Πέμπτη 31 Μαρτίου 2016

POROSIA


   U mundua t’i kapte reagimin tek shihte të rrëshqiste nën shikimin e tij trekëndëshi i bardhë i të brendëshmeve të saja. Duke buzëqeshur ajo i puqi  kofshët me njera tjetrën dhe u ul në kolltukun e vendosur disi larg tavolinës së shtruar për të ngrënë. Ai po përpiqej t’i shmangej  duke drejtuar shikimin e tij nga puna që kishte filluar të kryente në një nga faqet e sallonit të madh. Me elegancë, ashtu siç mbante pinelin, kapi gotën e mbushur me verë. E drejtoi nga ajo dhe duke e çukitur me të i dhuroi një buzëqeshje të lehtë. E zonja e shtëpisë, së bashku me gllënkën e verës kapërceu edhe ndjenjën e papërcaktuar  që po kalonte në ato çaste. Me një rrokullimë të shpejtë ajo ndjesi i u përhap në të qenurit e saj të brendshëm femëror. Drithërrima e lehtë e shoqëruar me buzëqeshjen që u rishfaq në fytyrën e saj e bënë atë më joshëse. Piktori, si i ngacmuar nga diçka që s’mund të emërtohej u ngrit rrëmbimthi. Shkoi drejt tabllos dhe, duke trazuar bojërat mbi tavallocë, hodhi disa pinela mbi të. U ndal, drejtoi  shikimin mbi të zonjën e shtëpisë që vazhdonte të rinte e ulur përballë tavolinës  së shtruar. I dhuroi buzëqeshjen e radhës dhe vazhdoi punën. Shqetësimi i realizimit të tabllos e kishte shoqëruar që nga momenti kur mori porosinë. Kërkesa kryesore e saj ishte që puna të  realizohej direkt  në mur. Tema ishte e thjeshtë dhe e përcaktuar qartë: idilike. Që në skicat që ai i tregoi, ajo u bind  se do të kishte në sallonin e saj një punë serioze prej  tij. Tek rrinte e ulur në kolltuk, ajo po ndiqte çdo pinel që hidhej mbi trupin e vajzës, ravijëzuar në tabllo. I ndjente si ledhatime mbi trupin e saj. Atë ndjenjë që i u shfaq  filloi ta ushqente përbrenda vetes. Veçoria e tij i ra në sy që në prezantimin e parë. Qetësia  në gjithçka që ai kryente e tërhoqi si me magnet. As vet ajo nuk e kuptoi se ç'farë tjetër po kërkonte prej tij. Që në ditët e para ai i foli  asaj me “ti”.
   Duke i dhuruar buzëqeshje e prekje të lehta në sup ai drejtohej nga tabloja e vazhdonte të punonte pa pushim. Dhe vinte ora që  do të lënte punën e do të ikte për të ardhur të nesërmen. Ajo sikur  çohej nga ndonjë ëndërr e ëmbël. Në vazhdim tek e shoqëronte, prej tij do të merte  buzëqeshjen e rradhës dhe prekjen e lehtë në sup dhe do të shkëputej nga ai përjetim, nga kërcitja e portës tek mbyllej  nga jashtë prej tij.
   Ashtu e ulur në kolltuk, përballë, si në ditën e parë ajo po rikujtonte skenat ëndërrimtare të netëve në vazhdim. Tek shihte t’i pushtohej trupi prej prekjeve të tij, ledhatare dhe përhumbej në ndjenjën që po i shtohej për ditë për të.Tek zgjohej do të shihte të  merrte formë e po plotësohej tabloja, ndoshta dhe vegimi i saj. Dhe femra e tablos më në fund u shfaq në tërësinë e saj. Duke treguar haptazi gjoksin dhe qafën e saj elegante, ajo kishte drejtuar shikimin nga djaloshi që kishte pranë. Drithërima që përshkonte të qenurin e saj aty, tregonte haptas se ç'farë po kërkonte prej tij.
    Si çdo ditë, tek hyri në shtëpinë e saj, ai porositi kafen. Që në momentin e parë tek u përballua me të, e pa me kureshtje, sikur ishte duke zbuluar diçka të re. Menjëherë u drejtua nga tabloja dhe vazhdoi punën me vrull. Duke u plotësuar portreti, e zonja e shtëpisë ndjeu vetveten. Joshja qe e plotë. Tek uli kokën përpara, flokët i mbuluan ndjesinë që po e përshkonte. Ndërkohë që monologonte  me vetveten përse duhej të kishte portretin e saj vajza në tablo, joshja që ndjeu ishte më e fuqishme  se sa ajo e “shkeljes se kontratës”. Si pa dashje, ajo plazmë e brishtë, u përhumb përbrenda ndjenjave që po e tundonin në vazhdimësinë e asaj kohe. 
    Nuk e di tha me vete piktori tek e pa atë trup femëror të lëshuar mbi kolltuk me kokë të mbështetur në një nga anët e tij .Po fle apo… Tundi kokën lehtë si për ta miratuar veprimin e saj dhe ju kthye sërish punës. As vet nuk e kuptoi se si iku koha. Vetëm atëherë, pasi e pa të nevojshme se i duhej dritë të shihte. Po errej. Ndezi dritat dhe vazhdoi punën me këmbëngulje.
   Tepër i lodhur e i kënaqur mori filxhanin e madh të mbushur me kafe duke u ul në kolltukun e vendosur pothuajse përballë tablos së përfunduar dhe zonjës së shtëpisë. Ajo, në përfjetjen ose përhumbjen e saj, vazhdonte të ishte e trajtësuar në formën e kolltukut. Mendoj se e kuptova se ç’farë dëshironte mërmëriti piktori. Besoj se ja dhurova tundimin dhe dëshirën që i vlonte në këto ditë të bukura. U ngrit  qetë, qetë nga kolltuku. La filxhanin  diku dhe hodhi sytë për herë të fundit nga tabloja. Djaloshi ezmer,  për çudi kishte një përngjasje me të. Duke  parë në thellësi të asaj që po ndjen te ajo, po i kërkonte përjetësinë e momentit.  
   Aty pranë në kolltuk e zonja e shtëpisë po mërmëriste ëmbëlsisht.   

Δευτέρα 28 Μαρτίου 2016

FRAZËPËRSËRITËSI


    Prania e kamarjerit nuk e shqetësoi fare atë. Si klient i përditshëm dhe i rregullt, e ndjente veten pjesë të atij ambienti.  Do të shkonte në tavolinën e tij në qoftë se ajo do të ishte bosh. Do të ulej në karike me cigaren e ndezur midis gishtave të dorës së djathtë. Nuk do ta hiqte shikimin prej saj deri sa të bindej se mund ta fikte.
   Sot ai kishte ardhur i ndrequr. Diku kishte ndaluar dhe kishte zbrazur kush e di se sa gota me rraki. Ngriti kokën dhe me një buzëqeshje në cep të buzës, por me shumë skërmitje dhe inat, porositi dopion. Ajo erdhi aty me mezen e preferuar të tij. Këmbë oktapodi të prera në copa të vogla. E kishte bezdi thikën.
    Nisi ta rrotullonte gotën e mbushur me rraki mbi suprinën e tavolinës. Pasi e çukiti mbi të, ktheu në gurmaz gllënkën e parë. Ishte mjeshtër i rakisë. E njihte prej kohësh dhe si me humor thoshte e sjell unë vërdallë atë, në vend të më sjell ajo. Kishte një ves të habitshëm të cilin e shfaqte pasi kishte kthyer disa gota me rradhë. Në qoftë se veshi i tij do të kapte ndonjë frazë që do t’i bënte përshtypje, ai do ta ripërsëriste kush e di se sa herë. Ndoshta deri sa të çohej e të ikte.
  Ripërsëritja e frazës së ditës do të kalonte lirshëm nëpër lokal. Ai sikur jetonte dhe ndjente intonacionet dhe koloritin e zërave të bashkë-biseduesve të ndryshëm që ishin ulur e po kënaqeshin me ato që kishin porositur. Do ta ripërsëriste frazën me zërin e dikujt aty pranë dhe duke e parë me bisht të syrit. Ai, frazëpërsëritësi, në tone fare të ulëta do të vazhdonte avazin e tij.
   “Sinkronizim i çuditshëm. Ajo do t’i jetë krijuar në një moment të tejskajshëm dehjeje”, mërmëriti kamarieri tek rrinte i mbështetur në banak me shikim nga tavolinat. Andej kontrollonte e ndjente se kush mund t’i kishte nevojën. Ata pothuajse ishin klientë të përhershëm aty dhe ai u a dinte kërkesat dhe shijet.
   Me frazëpërsëritësin qëndronte krejt ndryshe puna. Sa e shihte  të kalonte pragun e derës e të hynte brenda do të përpiqej të merrej me diçka pasi çdo lëvizje e tij do ta tërhiqte si me magnet. Do të mundohej të mos ta përplaste shikimin me të. Atje tek rrinte pranë banakut do të ndjente t’i lëviznin buzët dhe ta imitonte. Rrëmbimthi do të vendoste dorën përpara me frikë se ato do të lëshonin zë. Sa herë i ndjente  ato fjalë t’i lëviznin lirshëm përbrenda tij.
   Në një moment tek meditonte për intonacionin e frazës së radhës, frazpërsëritësi ktheu kokën nga kamarieri si për t’i thënë  “Rri urtë!” por ndjeu shikimin zhibrues  të atij njeriu me papion që i shërbente, sikur t’i thoshte “Ti rri urtë, e jo unë!”.
   Heshtja e çastit ishte momenti i përgatitjes së frazës së radhës. Pas asaj, tendosja e brendëshme e tij, e shfaqur në atë fytyrë të shpërbërë nga pija e tepërt, ja hoqi atë buzëqeshje nga cepi i buzës.
   -Do të flas e do të bërtas -, nisi ai në fillim me tone të ulëta. Duke i dhënë kamarierit skërmitjen e fundit që i kishte mbetur në  cep të buzës, - Do të flas dhe ç’farë të dua unë - vazhdoi ai duke rritur tonin e zërit
   Ndërkohë, nga ana tjetër, kamarieri po futej në një duel të pafund me frazëpërsëritësin. Kishte ndo-dhur ajo që ai i trembej vazhdimisht. Efekti i magnetizimit
- Nuk do të flasësh -. Kamarieri duke u drejtuar për nga ai vazhdoi me zë më të lartë, - sepse nuk do të të le unë!.Tërhoqi njerën prej karikeve që ndodhej aty dhe u ul pranë frazpërsëritësit.
   Ai duel i së drejtës së fjalës kush e di se sa zgjati. Klientët e përhershëm të atij lokali përfituan nga rasti dhe u  larguan pa bërë zhurmë.

NË ATO NETË



     Qetësi, kudo qetësi. Të gjitha zhurmërat e ditës, sëbashku me diellin e përflakur e tej të lodhur, nata i kishte hedhur matanë, tutje horizontit, si për mos i gjetur më kurrë, duke lëshuar në kupën e qiellit hënën me ndriçimin e saj të butë. Të shtrirë në shezlong, duke dremitur lehtë aty në ballkon, sëbashku me bashkëshorten, dëgjuam nga dhoma ngjitur, zhurmëra dhe thirrje të ëmbla erotike. Për një çast, ato, si valët e detit tek përplasen në rërën e butë, nisën të shumfishoheshin. Në atë hotel të vogël e të qetë, të prenotuar vazhdimisht nga çifte të sapomartuar, ne ishim futur gabimisht. Netë magjike, ku vet Zoti nuk di pse na strehoi mes tyre.
       Në ato  netë,  edhe ne u zhytëm në pafundësinë e kujtimeve tona.

Πέμπτη 24 Μαρτίου 2016

JETËZ


    Dielli ndodhej në çastin e kapërcimit të vijës së horizontit midis qiellit dhe detit. Një pjesë nga rrezet e tij të fundit, me shpejtësinë  e shkeljes së butonit “i burgosa” në kutinë magjike dixhitale. 
     Nuk kaloi shumë dhe kudo  në të gjithë qytetin, si në një ekran të madh, përpara syrit tim, filluan  të ndizeshin dritat kudo. Si në ato pjesët muzikore që ekzekutohen me  orkestracione të mëdha atë buzë mbrëmje harmonie, me logjikën e çastit  ndjeva se isha unë që po i ndizja. Atje tek po shkelja tastierat e pianofortës imagjinare, duke i dhënë çdo instrumentisti  çastin e tij, dritat si në një pentagram pa kufizime vizash, filluan lojën e tyre muzikore. Një lojë që  zgjati pak çaste, por tepër impresive. Me shkeljen e tastierës së fundit të pianofortës i  dhashë dritë edhe ambientit ku ndodhesha. Ndjesia e atij çasti, u shoqërua me atmosferën që u krijua nga ndriçimet e fshehta që ndodheshin në atë mbulesë masive gjethesh.  Nuk e mora as edhe një herë inisiativën për të pyetur se si quhej ajo bimë interesante. Duke qeshur në brendësinë time, mendova se lojën e ekzistencës dhe mos egzistencës midis kopshtarit dhe asaj bime po e luante vet  ajo. Në çastet e lëvizjes së lirë të saj, kur kopshtari  ja  mohonte duke ja prerë ato me një gërshërë me doreza në ngjyrë të kuqe, ajo, me shpejtësi në krahun tjetër, i kundërpërgjigjej duke nxjerrë në jetë motrën e saj binjake. Nuk e di se sa do të ketë vazhduar ajo luftë. Besoj se kopshtari do të jetë dorëzuar i pari. Ai zëvendësimi i pafund  i dha fund përpjekjeve të tij, deri sa e kuptoni se çfarë ndodhi. Ky moment i bukur ku unë po përpiqem ta shijoj.
   Nuk e kuptova se sa zgjati ajo përhumbje . Në çastin që po fërkoja sytë si për të parë më mirë, në distancën afro dy metra larg meje, nga një trung që dilte mbi sipërfaqen e tokës, ku dikur ai ishte pemë, një krahdegë po përpiqej të shpërthente.  Ndjehej fort ajo lëvizje jetësore e saj. Duke marrë formë ngjitur me të, ndjehej  tendenca e fuqishme për të krijuar jetën e vet. Ajo degë, ku, diku pak thellë sipërfaqes së tokës qe shkëputur nga trungu mëmë, përpiqej të kapte gravitetin. Nuk e kuptova se cili qe shkaku që u ngacmova nga ai fenomen. Ana grafike e tij mendova. Dritë-hija e krijuar në ato çaste. Edhe aq sa shfaqej mbi tokë ajo “mëma”, tregonte se kishte qenë një pemë e fuqishme. Arsyeja përse u pre?! Si Anteu forcën e saj ajo e kishte në tokë, në thellësi të saj. Bri trungut mëmë  krahudegë po  shfaqte haptasi fuqinë e tij.
Në thellësi të shpirtit ndjeva një keqardhje të madhe sa mërmërita “Sa do të të duhet, o i mjerë, të tretesh për t’i dhënë vazhdimësinë krahut-degë?!.”
     Eh, u turbullova. M’u duk tepër e vështirë të zbërtheja kuptimin e vazhdimësisë. Pasi rrëkëlleva dy a tre gota me verë të bardhë, së bashku me turbullimin e krijuar në kokë, u çova dhe u drejtova për në shtëpi.
     Përplasja e parë me të hyrë brenda, ishte me tim bir. “Father, ku ishe?” dëgjoj të më thotë ai duke më parë drejt e në sy. Shkëlqimi i bukur i tyre më turbulloi. Nuk e di përse i u shmanga atij përballimi. Ndoshta po jetoja ndjesinë e momentit të jashtëm. “Akoma nuk po e kontrollon forcën që ka brenda vetes” mërmërita nëpër dhëmbë tek u përballova me gjuajtjen e grushtit të tij në supin e krahut të majtë të atij krahu nga ai ende ushqehet e  lulëzon vazhdova mërmëritjen. “O Zot”- thashë me vete, pasi ajo goditja e përherëshme tij qe kthyer në kënaqësi,  po bëhet burrë.
     Duke lëvizur nëpër sallon “pa asnjë kuptim” për pjestarët e familjes, përballimi  me time bijë, shtoi kënaqësinë turbulluese. I dhashë buzëqeshjen time deri në ngazëllim, pa i dhënë kohë se ç’ka po ndjeja në çaste. Me peshqirin e madh hedhur krahëve, u nisa drejt dushit. E dashura ime, gruaja, tek më shihte në “formën” siç e mendonte ajo,  përsëriti mërmërimën e saj të zakonshme që nuk i a vlen ta përmendësh.
     Mbaj mend që u futa në dush dhe nuk e di se sa qëndrova aty. Edhe  momentin që u shtriva e mbaj mënd. Më tutje asgjë. Duhet të kem bërë gjumë të këndshëm.   

FLUTURIM MAGJIK

      I trembej  ikjes  të asaj krijese të brishtë. 
   Për të mos e humbur i kushtonte shumë vëmendje dhe kohë. Gati, gati, përveç netëve dhe momenteve të shumta erotike, ishte shërbëtori dhe qeni më besnik i saj.
 Ishte ai që po e krijonte pak e nga pak shkëputjen prej saj, por nuk e kuptonte. Në atë marrje dhe dhënie të përbashkët tepër sensuale, i shfaqte pothuajse hapur se ishte ajo që po jetonin në atë botë magjike
      Kjo ndjesi u kultivua  si  ekzistente përbrenda qenies së saj. 
    Po e humb i tha vetes duke e parë atë të bënte “pasarelë” në rërën e plazhit magjik. Ishte një nga kërkesat e saj të fundit për të kaluar pushimet aty. Pas asaj trullosje, e cila kaloi në marrëzi, ku fajin mund ta kishte edhe dielli përvëlues i thirri me zërin e një bishe të cilin, deri në atë çast, nuk e dinte që ekzistonte brenda tij.
     Ishte një klithëm e një njeriu që po binte në një humbëtirë ndjenje të pamatë. Aty tek e pa që t’i hidhte shikimin e saj lozonjar një bashkëmoshatari,  i u turr për ta ndaluar. Nuk mundi. Në duart e tij, kishte mbetur një nga flatrat e fluturës  lidhëse së rrobave të banjës, e cila qëndronte në pjesën e sipërme e më të bukur të kofshës së saj elegante. Pa e ndalur ecjen e saj të shpenguar, ajo lëshoi edhe fluturën tjetër.  Në lirshmërinë lakuriqe tek po hidhte hapat në rërën e butë,  hoqi edhe të sipërmet e rrobave të banjos, dhe duke u larguar filloi të  tundte në ajër hiret e plota femërore të saj.

Τρίτη 22 Μαρτίου 2016

LLUSTRAXHIU DHE TRUMCAKU


  Duke i dhënë një shtytje të lehtë përpara trupit të vet me ato këmbët e tij të vogla, trumcaku u shkëput nga dega e pemës dhe u ul mbi qeskën prej plasmasi të mbushur me fara luledielli.
   Ai nuk shpëtoi pa u vënë re nga lustraxhiu tek po rrinte e ngrohej në diell. Me bisht të syrit vuri re trumcakun të tundte kokën dhe të hidhte shikimin e  mprehtë gjithandej. Pas një stepjeje të vogël filloi çukitjet e tij të  shpeshta dhe nxjerrjen e lëvozhgës të asaj fare të zezë nga jashtë dhe të bardhë nga brenda. I mbështetur për muri siç ishte i ulur në stol, lustraxhiu vuri re shikimin e pa lexueshëm të atij shpendi të imët.
   Për herë të parë po e ndjente praninë e tij kaq afër. Cicërimën e asaj krijese e njihte prej kohësh. Ajo e shoqëronte që herët në mëngjes kur nxirrte mjetet e  punës nga një valixhe e drunjtë dhe trokiste furçën në të për të thirrur myshterinjtë. Cicërima i përgjigjej gjithë ditën dhe mbaronte në të errur tek mblidhej me zogjtë e tjerë  për të kaluat natën në kurorat e pemëve.
Duke përballuar shikimin me të, lustraxhiu ndjeu të  dëgjonte fjalosjen e tij të çuditshme, e cila, për njerëzit, ishte veçse thirrje e shkurtër  dy a trerrokëshe e pa deshifrueshme por me intonacione muzikore të mrekullueshme.
   Në atë çast ndjeu buzëqeshjen  dhe zërin e atij fluturaku. Miku im dëgjoi ai të dilte e artikulohej në vazhdimësi përbrenda asaj krijese zëri i tij i çuditshëm. Nuk besoj se do të mundem ta boshatis. Me fare pak prej tyre mund ta mbush barkun tim të vockël. Aty tek fliste, duke tundur kokën e duke hedhur shikimin gjithandej, vazhdonte të çukiste mbi farërat e lulediellit 
   Tepër i habitur, lustraxhiu me duart e tij të pista nga lustrimi i fundit që kishte bërë, hodhi qindarkat në të ndarën e vogël të valixhes, fërkoi fort sytë dhe gjithë fytyrën  për të kuptuar nëse ëndërronte sy hapur apo...
Ttrumcaku i trembur nga lëvizjet e shpejta të duarve të tij, pa e ngopur ende barkun  u ngrit fluturimthi dhe humbi në kurorat e pemëve që ndodheshin përqark.
Aty,  tek po vërtiste me shpejtësi furçat mbi këpucët e klientit të porsa ardhur, me shpirtin e trazuar nga ajo skenë, lustraxhiu, gati nëpër dhëmbë, mërmëriti: ”Përse iku ashtu? Ç’i bëra vallë?” Me keqardhjen që ndjeu dhe habinë që po shfaqte klienti, u çua në këmbë duke hedhur shikimin gjithandej. Por më kot e kërkoi në atë pafundësi degësh. Mbylli në valixhen e vet mjetet e punës, ndërsa qeskën e farave e la mbi murin e ulët të lulishtes.

VDEKJA E PESHKATARIT



   Në përhumbjen e ikjes, ose të mbajtjes së fjalës, e cila ishte edhe dëshira e fundit, ndjeu ta përshkonte qënien e tij trupore një lehtësi që kishte ngjajshmërinë e erës, e fluturimit. Në përleshjen e fundit me dallgët e shkaktuara nga Ai aty tek kthehej nga gjuetia, duke drejtuar shikimin pa u trëmbur drejt atyre shkrepëtimave që zbrisnin nga lartësitë qiellore në thellësinë e ujrave, i kërkoi gjigandit të detit, ta lënte të shkonte në shtëpi duke i premtuar se do të kthehej për t’i dhënë fund atij mundimi gati shekullor. Rishfaqja me sfurkun gjigant në dorë, në atë lartësi ku për racën njerëzore i përkiste veçse perëndive, Poseidoni lëshoi  vetëtimat lajmëruese si për t’i thënë se ishte aty dhe po e priste. Tek përplaste lehtë rremat mbi sipërfaqen e detit, peshkatari plak ndjeu ta rrëmbenin  cirkat e ujit, të cilat të shumëfishuara, kishin marrë trajtën e një pulëbardhe. 
  Ishte një ikje e shpejtë e shoqëruar me stërkala  shkume të shumta ujore. Tek po shumoheshin, shtyheshin dhe përplaseshin me njera-tjetrën me tërbim,  u dëgjua zëri i peshkatarit plak. “Po, po, kjo është jeta ime e vërtetë. Ju o dallgë, mermëni me vete dhe më çoni në pafundësinë tuaj. Aty është vendi im” dhe hodhi vështrimin e tij gjithandej, për të parë mikun e tij të vjetër. Një zhgulmë e madhe ujore u ngrit përpara syve të tij. Duke derdhur tonelata të tëra uji mbi flokë e trupin e tij gjigand, u ngrit në atë lartësi ku veç zotat banonin. Lëshoi buzëqeshjen e tij e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një gjëmim i tmerrshëm dhe mizor mbi atë qenie lilipute.
   Aty filloi loja,  e cila në çdo lloj formë për peshkatarin plak kishte qenë veçse instikti i mbijetesës. Sot si luftëtarët veteranë kishte ardhur ta mbyllte me lavdi jetën e tij. Mbylli sytë dhe lëshoi ndjenjën sëbashku me trupin në krahët e asaj krijese ujore tek po merrte trajta dhe forma të përbindëshme.

Παρασκευή 18 Μαρτίου 2016

DERI NË STACIONIN E RRADHËS



Në vagonin e dytë pas lokomotivës, në ndenjëset dyshe të skajit më ekstrem të tij, tek lidhet me vagonin e rradhës, përballë njeri-tjetrit ishin ulur njerëz të panjohur. Në ato pranë dritareve ndodheshin dy gra të moshës së mesme. Dy gra që u përkisnin botëve të ndryshme. Njëra prej tyre e cila do të bëhej protagonistja kryesore e ngjarjes, ishte vendase prej njërit të atyre fshatrave që shtriheshin përgjatë asaj rruge të hekurt. I pa hekurosur ndonjëherë pasi palët e dikurshme të saj ishin fare të pakta, mes zhubravitjeve në kohë, një fustan i gjatë i mbulonte të gjithë trupin deri në kërcinjtë e këmbës. Në sinkron me fustanin tek shihje mbi të zhdukjen e ngjyrave të dikurshme, edhe flokët e saj ishin lënë në haresë, në qoftë se do të quheshin kështu. Të gjata e të  lëshuara deri mbi supe. Fytyra e fshehur midis tyre do të shfaqte jo vetëm përhumbje por mos ekzistencë. Përreth, asgjë nuk i bënte përshtypje. Fytyra e saj ku e cila nuk mund të thuhej se ishte një e tillë, e mbushur me brazda e rrudha të shumta nuk shprehte asgjë. Pothuajse asgjë. Sytë, ku në fëmijëri zoti i kishte shfaqur ndoshta me të gjitha vetitë femërore, sot nuk kishin më të drejtë të zotëronin hapësirën e tyre. Buzët, tek i mbante të mbërthyera fort me njëra-tjetrën, të jepnin përshtypjen se përpara teje ndodhej një memece. Të krijohej një mos besim i madh nëse do të kishte aq fuqi sa t'i zhvendoste ato rrudha të shumta për të folur. Ndoshta do të kishte mundësi të shprehej me sinjale... Goja e saj, ku e cila nuk e mori ndonjëherë mundimin të reagonte ndaj diçkaje, vetëm në skajet më ekstreme shfaqte lëvizje të vogla. Ndjeheshin si lëkundje të një lavjerësi të padukshëm.

Çuditërisht, ajo ngjyra e kashtës së grurit tek fillon pas pjekjes të plotë të tij, ishte e përhapur në tërë qenien e saj. Në flokë, në fytyrë, në fustan e deri tek këmbët me ato sandale të konsumuara nga koha në aq sa shfaqeshin, ishin në një sinkronë që të krijonin ndjenjën e mëshirës.
Tjetra, ajo përballë edhe në qoftë se nuk do të ishte kryeqytetase, do të ishte banore e qytetit të radhës ku treni do të ndalonte. E veshur me uniformën tipike të asaj periudhe, ishin vitet 80-të, fund doku e bluzë e lehtë me mëngë të shkurtra. Jakë vogël  e hapur përpara me një komçë. Koloriti i uniformës do ta bënte tërheqëse. Flokë të zinj të prera shkurt. Të gufuar ata zbrisnin deri në mesin e qafës. Në ndenjëset krah tyre po udhëtonin dy të rinj të seksit të kundërt. Vajza ndjehej që ishte pak më e madhe se djali. Edhe ata të dy ishin indiferentë karshi njeri tjetrit.. Djali, nga çanta që mbante në krah kishte nxjer një libër dhe qe zhytur në brendësi të tij. Pasi u mor për një kohë me flokët e saj edhe vajza ra në heshtje absolute duke lundruar në thellësi të mendimeve të saj.
Treni kishte kohë që ishte shkëputur nga terminali. Intenerari i zakonshëm Tiranë-Fier. Zhurma ritmike e rrotave mbi shina nuk po i bezdiste pasagjerët e shumtë të ndodhur aty. Brenda vagonave ende qarkullonte ajër i pastër.  Në aq sa lejohej nga troku i rrotave mbi shina,  midis tyre, tek-tuk dëgjoheshin biseda të shkurtra. Tek ndalonte në stacionin e radhës, kondruktorët ata punonjës të përditshëm e të devotshëm ndjenin sikur në të hipnin e zbrisnin fytyra të njëjta. Po ata njerëz. Ishin çaste që mendonin kështu. Qytetarë e fshatarë. Nënpunësa të gjinive të ndryshme që ushtronin detyrën e tyre mbarë vendit. Njerëz të profesioneve të ndryshme e deri tek fshatarë, ata bujqë shtetërorë të rraskapitur. Universitarë e gjimnazistë. Udhëtimin me atë makineri gjigante, tek tërhiqte ata vagona të hekurt, të gjithë e kishin të nevojshëm. Heshtja ende nuk qe thyer.  Të gjithëve po u krijohej ndjesia se udhëtonin të vetëm në ato çaste. 
Shqisa e dëgjimit, e shikimit, e të gjitha ato ndjesi që bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellt me njera-tjetrën në atë që quhet instikt, tek të gjithë ata që ishin udhëtarë të përditshëm, në mënyrë të pa vullnetshme kishin regjistruar se në kilometrin X, pas stacionit të tretë, traseja së bashku me shinat deri në gjatësinë e një vagoni, kishin një luhatje në valëzim Pikërisht nga vagoni i parë dhe të tjerët me radhë u transmetua “urdhëri” për tu zgjuar  nga “gjumi” që i kishte zënë. Mes dialekteve të shumta që mbartnin ata njerëz, do të fillonin atë kartrahurë zërash ku jo vetëm që nuk do të respektonin kohën e njëri-tjetrit por me kënaqësi do të shfaqnin intonacionet e vetitë e tyre të veçanta krahinore. Si një fizarmonikë në duart e një amatori, duke mbajtur të njëjtin rritëm, do të vazhdonte e do të vazhdonte përgjatë atij udhëtimi gati pambarim. Të krijohej ndjesia se edhe tymi i cigareve të shumta tek po shkarkohej gati prej të gjithëve, ulej e ngrihej mbi kokat e tyre prej vokaliteteve të zërave të ndryshëm. Në grupe, do të fillonin të loznin domino ose me letra bixhozi. Pothuajse secili do të gjente formën për të përballuar atë udhëtim të gjatë. Dikush do të guxonte ta gllabëronte shpejt e shpejt ushqimin e pakët që kishte mar me vete. Të gjithë ishin të përgatitur për këtë procedurë serioze. Në kohë të ndryshme, mbi ato tavolina të vogla do të hapnin ushqimin dhe me endje do ta konsumonin atë. Dhe tymi i duhanit më pas, duke fishkëllyer pa zë, do të ri ngrihej furishëm mbi kokat e të gjithëve duke u luhatur poshtë kubesë të vagonit.
Në ndenjëset dyshe, gruaja nga qyteti, ato çka kishte mar për atë udhëtim vendosi t'i konsumonte. Në atë që mendonte se do ta kryente me qetësi, mbi tavolinë hapi gazetën duke shfaqur mbi suprinën e saj ushqimin. Dy feta nga ajo bukë 1kg. Pak djathë, disa kokra ullinj dhe një domate e vogël. Kishte edhe pak sallam. Për frut edhe një kokër mollë. Tek mendoi se po shihej nga bashkëudhëtarët nuk guxoi ta ngrinte kokën. Nisi të përtypej e qetë dhe e vetëdijshme. Në atë që duhej të shfaqej përpara të tjerëve, pothuajse ajo ishte “menuja” e zakonshme për të gjithë ata që kishin një rrogë “të mirë”. Treni vazhdonte duk-dukun e tij mbi shina. Të dy të rinjtë në formë të pa vullnetshme shkëmbenin ndonjë shikim të shpejtë midis tyre.  Aty tek përtypej, gruaja nga qyteti ndjeu dorën e tjetrës të zgjatej përpara. Nuk reagoi. Mendoi se mund të ishte veçse një zgjatje dore. Ngriti kokën dhe përballoi shikimin me të. Menjëherë pas asaj ajo afroi gishtin tregues drejt atyre që ndodheshin mbi tavolinën e vogël. –Ha edhe nga kjo. Edhe nga kjo. Pa u a zënë emrat atyre që po konsumonte tjetra, me fytyrë krejt të shpërfytyruar, duke kapërxyer në gurmaz lëngëzimet e mundshme të krijuara në ato çaste, i pëshpëriste përjetimin më të dhimbshëm të saj. Atë të urriturës. Të tre ata udhëtarë të panjohur të mbërthyer nga ai reagim ku në çastet e para i u duk qesharak, ulën kokën të dëshpëruar. Ç’farë mund të thoshnin. E ndjen edhe kur u çua. Në atë ikje, me shikim ende nga ajo, po vazhdonte ti tregonte asaj si mund të konsumohej ajo menu e bollshme. Nuk priti ti hapnin rrugën por kaloi midis tyre pa i bërë përshtypje fare. Ndërkohë sirena e trenit po lajmëronte mbritjen në stacionit të radhës.  


Πέμπτη 17 Μαρτίου 2016

PËRMENDORJA NË GIPS

                                             
Ishte i katërti vit që ai do të ndërhynte për mirëmbajtjen e asaj përmendore e cila në raport me përmasat njerëzore ishte tepër e lartë. Νë këmbë, e ndodhur në qëndër të një platforme të shtruar me pllaka guri të bardhë do të mbante në duart e saj sëbashku me pushkën edhe flamurin kombëtar. Aty, përpara saj në formë harkore, të sistemuara në shkallëzime në zbritje prehen eshtrat e dëshmorëve të rrethit. Μjeshtri hodhi i tmeruar shikimin mbi ato çarrje e gropa të “gangrenizuara” nga ndryshku i përhapur mbi skeletin e hekurt të saj. Pa të shohim nëse do ta shtysh edhe këtë vit mërmëriti ai. Dhe duke u mbështetur prej saj do të kthehej edhe ai me trup e shikim nga e kishte hedhur partizania përmendore, mikesha e tij e vjetër.
I ndodhur në krye të skelës, me kujdes si një kirurg nisi të prekte dhe të  pastronte “plagët” e shumta të saj. Tek hiqte copat e gipsit, të tepërtat, do ti kujtohej Gavroshi heroi i vogël i Viktor Hygoit duke shoqëruar të dy picirukët lypsar drejt shtëpisë së tij të çuditëshme, elefantit gjigand rreth 40 këmbë të lartë duke u futur nëpërmjet një të çare për të kaluar natën në brendësi të barkut të tij. Kjo ide e Napoleonit ishte bërë historike dhe kishte marë atë “vulë” të përherëshme që bënte kontrast me  pamjen e tij të jashtëzakonëshme e cila nuk dihej se ç'farë do të thoshte. Ndoshta ishte një farë simboli i forcës popullore. Ashtu ende i pa mbaruar i pistë e i zhgryer shfrytëzohej si vend strehimi prej endacakëve. Pas pastrimit të tyre, “të plagëve,” do të vendoste pjesën e re të hekurt. Më pas do ta qepte me tel hekuri të hollë dhe gipsin të bërë si melhem të tretur në ujë, të shoqëruar me elementët e tjerë lidhës, do ta shtronte butë deri sa ajo të merte formën e trupit të ndodhur poshtë uniformës të saj luftarake. “Legjionarët,” luftëtarët e fundit të mbetur gjallë, duke e kujtuar me nostalgji atë periudhë ende nuk mund të shkëputen prej asaj kohe, asaj lufte kombëtare të bërë afro gjysëm shekulli  më parë. Ndërkohë që popullit do ti mungonin shumë gjëra për të jetuar, simbolet e tilla dhe bunkierët do të ishin të shumtë. Ndoshta ishte i vetmi monument i mbetur në gips që nga koha e Republikës Socialiste i cili nuk arriti të përjetësohej në bronx. Po thuajse të njëjtin fat pësoi si elefanti i Gavroshit. Ndryshimi i sistemeve dhe rrebeshet e kohës do të binin mbi të dhe shumë shpejt ajo do të ndjehej e vetmuar. Njerëzit nuk ja kishin ngenë. Të gjithë duhej të vraponin për të kapur kohën. Kohën e humbur....
Andej, prej  lartësisë të shikimit të saj pasi ndodhej në një pozicion dhe largësi të konsiderueshme me qytetin, në heshtje ajo do të ndjente hallakatjen e pa fund të atyre njerëzve. Kohë më parë, në çdo festë kombëtare ata do ta blatonin me kurora e lule të freskëta. Aty përpara saj do të mblidheshin e do të këndonin për të, për ata njerëz që ajo përfaqësonte. Dhe nga ato që dëgjonte shpesh, nisi ta ndjej veten si diçka tjetër. Përse mos të kishte edhe ajo pak nga ato që kërkonin ende ata ish luftëtarë të lavdishëm që më të shumtit preheshin aty përpara saj. Apo mos ndoshta i përkiste një forme tjetër. Ideja se mund të kishte prejardhje hyjnore ishte një ndjesi e bukur që e ngacmonte shpesht. Por jo. Ishte e pamundur. Në fakt, ajo ata përfaqësonte.  Ishte pjesë e tyre. Aty tek përpiqej tu largohej ata i afroheshin. Përse duhej të mendonte e të ndjehej si një e tillë?!. E rëndë, me trupin e saj vigan, do të rinte aty pa lëvizur në pritje të atyre datave historike kombëtare. Të gjithë, më saktë populli, i ndarë në parti e grupe të ndryshme, do të kuptonin se kishin gabuar që kërkuan atë ndryshim “radikal” të cilin ende nuk po e kuptonin se ç'farë po ndodhte dhe do të përcaktonin ditë të ndryshme të asaj lufte çlirimtare.
Në ditën e dytë e punës, mjeshtri ende po merrej me mbylljen e atyre plagëve. Duke shtruar mbi trupin e saj shtresa gipsi të shumta për ti dhënë formën e plotë trupore, sikur ndjeu një zë. Sigurisht që ishte zë femre. Pas çdo prekje e shikimi që hidhte mbi të ndjeu ti vinin sinjale komunikimi. I u duk e pamundur. Hodhi një shikim të shpejtë rreth e rrotull. Poshtë, në platformën ku kishte mbështetur këmbët e saj të fuqishme partizania, nuk kishte njeri. As ata fëmijtë e lagjes të krijuar pas 90-tës që venin shpesh për të luajtur futboll të cilët, në ditët e vetmive ishin të vetmit që i bënin shoqëri. I u kthye punës. E ndjeu përsëri atë kërkesë prej saj. Duke shtruar me kujdes përbërësin e  bardhë, në ndjenjën tjetër paralele, jo reale por që nisi të  përjetohej prej tij, në të njëjtat tone u përpoq të komunikonte me të. “Më thuaj çfarë ke” i u drejtua ai aty tek punonte. Me dëshirën për të përjetuar marëzinë që e kishte kapur ndjeu ti përgjigjej i njëjti zë.  -“Lermë mos u mer më me mua. Është e kotë. Ja e zbukurove përsëri uniformën time. U a bëre qejfin atyre njerëzve po pastaj." I mbështetur në një prej hekurave të skelës, tashmë me një keqardhje e shumë ndjesirash të pakuptimta, ngriti kokën dhe hodhi shikimin prej saj. I u duk sikur ajo heshti si për ti shmangur ndonjë debati që mund të lindte midis tyre. Ηοqi shikimin prej saj dhe nisi të merej me enën e gipsit të ndodhur si rastësisht në duart e tij. Duhej të zbriste. Gipsi kishte ngirë. Si gjithmonë me shkathësinë dhe lehtësinë trupore të tij do të ndodhej poshtë, në çast. Në mënyrën më instiktive pastroi enën dhe me atë pluhur të bardhë përgatiti masën tjetër. Hipi lart. Duke menduar se ashtu siç po ngjitej në skelë mund të kalonte përsëri lehtë në atë që po e ngacmonte, nuk u habit tek i dëgjoi zërin. -"Të thashë njëherë, është e kotë. Nuk do ta kuptosh. Të paktën jo për mua por për ata të mjerë. Jam e kalbur nga brenda. Nuk do të jetë çudi që në ndonjë çast  sy ky që po afrohet, të rrëzohem dhe më pas as nuk mund ta imagjinoj se çfarë mund të ndodhë.” Ngirti përsëri kokën. Ai shikimi i saj i palëvizshëm ende vazhdonte të shihte përtej qytetit në horizont. Vërtet, ajo hapësirë aty përpara ishte e magjishme. Të krijonte ndjesira e turbullime të çuditëshme. Duke qenë i apasionuar pas antikitetit i u kujtua se në pika të tilla e në vendet më dominuese, vazhdimisht janë ngritur tempuj e statuja të kushtuara perëndive të ndryshme. Ndoshta edhe aty po të gërmohej pak mund të gjendej diçka. Dhe në vazhdimësi, në mijëvjeçarët tek kalonin, mbi rrënojat e tyre do të ngriheshin idhuj e perënditë e tjera. I u dhimbs. Në fakt, më tepër prej materialit gips që qe ndërtuar i cili kushtëzonte jetëgjatësinë e saj. Personit që merrej me zbukurimin dhe dekorimin e qytetit ja kishte shfaqur prej kohësh shqetësimin e tij. Nuk dihej se sa mund të qëndronte në këmbë ajo statujë. Por asgjë.
Mjeshtri i ndodhur në atë lartësi, ku pjesa më e madhe e torsit të saj ndodhej akoma më lartë kokës së tij, drejtoi shikimin prej saj. Portret interesant mendoi. Me vetulla tepër të harkuara, duke krijuar një hapësirë drite të bukur midis tyre dhe syve, sëbashku me hundën tek zbriste këndshëm mbi buzët e bashkuara, do të shfaqnin vendosmërinë e një luftëtareje të paepur. Poshtë kapeles me yllin partizan, flokët e mbledhura në dy gërsheta të hedhura mbrapa, do ti nxirnin në pah qafën.  U përpoq të komunikonte me atë krijesë gjigante por asgjë. I u kujtua përsëri elefanti prej gipsi. Mendoi se përveç gipsit, çfarë të përbashkët mund të kenë këto krijesa.

Ai libër me personazhin kryesor Gavroshin e kishte tronditur shumë. As vet nuk mbante mend se sa herë e kishte lexuar. Kishin kaluar shumë vite që nga adoleshenca e tij. I kujtoheshin shpesh vargjet e asaj kënge tek ai i këndonte kur mblidhte plumbat matanë barikadës  ..rash përtok, oh, unë i mjeri, dhe fajin e ka Volteri,/ te vija hunda më shkoi  dhe fajin e ka Rusoi.
U pëpoq përsëri të krijonte një lidhje midis partizanes përmendore me elefantin, Gavroshit dhe picirukëve të tij me fëmijët që loznin aty tek platforma të shtruar me gurë të bardhë por ishte e pa mundur. Duke lënë gjurmë historie në memorjen njerëzore, gjithë secili prej tyre e kishte mbyllur ciklin e jetës.