Δευτέρα 23 Μαΐου 2016

IRIQI I DETIT

   Duke marrë me vete shushurimën e saj tek përsëritej mbi rërën e pakët, pas çdo valëzimi të shkumëzuar vala tërhiqej dhe rrafshohej me sipërfaqen e detit. Filispanja midis gishtërinjve të mi, nuk po i ndjente më ato tërheqje të lehta të atyre qenieve të vogla ujore me sytë e tyre të shqyer deri në rrumbullakësinë  e tyre të plotë, në dyshimin e asaj që përfundonte te karemi. Duke peshkuar, me këmbët në ujë deri te gjuri, ajo kaltërsi ujore ishte bërë pjesë e qenies sime. Tik-taku i zemrës kishte ndryshuar ritmin. Nuk po e kuptoja se si po lundroja apo fluturoja, e cila s’ishte gjë tjetër veçse një ndjesi e bukur. Përplasja dhe tërheqja e dallgës mbi rërë i kishte dhënë një temporitëm të ri frymëmarrjes sime. Nga ngazëllimi, pa e kuptuar futesha më thellë në det. Papërfillshmëria e atyre qenieve ujore tek rrëshqisnin vrullshëm përqark meje, me atë hapjen e syve si në habi nuk më çuditi,  por kalonte edhe brenda meje ajo ndjesi. Lundrimi mes tyre dhe dëshira  për t’i prekur i bënte ata të largoheshin vrullshëm duke  tundur bishtat e tyre me ngjyra dhe dekoracione e ndryshme, sikur talleshin me paaftësinë time. ”Ja do ta kap atë me vija të  zeza si të zebrës” mendoja, por më kot. Dhe ai rrëshqiste përpara syve të mi me shkëputje të shpejta dhe pa iu marrë mentë nga ato kthesa të çuditshme. Me sytë e tij të pa lexueshëm sikur më thoshte “S'më kape dot.” Më kot u përpoqa  për të zënë edhe një të vetëm nga ato krijesa.
      Aty tek “lundroja,” në ato përpjekje të pa fund ndjeva një pickim të fortë nën këmbët e mia. Po në ato çaste po më rrëshqiste filispanja midis gishtave. Midis dy veprimeve që duhej të kryeja në ato momente, kapja e gjahut ishte tepër emocionale, ndërsa tjetra  një dhimbje e tmerrshme deri në pamundësi të shkelja këmbët mbi tabanin e detit. Në atë pasiguri veprimesh ku unë duhej të përcaktoja se çfarë duhej të bëja më parë, ai  hov i  tij në ajër, i dha lirinë.  Sargoi si një akrobat u lëshua mbi sipërfaqen e ujit, duke u zhdukur në thellësi.
     I ulur në anë të detit, në përpjekje për të hequr gjembat e shumtë të iriqit të shkelur nga shputa e këmbëve, fillova të qesh me të madhe për të mbytur dhimbjen që ende nuk po fashitej. Nuk ishte hera e parë që e pësoja dhe po shihja peshqit të lundronin si një skuadrilje që po dilte nga rreziku.

Δευτέρα 9 Μαΐου 2016

HETUESI

      Ai nuk mundi ta duronte më atë  përballim me hetuesin, me njeriun më të padëshirueshëm të jetës së tij. Përpiqej ta harronte atë kohë, ditën, çastin tek i bastisën shtëpinë dhe fytyrën e tij të urryer. Përballja e përditshme me të, u bë shkak që  të mos shkonte aty për një periudhë të gjatë. Pa çka se nuk po i shijonte më ato buzëmbrëmje vjeshte tek lokali i tij i preferuar, anës detit. 
Mankthi nuk iu nda. Përballja me të, në trotuare, dyqane po e acaronte së tepërmi. Po e çudiste kryeneçësia e tij tek përplasnin shikimet me njeri tjetrin. Shikimi prej një profesionisti për të gërmuar në jetën e tjetrit, vazhdonte të jetonte në brendësinë e atij njeriu. “Mos vallë mendon se mundet ta vazhdojë akoma atë profesion?” mërmëriste shpesh tek rrëshqiste shikimin me të në ecje e sipër.
 “Mendon se është i pafajshëm, bënte detyrën dhe asgjë tjetër.?! O Zot i Madh. Mirë falje nuk po kërkojnë për ato që kanë bërë, përse po krekosen akoma, për të treguar se kanë qenë dikush”? Dhe vazhdimisht përpiqej ta harronte.
Po, për të nuk kishte ndodhur asgjë. Nuk kishte ndodhur asgjë edhe atëherë kur ai u kishte marrë lirinë  shumë njerëzve duke i kishte flakur në ato biruca të errëta të atij sistemi. Dhe shprehej vazhdimisht “Ajo, ishte detyra ime!”...  
 Një mëngjes, këmbët instiktivisht e çuan aty. U impresionua tek pa të zonjën e lokalit të ushqente pulëbardhat. U step dhe nuk guxoi t’i  trembte ato krijesa fluturake tek lëshonin klithma, duke u sulur drejt ushqimit. Përplasja e krahëve, fëshfëritja e tyre në ajër dhe trajektoret që kryenin përgjatë fluturimit e bënë të ndjehej mirë. Që nga ai çast filloi të vinte vetëm në mëngjes. U bë edhe ai mik i pulëbardhave. Sa herë do të shkonte aty, do të sillte ushqim për to. I pruri shumë pranë. Ato uleshin përgjatë bordurës së drunjtë duke çukitur ushqimin. Kishin filluar të mos trembeshin prej tij.
Por nuk zgjati shumë kjo mrekulli.
U shfaq ai. Ia trembi pulëbardhat  duke përplasur këmbët në shkallët e hekurta, tek po hipte në verandë, ashtu si dikur zbriste në birucat e nëndheshme tek “ata”, armiqtë e popullit.
Si mund t’i lejonte “ai”, këta shpendë të fluturonin lirshëm dhe të kërkonin ushqimin e jetës së tyre?!
Si mund ta jetonin lirinë e tyre këta shpendë të bardhë si mëngjesi, kur bëheshin pre e armikut të klasës?!
Dhe i përplaste sërish këmbët, për t,ja dëbuar këtë iluzion prej fluturimi pulëbardhash, këtë iluzion  lirie,  viktimës së vet të dikurshme. 

"ARRATISJA"


           Kishin dy-tre ditë që kishin filluar punimet brenda atij objekti dykatësh, i cili pretendohej se kishte ngjajshmëri me ish shtëpinë e asaj figure kombëtare. Ai u ngrit mbi gërmadhat e pakta që i kishin shpëtuar kohës. Atë vit ishte edhe përvjetori i një feste kombëtare Shtëpia muze duhej të përfundonte në ditën e caktuar. Në inagurimin e saj, përveçse nga pushteti vendor do të merrnin pjesë  nga qeveria dhe nga instancat më të larta të politikave historiko-kulturore. Për zbatimin e punimeve ishin thirrur specialistë që i përgjigjeshin detyrës së dhënë.  
   Fshati ndodhej brenda zonës kufitare ku, për të shkuar, merrej leje e posaçme nga organet e policisë. Lejekalimin e tij e pa me habi polici që shërbente në pikën e kalimit kufitar. Kjo e dogji pak. Çfarë mund të dinte njeriu me uniformë për të?
 Të ulur në tavolinat e nxjerra jashtë kafenesë së vetme në atë fshat, gjatë një pushimi, duke pirë kafen, përpara tyre po kalonte një vajzë, duke tundur hiret e saj të shfaqura përbrenda pantallonave të ngushta prej doku. Ajo tërhoqi shikimin e të riut të vetëm të grupit që kishin ardhur për shtëpinë muze. Ishte një ngacmim i shpejtë që ndoshta u duk si i pa përfillshëm.
Ritmi i punimeve po shpejtohej. Elektriçisti, marangozi edhe të dy mësuesit e historisë e të tjerë, vazhdonin në tempin e duhur. Djali, i cili ishte piktori, përpiqej të ishte sa më korrekt me punën.  Survejimin nga dikush, edhe pse i “padukshëm", ai e ndjente në çdo çast. Për këtë arsye përpiqej të jepte maksimumin. Mesazhin në një lloj forme e kishte marrë prej kohësh. Duhej të ulte kokën dhe të punonte. Atë cenin biografik ia përmendën qëkurse e caktuan në këtë ekip. Pati shumë debat për këtë. Falë talentit i ishte bërë ai lëshim.
 Djali kishte vënë re se vajza kur kalonte aty pranë për të shkuar tek zyra e centralit telefonik, e joshte me shikimin e saj. Tundimi qe i madh. Pas shumë kohësh ndjeu një tërheqje të çuditshme. Një ditë, mori guximin dhe u nis për tek centali telefonik. Shtyu portën dhe pa i lënë kohë të reagonte e pushtoi me të dyja duart dhe nisi ta puth me afsh. Thirrjet e saj të ëmbla, të krijuara nga ai çast, nuk zgjatën shumë. Të dy, të trembur jo nga veprimi, por nga frika se mos i kapnin, u larguan nga njeri tjetri. Do të qe lajmi i parë në atë fshat të largët kufitar. Djaloshi, duke  parë drithërimën e ëmbël që i vezullonte në sy, dhe duke ndjerë një pjesë të asaj  që i kishte mbetur në buzë, u largua menjëherë. Ai veprim u përsërit disa herë por frika i mbante larg. Ndruheshin se mos u prishnin gëzimin, kënaqësinë që po ndjenin. Rastësisht mësoi se ajo ishte bija e kryetarit të këshillit të fshatit.
Ditët po iknin pa u kuptuar. Pothuajse më e shumta e punës qe kryer. Ndërmjet stendave, vitrinat kishin arritur të plotësoheshin nga objekte e relike të shumta. Ndriçimi i dhomave, objekteve në veçanti qe kryer. Sistemimi i objekteve të rënda si tavolina, sënduqe etj, po plotësonin ambientet në veçanti. Piktori, sëbashku me mjetet e tij të punës, duhej të shvendosej në një mjedis që nuk duhej të prishte sistemimin e mundshëm. Përballë hyrjes, diku poshtë shkallës së drunjtë që të çonte në katin e dytë, përshtatur sipas traditës ndërtimore të zonës, ishte krijuar një depo e vogël. Ai qe vendi më i mirë për të punuar. Duke patur një portë të vogël, pa asnjë dritare, ishte tepër i freskët. Punoi dy ditë rresht, pa u shkëputur nga puna. Edhe për të fjetur nuk shkoi tek shtëpia që e kishin caktuar. Shiltetë dhe brucat që do të zbukuronin mjediset lart i u dukën të rehatshme. Krahas përgjegjësisë së punës që ndjente, pasioni e bënte të punonte pa u lodhur. Në një moment të ditës së dytë, mbasdite, dëgjoi të hapej porta. Personi, që hyri vrullshëm, ishte i jati saj. Ai  shfryu gjithë inat dhe u largua. Duke qenë i përqendruar pas punës nuk i bëri dhe aq përshtypje veprimi i tij. Por, hapja e shpeshtë e asaj porte të vogël nga njerëz të ndryshëm tek e shihnin me kureshtje, me habi, e bënë ta lënte punën dhe të dilte prej andej. Shikimi i atyre fshatarëve që ndodheshin përballë tij, sëbashku me të jatin e saj, qe i habitshëm dhe sikur kërkonin përgjigje prej tij. Përjashta rrethimit të gurtë të shtëpisë, një oficer me dy tre ushtarë, me automatikë në gjoks po e shihnin me përçmim. Iu duk si një skenë e improvizuar në çast. Diçka duhet të ketë ndodhur, mendoi. Por çfarë?! Tek të gjithë që ndodheshin për rreth, ndjeu ndryshimin që kishte me ta. Ai ishte “delja e zezë”. “Kanë kujtuar se kam dashur të arratisem”- mendoi. Më tutje, tutje hijeve të rënda të atyre rrobave ushtarake që e kishin rrethuar, ajo, e mbështetur pas një trugu peme, me atë shkëlqimin e lëngët që ishte gati të kthehej në lot,  sikur po i kërkonte shpjegim.
I rrethuar nga vetmia e rishfaqur pas asaj ndodhie, në atë fshat të largët, u kthye dhe e mbylli veten përbrenda hapësirës së ngushtë me tavan të ulët. E trembi shumë dyshimi që u ngjall rreth tij. Kurrë nuk i shkonte ndërmend të bënte atë për të cilën u alarmuan. Të arratisej? Kurrë!
Ajo ëmbëlsi që mendonte se i kishte mbetur ende nga  buzët e saj, i qe kthyer në gërç që po i merrte frymën.

Σάββατο 7 Μαΐου 2016

I KE MUNDUR HIJET

    Po e ndjej praninë tënde në këto momente dhe po hedh vështrimin tim gjithandej të të shoh. E pa mundur. Më shfaqet dhe më ikën vegimi yt si i coptuar mbrapa hekurave të burgjeve të dikurshme. 
   Dino, mik i ideve të babait tim, ndoshta ndjehesh i habitur tek na sheh të mbledhur në këtë ceremoni përkujtimore dhe po flasim për atë jetë kur të kishim pranë dhe nuk të përfillëm. Ke të drejtë të çuditesh kur sheh laryshinë e të pranishmëve dhe  vegimi yt të mos shfaqet i një dimensioni për të gjithë. Të jesh i bindur, në këto çaste je i prekshëm nga miqtë dhe dashamirësit e tu. Po ul kokën i turpëruar përse nuk të kam njohur më parë.
    Tek po na sheh të gjithve për të kuptuar nëse ka ndonjë pikë sinqeriteti në praninë e disave prej nesh, të lutem largohu pak, për t’i parë më mirë të pranishmit. Prapa buzëqeshjeve të rreme të disave, ka vetëm cmirë, edhe përse nuk je trupërisht mes nesh. Nuk duan ringjalljen tënde.
Nga ata, njerëzit hije, dikur emri yt i shkruar në copa letre të vogla, është arshivuar në sa e sa sirtare sekrete si njeri i rrezikshëm  Sot në fytyrat e tyre po rishfaqet ajo buzëqeshje e rreme. Po më ngjallin krupën tek i shoh të kapardisen si dikur   dhe  po shtrëngojnë fort dekoratat e marra për shërbime të shquara, nga frika se mos ua heqin
    Ah, i dashur Dino, ka çaste që mendoj se bëri mirë që iku shpejt im atë nga kjo jetë. Vallë a do ta gjente atë qetësi që kërkonte dhe s’e gjeti dot?! Në qoftë se më  jep një shenjë, unë do të të rishfaq përpara tyre për t’i vënë në provë. A do të kenë fuqi të përballohen me shikimin tënd?! S’e besoj. Nuk do të dinë ku t’i fshehin lajkat e tyre të sotme, që dikur ishin ngërdheshje. 
    Të jesh i qetë miku im. Unë e ndjej zemrën tënde, ajo po jeton. Të rrahurat e saj janë brenda meje. Ti i ke mundur hijet.


Δευτέρα 2 Μαΐου 2016

PËRHERË ME TË


    Nuk iu nda ai pështjellim i frikshëm që nga ikja e të shoqes. Duke vepruar aty midis gjoksit dhe stomakut, një forcë e pakuptueshme gati duke i bllokuar frymëmarjen, po e tërhiqte fuqishëm përbrenda tij. Më tepër se trupin, ndjente shpirtin t’i rrëshqiste me shpejtësi brenda asaj grope të errët e të pafund. Një ulërimë e pa lëshuar në zë po i buçiste dhe duk-duku i tëmthave po i rrihte vazhdimisht që nga çasti tek e pa të shtrirë brenda asaj kutie të mallkuar.  
    Gjithçka mbaroi shumë shpejt. Pasi përshëndeti edhe djalin e tij, njeriun e vetëm që e lidhte me të, i cili u përpoq ta merte me vete,  atje ku jetonte jashtë shtetit, u ul i vetmuar diku  në sallon. Mes dhimbjes së madhe mendoi se të gjitha ato vite që kishte kaluar me të, ishin veçse një gënjeshtër e madhe. Përse t'i ikte pa pritur?! Përse duhej të pushonte së rrahuri zemra e saj?!  Dhe ai pështjellim i frikshëm e ri ngacmonte. Po në të  njëjtën kohë, instikti ose më saktë dëshira për të kujtuar atë kohë, i thoshnin  se ajo ndodhej akoma aty. Buzëqeshi. Nuk bëri as edhe më të voglën lëvizje por vetëm buzëqeshi. Brenda tij, ideja e ekzistencës e mosekzistencës së saj, i zënin vendin njëra tjetrës në sekuenca të shpejta filmike, ja, e kishte aty përpara. Nuk guxoi ta prishte imazhin. Ja në ato çaste ndjesia e pranisë së saj ishte shumë e madhe. Për të, ajo ndodhej ende në shtëpi. 
    U ngrit duke mos guxuar të hidhte sytë përreth. Nga fotografitë e shumta të vendosura kudo, ndjeu ta ndiqte shikimi i saj. Herë i ngurtësuar si në të zbehtë, e herë i qeshur me shkëlqimin e bukur në to.
...Dhe si gjithmonë, duke u kthyer në kujtimet e tij biseduan për një kohë të gjatë me njeri tjetrin. Për djalin e tyre që jetonte e punonte në shtetin fqinj. Për vajzën e vogël të tij. Iu kujtua shprehja e saj kur i tha: “Sikur i tërheq nga flokët, aq shpejt rriten vajzat”. Pas të gjitha atyre, do të shkonte i pari në shtrat, pa u përpjekur ta zinte gjumi.  Duhej ta priste. Cepi i jorganit, nga ana ku pat fjetur gjatë gjithë viteve të martesës, ishte i përthyer, gati për të...