Τρίτη 5 Φεβρουαρίου 2019

NË NJË LAGJE TË QYTETIT TIM


                                    
Në anë të trotuarit, pranë shtyllës të betontë të linjës elektrike u dëgjua rrëshqitja dhe zhurma karakteristike e një biçiklete. Prej saj zbriti një djalosh në të kapërcyer të tridhjetepesë viteve. Me punën që ai bënte ishte i pari që jepte lajmin për ikjen nga jeta të ndonjë qytetari. Shumë pak qëndroi si emigrant duke u kthyer në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Tashmë ai punon në një zyrë varrimi si vendosës i lajmërim vdekjeve në shtyllat e betonta. Pleqtë e përditshëm të ndodhur në tavolinat aty pranë të kafenes së vetme të lagjes, tek kthyen kokën u ndeshën me shikimin e tij. Egërsia e shfaqur në atë fytyrë i hutoi ata. Më pas, vendit ku ishte lajmërimi i vjetër ai i kaloi një lyerje të shpejtë me kollë duke ngjitur një të ri. E përsëriti lëvizjen e dorës së tij sëbashku me furçën duke i kaluar edhe një shtresë mbi të. Kur i mbaroi të gjitha veprimet e rihodhi shikimin mbi ta . Të hutuar nuk shfaqën asnjë reagim. Jo vetëm egërsia por edhe fiziku i tij, gati u preu frymëmarjen. Ndërkohë ai kishte shaluar biçikletën dhe duke i rënë ziles së saj u nis.
Ata pleq, të përditëshmit e asaj kafeneje, ishin nga banorët më të hershëm të lagjes. Erdhën aty rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar. Kishin të njëjtin mbiemër. Pa shkollë dhe zanat por u përshtatën shumë shpejt me vendbanimin e tyre të ri. Duke qenë fis i madh e tërhoqën njëri-tjetrin duke u shkëputur më së fundi nga ai fshat tepër malor dhe i vështirë për të jetuar. Nuk e shuan natyrën dredharake por e shfrytëzuan më së miri. Disa prej tyre, për të mbajtur një vend pune të mirë, u vunë në shërbim të atij institucioni të egër që mbante në këmbë diktaturën e proletariatit. Historitë që tregonin aty tek pinin kafen e ndonjë teke rraki, ishin gati të njëjtat. Histori personale gjatë ndërtimit të socializmit por edhe të periudhës të luftës së dytë botërore ku ata të paktën do të ishin në atë kohë afër 2-3 vjeçarë. Të fundosur ose më saktë të kërrusur në ato karike tek shihnin ndonjë kalimtar që mund ta njihnin, duke e shoqëruar me shikim në ikje do ta përgojonin në biografi si dikur. Në vazhdim të atyre ditëve, tek po kalonin orët e mbasdites e dëgjuan sërisht zhurmën e asaj biçiklete. E panë të zbriste prej saj. Në formën më instiktive të tyre po prisnin reagimin e radhës. Ata ndjenë sytë e tij të ndaleshin një për një mbi kokat e tyre. Më pas ai u drejtua nga biçikleta. Tek po ikte e detyroi zilen e saj të kërciste pa ndërprerje për disa metra rresht.
Të nesërmen, vendosjen e lajmit të ri tek shtylla pranë kafenesë, ai e planifikoi në orën më të përshtatshme që i shërbente qëllimit të tij. Ata pleq, të zhytur në pikëllim po prisnin me ankth ardhjen nga çasti në çast të lajmëtarit të vdekjes. Dikush që kishte gotën e rrakisë në dorë, për t'u siguruar se mos i derdhej nga ajo që po pësonte, e uli mbi tavolinë. Të gjithë, të urtë dhe të vëmëndshëm po ndiqnin çdo lëvizje të tij. Në atë përballim, dikush prej tyre vuri pëllëmbën e dorës mbi gojë me frikë se mos lëshonte ndonjë thirrje. Shkëlqimi i syve të lajmëtarit të vdekjeve i shoqëruar me harenë në fytyrë i çarmatosi ata të mjerë. Ai zbriti prej biçikletës duke u drejtuar nga shtylla. E mbuloi me kollë lajmërimin e vjetër dhe pasi e shtroi fortë me dorë të riun, i kaloi edhe disa herë furçën mbi të si për t'u siguruar se ai nuk do të kishte mundësi të lëvizte prej andej. Ata tek pëshpërisnin, kishin shpresë se shpirti i shokut që tashmë u mungonte, mund të kishte shkuar në xhenet por fishkëllima e asaj gome biçiklete në ikje e sipër i përmendi. Xhebrahili ishte ende vërdallë tyre.  Më pas ai kaloi disa herë prej asaj rruge por pa e kthyer kokën. Kaluan dy ditë kur u rishfaq përsëri. Tashmë për dy përkujtimore. Pasi mbaroi punën tek shtylla u drejtua prej tyre. Lëvizja e shikimit të tij gati sikur vërtetoi atë që mendonin ata kohët e fundit. Dikush ngriti dorën me gishtin përpjetë si për të thënë diçka por e uli shpejt. Duke i u marë goja i tha se ai që mungonte ndodhej i shtruar në spital me infrakt kardiak. Si dhuratë prej xhebrahilit ai mori veçse zgërdheshjen e rradhës.
Ngjitësi i lajmërim-vdekjeve pas dy ditësh kreu veprimin e përhershëm të tij. Njeriu që do të shfaqej me emër dhe fotografi në atë lajmërim ishte i sëmuri nga zemra. Në fytyrën e lajmëtarit gati profesionist, dhe i vetmi i qytetit, nuk mund të kuptoheshin qartë nuancat e emocioneve që po kalonte. E ndodhur diku aty pranë, e zonja e lokalit një grua në moshë dhe e vjetër në qytet, tek hodhi shikimin e saj mbi të shfaqi një dëshirë për t'i folur por u tërhoq duke u larguar prej andej.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου