Δευτέρα 23 Μαΐου 2016

IRIQI I DETIT

   Duke marrë me vete shushurimën e saj tek përsëritej mbi rërën e pakët, pas çdo valëzimi të shkumëzuar vala tërhiqej dhe rrafshohej me sipërfaqen e detit. Filispanja midis gishtërinjve të mi nuk po i ndjente më ato tërheqje të lehta të atyre qenieve të vogla ujore me sytë e tyre të shqyer deri në rrumbullakësinë  e tyre të plotë, në dyshimin e asaj që përfundonte te karemi. Duke peshkuar, me këmbët në ujë deri te gjuri, ajo kaltërsi ujore ishte bërë pjesë e qenies sime. Tik-taku i zemrës kishte ndryshuar rritmin. Nuk po e kuptoja se si po lundroja apo fluturoja, e cila s’ishte gjë tjetër veçse një ndjesi e bukur. Përplasja dhe tërheqja e dallgës mbi rërë i kishte dhënë një temporitëm të ri frymëmarrjes sime. Nga ngazëllimi, pa e kuptuar futesha më thellë në det. Papërfillshmëria e atyre qenieve ujore tek rrëshqisnin vrullshëm përqark meje, me atë hapjen e syve si në habi nuk më çuditi,  por kalonte edhe brenda meje ajo ndjesi. Lundrimi mes tyre dhe dëshira  për t’i prekur i bënte ata të largoheshin vrullshëm duke  tundur bishtat e tyre me ngjyra dhe dekoracione e ndryshme, sikur talleshin me paaftësinë time. Ja do ta kap atë me vija të  zeza si të zebrës mendoja, por më kot. Dhe ai rrëshqiste përpara syve të m'i me shkëputje të shpejta dhe pa i u marrë mentë nga ato kthesa të çuditshme. Me sytë e tij të pa lexueshëm sikur më thoshte “S'më kape dot.” Më kot u përpoqa  për të zënë edhe një të vetëm nga ato krijesa.
      Aty tek “lundroja,” në ato përpjekje të pa fund, ndjeva një pickim të fortë nën këmbët e mia. Po në ato çaste po më rrëshqiste filispanja midis gishtave. Midis dy veprimeve që duhej të kryeja në ato momente, kapja e gjahut ishte tepër emocionale, ndërsa tjetra  një dhimbje e tmerrshme deri në pamundësi të shkelja këmbët mbi tabanin e detit. Në atë pasiguri veprimesh ku unë duhej të përcaktoja se çfarë duhej të bëja më parë, ai  hov i  tij në ajër, i dha lirinë.  Sargoi si një akrobat u lëshua mbi sipërfaqen e ujit, duke u zhdukur në thellësi.
     I ulur në anë të detit, në përpjekje për të hequr gjembat e shumtë të iriqit të shkelur nga shputa e këmbëve, fillova të qesh me të madhe për të mbytur dhimbjen që ende nuk po fashitej. Nuk ishte hera e parë që e pësoja dhe po shihja peshqit të lundronin si një skuadrilje që po dilte nga rreziku.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου