpër duar si gjithmonë kur ai e ushqente por u fut me vërtik brenda në dhomë duke  u drejtuar nga i mbyturi. Turinjtë e gjatë e të hollë të tij tek po nuhasnin tregonin veçse gëzim.  Duke i dhënë dy të lehura të forta të zotit, qeni doli jashtë duke tundur bishtin. E priti aty, si gjithmonë tek vendi, ulur e i mbështetur në të dyja këmbët e para. E kapërdiu me dy-tre të mbllaçitura pa arritur që ajo të zbrazej tek ena e tij. Ngriti syte e duke parë të zotin  tundi kokën si për ti thënë “dakort kjo qe pjesa ime” dhe lëvizi nga vëndi.

Mullixhiu kujtua se duhej t'i hidhte një sy çatisë së dëmtuar. Mbështeti shkallën e drunjtë në mur . Vuri re se ajo nuk qe dëmtuar pasi dega gjatë thyerjes, kishte rënë më parë në tokë. Ngriti kokën qielli po mbushej me re të dendura e të zeza. “Shumë shpej do të kemi shi” tha me vete dhe hyri  brenda. Sa herë që vinte vërdallë kur skishte punë brenda në mulli, ngrinte kokën lart e shikonte trarët e çatisë. Pasi i shihte të gjithë me rradhë sikur i numëronte thoshte me zë “mirë, shumë mirë, mbajnë akoma këta të uruar.”
Ajo shtëpi mulli kishte edhe djersën e tij. “Këtë gur e kam vendosur vet “-thoshte ndonjëherë ku qe në qejf. “Edhe portën, edhe dritaret unë u thash t'i bënin të mëdha pasi desha të kishte sa më shumë dritë brenda.” E shumë të tjera thoshte sa tani besonte se e kishte ndërtuar vetë gjithë mullirin. Dhe niste e përkëledhte çdo pjesë të tij. Pasi bindej që çdo pjesë e tij qe në rregull thoshte me zë të larte “rrofsh mor i uruar se më ke nderuar”
-Eh!...-psherëtiu dhe i dëboi kujtimet që i u fanitën përpara syve. Nxorri nga dollapi kukumen e madhe, një dorë me çaj mali të mbledhur në  Lavan, i cili ishte me nam për erën kundërmuese që kishte. E mbushi me ujë dhe e vuri në oxhak të ngrohej. Jashtë në qiell u dëgjua një e kërcitur e fortë vetëtime dhe nuk kaloi shumë e filloi një shi i rrëmbyer. Errësira pllakosi  në çast dhe nuk mund të shihje asgjë përreth. E hodhi çajin e ngrohtë në një nga kupat e porcelanta që i kishin mbetur. I kishte sjellë dikur i jati nga Franca. Shtrydhi gjysëm limoni në të e hodhi dy lugë sheqer. Duke e trazuar e la pranë oxhakut e iu afrua Kliut. Si i ferkoi shpatullat i pëshpëriti me zë të ulët:-“Kli o Kli ,çohu. Do vijë koha që do të ngopemi me të fjetur, por është shpejtë akoma, duhet të rrojmë edhe ca. Hajde çohu tani.!Çohu de!. Të kam bërë një çaj të fortë që do të të bëjë mirë”. Duke e ngritur e mbështeti në të ndenjura duke ja mbuluar shpatullat me batanien e leshtë,- “hajde pije  tani”- vazhdoi ai duke i afruar kupën me çaj. Me sytë gjysem te mbyllur, peshkatari  e pa si me përtim atë kupë çaji. Pastaj befasisht e mbërtheu më të dyja duart sikur do t’ia rëmbenin dhe filloi ta rrufiste me gllënka të vogla. Pas asaj, duke parë me bisht të syrit si i zënë në faj dëgjoi prej tij:”Mbaju fort, ti ke kaluar furtuna më të forta e ja ke dalë mbanë” Ende pa mbaruar fjalën ai u dëgjua e lehura e qenit. Me njëherë pas të lehurës ja behu një zë. Në nxitimin e tij e thirri në emër. Ai kërkonte të futej sa më shpejt brenda pasi ai shi  i furrishëm e kishte bërë qull. U gjendën që të dy në një kohë përballë derës, ai nga jashtë e ky nga brënda. Duke e hapur, pa të hynte me rrëmbim, një djalë i ri, i mbuluar kokë e këmbë me brucë. Ai u ndal, e hoqi brucën nga trupi, e shkundi dhe kërkoi vënd ku ta linte. Mullixhiu ia mori nga duart dhe e vari diku. Për një moment nuk e njohu as nga zëri e as nga fytyra, aty qe errësirë e duke e shtyrë për nga dhoma nuk e la as të mirte frymë, por i kthehet duke i thënë:”
-Ç’kërkon në këtë kohë të keqe, mor bir, dhe tani natën?. Por menjëherë ndryshoi  tonin dhe u habit. Përpara tij ndodhej Mimi,  biri i vëllait të Kliut. Menjëherë e kapi  për krahu dhe e shtyu drejt zjarrit. “Hajde ngrohu nje çikë” i thotë duke hedhur dru të tjera në zjarr. Me dorën e tij të butë u mundua ti shkundte  shiun mbi xullufet që i kishin mbuluar ballin dhe duke e përkëdhelur nga shpatullat i rregulloi një vënd përballë oxhakut. Duke e parë me ëndje djalin e ri,i foli i pari:”Bëre mirë që erdhe, ty të takonte. I vogli nuk mund ta kërkonte. E them këtë se e di sa të lidhur jeni me njeri tjetrin dhe sa duheni, në kohë të vështira tregohet vëllazëria. “Po nuk më thua me ç’farë ke ardhur deri këtu?.”Dhe shikonte herë nga ai e herë nga Kliu. I riu duke ngrohur duart në zjarr e duke i fërkuar me njera tjetrën ,diçka kuptoi por nuk qe i sigurtë për atë që po mendonte.Hodhi një sy rreth e rrotull dhomës. Aty,  pranë oxhakut, me kuriz nga zjarri, dikush ishte shtrirë i mbuluar me batanie. Duke bërë me dorë i thotë:”Barba Kiço, mos më thuaj, ke barba Kliun këtu?!.. Ne kemi tre, katër ditë që po e presim. Sot në të thyer të ditës mendonim se do të kthehej. Ishim të shqetësuar të gjithë. Pamë që filloi të errej. Babai më urrdhëroi të zbrisja poshtë e të kërkoja  barbën.” Për t’u bindur se ai ndodhej aty i u afrua, i uli batanie dhe pa xhaxhanë e tij të mbledhur kruspull poshtë rrobave. Mes ngashërimit që po ndjente, për të mos u turpëruar, fsheurazi u përpoq të fshihte lotët. -”E kërkova por nuk munda. Shiu filloi shumë shpejt. Qe i rrëmbyeshëm. Kalova njëherë nga bregu por qe e pa mundur të shikoje“-dhe fërkonte të dyja duart fort me njera tjetrën. E pa në sy mullixhiun e për tu siguruar i tha :”Erdhi vet këtu”?- e pa e  hequr shikimin prej tij po priste me ngulm përgjigjen. Mullixhiu duke parë herë nga ai e herë nga zjarri u kthye  nga djali: ”Ne e dimë kokën e Kliut, kur i thotë ajo atij, s’ka burrë t’ia kthejë. Është nga peshkatarët më të vjetër të fshatit. Koha e kishte lajmëruar, nuk i falet. Të dalë për gjueti  kur e di se ç’pasoja kanë furtunat  në det...Brunua, qeni më lajmëroi. E gjeti ai se do të kishte mbaruar atje në rërë, rrahur nga dallga, në anë të detit, afër Gurit të Madh. Ishte pa ndjenja kur e mora prej andej. E ndrova, e fërkova fort  me rraki të ngrohtë, i dhashë për të pirë qumesht, e çaj të ngrohtë. Qëparë e zgjova ...me zor.. I vura veshin në gjoks tek flinte. Ka nje të çjerrur të thellë në frymëmarje
“Është ligur shumë, se dhe ujë nga të detit do të ketë pirë goxha. Nuk e dimë sa kishte qëndruar i shtrirë aty në rërë. Frynte shumë erë kur shkova ta merja. Gjë në gojë  s’besoj të ketë vënë dhe nuk e dimë sa kohë ka pa vënë mëllë... Nuk do ta lëvizim që këndej, jo vetëm sonte por edhe nesër nëse koha është bubullimë si sot.”...dhe nisi të bënte ritin e zakonshëm sa herë që i ndodheshin njerëz në shtëpi. Nga oxhaku në dollap, nga dollapi në oxhak. E mbushi kukumen me raki, i hodhi një lugë sheqer dhe e vuri mbi hirin e përskuqur nga zjarri i madh, duke e regulluar rreth tij. Psherëtiu dhe duke kthyer kokën nga djali foli nëpër dhëmbë-“ku do vejë kjo punë kështu, ku do vejë...” dhe i vuri atij flixhanin përpara. Duke ndjerë avullin e ngrohtë dehës të asaj pije, me dy të vëna në buzë e ktheu atë. U kthye nga mullixhiu: “Babai mund të sjellë më të poshtë gjithë fshatin për të më kërkuar në qoftë se nuk shkoj lartë. Duke u përshëndetur me të veshi brucën dhe ja hipi mushkës që po priste të zonë. Brunua e përcolli deri tutje dhe kur u bind se djali e kapërceu përroin e fryrë nga ujrat, u kthye në mulli duke hyrë në koliben e vet. Edhe mullixhiu hyri brenda  i sigutë se mushka po ngjitej fshatit tutje.. Të dy i besonin shumë njeri tjetrit, si mullixhiu edhe qeni
    Duke i u afruar oxhakut sytë i vanë tek kondisma e Shën Mërisë e cila e shihte si me habi e sikur i thoshte.”Ne të dy jemi, çfarë ka mbetur për të bërë akoma, bëje. Kemi edhe të nesërmen përpara, edhe të pasnesërmen. Vuri dy dru zjarrit, mbuloje mirë të sëmurin e bjer e fli. Nuk vdes ai. Trupi i u ngroh, zemra i mori revan.” Vuri dorën tek xhepi i vogël i pantallonave, nxori orën dhe pa se ishte shpejt. Kishte kaluar nga gjashta e i afrohej shtatës. Zgjati dorën mbi potonin e oxhakut ku mori tabaqeren. Nuk kishte pirë shumë cigare sot. Mori cigaren e vetme të dredhur që i kishte mbetur. E ndezi dhe po e shihte me kërshëri atë topth të zjarrtë e të shndritshëm deri në palcë, ku e vetmja mënyrë për ta parë nga aq afër, ishte mbajtja me cimbidh. Instiktivisht, vëmëndja i u përqëndrua tek ai hekur i çuditshëm ku dora e njeriut e kishte përshtatur në atë formë aq sa të thjeshtë, e  praktike. Në të dyja krahët e saj, aty ku gishtrinjtë vepronin për ta shtrënguar, ndjehej një gdhendje e lehtë me vija të drejta e të lakuara. Ato zgjateshin përgjatë të dy krahëve deri sa ato të dyja përdridheshin me njëra tjetrën duke krijuar në fund të tyre një përqafim unazor. Përbrenda saj, në gjëndje të lirë ishte kaluar një unazë tjetër hekuri.E thithi cigaren fort duke tërhequr përbrenda saj atë shkëlqim gati vullkanik. E përsëriti disa herë dhe pasi u bind e flaku në zjarr bishtin e cigares.U ngrit pa hezitimin më të vogël. U afrua tek i sëmuri dhe pasi u bind se ai po flinte  shkoi drejt krevatit, rregulloi mbulesat dhe jastëkun dhe pasi hodhi një sy rreth e rrotull u drejtua nga oxhaku , bëri kryqin duke parë ikonën e Shën Mërisë. Fiku llambën me vajgur dhe ashtu në errësirë u xhvedh e u shtri në shtrat. E zuri gjumi me njëherë, kishte kaluar një ditë të mundimshme e të lodhëshme.
 E lehura e qenit e zgjoi nga gjumi.Hodhi sytë nga Kliu që flinte i qetë pranë oxhakut. Jashtë ishte shumë ftohtë dhe lagështi e madhe. Shiu nuk do të kishte shumë që kishte pushuar. Doli nga dhoma, rrotulloi çelësin dhe tërhoqi fletën e portës së jashtme e doli jashtë. Re të zeza vazhdonin te rinin ende pezull mbi fshat. U drejtua për të marë disa shkarpa e dru për të ndezur zjarrin.
Mori tiganin që ndodhej mbi dollap i varur në mur, i dha një të fshirë nga brenda me pëllëmbën e dorës e shkoi tek oxhaku. Hapi një vend në anë të vatrës duke shtruar  prushin dhe vendosi pirostinë.E vuri  tiganin mbi të. Në valim e sipër të ujit, hodhi miell misri sa për dy veta, dhe pasi e trazoi me pak shëllirë e vaj, e pak piper te kuq priti sa ajo u piks disi . E hoqi tiganin nga zjarri duke e vënë mënjanë dhe  e mbuloi që të mos ftohej. U kthye  nga Kliu. Duke e parë atë pikë burri të gjatë e të fuqishëm, të dergjej pranë vatrës, nisi të thoshte shprehjen e zakonëshme – ku do veje kjo pu.. por e la përgjysem se nuk i pëlqeu ta vazhdonte, e u përkul mbi të sëmurin  E prekur lehtë në sup e po e shihte me kërshëri atë fytyrë të ashpër, të rrahur nga deti e nga jeta e vështirë.Ato vetullat e tij të zeza, të harkuara rëndë mbi gropëzat e syve tepër të thella, e ashpërsonin së tepërmi fytyrën e tij. Kur ndodheshe përballë e bisedoje me të, ndjeje përqëndrimin, e ëmbëlsinë e atyre syve Menjëherë, ndryshoje mendim e të pëlqente ta kishe pranë  e të dëgjoje zërin e tij melodioz.
Nuk arriti ti fliste se, një zë i fuqishëm nga jashtë e thirri në emër. Me mendimin se e njohu se kush ishte, u çua e doli për ta parë. Ai njohu Arsenin të vellanë e Kliut së bashku me të birin. Arseni me të hyrë bënda i hodhi një sy të shpejtë dhomës duke u drejtuar nga oxhaku ku dergjej i vëllai. “O kapedan  Kliu” i thirri. “O kapedan i kapedanëve, me je shtrirë e dergjesh si ato gratë e liga. Do çohesh, apo të të turpëroj në tërë fshatin, e  një çikë më tutje." I u afrua pranë dhe duke e përkëdhelur në kokë, në ato flokë të ashpërsuara nga kripa e detit, e pa të vellanë me dhëmbshuri e u drejtua nga Kiçua. U ul në një nga jastëkët që kishte aty pranë, nxori tabaqeren nga xhepi i zhaqetës, drodhi një duhan për vete duke ja zgjatur kutinë edhe atij. E ndoqi me vëmëndje si  e mori atë, si e hapi e drodhi duhanin.
-Hë ?! tha,- po pastaj, si u bë, foli gjë u përmend ai.
-Rëndësi ka që nuk është dëmtuar. Nuk e dimë sa ka qëndruar në det dhe sa ka mbetur shtrirë aty ku e gjeta. Koha ka qenë tërbim mbrëmë dhe ka fryrë shumë erë e fortë. Mund të ketë marrë plevit. Nuk më pëlqeu kur i vura veshin në gjoks, e ka shumë të rrëndë e të thellë frymëmarjen. Por e liga më duket se ja mori të keqen shpiku ai një ojnë nga ato të tijat
Mullixhiu e pa në sy vëllanë e lundërthyerit si për të vërtetuar nëse ai ia ndiqte fjalën. E mori edhe një herë tabaqeren e të ardhurit. Duke dredhur cigaren vazhdoi:
-Mund të dojë kupat, ndonjë kininë ose jatronë. Po ku ta gjesh atë.
Ai heshti sikur nuk kishte më gjë tjetër për të thënë. U ul pranë tij me dy gota rrakie të mbushura plot, ndërkohë u kujtua për qullashin me miell misri që priste në vatër. Duke u drejtuar nga Arseni, si për të marë leje i thotë:”Duhet ushqyer i sëmuri, ndryshe nuk do ta mbledh veten”. Një “oh, ooohh e zgjatur doli prej lundërthyerit. Hapi sytë duke parë me kërshëri njerëzit që po i qëndronin pranë, rreth zjarrit. Nxori njërin krah nga mbulesat dhe e mbështeti mbi to. Pa mbaruar së "kruari" zërin,  tha: ”Besoj se jam mirë.” Dhe pa pritur që ata të flisnin vazhdoi:-“Kam uri ,dua të ha”.
Në fillim ata që po i qëndroni mbi krye, të tre, duke shtrembëruar turrinjtë panë njeri tjetrin në sy, u vrejtën dhe në të qindat e sekondës fytyrat e tyre morën një të qeshur që s’mbahej më duke u shoqëruar me thirrma e gjeste të shfreruara. “More qerata , s’të del shpirti kollaj ti . Edhe sikur të ndodhte, e sa më larg qoftë , prap unë nuk do ta besoja kurrë. Të gjithë që të njohin, nuk do ta besonin. Je kockë e fortë,o lundërthyer”.. Dhe Arseni e përqafoi fort të vëllanë e tij.
- Hapëm një çikë vënd !-dëgjoi të birin t'i thotë nga mbrapa.- Ta përqafoj edhe unë pak barbë Kliun. Se ta dijë ai sesa më trembi, ja këtu më dhembi kur e kërkova dhe nuk e gjeta. Ja, ja këtu më dhembte! Dhe trokiste gjoksin me dorë. Nga sytë e djaloshit rrëshqitën lotë gëzimi. U ul pranë xhaxhait të tij dhe nisi ta ushqente me qullash, ndërkohë që ky po e përkëdhelte në flokë e fytyrë. Peshkatari i vjetër vuri re shkëlqimin e pikave të lotit që rrëshqisnin mbi faqet e nipit të tij.”Edhe sikur tani të iki nga kjo jetë , nuk bëhem merak fare. Kemi lënë këta trima pas tha me zerin e brendshem, po pastaj. Me një lëvizje të brendëshme të trupit duke e shoqëruar me një rrotullim të vogël në ajër të dorës që mbante sigaren e cila së bashku me fjalën që deshte t'i thoshte, i mbeti në ajër. “Rëndësi ka që nuk është dëmtuar. Nuk e dimë sa ka qëndruar në det dhe sa ka qenë shtrirë aty ku e gjeta. Koha ka qenë shumë e ashpër dhe ka fryrë erë e ftohtë. Mund të jetë ftohur. Nuk më pëlqeu kur i vura veshin në gjoks, e ka shumë të thellë e të rëndë frymëmarrjen. Mullixhiu tek shihte cigaren duke u sosur heshti . E pa në sy vëllanë lundërthyerit si për të vërtetuar nëse ai e ndiqte fjalen e tij. E mori edhe një herë tabaqeren e të ardhurit. Duke dredhur cigaren vazhdoi” Mund te doje kupat , ndonje aspirine ose doktorin. Po ku ta gjesh ate “Ai heshti sikur nuk kishte me gje per te thene. Nisi te merej me cigaren e cila e kishte kaluar gjysmen e saj.Lagu gishtin tregues te dores me pak peshtyme dhe duke e prekur lehte ne vendet ku qe shqitur cigarja e rrotulloi lehte dhe filloi ta thithte si me pare.”Te te hedh nje raki” u kujtua  ti thote  mullixhiu.Duke mos i a ndare shikimin atij burri te beshem e shtatlarte . Ajo koka e tij e rregullt e mbuluar krejt nga bardhesia e flokeve i jepte portretit te tij nje butesi  dhe ne vazhdimesi nje autoritet te bindshem. Fshati kot nuk e kishte zgjedhur kryeplak
Ai u ul prane tij me dy gota rrakie te mbushra plot, nderkohe u kujtua per qullashin me miell misri qe po priste ne vater.Duke u drejtuar nga Arseni si per te mare leje i thote “Duhet ushqyer i semuri ndryshe nuk do ta mare veten”. I afrohet prane dhe duke e ledhatuar per shpatulle i thirri qe te zgjohej.Perposht rrobave te gjumit u degjua nje si e kruajtur zeri por asnje levizje prej tij. Nje “oh hohhh” e zgjatur doli prej tij  dhe duke levizur e mbeshteti shpinen prej sheshi,duke ulur batanien e leshte qe e kishte mbuluar per kembe e deri ne koke. Ai pa me kersheri njere- zit qe po i qendronin prane rreth zjarrit. Nxori njerin krah nga nen rrobat dhe e mbeshteti mbi to, edhe tjetrin pasi kruajti koken po aty e mbeshteti. I hodhi syte rreth e rrotull i pa ata edhe njehere me vemendje  Kruajti edhe nje here zerin dhe “besoj se mire jam”u tha dhe pa pritur qe ata te flisnin vazhdoi “kam uri, dua te ha” Në fillim që të tre tek po i qëndronin mbi krye, duke shtrembëruar turinjtë  panë njeri tjetrin në sy. U vrejtën dhe në të qindat e sekondës fytyrat e tyre morën një të qeshur duke u shoqëruar me thirrma gëzimi të shfreruar. “More qerata stë del shpirti kollaj. Edhe sikur të ndodhë e sa më larg qoftë, prap unë nuk do ta besoja kurre.  Edhe të gjithë ata që të njohin nuk do ta besojnë. Je kockë e fortë”dhe Arseni e per-  qafoi fort vellain e tij. “Hapëm një çikë vënd”dëgjoi ai të birin e tij ti thotë aty mbrapa tek ndodhej. “Ta përqafoj edhe unë pak. Se ta dije ai se sa më trëmbi. Ja këtu më dhëmbi kur e kërkoja. Ja, ja këtu më dhimbte” dhe trokiste gjoksin me dorë. Nga sytë e tij rrëshqitnin lotë gëzimi. U ul prane xhaxhait dhe nisi ta ushqente me qullash i cili ishte ende i ngrohtë. Ato pika loti tek  rrëshqisnin në faqet e nipit, atë njeri të fortë e ngazëllyen sëtepërmi.. “Edhe sikur tani të iki nga kjo jetë, nuk bëhem merak fare. Kemi lënë këta trima pas. Po të dinë të luftojnë me jetën, do të mbi jetojnë e do të krijojnë siranë e tyre
Ndërkohë që ata burra po lumturoheshin se u kishte shpëtuar njeriu i tyre, jashtë shiu kishte filluar me rrëmbim. 

  

Τετάρτη 27 Ιουλίου 2016

PËRSIATJE MBI SKICAT E EDMOND LLAÇIT

TIMO MËRKURI

1.-Thuhet se…një ditë, një lypëse e moshuar, i zgjati dorën dhe i lypi lëmoshë një zotërie, që po shëtiste i menduar asaj ane. Plaka lypëse e zgjati dorën instiktivisht dhe po instiktivisht  bëlbëzoi formulën e zakonëshme të lypjes, ndoshta edhe duke menduar se zotëria që po kalonte para saj, i zhytur në mendimet e tij, do ta shpërfillte plakën dhe lutjen e saj. Si shumë të tjerë. Ndaj u habit shumë kur zotëria ndaloi hapin dhe pasi e kqyri me vëmëndje, filloi të kërkonte me duar nëpër xhepa. Plakës i ndritën sytë, duke shpresuar se, së paku mëngjezin e asaj dite e siguroi. Por shumë shpejt trishtimi ja eklipsoi shkëlqimin e syve, kur pa se zotëria, pasi i kontrolloi të gjithë xhepat, nuk nxorri gjë prej tyre. Një mbledhje supesh  dhe një tundje e lehtë koke në formë mohuese, bashkë me një shtrëngim buzësh të zotërisë, i krijoi plakës ndjesinë e një humbjeje të diçkaje që e kishte patur. Thua se zotëria duke mos i dhënë lëmoshë, diçka i mori  plakës.
Plaka uli kokën dhe kërrusi supet, si nën një peshe të stërmadhe, gjest që e shtangu zotërinë, i cili, pasi u mendua një çast, filloi të kërkonte përsëri  nëpër xhepa. Por këtë herë më me rrëmbim. Pasi nxorri prej xhepit një diçka të zezë, pyeti plakën në se kishte t’i jipte ndonjë copë letër. Plaka e hutuar, rrëmoi nëpër  trastat e saj, prej nga nxorri  një copë kartoni, të gjetur s’di se ku, të cilën ja drejtoi zotërisë. Zotëria e mori kartonin dhe me atë gjënë e zezë  zhgaraviti ca vija mbi të dhe pas pak ja dha plakës, duke i thënë ëmbëlsisht:
- Më fal moj nëne që s’kam gjë të të jap. Por merre këtë  karton, jepja ndonjë shitësi dhe thuaji që është një pikturë e Pikasos. Ai me siguri diçka do të të japë…
…Thuhet se në atë copë kartoni ishte skica  e një vajze flokëlëshuar nëpër erë. Nuk dihet sa e shiti plaka, e cila, me siguri që nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për Pikasson. S’ka rëndësi edhe fakti se sa dollarë vlerësohet  sot. Rëndësi ka fakti që ajo skicë, ka ndezur fantazinë, jo vetëm të piktorëve, duke hyrë në kryeveprat e pikturës moderne. Dhe tjetra, është fakti se, në atë kohë Pikasso  ishte në kulmin e talentit të tij, sa që me dy-tri lëvizje karboni mbi karton  krijoi një kryevepër pikture. Thuhet se qysh atë ditë  morën rrugë skicat e famëshme të tij, që edhe sot na mrekullojnë…
2.-Kjo histori mu kujtua sot, ndërsa rilexoja skicat e Edmond Llaçit, botuar së shumti nëpër portale  dhe pregatitur së fundmi për botim nga shtëpia botuese “Milosao” në Sarandë në titullin “Kutia me paparunë”.
Mu kujtua kjo histori për vetë faktin se, edhe skicat e Edmond Llaçit janë  të ngjashme me disa vijëzime mbi letër, me disa skicime portretesh  në lëvizje, si ajo vajza e skicës së  Pikassos. 
Dallon flokët që valëviten në erë dhe nuk mendon në janë flokë të verdhë apo të zinj, por mendon se ajo vajza flokëvalëvitur në erë nxiton për në takim. Dhe ëndërron që ai fatlumi të jesh ty vetë.
 Dallon zjarrin e syve dhe s’të duhet të dish në se janë sy bojëqielli apo të zinj.
Ata janë sy të dashuruar.
Ah, sikur të të shihnin ty!
3.-Ravijëzime të tilla pikture, më së shumti një fletë formati zënë. Një skicë e Edmond Llaçit, as dy faqe libri nuk  kap. Po sa shumë thonë në ato pak rreshta.
Dendësia e mendimit dhe intensiteti i shprehjes së autorit, nëpër këto skica, të krijojnë ndjesinë e dendësisë së një bërthame atomi, shpërbërja dhe shpërthimi i të cilës krijon një përflakie dhe  tronditje në subkoshiencën e lexuesit.
 …Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera herë flet më shumë se një roman…shkruan me të drejtë Fatmir Terziu.
4.-Por ajo që do të thoshja unë është fakti se këto skica janë të gjalla, janë në lëvizje. Personazhet e tyre të marrin përdore dhe të çojnë, dy tri  rreshta larg, aty ku gëlon jeta. Duke të ftuar edhe ty që të bëhesh pjesë e kësaj jete. Skica “Mëzi” është një konturim nëpër një mjegull të shkaktuar nga tymi i barotit të luftës, i një fragment beteje, dhe pikërisht i momentit kur luftëtarët e lirisë, kanë nevojë për një prijës, pa qënë nevoja ta njohin e ta shohin fytyrën e tij. Mjafton që tu prijë drejt fitores, nëpërmjet sakrificash. Dhe të lind dëshira që të rendësh edhe ty pas atij mëzi, me flamur a jatagan në dorë. “Hetuesi” është profil portreti i një njeriu, mekanizëm dikature, i cili nuk e njeh dhe nuk e kupton të bukurën, dhe vetkuptohet që nuk e pranon, sepse për atë, të bukurën e fluturimit të pulëbardhave s’ka folur ndonjëherë udhëheqësi i atëhershëm. Vetkuptohet që lexuesi kalon përbri tij, jo vetëm duke i hedhur  një shikim përbuzës  por edhe duke menduar  se sa “bukurira” jete ka këputur e shkelur ky njeri, ndërkohë që askush  nuk  kërkon tek ai hakmarrje për ato që ka bërë. Këta lloj njerëzish jetojnë nën indiferencën e shoqërisë,  për egzistencën e tyre. Ky është i vetmi dënim që u dha koha.
Me dy tre vija, në dy tre rreshta janë skicuar profile njerëzish e  fragmente jete dhe në leximin e tyre, ty të lind dëshira të plotësosh me një laps me ngjyra hapësirat boshe midis vijave. Ashtu siç i ndjen  apo i ke përjetuar vetë. Duke e bërë këtë plotësim, ju siguroj se nuk shkelni të drejtën e autorit, por realizoni pikërisht qëllimin dhe dëshirën e tij.
5.-Te skicat e Mondit  karakteristike është  finesa e figuracionit, që  të  ngjan si të jetë ravijëzuar në ajër fluturimi i një pulëbardhe, apo të jetë filmuar shtjella e ujit në zhytjen fundo...
Të mirje fundo disa metra tutje bregut…do të thoshte se ishe rritur, ishe vajzëruar apo djalëruar, pasi nuk kishte dallim në se ishe vajzë apo ishe djalë në atë konkurim fizik.
…Pas turbullimit që ndjeu nga puthja…ajo nuk e kuptoi se si qënia e saj u zhyt papritur në brendësi të detit…Trupi i saj shpërndante mbi sipërfaqen e kuqerremtë atë ndjesi të re…duke e kthyer ..atë në nimfë…
Që nga ai çast nuk u ndanë  as edhe njëherë. Zhyteshin e ridilnin në botë të panjohura më parë…shkruan autori te skica “Fundo përtej bregut shkëmbor”, që më saktë është… puthja e parë, në fundo, përtej bregut shkëmbor, skicë që të detyron të shohësh me ëndërrim…bulëzat e ajrit që ngjiteshin të ngarkuara me të kuqtë e trëndafiltë të faqeve  të … porsa puthura….
Ka të drejtë Fatmir Terziu, një nga të paktët, apo i vetmi studiues i krijimeve të Edmond Llaçit kur shkruan:
- Skica e Edmond Llaçit është një çupëlinë e brishtë joniane e sharmuar mes valëve të kaltëra të detit dhe jetës. Nusëron dhe na diktohet e pastër. Gjuhëkthjellët. Racionale. Tërheqëse…
Pas skicave të tilla ëndërrndjellëse, natyrshëm mbrrin te skica “Përtej dashurisë” ku, pasi ke lexuar rreshta të ëmbël çastesh dashurie, tronditesh në rreshtat  e fundit, ku lexon…Pardje mbushi tre vjet nga dita që është paralizuar. Është ora që duhet ta laj, ta pudros, t’i ndrroj rrobat dhe ti vendos bebelinon…duke  zbuluar sekretin magjik se…të dashurosh do të thotë të japësh dashuri  pa llogaritur se sa do marrësh. Sepse thelbi i dashurisë është, që të mbash gjallë dashurinë, të jetosh me dhe në dashuri…
Në sa pak rreshta, gati një faqe është dhënë  jo vetëm një jetë e tërë, por edhe filozofia e kësaj jete. Si të thuash, që Mondi ka ngritur vetëm  kollonat dhe arkitrarët prej arto-betoni të një ndërtese të re, duke ja lënë lexuesit në dorë të bëjë ndarjet e brendëshme, duke lënë hapërsirat që dëshiron për dhomat e sallonet e ëndërrimeve.
6.- Dhe unë ju them, se do jenë të shumta  këto ëndërrime, sepse në vend të personazheve, është lexuesi ai që do banojë në  këtë ngrehinë artistike. Dhe do ta ndjejë veten, jo vetëm  komod, por edhe  plot gjallëri. Le të shohim, psh Fluturim Magjik…
…I trëmbej ikjes së asaj krijese të brishtë…Gati gati, përveç netëve dhe momenteve të shumta erotike, ishte shërbëtori dhe qeni më besnik i saj… Aty tek e pa që t’i hidhte shikimin e saj lozonjar një bashkëmoshatari, iu turr për ta ndaluar...Nuk mundi. Në duart e tij kishte mbetur një nga flatrat e fluturës lidhëse të rrobave të banjës…
E pra, ta lexosh këtë skicë në  plazh, një ditë gushti, do të duhet një forcë e madhe që ta përmbash veten për të mos zgjatur duart drejt atyre …fluturave. 
7.- Por mua më duket sikur i njoh personazhet e këtyre skicave, madje edhe i kam takuar. Në Sarandë, ndoshta, apo në fshatrat e bregdetit. Jo vetëm pse ajri nëpër këto skica është i mbushur me jod Joni, por edhe e folura e personazheve është e folura e viseve të mia. Dhe sidomos të menduarit e të vepruarit të tyre. Ja shikoni skicën…Kutia e vogël me paparunë. Nuk është asgjë tjetër veçse gërnja e një plaku me vetveten, sepse plaka e tij, në atë moment ka shkuar të bëjë muhabet me plakat e lagjes, gjë tepër e zakonëshme në fshatrat tona. Por plakun e gërnjeps vetmia…U më març të keqen, tha duke mërmëritur plaku  - Edhe sot do vonosh. Mjafton vetëm kjo frazë e folur tipike e fshatrave të bregut, dhe je gati të  veshë gishtin, jo vetëm mbi fshatin ku ka ndodhur ngjarja, por e njeh edhe personazhin. Madje e ke takuar. Dhe je gati të dëshmosh edhe ty, që tej gërnjës  pleqërishte të këtij plaku, është një zemër e madhe, të cilën autori na e zbulon te fraza e fundit e skicës, ku personazhi thotë me vete, kinse me zemërim, por plot dhimshuri …Ajo ku do dimërojë, pa u jam rehat në shtëpinë time…
Dhe, pas leximit të kësaj skice, je gati të betohesh, se ky çift pleqsh  janë ata që kanë ngritur këngën…U plake mike u plake/bran i heq ato çorape/…U plake o mik dhe tinë/mbete si kau në brinjë 
8.- Ashtu si vetë skicat, edhe frazat janë të shkurtëra, të hartuara me fjalë të zakonëshme, të latuara nga dalta e kohës dhe e autorit. Me këto guriçka të lëmuara, shumë prej të cilave me ngjyra të ndezura të koloritit dhe frazeologjisë dialektikore, Mondi ka ndërtuar  një  mozaik  të  bukur, para të cilit nuk mund të kalosh indi-ferent. 
9-Vërtet, mozaikët ndërtohen mjeshtërisht me gurë të vegjël, me ngjyra të ndryshme. Për t’u bindur për këtë, unë do t’ju ftoja  të admironit jo vetëm mozaikët e baptisterit, në Butrint, por edhe mozaikët te muzeu  arkeologjik, në qëndër të qytetit të Sarandës. Dhe pas kësaj, do dilja me ju në një shëtitje të zakonëshme në bulevardin Hasan Tahsini, anës detit. Aty, pranë  bustit të Hasan Tahsinit, ju do admironi edhe një fragment porte të Onhezmit të dikurshëm, ndërtuar me finesë. E pra, ky fragment porte, që u ka rezistuar rrebesheve të shekujve, është ndërtuar me gurë të vegjël, gati sa gjysma e shuplakës së dorës. Gdhendur në forma të ndryshme, vendosur në grup, në pozicione të ndry-shme, duke shfaqur estetikisht figura gjeometrike, ata gjithësesi janë pjesë e pandashme e asaj porte-kalaje të Onhezmit të djeshëm, ardhur deri në ditët tona, si dëshmi e finesës së ndërtimit dhe e rezistencës stër-shekullore të  atyre “gurëve” të vegjël, që mbajtën një kala në këmbë. Edhe unë kam patur idenë se kalatë e forta ndërtohen vetëm me gurë të stërmëdhenj, pellazgjikë dhe gurët e vegjël shërbejnë vetëm për  mozaikë sallonesh, por duke lexuar  skicat e Mondit, e sodita edhe njëherë me admirim këtë portë kalaje të Onhezmit antik dhe pranova në vetvete se…kalatë (edhe ato letrare) janë të forta, jo nga madhësia e gurëve me të cilët ndërtohet (romane disa vëllimesh), por nga mjeshtëria e ndërtimit të mureve dhe lidhja e gurëve me njeri tjetrin. Siç janë lidhur fjalët dhe frazat te skicat e Mondit, siç janë të gdhëndur artistikisht skicat te libri i tij. Të cilat, unë ju siguroj se do t’u rezistojnë “rrebesheve” të kohës. Si ajo portë-kalaje në Sarandë, ndërtuar me gurë të vegjël, lidhur mjeshtërisht dhe artistikisht me njeri-tjetrin, që vjen në ditët tona që nga thellësia e shekujve.
Ndaj unë, që e pashë dhe e shijova bukurinë e këtij krijimi, duke perifrazuar Pikason te ngjarja e treguar në krye, ju them:
- Merrini këto skica dhe lexojini. Ato i ka shkruar Edmond Llaçi, për të cilin do dëgjoni shumë  shpejt.



Παρασκευή 15 Ιουλίου 2016

PËRHUMBJE

   
                    
 
 

 Si në të gjitha rastet tek do të ndizte cigaren do të përhumbej mes asaj reje tymi që po lëshonte aty përpara. Duke mos e ditur se për çfarë po përpiqej të rikujtonte në ato çaste, përmes resë gri gati transparente i u shfaq adoleshenca. U habit. Α mund të përballohej me hershmërinë e vet vetes. Kishte afër gjysëm ore që e kishte lënë qëndismën. Nuk mund të punonte. I krijoheshin shpesh  ngacmime të tilla për jetën. Duke kundruar me vëmendje një nga fotografitë e asaj moshe, vuri re se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim nga fëmijtë e tjerë. Ajo, drita e syve që nuk i ekzistonte më, ishte plot shkëlqim e hare. Ndjehej drithërima e tyre tek kërkonin atë që çdo moshatar e kishte vetinë kryesore. Ishin çaste të bukura momentet e ndryshimeve të ndjenjave trupore, por me tepër ankth. Nuk dinte e nuk kuptonte se çfarë po kërkonte atje tek rritej. Në atë fshat malor, përveç shkollës dhe punëve të shtëpisë, nuk e lejonin të merrej me gjë tjetër. U nda për një çast nga rinia e saj. Buzëqeshi dhe u rikthye në atë kohë pas një ngacmimi që pati në kujtesë. Duke lozur në parvazin e dritares të shtëpisë, poshtë saj, rrëzë ullirit të vetëm që ndodhej aty, pa një bashkëmoshatar, gjitonin tek zbërtheu pantallonat dhe nisi të urinonte. Në  fakt me sa iu kujtua, mes gishtrinjve të bashkuar dhe syve të mbyllur fortë, errësira qe e plotë pasi tek u kthye u përplas me karriken që ndodhej në brendësi të dhomës. Në skutat më të thella të ndjenjës së saj fëmijnore ishte vazhdimisht e tunduar nga ndryshimi që kishte gjendja tyre femërore nga djemtë. Për t'u shkëputur nga ajo që po përjetonte u çua pa kërkuar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një shikim të shpejtë dhomës. Instiktivisht u ndal përpara komodinës. Mbi një qëndisëm që mbulonte suprinën e saj kishte vendosur kavanoza qelqi të mbushura me kafe, sheqer, kakao e të tjera sëbashku me pajisjen me gaz për të bërë ato pije të nxehta. Duke u tërhequr nga rituali i përditshëm bëri pijen e saj të preferuar kafen tradicionale. Me filxhanin dhe cigaren e ndezur u ul pranë dritares. Ndërkohë kishte marë edhe një  fotografi tjetër të saj nga komodina. Duke u ndeshur me shikimin e vet bardhë e zi mbi ato letra të vjetëruara nga koha, ndjeu zërin e dikurshëm ta thërrasë: “Të kujtohem, ja ku jam” dhe nisi vazhdimësia. Flerti i parë me një shok të klasës. Mes asaj që ndjente dhe çastit të parë që do të ndodhte pas takimit me të, e tmerronte fakti se si do të tjetërsohej brenda vetes. A do të mundej?! Në qoftë se do të merrej vesh kuptohej se çfarë do të ndodhte. Nuk arriti as edhe një kontakt përveç disa prekjeve të lehta trupore të cilat i rindjente me ëndje. Mes zhvillimit biologjik i rritej tundimi për të qenë kundra dëshirave të moshës. Vlimin e çastit përbrenda vetes me po aq vrrull e kundërshtonte. Ç’farë ishte ajo që e ndryshonte nga vajzat e tjera. Mos vallë tundimi i brendshëm mes dëshirave të moshës dhe tërrheqjes, të mohimit të atyre që ishin ndjesitë e përditëshme e kishin tronditur shpirtin. Aty i krijohej bindja se duhej të tërhiqej në vetminë e saj. Por në të njëjtën kohë, pa vetëdije shpesh e ndjente veten pranë dhe larg tyre. Harku kohor i veprimeve nuk ishte dhe aq i madh por zhvillimi i tyre ishte më i shpejt se sa koha. Sëbashku me ato që po përjetonte, vuri re se çdo gjë po ndryshonte. Asgjëje nuk mund t'i vihej fre. Rrugën për tek kroi i fshatit do ta bënte me kënaqësi të madhe. Ε çliruar, shpesh do të këndonte me zë të ulët. Aty brenda asaj kubeje të gurtë ku gratë e të gjitha moshave do ta kishin si pike takimin larg burrave, do ta ndjenin veten disi të çliruar, edhe ajo të njëjtën ndjesi do të përjetonte të cilën ajo nuk dinte ta emëronte por edhe ta kuptonte se çfarë ishte. Për të, veçse ai freskim me atë ujë ishte kënaqësi. Ndërsa ato gjëra që mund të ndodhnin aty, vetëm në këngët e vjetra i kishte dëgjuar.

Ajo ndjenjë që e kapte shpesh tek freskohej aty, në atë çast nuk ishte asgjë përpara asaj ëmbëlsie që po i rrëshqiste në gjoksin e gjysëm zbuluar në atë pak kohë tek e lëshoi veten në krahët e një të marri. Po vërtet ishte e pa imagjinueshme për të. Duhej provuar ajo ëmbëlsi. Nuk kishte se si ta përshkruante në imagjinatën e saj, atë zjarr drithërues. Nuk mund ta përjetonte pa ato prekje. Por në çast tek i u krijua ideja se çfarë po bënte, me vrull e shtyu tutje. Mbuloi gjoksin e lidhi shaminë mbi kokë. Rrëmbeu bucelën me ujë dhe u largua me të shpejt pa e kthye kokën. Që nga kroi edhe përgjatë rrugës deri në shtëpi, mendoi se nuk duhej të përsëritej ajo ndodhi. Guximi i atij njeriu e trembi ku i cili ndoshta do të kërkonte ta bënte përsëri të njëjtin veprim. Më tej si gjithmonë duke u përpjekur ta haronte atë ndodhi do të vazhdonte të bënte punët e rradhës. Ajo kishte për detyrë të merej me gjithçka që kërkonte shtëpia. Të lante, të shpëlante, të gatuante dhe t'i përgjigjej së ëmës që kishte rënë në shtrat prej kohësh.  Si përherë, i jati do të qe në punë për të mbajtur gjallë familjen. Ishte bija e dytë e asaj familje. E para e martuar jo shumë larg fshatit. Kur kishte mundësi do të hidhej t'i shihte dhe të kujdesej për të jëmën e të motrën tek e shihte të rritej. Më vonë me kalimin e viteve me gjithëse u përpoqën ta martonin ajo nisi të mendonte se qe vendosur nga zoti që ajo të jetonte vetëm. Të plakej në vetmi.

I jati megjithëse ndjeu diçka në atë fytyrë fëmijnore të së bijës, tek po i shtronte për të ngrënë, nuk i vuri rëndësi. E ndjeu si ditë të zakonshme. Përpjekjet për të mbijetuar atij njeriu të urtë nuk i jipnin kohë të mendonte më shumë. Me gjithëse në pamje të parë rrjedha e jetës në atë atë shtëpi dukej e qetë, diçka po niste të ndryshonte e cila në një moment të caktuar do të kishte zhvillime të shpejta. Aty tek përpiqej ta haronte atë moment, një dëshirë e brendëshme, si ato lulet e sapoçelura tek kërkojnë ëmbëlsinë e dritës, edhe tek ajo, instikti i moshës po i përskuqte ndjenjën duke u shfaqur në tërësinë e saj femërore. E ndodhur mes dilemave do të ishte ajo që do të dëshironte ta gjente atë, ta priste aty tek kroi e kudo gjetkë. Do të ishin buzët, duart e tij ti jipnin vlerë trupit të saj. Atëherë do të kuptonte se si funksiononte ajo dëshirë.   Dhe ndodhi përsëri. E shoqëruar me lotë gëzimi e lëshoi veten në krahët e tij. Nuk u kuptua se kush e kishte zënë pusinë kësaj here. Megjithëse pa përvojë, ja rikthente atë ëmbëlsi me puthje të vogla e të shpeshta. Me sytë e mbyllur, u përpoq të kërkojë vazhdimin e saj ndjenje. Një lëvizje tepër e mistershme po e tërhiqte në brendësi të trupit, të shpirtit. Ndjeu një kërcitje më të fuqishme se sa ajo që mund të mendonte se do të ndodhte. Por disa thirrje do ta zgjonin nga ajo ëndër e bukur. Ashtu siç u dëgjuan aty tek kroi, ato të bërtitura grash do të përhapeshin në tërë fshatin e do të zbrisnin zhurmshëm nëpër rrugicat e sokakët e ngushtë të tij. Më shumë se “krisja” e virgjërisë të cilën nuk ariti ta ndjente, ajo që i shpërtheu përbrenda trupit, gjoksit të saj, i krijoi atë plagë që nuk do t’i mbyllej më kurrë. E jëma, si çdo nënë, me instiktin e saj do të kuptonte se çfarë kishte ndodhur. E pa fuqishme fizikisht pasi ajo dreq sëmundje e kishte mbërthyer prej kohësh në shtrat, do të mundohej vazhdimisht ta qetësonte të bijën. Mes atij dialogu të shprehur vetëm me shikime me të jëmën, ajo u tërhoq në vetminë e saj. U përpoq të mos linte shkak te prindërit për asgjë. Fytyra e saj fëmijnore ndryshoi menjëherë. Shfaqte vetëm ashpërsi dhe mosbesim ndaj tjetrit. Në atë vetngujim ku kryesoren kishte kujdesin për të jëmën, pa vetëdije përveç punëve të përditëshme, nisi të qëndisë. Në ditët e vitet që do të iknin, kohën do ta kalonte aty pranë dritares. U shkëputur nga e kaluara duke u çuar prej andej. Shtyu kariken pa menduar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një sy të shpejtë atij ambienti ku pothuajse nuk kishte ndryshuar fare që nga koha kur prindërit i rronin ende. Ato mobilje të pakta sëbashku me gjithçka ndodhej aty, do të tregonin se  koha kishte ndaluar. E shtrirë në shtratin përballë, mes vuajtjeve nga ajo sëmundje që e kishte mbërthyer i u shfaq e jëma. Ajo kishte dhënë shpirt në të gdhirë të një dite ku çuditërisht ai diell i bukur qe fshehur për më se një javë prapa rreve tek shkarkuan atë shi të fuqishëm. I jati rrojti goxha sa ajo nuk mbajti mënd. Zoti atë njeri e kishte blatuar vetëm për punë. Si gjithmonë, pasi kthehej nga puna, do të ulej pranë vatrës. Deri sa të përgatitej ushqimi i mundshëm për tu ngrënë, do të dridhte një cigare. Menjëherë pas saj do të konsumonte pa zhurmë çfarëdo që do ti servirte e bija. Do të rinte pak, do të dridhte cigaren e rradhës dhe do të kumbisej pranë vatrës. Dhe një ditë ky program i rradhës do të ndërpritej. Aty tek ai vënd, që kishte kaluar gjithë vitet e jetës së tij, në aq sa mbante mend e bija, pa u ndjer, ai dha shpirt. Megjithëse ai sistem i mallkuar të cilin kështu e quante midis shoqeve të pakta që kishte, i pengonte ato rituale të përcjelljes së kufomës në botën e përtejme si me të jëmën, ajo i kreu në fshehtësi. I meritonte ai njeri.

 E vetmuar si shumë bashkëmoshatare të saja, kalonte ditë e netë të tëra duke qëndisur pranë vatrës, pranë dritares e herë tek sofati i portës së madhe duke parë nga qendra e fshatit. Menjëherë pas 90-tës, si shumë fshatarë të tjerë edhe e motra e saj do të merte rrugën e emigracionit. Me fëmijët e rritur u ngul diku andej nga Evropa. Do t'u rriteshin fëmijtët. Më pas do të bëheshin edhe ata me fëmijtë e tyre. Atje do të ndjente kënaqësinë më të madhe kur pas shumë kohësh do të shihte të motrën me fëmijtë e nipërit e saj. Tek i mbante në krahëror nuk ngopej me  erën, frymëmarjen e tyre. Përjetoi momente të bukura me ta. Duke dalë shëtitje, megjithëse nuk e ndjente veten mirë mes asaj mizërie njerëzish, shkoi në shumë vende të atij qyteti me ato rrugë të sistemuara. Kudo pemë e parqe ku herë-herë i dukej se ndodhej përbrenda ndonjë ëndërre, përralle. Në një nga ato ditë me vezullimin e vakët të diellit, jo si në vendin e saj, ku ata njerëz do ta shfrytëzonin për aq kohë sa ai do të shkëlqente, i zunë sytë një statujë të çuditëshme. E ngritur në një piedestal pothuajse në lartësinë e turrmës së njerëzve, një fëmijë e vogël po urinonte duke u kapardisur. Brenda çastit të pakuptimtë që po kalonte, i shpërtheu një e qeshur e madhe. Fëmija statujë kënaqej tek kryente atë veprim. E kundroi me vëmëndje. Vërtet ishte një çast hareje i asaj fëmije të bronxtë. Me gjithëse po kalonte ditë të papërsëritëshme, atë e thërriste vazhdimisht ndjesia e të jetuarit vetëm. Shtëpia në fshat. Në një lloj forme për të, monotonia e përditëshme e asaj jete ishte më e këndëshme. Në vetmi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.

 

Pas ngacmimit që pësoi, në ditët që do ta ndiqnin filloi të qëndiste. Mes atyre kuadrateve të vogla e të bardha, nga maja e çuditëshme e atij teli të hollë, të tej ndritshëm nga përdorimi i shumtë, në atë që quhet perde u shfaq djaloshi i vogël. E hekurosi duke e ngrirë me traditën e vjetër të trashëguar nga e ëma. Me miell niseshteje. Duke hipur në kariken me moshë sa vet ajo, e mbërtheu me thumba në anët e drunjta të fletës së dritares. Mori frymë e letërsuar. Tërhoqi kariken. Duke u ulur u përhumb përsëri në renë e madhe të tymit të cigares të sapo ndezur dhe dritës që depërtonte përmes perdes qëndismë. Buzëqeshi dhe u kënaq tek pa përbrenda  saj  linjën e atij djali të vogël tek kapardisej me veprimin që kryente
 

Τρίτη 12 Ιουλίου 2016

VAZHDIMISHT I NJËJTI

   Në çastin e parë të jep përshtypjen e një babaxhani dhe  tek përballohesh me të ndjen shkëlqimin e dikurshëm të syve të  tij. Megjithëse mosha ka filluar ta bëj efektin e saj, zhibrimi i tyre ndjehet akoma sidomos kur e shoqëron atë me një ironi të lehtë.
   Jeta nuk e kishte përkëdhelur por “fati”e kishte ndihmuar. Nuk mund ta quaje karierë atë periudhë në të cilën ai e jetoi në mënyrë të njëtrajtshme ku u cilësua si specialist në profesionin e tij. Sot si shumë të tjerë që kanë punuar në atë administratë burokratësh të sistemit më të korruptuar të kampit komunist të Evropës lindore, tek mburren për atë që kanë jetuar dhe bërë edhe ai e shfaq si pjesën më të bukur të karierës së tij. Tek kujtojnë ato vite “të lavdishme,”ata mundohen t’i fshijnë me kujdes njollat e mbetura në ndërgjegjen e tyre. Në fakt ai nuk shfaq asgjë, është shumë i kujdesshëm pasi e di ku ka qenë dhe ku është “thembra e Akilit”për të. Ai kushtëzim e përcaktoi në  vazhdimësi, sidomos edhe sot pozicionin e tij shoqëror, i cili po e zbulon me kujdes duke e ridimensionuar. Vazhdimisht kërkon të posejdojë gjithçka që vërtitet rreth tij. Në biseda dhe diskutime  tek flet në tone  të ulëta, gati duke i ngrënë fjalët e tepërta, ironia i shkon në tallje e sarkazëm. Ato kanë  akoma lidhje me ngjyrën e syve të tij. Edhe fytyra ja shfaq në një lloj forme. Pavarësisht se natyra ka vepruar mrekullisht me portretin e tij  ajo ngjyrë prapë i ndjehet. Duke nxjerrë në pah rregullsinë e dhëmbëve, të cilat nuk kanë fare lidhje me anën shpirtërore të tij, përpiqet t’i tërheqë vëmendjen bashkëbiseduesit. Duhet kuptuar një gjë se  edhe i fshehur, edhe i dukshëm në të dyja pozicionet, ai as edhe një herë nuk ka qenë i plotë. Në qoftë se çdo gjë  që lëviz përreth nuk i prish trajektoren e lëvizjeve, çdo mëngjes me fytyrën e babaxhanit do të dalë nga shtëpia. Cilësitë dhe përpjekjet e tjetrit do të përpiqet t’i copëtojë me sarkazmë. Gjithmonë kështu, duke e ndjerë veten brenda “tempullit të vlerave” të krijuara në atë rreth shoqëror. Vazhdimisht, duke mos e treguar dritën e syve të tij.
Tek ecën me hapat e ngathëta,  duke i shoqëruar ato  me copëzat e vogla nëpër dhëmbë të ligjëratave filozofike,  përpiqet vazhdimisht ta  ri dimensionoj figurën e tij dhe të jetë qëndra e gjithçkaje dhe të gjitha këto pa e nxjerrë veten fizikisht përpara të tjerëve. Gjithmonë brenda turmës as në krye dhe as në fund të saj.


Δευτέρα 20 Ιουνίου 2016

DEKORATORI PLAK


     Sa herë do të merrja rrugën për nga puna e tij do të qeshja nën zë, pasi e dija se ç'farë më priste aty.
Si gjithmonë në qoftë se ishte duke punuar, do të lënte mjetet e punës për të më dhënë dorën. Nuk është njeri i keq. Hyn në tipat “e leshtë “ siç i thonë andej nga zona jonë.
   Në qoftë se vazhdimi i bisedës do të drejtohej nga ai, në artikulimin e fjalës ose më saktë të ligjëratës  nuk do të mungonte as edhe një prejse, pikëprejse, kllapa, thonjëza e kush i mban mend përveç atij të gjitha ato shenja pikësimi. Dhe për të plotësuar të gjithë atë kohë që kishte në dispozicion, ku në të shumtën e rasteve e kishte vet në dorë, do të gërmonte deri në imtësitë më të pakapshme të ngjarjes që tregonte ose komentonte, duke vënë në lëvizje të gjithë trupin e tij. Duhej ta lëje të mbaronte dhe më pas të nisje të flisje, pasi edhe ai pothuajse e respektonte këtë veprim.
    Në çastet e para të dëgjimit të tjetrit ishte i vëmendshëm. Dalëngadalë, duke të dëgjuar dhe pa e kuptuar as ai vetë do të fillonte  të merrej me pëllëmbët e duarve të tij. Duke i vendosur ato përballë njera tjetrës dhe puthitur mollëzat e të dhjetë gishtrinjve me njeri-tjetrin, do të ndiqte linjat e të gjithë atyre “vëllezërve siamezë” për të parë deri ku shkonte ngjajshmëria e tyre. Me gishtrinjtë të puthitur kokë më kokë, do t’i lëvizte të dyja duart për të parë edhe më thellë atë ngjajshmëri të madhe  që u kishte dhënë Zoti.
    Në ato çaste vëmëndjen nuk e kishte më nga unë. Aty tek niste të ndjente formën e gishtrinjve, sikur të kishte arritur të prodhonte me to një lloj energjie biologjike, tek i prekte një nga një, duke provuar njëlloj ndjenje mistike me shfaqjen e kësaj “energjie”. Pyetjes time për t’i kërkuar mendimin, i përgjigjej sikur nuk ishte aty: Si e the. Pa përsërite edhe njëherë. Buzëqeshja shvejkiane më çarmatoste. Naiviteti i tij sikur më thoshte: “Duhet të ma thuash edhe njëherë që ta kuptoj.” Për ta shkëputur nga ajo që po jetonte në ato çaste, i thoshja se duhej t’i numëronte edhe njëherë gishtrinjtë, pasi mund t’i mungonte ndonjë prej tyre. Rrëmbimthi do t’i shkëpuste duart dhe do t’i kalonte mbrapa si për t’i fshehur nga diçka e frikshme. Si i zënë në faj do të më dhuronte disa buzëqeshje të shpejta.
     Nuk dua të futem në kundërshtitë, shijet dhe konceptet e kundërta ku herë pas here na bënin të flisnim me zë të lartë, por do të vazhdoj të tregoj  këtë shfaqje të pavetëdijshme të karakterit, që më nxiste të zhbiroja thellë qenies së tij.
     Gjatë kohës që flisja, i ndiqja me vëmendje lëvizjet e duarve. Sendet e ndryshme të ndodhura mbi tavolinën e punës do t’i zhvendoste, e vendoste në vende e pozicione të tilla, duke krijuar figura gjeometrike, simetrira të ndryshme të konfiguruara në ato çaste përbrenda trurit të tij. Duhej t’i shikonte nga pozicione të ndryshme ato figura për të vendosur nëse do t’i lënte në idenë e parë. Duke bërë humor, brenda asaj që po e kënaqte në ato momente, ja lëvizja ato pjesëza të atij pazëlli që jetonte përbrenda tij, duke i thënë se kështu mund të dukej më mirë. Prapë, duke më buzëqeshur do të fshehte duart mbrapa.
     Në jetë kishte realizuar me dhjetra makete si dekorator. Kishte qenë i kërkuar sidomos për maketet e muzeumeve. Edhe në muzeun kombëtar e patën thirrur dikur. Gjithmonë dukej sikur ndërtonte në miniaturë skena të ngjarjeve nga më të ndryshmet. Edhe pse butafori, ato i jepnin atij ndjesinë e të lëvizurit lirshëm brënda tyre. Shtesa e një kthese rruge, vendosja e një porte me qemer, shpesh i nxiste fantazinë që historisë t’i jepte një drejtim të ri. Edhe pas kaq kohësh duart e tij ndërtonin në ajër skena të lira, ashtu siç do të donte të kishin ecur gjërat. Duhej t’i tërhiqje vëmendjen për ta kthyer tek e tashmja. I zënë në befasi gjithmonë shpikte një sebep me bashkëbiseduesin.
     Edhe kur shkonim për kafe, gjatë gjithë kohës që nuk fliste do të merrej me tavllën e paketën e duhanit  e me ç'fardo objekti tjetër që ndodhej aty mbi tavoline. Në çastet kur i kërkohej fjala ose dëshironte, do të fliste pasi të bindej se tavlla, më të shumët e rasteve, në kuadratet e stampuara mbi suprinën plastike, do të qe në pozicionin e duhur. Duke ndjerë se shikimi im nuk i ndahej veprimeve që ai kryente, duke i përplasur duart lehtë me njera tjetrën sikur i pastronte nga diçka, do t’i shkëpuste prej andej.
     Kur kam kohë, shkoj shpesh nga ai pasi ndjehem këndshëm.

Πέμπτη 16 Ιουνίου 2016

ShËN - MËRRIA

          Pas zënkës me të dy fëmijtë e m'i në shtëpi ra heshtja. Për arsye mos acarimit të më tejshëm të  situatës ata shkuan në dhomat e tyre. Në ato momente tek heshtja po na zotëronte të gjithëve, si për të zbutur situatën, në sallon, në tone të ulëta nisën të shpërndaheshin tingujt e një kënge shumë të dëgjuar  latino-amerikane të viteve të rinisë. Buzëqesha. Në  guzhinë me kërcitjen e ndonjë pjate ime shoqe vërtetonte praninë e saj. Hyra në bibliotekë. Duke shkelur tastierat e kompjuterit, mes kërcitjes së tyre po përpiqesha të mbysja zemërimin që po më pushtonte. Pas pak të dy, djali dhe vajza të veshur bukur, pa më përshëndetur, duke puthur të ëmën dolën nga shtëpia.
Më vonë, i përhumbur në rrjeshtat e frymëzimit, ikjen e tyre të pa përfillshme kundrejt meje e kisha harruar. Diçka e çuditshme po më ndodhte. E ndjeva se nuk ishte i njëjti çast si herët e tjera ku e dashura, ime shoqe do të hapte derën e do të më thoshte “Ta sjell tani çajin.” Dhe unë në vrullin e punës do ta miratoja me kokë. Ndodhi e kundërta. Pas hapjes së shpejtë të derës, menjëherë sëbashku me pjatancën ajo e la kupën e çajit në cep të tavolinës. Në atë orë, në ato momente, magjia e zërit të saj do të më jepte spunton e duhur. Por ndodhi e kundërta. Ajo pa përfillshmëri dhe mbyllja e menjëhershme e derës më ngacmoi keq. Ashtu siç u ngrita u ula menjëherë. Duke monologuar, nga vetvetja nuk mora asnjë përgjigje. Edhe ideja për t'i thënë dy fjalë time shoqe se ç'farë po ndodhte m'u shua ashtu siç erdhi. Pasi e ri mata me hapa të shpejtë hapësirën që kisha në dispozicion përbrenda atyre mureve kur nuk kisha se ç'farë të bëja, u ula të shkruaja. Por më kot.
Në ato çaste kur të dy fëmijtë tanë me shoqërinë e tyre po kalonin ato orë të vona, ne  na  kishte pushtuar marrëzia. Po i mbanim mërri njëri-tjetrit. 
                                                                                                         janar 1917

Τρίτη 14 Ιουνίου 2016

NO STRESS

         Lokali i ardhshëm i cili do të çelej së shpejti ndodhej nga ana e poshtme të rrugës së dytë. Direkt në anë të trotuarit, në fund të atyre shkallëve. Sikur të mos mjaftonin ato aty sipër, ku të tillë kishte në të dyja anët e rrugës, të gjithë pa e shprehur po habiteshin me vendosmërinë e atij djaloshi. Atyre u bëri çudi edhe ai emër i shkruar fare thjesht në një tabelë të zakonshme të vendosur mbi atë portë. “NO STRESS” shkruhej aty. Në vazhdim, tek zbrisnin ato shkallë të ngushta, të  gjithë do ta pëshpëritnin nën zë atë emërtim të çuditshëm.
Ajo lagje ende vazhdon të jetë zemra e qytetit. Në të gjitha objektet, në katet e para të tyre ka veçse lokale. Të vënë në funksion prej qiraxhinjve, nuk kalojnë harkun kohor dy vjeçar. Zonja të reja të cilat tek i sheh të ulura në stolat jashtë tyre duke tymosur cigare, do të kënaqen me aq sa do t'u mbetet nga xhiroja mujore. Nuk kanë mundësi tjetër. Punimet në lokalin e ri po ngadalësohen. Edhe kurioziteti i një pjese të atyre njerëzve që banojnë aty pranë u shua shpejt. Më të shumtën e rasteve ai ndodhej mbyllur. Aty lart, zonjat e sipërpërmendura pak u morën me arsyen e mbylljes ose të mos hapjes të NO STRESS-it. Përse të merreshin me të. Ato ç'farë po bënin. Më pas ai që e mori atë lokal vetëm tabelën hoqi, por atë emër të çuditshëm nuk mundi ta shuante nga memoria e njerëzve megjithëse që nga çasti i parë, harku kohor i mos hapjes ishte tepër i shkurtër. Qiraxhiu i ri, i cili nuk ja kishte haberin, më tepër pinte për vete se sa u shërbente. Më pas një tjetër e një tjetër. Tashmë aty lart, zonjave qiraxhesha tek po pakësohen, nuk u bën më përshtypje se ç'farë po ndodh dhjetë shkallë më poshtë tyre.
Νë të gjithë qytetin ka ulje qepenash. Diku sheh të shkruhet shitja e mallit në kosto ose ulje çmimi. Në qoftë se ndonjë është  hapur, në brendësi, do të shohësh të zotët e tyre të kalojnë kohën përpara kompjuterit. Në lagje edhe kalimtarët po rrallohen. Edhe ata që zbresin ato shkallë përveç banorëve që banojnë poshtë rrugës, nuk guxojnë të kalojnë më andej. “NO STRESS-i” si shprehje u tingëllon si një kambanë kobzezë. Dikush e kishte hedhur në google. 
E mbetur ende aty, kishte thirrur nga larg klientin e vetëm. Thatim me tipare të përafërta me malësorët verior tanë. Kësaj radhe ishte zonjë ajo që e administronte.  Lokali funksiononte por pa tabelë. Turisti i huaj, me një hartë në dorë dhe më shumë me intuitën e tij, duke zbritur me kujdes nëpër ato shkallë, në fund të tyre u ndesh me të. Ngriti kokën më lart jo për t'u shmangur shikimit të saj por për gjetur atë që dëshironte. Buzëqeshi. Ajo pa i lënë kohë i shprehet: -Here, no stress. Më tej, duke shpërndarë nota gazmore ai kaloi në brendësi. Thirrjet e tij të gëzueshme mbushën zbrazësinë e sallës. U ul në kolltukun me shikim nga banaku. Me përvojën e saj si femër, dikur e martuar, duke e vështruar atë tip të çuditshëm i cili vetëm buzëqeshte, ajo u drejtua nga banaku në brendësi të tij. E dinte që ajo pije e fortë shqiptare rakia, ishte e njohur edhe për ta. Mbushi dy gota. Duke i shkuar pranë i vuri mbi tavolinë dhe u ul pranë tij. Bashkë me shikimin përplasi edhe gotën me të. Pasi u mbështet mirë në kolltuk i dha një buzëqeshje të tillë klientit të ardhur nga ai vend i largët si për t'i treguar se po ndjehej mirë. Po, vërtet mirë. Pavarësisht se deri në ato çaste nuk kishin arritur të komunikonin në të shprehur, të dy, po ndjeheshin mirë. Filluan t'i buzëqeshnin njeri-tjetrit. Ishin buzëqeshje të tilla ku të paktën ajo po i jepte pa paragjykim. Nuk ishin si ato kur donte të joshte klientët e saj meshkuj që gënjeheshin aty tek kthenin gotat e pafund me raki.
Në të vërtetë as vet nuk po e kuptonte se çfarë po përjetonte në ato çaste. U çua dhe mori shishen prej banakut. I rimbushi ato gota të qelqta me atë lëng të çuditshëm. I trokitën përsëri me vrull. Dhe sa herë i puqnin ato në buzët e tyre, aq herë i jepnin buzëqeshje njeri tjetrit. Me anglishten çalë të saj, filluan të bënin humor. Në atë bashkëbisedim me shenja dhe të folur, nuk e ndjenë praninë e klientëve të parë dhe të vetmit e asaj dite. Të ulur në thellësi të ambientit, të tre sa ishin, shkëmbenin midis tyre shikime dhe habi. Ishte hera e parë që ajo po pinte me një klient. Bile të huaj. Ndërkohë ku e zonja e lokalit dhe turisti verior nga pjesa më e epërme e Evropës po merreshin me njeri tjetrin, treshes dikur të përditshme i humbi durimi. Thirrjes së tyre ajo nuk i u përgjigj. Edhe atë gjysmë lëvizje të kokës që kreu për të parë nga ata, e la përgjysmë. Si musketierë, të tre njeri pas tjetrit, me të njëjtën kërkesë por në forma të ndryshme i u hakërryen. Ajo përsëri por kësaj radhe duke e kthyer plotësisht kokën për t'u ndeshur me shikimin e tyre, i qesëndisi. Mos përfillja i tërboi edhe më shumë. Të tre pa shpata, bile pa pirunë e pjata përpara tyre, i u vërsulën ashpër duke sharë me epitete dhe batuta nga më të ndryshme. Reagimi i saj duke u çuar në këmbë shkaktoi heshtje. Atë që u kërkonte vazhdimisht klientëve për të mos kujtuar emrin e dikurshëm të lokalit, ajo e shprehu të gërmëzuar. Duke e shoqëruar me duar fjalën e saj vazhdoi: Ju kam thënë nuk dua stres. Këtu nuk ka stres. Por ku kuptoni ju. Çohuni e dilni prej këndej. Deri sa e përcolli me shikim ikjen e tyre, ato dy shprehje një rrokëshe u përsërit disa herë prej saj.
Në mënyrën më të pa vullnetshme, tek i rimbushi gotat, në fytyrë i u shfaq ajo ndjenjë që e brente që nga çasti që hyri në atë ambient të zbrazët. Në atë të mos besimit se ai mund të funksiononte. Aty në çast, mikut verior përveç përplasjes të atyre gotave të qelqta i fali një të puthur të shpejtë paçka që e gudulisën ato qimet e pakta midis buzës dhe mjekrës. Ai i hutuar, i buzëqeshi dhe ktheu atë lëng të çuditshëm në gurmazin e tij.

Κυριακή 12 Ιουνίου 2016

TAVA ME MISH


            Pa hyrë në analiza gjysma e dytë e atij shekulli të kaluar, e sunduar nga dogma më e errët, solli mjerim shpirtëror dhe ekonomik Nuk mund të flitej më për personalitet njerëzor. Rradhët e shumta për të blerë gjërat më elementare që nga qumështi, gjalpi e deri te frutat e perimet e freskëta, por edhe preshi i grirë e i tharë, binin në sy gjithandej. Në veshmbathje e deri tek të brendëshmet femërore. Do të qe luks i madh ti bëje të dashurës dhurata të tilla pa u shtyrë nëpër radha. Duhej të çoheshe tepër herët. Dhe njerëzit pa vetëdije do të besonin verbërisht se mund të jetohej edhe kështu. Pa ju lodhur, po ju tregoj një moment tepër të vështirë të përjetuar nga ime shoqe.
Ajo, për të mos u turpëruar me miqtë e ar-dhur në shtëpi, shkoi me vrap tek komshija. I vetmi frigorifer ndodhej tek komunistja e vetme në atë pallat. Miqtë e ardhur nga larg duheshin nderuar dhe racioni një mujor i mishit duhej të futej i gjithë në furrën e sobës sëbashku me patatet që i kishin mbetur. Pasi u sigurua se kishte bërë punë të paq-me, duke i hedhur të gjitha se ç’duheshin në tavën e bakërtë të rrumbullakët, e futi atë në furrën e ngro-htë. E lehtësuar se do t’i kënaqte njerëzit e burrit, të cilët jeta i kishte degdisur diku larg vendlindjes, po merrej me përgatitjet e tjera të drekës. Në çastin kur në fytyrë, pasi i kishte hedhur një sy tavës, nisi të ndjehej  kënaqësia e asaj që po bënte, në portë u dëgjua një trokitje e shqetësuar. Nuk arriti ta hapte pasi pa të hynte vrullshëm gjitonia, nënë Vitoria. Pa i lënë kohë të vepronte iu drejtua: “Çe bëre mishin. Më turpëruat! Ajo nusja ime është tutkune. I kam thënë çdo gjë që sillni për në frigorifer, të vendosni nga një copë letër brenda ose nga një lidhëse të veçantë. Ke marrë mishin tonë”. Duke i hedhur sytë gjithëandej, sikur do ta gjente diku, aty përpara, vazhdoi “Nxirre ku e ke vënë. Nuk mund të pres më. Më kanë ardhur njerëzit e mi nga fshati”. Instiktivisht, u drejtua nga soba, duke hapur furrën. Kapi tavën  dhe pa i bërë përshtypje nxehtësia e saj, e vendosi mbi tavolinën aty pranë. Për një çast, të dyja, duke parë copat e mishit me atë ngjyrën e bukur kur marrin tek piqen, përballuan shikimet. Ai dyluftim i pa shpallur në ato çaste i bëri armike të njera tjetrës. Pa i lënë kohë të mendonte ose të vepronte, nënë Vitoria mori ato që i takonin dhe si me qortim i tha “Ç’të të bëj.” Duke e shoqëruar me një shtrëmbërim në fytyrën e plakur të saj si për t’i thënë se nuk mundej të debatonte me të, doli me vrull prej andej.
         Pa e marë veten mirë mori goditjen e dytë nga vjerra, tek po hynte në shtëpi. E ardhur nga jashtë  me nipin e saj, me tim bir, nuk deshte t’ia dinte se si e qysh kishte ndodhur.  
Të gjitha këto dhe të tjerat i mësova  pasi isha kthyer nga puna. Nëna e pikëlluar, duke më parë në dritë të syrit m’u drejtua: “Nuk mundem më, djalo! Edhe nusja nuk ka faj”. Duke mërmëritur shkoi në dhomën e saj. I dërmuar psikologjikisht, i ulur në stolin pranë sobës, duke ngrohur duart, era e mbetur e mishit të pjekur më afroi pranë realitetit. Hapa kapakun e furrës, duke e pranuar me këna-qësi atë aromë dehëse. 

Pa i thënë asnjë fjalë shoqes sime, atje tek po ndiqte lëvizjet e mia, e përqafova duke e shtrënguar fort gjoksin tim. Ajo ishte kurajua më e mirë që po i jipja.