Σάββατο 15 Οκτωβρίου 2016

NJË DEGË LULE MIMOZE

       Që në çastin që  dëgjova atë mbasdite ardhjen e gjitonëve të rinj, thirrja e një vajze të re në emrin e një luleje më dha një ndjesi të çuditëshme brenda meje.  Me gjithëse më lindi dëshira për ta parë, nuk e mora mundimin për të shkuar pranë dritares pasi zhurmërat nga jashtë prej tyre u fashitën shpejt dhe çdo gjë ra në qetësi. Të nesërmen, si zakonisht në formën time të shpejtë të kryerjes së veprimeve, rrëmbimthi dola në rrugë duke u futur mes turrmës që nxitonte, e më pas drejt shkollës. Ndërkohë, në imazhet e mia përpunoja idenë e paraqitjes së saj. Nga ngacmimi që pata me atë emër, në të gjitha orët e mësimit u mora me flokët e vajzave të klasës. Duke abstraguar, guxova deri aty sa të ngacmoja edhe veshjet e tyre. Nuk shpëtuan edhe të tria mësueset e asaj dite që kishin rradhën të shpjegonin teoritë e tyre në mësimdhënie. Më vonë u mora me emrat. Mes fantazisë të çastit emrat i lidhja me ngjyrën e flokëve, të fytyrës. Pastaj, tek i heq lules gjethet e tepërta, nisa tu zbërthejë kopsat e para të këmishave, të bluzave duke u nxjerë në pah qafën e gjokset. Ishte një punë tepër e lodhëshme pasi në klasë kishim shumë femra dhe koha nuk më mjaftonte. Τë gjitha ndodhën shumë shpejt, brenda  një dite. Ashtu siç ishin ulur në bangat e tyre  nisa ti zbukuroj të gjitha me rradhë. Jo të gjitha më kënaqën dhe u kënaqën. Ndjeja shikimin e disa prej tyre sikur po më thoshnin se kishin mundësi të dilnin edhe më të bukura po të punoja edhe më shumë me to. Ndoshta, ose duhet të më ketë shpëtuar ndonjë prej tyre pasi në imazhet e mia, mes atyre femrave të shumta, po më shfaqej, një tjetër imazh femre. Mos vall ishte ajo.          
     Në një prej ditëve në vazhdim, përbrenda asaj përhumbje që po vazhdonte të më ngacmonte, përkrah meje, rrugës që po kthehesha për në shtëpi dëgjova një zë femre. “Kujdes gjiton, shiko ku po shkel. Do të rrëzohesh e kush e di se kur do të zgjohesh nga ato ëndërime.” Ashtu vërtet, duke tundur kokën përmes miratimit e mos miratimit u ndesha me shikimin e saj. Buzëqesha dhe me trajtën e lëvizjeve të duarve sikur i thashë “jemi në rregull”. Ma ktheu me të njëjtën vlerë buzëqeshjen. Ndërkohë duke u përballuar me sytë e saj ndjeva se ajo diçka po kërkonte prej meje. Aty në krahun tim, duke ecur, vazhdoi: – “Jam edhe unë, nuk më keni vënë re akoma.” Të dy u ndalëm në të njejtin çast. Ajo për të parë reagimin tim të mëtejshëm dhe unë për të kuptuar se çfarë po më ndodhte. Ishte kohë e mjaftueshme për të reaguar. Në të vërtetë, pa i lënë kohë karshi çdo lloj veprimit tim, flokët e rëna përmbi sy, me një veprim të shpejtë të duarve ja regullova më këndshëm, dhe duke i dhënë urdhër përmes buzëqeshjes sime që të mos lëvizte, i zbërtheva edhe kopsën e dytë që zbriste më poshtë jakës së këmishës: ”Kështu po “- i u shpreha dhe aty në çast, tek i bëra një prekje të lehtë me duart e mia, diku prapa qafës, jakës i bëra një ngritje të shkujdesur. Më pas duke i dhënë të kuptoj të vazhdonim të ecnim e pyeta për emrin. Duke ndjer hapin e saj tek përpiqej të kapte ritmin tim, dëgjova të më thotë “Në cilën stinë jemi”. “Në stinën më të bukur”- ishte përgjigja ime -“në pranverë”. “Cila lule shpërthen tani” vazhdoi ajo duke tundur kokë e flokë. Aty u stepa. Mes buzëve të mija të mbërthyera fort me njera tjetrën, gërma e parë e atij emri nuk guxonte të artikulohej e të shprehej. Vërtet u ndjeva si buf. Gjitonja ime me atë emër të bukur ishte vërtetë një lule mimoze e sapo çelur. Duhet të keni mbajtur ndonjëherë në dorë degën e asaj peme. Kurorë lulesh, flokësh në bukle të vogla, me kalime në nuanca të shndritëshme të hedhura pa kursim mbi to duke qarkuar fytyrën e saj të imët e fine. Gjethet, veshja poshtë asaj kurore, me atë rregullim të vogël që i kisha bërë më parë, mbulonin hijshëm vazhdimësinë e saj trupore. Në atë ecje të shpejtë time, duke i buzëqeshur i u shpreha: -“Jeni vërtet një degë lule mimoze”.



                                          

Τρίτη 11 Οκτωβρίου 2016

DJALOSHI I GRACKAVE T Ë MËLLËNJAVE

                                ...dikur në adoleshencë pranë kroit të fshatit.

      Megjithëse shiu kishte pushuar, nga gjethet e ullishtave, shkurreve dhe ferrave përreth ende pikonin bulëza uji të shndritshme. Era kishte rënë. Ngritësi i grackave duhej të shfrytëzonte momentin pa zbritur ende në tokë mëllenjat. Ishte ngritur herët dhe prej grackave të para kishte kapur tre prej atyre zogjve pendëzinj. Mendoi se në thellësi të atyre ferrave që ndodheshin në anë të rrugës, nga ana e poshtme e saj, do të qe më i sigurt gjahu. Duke kaluar me kujdes në brendësi  të atyre degëve gjemb shpuese u përpoq të mos dëmtonte asnjë prej tyre. Mendoi se dy tre copë do të mjaftonin. Me instiktin e tij prej gjahtari, shpesh mendonte se ata fluturakë mund të kishin filluar ta ndjenin mungesën, zhdukjen e ndonjë prej tyre poshtë atyre pllakave. Dhe për këtë arsye kishte raste të kthehej me duar bosh në shtëpi.
Teknikën e ngritjes së tyre e kishte mësuar nga më të rriturit. Ajo trashëgimi e cila nuk dihej se kur qe krijuar nuk ishte vetëm një zbavitje por edhe një mënyrë për të siguruar një ushqim të këndshëm. Mjetet për të ngritur ato gracka të thjeshta  ishin më rrethanoret që siguroheshin po aty. Një pllakë guri e hollë jo shumë e madhe në raport me trupin e mëllenjës dhe disa thupra nga degët e ullinjve. Të prera në një gjatësi të barabartë, do të mbështeteshin në skajet e njëra tjetrës dhe do të mbanin gati pothuajse në këmbë pllakën. Diku, aty në qendër të atij trekëndëshi në gropën e hapur do të vendoseshin dy-tre kokra ullinj. Ishte një kalkulim tepër i thjeshtë ku vetëm me një prishje ekuilibri të atyre degëve nga këmbët e kujtdo fluturaku, pllaka do ta zinte rob atë. Pasi u bind se çdo gjë ishte në rregull mori prej degës aty pranë gjahun e mëparshëm dhe u drejtua nga monopati që kalonte nga kroi i fshatit i cili ndodhej diku aty pranë.
Si gjithmonë do të qe tepër i kujdesshëm në hedhjen e hapave. Me instiktin e gjahtarit, tek shkelte nuk do të dëgjohej as kërcitja më e vogël e gjithçkaje ku ai do të vendoste këmbën. Duke ndjekur vijën e monopatit që shkelej vazhdimisht nga fshatarët me bagëti, mushka e kuaj, vuri re se diku pranë kroit ishte ngulur një familje rome. Një nënë e re mbi zjarrin e ndezur mes trekëndëshit të ngritur kishte vendosur  një kusi. Aty pranë, duke ndjekur gati çdo lëvizje të saj, dy fëmijë të mitur me duar të mbërthyera gati në grusht të shtrira përgjatë trupit, qëndronin në këmbë. Nga zjarri i fortë midis ujit tek lëvonte, kokra të pakta orizi tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Më pas, dy kokra domate gati të pa pastruara duke i copëtuar me duart e saj të ashpra ajo i hodhi në brendësi të kusisë. Gjithashtu, me dorën e zhytur në fundin e një traste rrobe tepër të vjetruar nxori një kokër qepë. Pasi e shqeu edhe atë si domatet   e hodhi në ujin e valuar. Dhe me një lugë  druri të vjetër, orizin së bashku me perimet e sapo hedhura i trazoi fort. Kripën e mbledhur brenda pëllëmbës të dorës tjetër të cilën gjatë gjithë kohës tek kryente ato veprime e shtrëngonte fort, e hodhi si me inat brenda saj. E gjithë ajo skenë, kusia e varur mbi zjarr tek lëpihej nga poshtë saj nga gjuhë të kuqëremta të shoqëruara edhe me tym, të dy vocërakët dhe çadra më tej e mbuluar me pjesë mushamaje jo vetëm e habiti por nuk mund ta kuptonte se jetohej edhe kështu. Mes asaj që po përjetonte ndjeu lëvizjet dhe shikimin e saj të rënë mbi të i cili rrëshqiti deri tek gjahu që mbante në duar. Si për t'u larguar atij përballimi e drejtoi shikimin nga të dy fëmijët e saj. Edhe ata të dy  si pjesë e asaj skene por me një qëllim tjetër, po prisnin të bëhej gati ajo drekë e vonuar. Shikimi i tyre  fëmijnor shfaqte një padurim të theksuar, atë të uriturit. Gati sikur numëronin minutat dhe flluckat e shumta të vlimit që tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Padurimi i madh i shfaqur në kokërdhokët e zinj të syve të tyre atë e tmerruan.  I tronditur, djaloshi i grackave të mëllenjave u ndje shumë keq. Ishin tepër të mitur që të dy. Të dobët dhe të paveshur mirë. Të zbuluara nga gjuri e poshtë, kërcinjtë e tyre ishin vazhdimisht të lagur. Ajo lagështi e thithur prej shputave të këmbëve tek binin në kontakt me baltën e kthyer në llucë, transmetohej me dridhje të lehta në trupat e tyre. Të përqendruar mbi flakët tek pushtonin pjesën e poshtme të kusisë, ku në të njëjtin çast në mënyrë instiktive, me kurizin e dorës fshinin ujrat që u pikonin nga hundët, kthyen shikimin prej tij  si për ti kërkuan ndihmë.
Shpirti i tij i pa njohur me një realitet të tillë ishte gati t'i shpërthente. Zemra po i rrihte me furi. Ndjeu t'i shpërfytyrohej fytyra dhe pika loti ishin gati t'i kërcenin mbi fytyrë. Pa u menduar u drejtua prej saj duke i lënë diku aty pranë gjahun. Të dy fëmijëve u shpjegoi se disa metra më tutje, në brendësi të atyre ferrave, poshtë grackave do të gjenin mëllenja të tjera. Ishte i sigurt në atë që thoshte.
Nuk shkoi për nga kroi por mori pak më të majtë. Tek po ecte mbi rrugën automobilistike mori për nga fshati e drejt për në shtëpi duke mërmëritur   gjëra gati të pakuptimta.