Τετάρτη 1 Μαρτίου 2017

RRËFIMI I NJË ARXHIU


Ai u shfaq gati pa pritur. Nuk e di se nga erdhi dhe çfarë ndjeu kur u përballua me shikimin tim, por në çast kërkoi të  ulej pranë meje. Deri sa e përshtatit trupin e tij në formën e karrikes që më ndodhej pranë, nuk e shkëputi as edhe njëherë shikimin. Menjëherë pas të gjitha këtyre veprimeve, tek e mbante ende në dorë shishen me birrë, filloi ta pinte atë. Aty vura re lëvizjen ritmike të gurmazit të tij gjithë rrudha tek kapërcente atë lëng në gllënka të vogla. Ardhja pranë, ulja dhe mosndarja e shikimit jo vetëm më çuditi por edhe më ngacmoi disi. Edhe më vonë, megjithëse shikonte diku gjetkë ai vëmëndjen e kishte nga unë. Për një çast, duke u ngritur në të ndënjura, gati në një pozicion vertikal me karriken, pasi aty tek qëndronte trupi i tij rrëshqiste shpesh, u drejtua nga unë. Në atë përballje, në bardhësinë e syve të tij në raport me kokërdhokun dhe lëkurën ezmere të asaj race endacake, ndjeva një efekt të çuditshëm. Ajo kishte lidhje me atë që unë po përpiqesha të kuptoja në ato çaste. Ai tip që se kisha idenë nëse rronte e merte frymë, u ndodh pa pritur para meje. Forma e çliruar dhe gati naive që po më tërhiqte çmëndurisht. Ishte ajo buzëqeshje e tij tek më uronte shpesh “gëzuar shoku.” E ndjeu. Kjo i mjaftonte. Ai nisi të më rrëfente një histori të çuditëshme.
Isha ende i dehur kur më zgjuan herët në mëngjes. Të paktën kështu e kuptova pasi nuk mbaja mend se deri kur vazhdoi sherri. U habita kur i pashë duart të lidhura me hekura dhe dy policë tek më tërhiqnin. Nuk e di, ende sot besoj se e vrava vet vjerrin tim. Për këtë arsye dola si i tillë, si vrasës. Përderi sa isha pjestar i atij sherri dhe në çdo çast  shprehesha se e kisha vrarë vetë, më dënuan me 9 vjet burg. Pas afër gjashtë vjetësh më thërrasin e më thonë se isha i lirë. Kishin gjetur vrasësin e vërtetë. Ai, i kapur për një krim tjetër në një nga shtetet fqinjë, indedifikohet si i njëjti person edhe për vrasjen e vjerrit tim. Ajo arsye mu duk e çuditëshme dhe nuk pranova. Nuk desha të dilja prej andej. Në aq sa mbaj mend e kisha gjuajtur edhe vet me shkelma, grushta dhe me ç’farë më dilte përpara. Me gjithatë duhej të dilja prej andej dhe të shkoja pranë familjes time, aty pranë lumit në të dalë të qytetit. Pothuajse po ato ditë më vjen e më kërkon një person të cilin nuk e njihja. Si avokat, ai më shpjegoi mundësinë e përfitimit të një dëmshpërblimi. Me vitet e kryera, do të merja një sasi lekësh të pa menduara ndonjëherë. Avokati mbeti shumë i kënaqur, unë edhe më shumë. Duhej të shkoja në burg që të më ndryshonte jeta. Bleva një furgon të vogël dhe automatikisht u bëra “bosi” i të gjithë  arxhinjve që jetojmë sëbashku. Ishin ditë të bukura se e shtroja me të pira, të ngrëna, klarino domethënë vetëm qejf. Sa për punën, të gjitha hekurishtet që mblidhnin tek unë i sillnin. Një ditë prej ditësh duke e ngarë i dehur, tek po përpiqesha të parakaloja, nuk llogarita kohën dhe pas një rrëshqitje dhe humbje ekuilibri furgoni përmbyset duke kryer katër-pesë salto dhe pastaj, në fundin e kanalit vaditës në anë të rrugës. Unë shpëtova por ai nuk bëhej më. Kështu që sa më kishin mbetur nga ata lekë i harxhova
Ai heshti për një çast. Hoqi shikimin  nga unë duke parë sasinë e birrës të mbetur në shishe. E ktheu me dy-tre gllënka në gurmaz. Prej meje asnjë reagim. Por nga ai, as edhe njëherë nuk e shkëputa shikimin. Besova se diçka po zbuloja mbi jetën e atyre njerëzve prej endacaku tek përshtateshin në çdo vend, ku ata ngrinin çadrat e tyre të çuditëshme. Ai buzëqeshi dhe u çua prej karrikes. Pas pak u kthye me dy shishe birra. “Ta pimë shoku” më tha duke më drejtuar njërën prej tyre. Në ato çaste mu kujtua një film italian i viteve 50-60 i Etore Scola-s. Aty flitej për një vëndbanim romësh të ngritur diku në periferi të Romës. Në ato shtëpi prej dërrasash të ngritura pranë njera-tjetrës ata përjetonin delirin më të bukur të jetës së tyre. Në qoftë se do tju bie rasti mos e lëni pa e parë atë film.
Pas asaj, tek po e shihja drejt e në sy, ai  njeri krijoi idenë sikur po i kërkoja vazhdimin e mëtejshëm të asaj historie. Me një veprim, i cili s’ishte gjë tjetër veçse një instikt, fshiu buzët me pëllëmbën e dorës dhe nisi rrëfimin e lënë në mes:
Në fakt, nuk më kishte shkuar kurrë ndërmënd të zihesha me vjerrin, e jo më ta qëlloja. E gjitha ndodhi nga dehja pa çka se ai kishte filluar ta tepronte prej kohësh. Gruan, ish vjerrën time e kishte të re. Të dy të pangopur. Atë punë gati natë për natë e  bënin. Deshte të ngatërohej me kunatën, motrën e gruas, vjerrën e vajzës time të vogël. Në fakt qe e mirë dreqi. E ndarë nga burri. Atje në “akademi” mendjen tek ajo e kisha. Ajo sot është gruaja ime. Ndërsa e  para më iku nga shtëpia menjëherë pas dënimit tim, ende pa mbushur muajin. Atëhere vajzën e kisha 13 vjeçe ndërsa dhëndërin 27 vjeç, i cili kishte edhe një fëmijë nga gruaja e tij e parë. Lëmsh hesapi.” Pas asaj heshtje të gjatë prej meje, ku nuk kisha ndërmend të flisja nuk u përmbajta.  Përse e martove kaq të vogël vajzën e pyeta. Ranë në dashuri mu përgjigj ai. E deshën shumë njeri-tjetrin. Nuk mund tu shkoja kundër. Sot kanë dy fëmijë dhe presin të tretin. Edhe unë i vogël isha kur u martova 15 ndërsa ajo 11.
Nga ai rrëfim i shpejtë ende nuk po e kuptoja se si po ndjehesha. Ishte një pështjellim tepër i çuditshëm ku më bënte të qeshja e të mendohesha për jetën e atyre endacakëve. Por përsëri ai njeri nuk më la kohë; Nga ato që u thanë në gjyq doli se u  vra nga dashnori i vajzës së motrës të gruas që kam tani. Kishte kohë që i vinte vërdallë. Ndoshta shkaku kryesor do të ishte se ai kishte mësuar se ku i kishte fshehur lekët vjerri im. Dhe të gjitha këto ndodhën kur të gjithë ishim duke pirë e kërcyer. Ai kreu vrasjen, mori lekët dhe iku pa ardhur policia, pa lënë gjurmë dhe ndoshta po atë ditë kishte kaluar kufirin. Duhej ta haja unë. Por nejse, prap i fituar dola. U bëra me patentë, makinë e me lekë ku nga të gjitha ato, sot nuk kam asgjë prej gjëje.
 Në atë çast, si gjithmonë me shishen e birrës në dorë, tek më shihte si triumfator filloi ta rrëkllente pa ndërprerje atë lëng të tej ngrohur nga duart e tij.
  


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου