Τρίτη 5 Φεβρουαρίου 2019

NË NJË LAGJE TË QYTETIT TIM


                                    
Në anë të trotuarit, pranë shtyllës të betontë të linjës elektrike u dëgjua rrëshqitja dhe zhurma karakteristike e një biçiklete. Prej saj zbriti një djalosh në të kapërcyer të tridhjetepesë viteve. Me punën që ai bënte ishte i pari që jepte lajmin për ikjen nga jeta të ndonjë qytetari. Shumë pak qëndroi si emigrant duke u kthyer në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Tashmë ai punon në një zyrë varrimi si vendosës i lajmërim vdekjeve në shtyllat e betonta. Pleqtë e përditshëm të ndodhur në tavolinat aty pranë të kafenes së vetme të lagjes, tek kthyen kokën u ndeshën me shikimin e tij. Egërsia e shfaqur në atë fytyrë i hutoi ata. Më pas, vendit ku ishte lajmërimi i vjetër ai i kaloi një lyerje të shpejtë me kollë duke ngjitur një të ri. E përsëriti lëvizjen e dorës së tij sëbashku me furçën duke i kaluar edhe një shtresë mbi të. Kur i mbaroi të gjitha veprimet e ri hodhi shikimin mbi ta. Të hutuar, nuk shfaqën asnjë reagim. Jo vetëm egërsia por edhe fiziku i tij, gati u preu frymëmarjen ndërkohë ai kishte shaluar biçikletën dhe duke i rënë ziles së saj u nis.
Ata pleq, të përditëshmit e asaj kafeneje, ishin nga banorët më të hershëm të lagjes. Erdhën aty rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar. Kishin të njëjtin mbiemër. Pa shkollë dhe zanat por u përshtatën shumë shpejt me vendbanimin e tyre të ri. Duke qenë fis i madh e tërhoqën njeri-tjetrin duke u shkëputur më së fundi nga ai fshat tepër malor dhe i vështirë për të jetuar. Nuk e shuan natyrën dredharake por e shfrytëzuan më së miri. Disa prej tyre, për të mbajtur një vend pune të mirë, u vunë në shërbim të atij institucioni të egër që mbante në këmbë diktaturën e proletariatit. Historitë që tregonin aty tek pinin kafen e ndonjë teke rraki, ishin gati të njëjtat. Histori personale gjatë ndërtimit të socializmit por edhe të periudhës të luftës së dytë botërore ku ata të paktën do të ishin në atë kohë 2-3 vjeçarë. Të fundosur ose më saktë të kërrusur në ato karike tek shihnin ndonjë kalimtar që mund ta njihnin, duke e shoqëruar me shikim në ikje do ta përgojonin në biografi si dikur. Në vazhdim të atyre ditëve, tek po kalonin orët e mbasdites e dëgjuan sërisht zhurmën e asaj biçiklete. E panë të zbriste prej saj. Në formën më instiktive të tyre po prisnin reagimin e radhës. Ata ndjenë sytë e tij të ndaleshin një për një mbi kokat e tyre. Më pas ai u drejtua nga biçikleta. Tek po ikte e detyroi zilen e saj të kërciste pa ndërprerje për disa metra rresht.
Të nesërmen, vendosjen e lajmit të ri tek shtylla pranë kafenesë, ai e planifikoi në orën më të përshtatshme që i shërbente qëllimit të tij. Ata pleq, të zhytur në pikëllim po prisnin me ankth ardhjen nga çasti në çast të lajmëtarit të vdekjes. Dikush që kishte gotën e rrakisë në dorë, për t'u siguruar se mos i derdhej nga ajo që po pësonte, e uli mbi tavolinë. Të gjithë, të urtë dhe të vëmëndshëm po ndiqnin çdo lëvizje të tij. Në atë përballim, dikush prej tyre vuri pëllëmbën e dorës mbi gojë me frikë se mos lëshonte ndonjë thirrje. Shkëlqimi i syve të lajmëtarit të vdekjeve i shoqëruar me harenë në fytyrë i çarmatosi ata të mjerë. Ai zbriti prej biçikletës duke u drejtuar nga shtylla. E mbuloi me kollë lajmërimin e vjetër dhe pasi e shtroi fortë me dorë të riun, i kaloi edhe disa herë furçën mbi të si për t'u siguruar se ai nuk do të kishte mundësi të lëvizte prej andej. Ata tek pëshpërisnin, kishin shpresë se shpirti i shokut që tashmë u mungonte, mund të kishte shkuar në xhenet por fishkëllima e asaj gome biçiklete në ikje e sipër i përmendi. Xhebrahili ishte ende vërdallë tyre.  Më pas ai kaloi disa herë prej asaj rruge por pa e kthyer kokën. Kaluan dy ditë kur u rishfaq përsëri. Tashmë për dy përkujtimore. Pasi mbaroi punën tek shtylla u drejtua prej tyre. Lëvizja e shikimit të tij gati sikur vërtetoi atë që mendonin ata kohët e fundit. Dikush ngriti dorën me gishtin përpjetë si për të thënë diçka por e uli shpejt. Duke i u marë goja i tha se ai që mungonte ndodhej i shtruar në spital me infrakt kardiak. Si dhuratë prej xhebrahilit ai mori veçse zgërdheshjen e rradhës.
Ngjitësi i lajmërim-vdekjeve pas dy ditësh kreu veprimin e përhershëm të tij. Njeriu që do të shfaqej me emër dhe fotografi në atë lajmërim ishte i sëmuri nga zemra. Në fytyrën e lajmëtarit gati profesionist, dhe i vetmi i qytetit, nuk mund të kuptoheshin qartë nuancat e emocioneve që po kalonte. E ndodhur diku aty pranë, e zonja e lokalit një grua në moshë dhe e vjetër në qytet, tek hodhi shikimin e saj mbi të shfaqi një dëshirë për t'i folur por u tërhoq duke u larguar prej andej.

DHE ËNDËRAT MBAROJNË SHUMË SHPEJT


Tek po flinte një dritë e fuqishme  i u përplas me forcë në fytyrë. Pas asaj ai e pa veten të ulur në të ndënjura buzë krevatit. Si fillim ishte i vetmi veprim më  i shpejtë që mund të kryente pas atij çasti të frikshëm. U përpoq të ambientohej. Hodhi shikimin përreth dhe megjithëse ndodhej në dhomën e tij të gjumit, gjithçka i u duk e huaj. Aty jashtë përtej masës së madhe të xhamtë të dritares ndjehej të çelej dita e re. E riktheu shikimin në brendësi të dhomës. Në krahun e djathtë të tij nga aty ku qe ulur, në komodinën e ndodhur buzë krevatit, i rënë mbi të, ndodhej abazhuri me pjesën e qelqtë të thyer. Ai fakt nuk i bëri përshtypje megjithëse e admironte sa herë ndodhej përballë atij poçi të dekoruar bukur.
Ashtu siç ishte, i ulur në krevat me brylat e mbështetur mbi gjunjë dhe pëllëmbët e duarve mbi fytyrë po përpiqej të kapte shkakun, arsyen që ndodhej në atë moment të vështirë. Por nuk mundi të arsyetonte për asgjë. Në ato çaste për të koha gati kishte ndaluar. Koha?! Cila kohë?! Dhe sa mund të zgjaste ajo. Ja, sa të kalojë edhe njësia tjetër kohë i tha vetes. Në fakt në trurin e tij në ato çaste nuk artikulohej asgjë përveçse asaj buzëqeshje të hidhur që i kishte ngirë në cep të buzës disa minuta më parë.  I shkoi ndërmend të shtrihej por, po të mos ta zinte gjumi ose në se  do të flinte, më tej  do të zhytej në ëndërimet e tij të pafundme. Ai kishte një veti tepër të veçantë ku arinte ti mbante mënd shumë mirë ëndrat, gati me imtësinë më të vogël. Kishte një pjesë të tyre që nuk kishin më interes për të kështu që ai i haronte shumë shpejt. Kishte raste që ato i rishikonte por me ndryshime të vogla ku thelbi i tyre ishte i njëjtë.  Në to ai shtronte zhvillimin e më tejshëm të cilësive të tij për aktrim. Dhe ishte tepër i bindur. Çdo ditë ende pa filluar  veprimet për ditën e re do të dilte përpara pasqyrës që i kalonte lartësinë e trupit dhe nga garderoba do të tërhiqte kostumin e personazhit të rradhës. Ja, aty përpara,  brenda asaj palltoje të madhe i shfaqej vetvetja tepër krenare me mjekrën dhe atë krifë flokësh të dëndur të dallgëzuara mbi shpatulla e deri tek balluket mbi ballë duke imituar lëvizjet e tij. Dhe të dy më perfekt se vëllezërit binjakë do ta përsërisnin disa herë pjesën. Të paktën për dy arsye. E para se ndjehej që diçka nuk po shkonte mirë dhe e dyta gjatë aktrimit do të ndodheshin në dy pozicione, nga protagonist në kritik të asaj që luhej prej tyre. Në fakt ishte disi e ngatëruar për të, por ai kishte besim tek vetja. Koha më e gjatë e këtij procesi ishte mbasditja. Do të punonte fuqishëm. Dhe i thoshte shpesh vetes se kishte bërë mirë që nuk kishte lidhje me ndonjë femër pasi do të konsumonte shumë kohë me të.
I  ndodhur ende buzë krevatit, tashmë as nuk i shkonte ndërmend të shtrihej. Ishte ende herët. Aty jashtë dritares natyra shfaqte gati të njëjtin çast. Para pak kohe ndjeu një moment tepër të vështirë që kishte të bënte me atë që ai e kishte qëllimin kryesor të jetës së tij, se çfarë ndodhi me të në atë përjetim. I u kujtua e gjitha fije për pe. Gati të gjitha rolet që ai kishte improvizuar. I mbusheshin duart nga DV-të e shumta. Ishte gjë e bukur. Po pra, kishte qenë në ëndër duke luajtur personazhet e tij të preferuar. Më tej do ta zinte gjumi i lumturuar. Aty ndodhi çudia. Nga humbja e gravitetit mëndësor i cili si proces kishte kohë që po zhvillohej brenda tij, ndjeu një si fluturim të shpejtë tek po kalonte në hapësirën kohë të ëndrës tjetër. Ishte fatlum, tashmë ndodhej përpara kamerave. Aty pranë grimierë, operatorë, kameramanë po bënin gati momentin e shumë pritur. Dhe çasti solli atë që nuk mund ta imagjinonte, shkatërimin përfundimtar të tij. Shpërthimi i fuqishëm i një projektori gati e verboi. Gjithçka ndryshoi shumë shpejt. Aty ndjeu trupin ti rrëshqiste dhe të rikthehej në ëndrën e parë me shpejtësi dhe brenda asaj kohe u soll si i marrë për atë që humbi. Si gjithmonë, ëndërat mbarojnë shumë shpejt mërmëriti nëpër dhëmbë. I rihodhi një shikim të shpejtë dhomës. Tek u ndesh me abazhurin mendoi se do ta kishte rrëzuar vet, se si kishte ndodhur nuk mundej ta kuptonte.
U ngrit prej krevatit duke ardhur vërdallë nëpër dhomë. U ndodh përpara pasqyrës. Në fytyrë nuk pa asgjë të shëmtuar por ndjeu pavendosmërinë e tij për atë çka bluante në kokë. Tashmë kishte filluar lufta për atë që kishte kohë që bluante.



Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2018

VARRET ANTIKE NË PËRPARIM (SHËN VASIL)*


Lakua kushëriri i  N.Dhimës më kishte thënë disa herë se mbrapa shkollës bujqësore në fshatin Përparim* aty ku nxënësit bëjnë ushtrimet gjimnastikore kishin parë copa qeramike. Dikush kishte gjetur edhe monedha të vjetra.

Aty shkuam mbasdite pasi ishte më e mundëshme të punonim të qetë Mësimi mbaronte në orën  1-1.30  dhe nuk do të kishte nxënës e mësues. Ishte gati fundi shtatorit. Që me vështrimin e parë mbi sipërfaqen e dheut, shihje copa qeramike enësh e tjergullash, ku me të cilat nuk mund të krijoje as edhe një fragment të vetëm, por në bazë të brumit të tyre dhe të ngjyrës, vërtetoje se kishe të bëje me një objekt arkeologjik.
Filluam të bënim një sondazh në një metër katror. Dheu ishte shtufor dhe pjesërisht i shkrifët. Po zbulonim një varr në formën e një arke i cili ishte ndërtuar me rrasa guri gëlqeror. Anësoret ishin në gjendje të mire, ndërsa ajo që shërbente si mbulesë mjaft e dëmtuar.
Varri kapte përmasat  2m gjatësi dhe 0.80m gjerësi. Orientimin e kishte lindje perëndim me një shmangje të vogël nga jugu. Gjatë gërmimit, në brendësi të tij, përveç skeletit gjetëm objekte që shoqëronin të vdekurin .
-Dy  kandila në trajtë disku, lëfyti i të cilave dilte horizontalisht. Sipëfaqja e jashtme e tyre ishte e lyer me vernik të zi. Madhësia e tyre shkon 10cm gjatësi dhe 3.5 cm gjerësi. Të tillë kandila kemi gjetur  edhe më parë në zonën përreth si në Bajkaj, Matomarë e Finiq, të cilat i datohen shek. lll-ll p.e.s.
-Shishe prej balte (lotore) ku trupi i saj kishte një formë të përzgjatur me qafë të gjatë e me fund të hollë unazor. Ajo kapte lartësinë 9.2 cm.
-Një enë balte me përmasa të vogla 2.5 cm lartësi dhe 2.3 cm gjerësi. Kishte trajtë bikonike  ku pjesa e sipërme është më e gjerë se fundi . Ajo përbëhet prej një brumi të pastërt, okër në roz. Gjithashtu, aty brenda gjetëm edhe shume parete enësh tepër të dëmtuara.
Duke parë me kujdes materialin e gjetur dhe duke e krahasuar me varret e gjetura në perëndim të kodrës së Finiqit, kodrave të Volloderit si dhe në fushën që shtrihet në juglindje të fshatit Bajkaj, kanë një ngjajshmëri të madhe. Ato u datohen shekujve lll-ll p. e s.
Pra, Sofokliu mendon se, objektet që zbuluam, janë pjesë  të një nekropoli që i kushtohen një vendbanimi të hapur i cili është  populluar prej shekullit të lll p.e.s. deri në shekullin e l e. sonë.
 Nga ana lindore, në anë të buzës, ku prej andej shihet Finiqi dhe gjithë hapësira përreth, vurëm re rrënojat e një ndërtimi të cilat dilnin fare pak mbi sipërfaqen e tokës. Ajo mund të kishte qenë një fortifikatë ose kullë vrojtimi. Me gërmime fare të lehta mbi sipërfaqen e saj gjetëm dy llulla duhani të periudhës së Ali- Pashës.** Më pas objektet e gjetura i mblodhëm me kujdes dhe të nesërmen i çuam në qendrën arkeologjike në Sarandë.
                                                                                                  Shtator 1983                                                                         

*   Emri i tij i vjetër Shën Vasili
 
** Sipas shënimeve të konsullit francez Pukëvil pas nënshtrimit të bregdetit Ali-Pasha në Shën-Vasil ndërtoi një kështjellë ku pjesët më të shumta të saj ishin të ndërtuara me plithar e dru. Mendojmë se ato themele duhet t'i përkasin një kohe më të herëshme.

        



MANASTIRI I MESOPOTAMIT


        Më kishin mbetur si dy momentet më interesante sa herë që udhëtoja me autobuzat e Ballshit ose      të Gjirokastrës. Mëngjesi në të gdhirë dhe buzëmbrëmja.
Sa mer kthesën në kryqëzimin e Kranesë, për gjatë rrugës tek kthehesh majtas, në thellësi, në horizont të shfaqen konturet e Manastirit të Mesopotamit. Si në një skenografi gjigande, tek çajnë ajrin, rrezet e para të mëngjesit, në mes të fushës lartëson konturet e tij manastiri i famshëm. Edhe kur kthehesh nga Ballshi, sidomos në dimër, pasi konçidon me perëndimin e diellit, të njëjtat ndjesi më krijonin. Mëngjeset në të gdhirë dhe buzëmbrëmjet ose më saktë muzgjet pasi i shkon më për shtat,  si shprehje.
Manastir baraz me muzg. Jo në kuptimin ateist por në konceptin e kohës, si diçka që largohet në mugëtirë.  Mos funksionimi i tij. Për të gjitha këto para disa vjetësh e kisha hedhur në telajo atë moment, ato dritë-hije mëngjesi.
E kishim vendosur në program që t'i hidhnim një sy zonës për rreth dhe vetë manastirit. Si zakonisht vetëm të dielat shfrytëzonim pasi ishim në punë. Sëbashku me Sofokliun hypëm në karrocerinë e një saureli, vendet përpara ishin të zëna. Ishin të vetmet automjete të shpeshta që qarkullonin në atë zonë. Ato bënin ngarkesë në Minierën e Kripës dhe shkarkoheshin në Portin e Limionit tek kapanonet që ishin ngritur posaçërisht për të. Zbritëm tek ura që ndodhet pak më poshtë Hidrocentralit nr.2. Kaluam në rrugën e krijuar nga rrotat e automjeteve bujqësore dhe prej këmbëve të fshatarëve. Lluca, e krijuar nga shirrat e rënë ato ditë na e kalonte syrin e këmbës. Kaluam ujin e pakët të përroit i cili derdhej në kanalin e madh të hidrocentralit. Morëm të përpjetën e cila ishte punuar në brazda të mëdha. Edhe aty me vështirësi  i hodhëm hapat duke dalë në krye të saj. Përpara nesh u shfaq manastiri.
Ai ngrihet mbi sipërfaqen e një kodre ose më saktë e një ngritjeje ë konsiderueshme midis dy shtretërve të lumit Bistricë ku prej andej zotëroje gjithë hapësirën përreth saj. Kapërcyem rrethimin nga ana e vorrezave i cili është pothuajse krejtësisht i shkatëruar. Ai kap një gjatësi rreth 100 m dhe gjerësi 80 m. Dikur përgjatë tij ngriheshin 7 kulla drejtkëndëshe të cilat sot janë krejtësisht të rrënuara. Ai i përket mjesjetës së herëshme. Është tipik bizantin dhe nga më të rrallët në Shqipëri. Vizitorë dhe specialistë të ndryshëm europianë e kanë parë atë.
Manastiri është vlerësuar si Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti. Përveç tabelës që ndodhet mbi portë ka edhe një kujdestar që meret me të.
Mbrapa nga ana e djathtë, kur je përpara kishës si orientim,  me mundim kaluam në brendësi të tij nëpërmjet një dritareje të vogël pasi dera ndodhej e mbyllur. Megjithëse nga të gjithë manastiret që kemi parë është më i mbajturi edhe ai është i dëmtuar.
Shumë figura shënjtorësh janë të lyera me gëlqere. Dekoret e kollonave gjithashtu, janë të mbuluar po nga gëlqerja. Ikonostasi ishte në gjendje të shkatërruar, me gjithë atë ai mbahet ende në këmbë. Ajodhima në shesh, mbi pllakat e gurit kishte  kavanoza të sajuara si kandila. Kamaret e vogla që ndodhen në të dyja anët e saj ishin të nxirra nga tymrat e kandilave. Në një cep të saj gjetëm disa libra meshe, të cilat i lamë po aty. Dyshemeja e sallës së meshës ishte shtruar me pllaka guri të cilat nuk e ruanin mirë nivelin e tyre.
Dolëm duke e parë me kureshtje atë ndërtesë mesjetare. Për ndërtimin ishin përdorur edhe blloqe gurrësh antikë. Në të katërta faqet e saj shikoje fragmente dragonjsh në reliev, të gdhendura në gurë gëlqeror. Gjithashtu edhe tulla e kuqe ishte përdorur si element dekori e cila si karakteristikë i përket  periudhës romako bizantine Si ndërtesë është e mirëmbajtur të cilën e tregonte edhe çatia pasi është e restauruar.
Përballë kishës ndodhen rrënojat e pjesës tjetër të manastirit. Megjithëse e    dëmtuar, kambanorja qëndronte ende në këmbë e cila shkon afër në 10 m lartësi. Në krye të saj ende qëndron një kambanën. Mjediset e tjera ishin të shkatëruara. Vetëm fragmente muresh të fasadës së jashtme qëndronin në këmbë të cilat kapnin 3m lartësi
Në anën jug-perëndimore, përballë kishës ndodhej porta. Mbi të harku i madh mbështetej në murin rrethues. Rruga për të shkuar në manastir ishte  sajuar nëpërmjet tarracimeve pasi e detyronte terreni në ngritje ku është ndërtuar ai objekt kulti, manastiri.

                                                                                                                                                                         Tetor 1981








Κυριακή 21 Οκτωβρίου 2018

VEÇ SE... PAK KËRKONTE


       Me atë temporitmin e përhershëm të lëvizjeve trupore të tij të ngadalësuara, tërhoqi me majat e gishtrinjve disi mbi gjunjë pantallonat, dhe duke u ulur u mbështet në shpinoren e karikes. Pasi u bind se zuri vend mirë, bastunin që nuk e ndante as edhe një herë prej vetes e vendosi midis këmbëve. Edhe shikimin që hodhi përreth, mes asaj ngadalësie e zhvilloi. Pas të gjithave tek ai u ndje hapur indiferentizmi i tij ndaj gjithçkaje që po kryhej aty. Lëvizjet e njerëzve ku më të shumtit ishin të rinjtë, muzika rritmike dhe zhurma e mjeteve tek kalonin në rrugë nuk e shqetësonin fare. Me gjithëse qe mbështetur krejtësisht me shpinë e të ndënjura në atë karike të bollshme, ende i ndjehej kërrusja e përherëshme e trupit. Edhe në qoftë se do të deshte të shihte ose të komunikonte me tjetrin të ndodhur diku pranë tij, me dy gjysma lëvizjesh si fillim të kokës pastaj të syve, do të mundohej të hynte në lidhje me të. Në atë moment lëvizja e tij e rradhës ishte paketa e cigareve me çakmakun të cilat i vendosi mbi tavolinë.  Mes atij rritmi do të shkonte deri në ndezjen e cigares duke kryer thithje të lehta. Edhe tymi tek po vërtitej rreth fytyrës së tij, ishte i ngadaltë duke u shfaqur në disa fjolla të lehta të bardha. Në atë pritje ose më saktë përhumbje gati të pa kuptimtë nuk ndjeu praninë e kamarjeres, veçse  ato dy këmbët e saj aty përpara e bërën të reagonte. Tek po ngrinte kokën, me shikimin gati të turbullt u përpoq të komunikonte me të por u step. Një dritë e bukur u shfaq në fytyrën e tij. Ajo lloj tronditje që pësoi kishte kohë që nuk ekzistonte tek ai. Me një lëkundje të lehtë të dorës  i kërkoi asaj ti afrohej më pranë. Mes kërkesës në tone të ulëta e të copëtuar midis dhëmbëve për kafen tradicionale dhe gotën rrakisë, në atë afëri trupore me të ndjeu aromën e saj femërore. U përpoq të përqëndronte shikimin tek ajo por nuk mundi. Në fytyrën e tij lëvizje të lehta po i shfaqeshin. Në sytë, në cepat e buzëve të mbërthyera fort e deri në lëkundje të lehta të kokës si për të krijuar drejtpeshimin e ndjesive që po  zhvilloheshin  brenda tij. Kamarierja, ajo bukuroshe e cila tronditi, ose i dha një ndjesi më të bukur të jetës atë mëngjes ku të paktën nga jashtë ashtu mund të kuptohej po i qëndronte ende përballë dhe pa i shpjeguar se çfarë i kishte ndodhur, i fshiu hirin e bardhë të cigares të rënë mbi pantallona. Ndërsa reagimi i tij i pa ndërprerë ishte veçse përqëndrimi mbi atë fytyrë. Do të ishte zëri i saj që do ta “zgjonte” i cili ishte miratim i kërkesës. Ai e shkëputi shikimin prej saj dhe në formë instiktive të tipit që konsumon duhan, u përpoq të kryente atë veprim të përhershëm. Por cigarja i ishte fikur. Duke e kuptuar se nuk kishte se çfarë të kryente më pasi edhe ajo kishte ikur, zuri pozicionin e përhershëm, kërrusjen e trupit.
 Përsëri do të ishte prania e saj që do ta sillte në kohë atë njeri. E mbështeti ndjenjën e tij mbi atë fytyrë dhe nuk u përpoq ta largonte prej andej, ndërsa ajo pasi sistemoi mbi tavolinë rrakinë, kafen, tavllën dhe paketën me çakmak hodhi shikimin e saj mbi të. Pas buzëqeshjes  dhe të atij urimi të përhershëm karshi klientit për ta shijuar atë moment, u largua.
Duke konsumuar kafen dhe rrakinë mendoi se e teproi. U përpoq të ndiste cigaren por nuk mundi. Me një lëvizje dore e thërriti kamarjeren. Pasi mbështeti mirë skajin tjetër të bastunit në trotuar, dhe duke i dhënë forcë trupit për tu çuar i kërkoi ndihmë. E mbështeti dorën mbi pëllëmbën e saj me dëshirën për ta mbajtur sa më shumë, sa më shumë. Kamarierja në përpjekjen e saj për tu shkëputur, ndjeu zërin e tij në të shuar ti kërkonte, t’ja mbante edhe pak dorën.

Κυριακή 30 Σεπτεμβρίου 2018

VARRET ANTIKE TË MURSISË


        
  Vjeshta kishte filluar. Ishte koha më e mirë për eksplorim. Kur më krijohej mundësia, tek Sofua shkoja  edhe në mes jave. Kishim planifikuar që ti hidhnim një sy fushës së Vrinës. Do të fillonim  nga buza e liqenit, në rrënojat e akuaduktit romak, dhe do të vazhdonim të ecnim sa të mundeshim. Kaluam matanë lumit me lundrën dhe morëm monopatin përgjatë tij. Me një shkop që mbanim në duar, nuk linim asgjë pa e prekur dhe pa e kthyer përmbys. Në atë zonë nuk ka centimetër katror të nëntokës të mos të ketë gjurmë të jetës së hershme të njeriut. Ndoqëm linjën e akuaduktit sa do pak shfaqej ai mbi tokë.
Kur je me shikim nga Konispoli, nga krahu i majtë  ka disa të ngritura  të buta  nga rrafshi i fushës së Vrinës (Kestrinës). Me intuitën që na ishte krijuar prej kohësh, menduam se nuk do të dilnim bosh. Dhe me të vërtetë në sipërfaqen e njerës prej tyre e cila ishte dhe më e larta, ramë në material të pasur arkeologjik. Aty ndodhej një grumbull varresh, më saktë një varrezë. Orientimi i tyre  ishte pothuajse jugperëndim. Duke ndjekur linjën e pllakës pasi kishte dalë në dritë një cep i saj e pastruam dhe e ngritëm lehtësisht prej andej. Ajo qe thyer më dysh diku atje nga mesi i saj. Skeleti që ndodhej brenda ishte i pa dëmtuar dhe i plotë me shikim nga lindja. Nga të dy anët e tij ai qe i shoqëruar me enë balte të punuara hollë në brum të pastërt të cilat kapnin lartësinë 12cm, dy lotore po thuajse në ato përmasa, ku njëra ishte  në gjëndje shumë të mirë e me përafërsi në ngjyrë të kaltër.Tjetra, qe e thyer dhe copat e saj ndodheshin po aty. Gjithashtu ndodheshin edhe dy kandila të plotë balte  në trajtë disku me lëfyt horizontal të dekoruar me figura gjeometrike. Edhe pjesët anësore të arkës ishin monolite me nga një për seicilën anë të cilat kapnin afro 10cm trashësi. Të dyja pjesët e thyera të kapakut i rivendosëm në vendin e tyre dhe e rimbuluam varrin me dhe. Objektet e gjetura i morëm me vete dhe i çuam në Butrint. Si gjithmonë Dhimitër Budina do të ishte tepër i interesuar. Materiali i u duk me interes dhe na kërkoi që të nesërme ta çonim tek varret.
Nga vëzhgimi që u bë të nesërmen, vendosën të kryenin ekspeditë të rregullt. Pas një jave një grup i përbërë prej 3-4 vetash të udhëhequr nga Dhimosten Budina e Çondin sëbashku me ne, rreth orës 8-të u ndodhëm aty. Pasi formuan dy kuadrate 2x2 pranë njeri tjetrit nga ana perëndimore e saj, filluan gërmimet. Ato vazhduan dy ditë dhe në dritë dolën katër varre. Të nesërme punimet duhej të fillonin që herët dhe u detyruam të flinim në kalanë e Butrintit. Aty në krye të kalasë të rindërtuar, Ugolini shkruajti historikun e gërmimeve dhe ditaret e tij. Duke “fjetur”në një nga kolltuqet që ndodheshin përballë oxhakut të madh dhe i sulmuar nga myshkonjat e shumta me vështirësi e kalova natën. Në të gdhirë fillova të dremitja pak me gjithë atë së bashu me Çondin e Sofon, të cilët edhe ata ishin si mos më keq nga pickimet e tyre, zbritëm poshtë me vrap.
Ora 8.30 - 9 na kapi tek vendi. Puna qe e pastërt pasi punohej brenda varreve. Me gjithëse në të shumtën e rasteve vëzhgoja, ndihmoja në spostimin e dherave jashtë tyre. Pasi i fotografuan me rradhë në vendodhje dhe hodhën skicat e tyre në letër, sëbashu me skeletet dhe objektet e gjetura aty i vendosën nëpër arka. Në fund pllakat e sipërme i rivendosën  në vendet e tyre duke i mbuluan me dhera për të mos u dëmtuar varret.
Mbasditja kishte kaluar. Unë e Sofua ikëm të parët pasi nuk kishim se çfarë të bënim më aty dhe më e keqja ishte se kishim që nga darka e djeshme pa ngrënë.
       Nga lundra deri në Ksamil ecëm me këmbë. Në atë orë nuk kishte qarkullim automjetesh. Filluam ta ndjenim më shumë lodhjen jo vetëm se kishim udhëtuar gjithë ditën  por, po na gryente urria. Në kthesat, para se të shkosh në Ksamil mbi rrugë e nën të, midis ullinjve kishin mbjellë qepë të njoma. Shkulëm nga një dorë seicili, dhe rrugës duke ecur e duke shpresuar se mos kalonte ndonjë makinë, filluam ti përtypnim.  Duke qeshur, e duke fshirë lotët nga djegja që na shkaktoi ajo, pamë  njeri tjetrin në sy  e ja nisëm refrenit të një kënge që këndohej  nga rinia e aksioneve:

                                             Nëpër faqe shpate mali
                                             Neve gjetëm lumturinë


        Deri në Ksamil rrugën e bërëm me këmbë. Aty nuk pritëm shumë na mori një Zis nga të Parkut të Mallrave të Sarandës.


                                                                                                   10 Shtator 1980
                                                 



Σάββατο 25 Αυγούστου 2018

SHPELLA E LIMJONIT



 Në shpellën e Limjonit kemi zbritur disa herë me Litin, Sofokliun me mikun e shokun tim që nga fëmijëria e hershme. Për herë të parë në vitin 1973. Hera e fundit ishte ajo e vitit korik 1982. Përshtypjet e mija në bllok, më të shumtat janë emocionet e vitit 73 pasi ai ishte gati kontakti i parë me botën e nëndheshme. Vendosëm t'i bënim një përshkrim të saktë pasi na u duk me interes.
      Ajo ndodhet në gjirin e Limjonit, mbi kapanonet  e Kripës. I pari në krahun e majtë të rrugës kur zbret për në port.  Në një lartësi prej 20m mbi nivelin e detit. Hyrjen e ka pothuajse horizontale midis shtresave të shkëmbit gëlqeror dhe bimësisë mesdhetare që ndodhet përreth. Ka formën e një rrethi të copëtuar me përmasa  1.9 X 1.6 m.
 Shpella, nga hyrja  deri në dysheme ka  formën e një pusi me thellësi 9m ku  ku tabani i të cilit është i mbushur me copa gurrësh e pleh. Zbritja për në brendësi ishte e lehtë. E lëshuam litarin duke e lidhur në hyrje të saj tek një rrënjë peme. Njëri pas tjetrit duke u mbërthyer fortë me të dyja duart pas litarit, dhe duke përplasur lehtë këmbët pas faqes shkëmbore shkelëm shpejt mbi dysheme. Mundëm të orientoheshim lehtë me ambientin pasi kishte dritë të mjaftueshme nga e çara e hyrjes që ndodhej mbi kokat tona. Aty bëra fotografinë e dytë (A) pasi tek e para është hyrja e saj. Me një shikim të shpejtë vurëm re se ajo kishte dy drejtime. Nga verilindja e cila nuk vazhdonte shumë dhe nga jugperëndimi.(B) Gjithmonë orientimin me busull e bënte Sofokliu. Pas një gjatësie 3.5m vurëm re se nuk vazhdonte më. Ajo bllokohej nga faqet shkëmbore të saj dhe nga një numër i madh stalaktitesh të cilat zbresnin nga tavani. 
 Dyshemeja aty vinte ne zbritje deri ne 25’ dhe përbëhej prej gurrësh dhe plehu. Vurëm re se temperatura e ambientit ishte  19” C, ndërkohë  jashtë është 26” C.

 
Drita e elektrikut, në pjesën juglindore zbuloi një të çarrë (galeri) në formë gjarpërore. Me vështirësi të madhe zbritëm. Ishte një e çarrë vertikale gati piramidale me përmasa 1m lartësi dhe 0.90m gjerësi ku në kreun e saj gati mblidhej në qendër. Ajo zbritje ishte si një shkallë natyrale por  me shkelje larg njera tjetrës. Pas asaj zbritje të vështirë pasi duhej të përdornim majat e këpucëve, zbritëm në fund të saj. Lartësia e asaj zbritje kapte 2m. Në krahun e majtë pasi ndodheshim përball saj, ndodhej i sfinosur një tub metalik 0.50cm i ndryshkur i cili kalonte mbi 2m. Gjatësia e kësaj galerie shkonte 4m dhe pjerrësia pothuajse kapte  30 gradë. Me ndriçimin e elektrikut vurëm re lartësinë e tavanit i cili ngjitej përpjetë në formë piramide. Lartësia e tij shkonte nga 3m deri ne 6.5m. I gjithë ambienti ishte i veshur me stalaktite të madhësive të ndryshme. Edhe këtu dyshemeja është e shtruar prej gurësh e plehu. Në faqet e shpellës vurëm re një numër të madh merimangash të madhësive të ndryshme  Në mbarim të ambientit aty ku gjarpëronte  pjesa tjetër e galerisë, fill në depozitimin e ujit, djathtas në lartësinë afër 2m ndodhej i varur një skelet njeriu. Copa e telit që përshkonte qafën e të varrurit, skeletit, ganxhohej në një stalaktit i cili pasi dilte nga faqja shkëmbore kthehej po aty duke krijuar kështu një mbërthesë natyrale të fuqishme.
  Qetësia absolute brenda shpellës dhe skeleti i varrur, na trembi për një moment. Duke ngritur kokën lart, ne tavanin e saj na mahniti bukuria. Me qindra stalaktike të madhësive të ndryshme varreshin prej saj. Vetem me inisiativa të tilla mund të shijosh bukuri të tilla. I shkuam fare pranë skeletit. Vetëm kocka, që nga koka  e deri te këmbët. Zmalti midis tyre i kishte mbajtur ende të bashkuara të gjitha pjesët kockore të tij. Ajo ngjyra e bardhë e tyre më tronditi. Instiktivisht me të dyja duart preka trupin tim si për të vërtetuar se ai nuk ishte skeleti im. Nuk e di më mbeti  në mendje për shumë kohë. Kishte një bardhësi të çuditëshme. U sugjestruam. Të paktën unë e humba për një moment jo se u tremba, por ishin momente jashtë logjikës, jashtë jetës së përditëshme. Përballimin për herë të parë me një skelet njeriu dhe në një shpellë. Sofua si gjithmonë, më i guximshëm nga unë e preku me dorë dhe e gjithë ajo pamje ra në errësirë. Ishe një prekje fatale pasi nuk mbeti as edhe një pjesë e bashkuar, edhe ato më të voglat ranë aty para këmbëve tona duke u shpërndarë me çakëllin e ardhur nga jashtë. Për një çast qëndruam pa lëvizur, ndërkohë, duke hedhur dritën e elektrikut gjithandej, duhej të vëzhgonim me kujdes terrenin ku kishim shkelur. Gjetëm një shpatë ose më saktë një mjet luftues me presë nga brenda. Gjatësia e saj shkonte afër 1.10 m dhe gjerësi 0.35cm. Që nga doreza e deri tek maja, harku qe i shtrirë dhe në një moment tek maja e saj, ajo merte një hark tjetër. Ndoshta ajo pjesë e kësaj vegle vrasëse shërbente për t'i çarë barkun kundërshtarit e për të nxjerrë jashtë tij, të gjitha rropullitë e barkut.
 Nën dritën e elektrikut vurëm re se hapësirat e galerisë mbi ujë,  nuk ishin të njëtrajtëshme. Gjerësia e saj shkonte nga 0.50 në 0.15m në lartësi. Tavanit kapte kuota të ndryshme, nga 3m-10.50m. Në pjesën e galerisë që vazhdonte mbi ujë kalova vet. Mu desh të ecja me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj. Po kaloja në një lartësi mbi nivelin e ujit nga 2m deri në 3m. Lartësia varej nga distanca e faqeve të galerisë me njera tjetrën ku unë mbështesja këmbët dhe duart për të kaluar. Elektrikun të cilin e kisha të mbërthyer fort me dhëmbë, për t'u siguruar se mos më binte në ujë, pjesën tjetër të spangos e kisha kaluar në qafë. Nuk kishte zgjidhje tjetër pasi të dyja duart së bashku me këmbët, i kisha si pika mbështetëse në atë lartësi. Mënyra tjetër ishte  të futesha në ujë e të notoja deri në pikën ku vazhdonte sipërfaqja e ujit për të cilën nuk ma mbajti.
 Deri në një farë vendi eca mirë por në kthesën që mori në të majtë, galeria, u ngushtua aq sa gjoksi im. Duhej të kthehesha brinjazi që të kaloja dhe prapë me vështirësi. Aty u ndodha 2m mbi nivelin e ujit. Me vështirësi, pasi dhe duhej te mbahesha, hodha driten e elektrikut në faqet anësore e në tavan. Dhjetra stalaktike e mbulonin atë. Eca, ashtu me këmbë e me duar në të dyja faqet shkëmbore të saj  dhe bëra matjen e dytë, të thellësisë të ujit me mjetin më thë thjeshtë, spago me peshë, ajo kapte thellësinë 8m. Matja e pare shkonte në 3m thellësi. Tavani në këtë pikë ku ndodhesha shkonte nga 3 deri në 10m lartësi. Fundi i galerisë përbëhej prej një të çare të vogël që dukej mbi sipërfaqen e ujit. Aty tavani i shpellës duke vazhduar shumë pranë sipërfaqes së tij, bie mbi ujë e duke e çare atë vazhdon në thellësi të tij, kush e di se si. Të nesërmen pasi nuk na shkoi ndërmend, mbushëm nga ai ujë një nga ato shishet grykëgjëra të qumështit dhe e çuam në laboratorin e shëndetësisë i cili ndodhej në qendër të qytetit. Ai doli me të njëjtën kripshmëri të detit. Mendojmë se ajo pjesë ujore lidhet me detin nëpërmjet sifoneve shkëmbore natyrale dhe dallgëzimi i detit aty brenda nuk ndjehej.
     Gjate sondashit të vogël që bëmë në tabanin e ambientit gjetëm një lloj bubureci, një shumëkëmbësh dhe merimangë në faqet e shpellës të cila i futa në një kuti boje këpucësh që t'i vizatoja. Me matjet e hapësirave dhe orientimin me busullën krijova në letër shtrirjen e pozicionin e saj. Prerjen vertikale dhe horizontale. Pas afro njëzet ditesh e botuam tek gazeta Bashkimi të shoqëruar me fotografi brenda jashtë saj.
    Ky qe edhe përshkrimi i shpellës së Limjonit.   




Shënim: Sot ajo është e “bllokuar” dhe tepër vështirë për t'u gjetur.





Hyrja e shpellës në sipërfaqe



Hyrja e shpellës nga brenda




Vendosja e shpellës në brendësi të tokës. Prerja vertikale dhe horizontale e saj.