Bym, bym, kërrr... Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme. Ato bënin rikoshet nëpër muret e sallës dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej në sallën me tavolina e karike bosh. Nervi i syrit të majtë të tij zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë nofullës. U duk si një zgërdheshje që po i dilte nga një mendim i thellë. Për afër një minute fytyra i ra në qetësi. Ata sy ku bebja e tyre kishte një bardhësi deri në zbrazësi, të krijonin bindjen se ndodheshe ne një spital psikiatrik.
Bym, bym, kërrr... vazhdonte kërcitja e armëve tek po dilte nga televizori. Ato përplaseshin në muret e zbrazëta të sallës tej të zgjyrosur nga bardhësia e dikurshme që i kishte dhënë bojaxhiu i fundit.
Në një moment të shpejtë pas asaj, duart e tij eshtërmëdha u mbërthyen aq fort sa mund të mendoje se po i tregonin forcën njera-tjetrës. Ai ngriti kokën dhe i hodhi një shikim të shpejtë atij ekrani të çuditshëm. Sugjestionohej lehtë. Pothuajse, ishte i vetmi që i largohej atij përbindëshi. Ajo dritë shumëngjyrëshe e alarmonte vazhdimisht.
E ngriti prap kokën tek shihte gishtrinjtë e tij të ngrinin krye karshi njeri-tjetrit. I tërhoqën vëmendjen ato të bërtitura që dilnin nga ajo kuti dritë verbuese. Pa t’i qartësoheshin ato njolla në turma njerëzish. Mendoi për një çast se mund të shkonte pranë tyre dhe të bërtiste me ta por kërcitja e armëve e stepi. Si u ngrit në këmbë po ashtu rrëmbimthi u ul. Në mënyrën më të thjeshtë, në aq pak sa ndjente kuptoi se nuk duhej të reagonte.
Bym, bym, kërrr... krismat në vazhdimësi përplaseshin në zbrazësinë e sallës e të mendimit të tij të mjerë. Befas, ai dha shenja njerëzore duke reaguar.’’Shumë rrëmujë po krijoni. Nuk mundem. Mjaft, nuk dua zhurmë.’’ Pastaj nisi të bërtasë. U ngrit në këmbë, kapi tavolinën që kishte pranë dhe e flaku tej. I u drejtua atij ekrani të xhamtë që ndodhej i montuar në mur por nuk e arriti.
U ndal duke kujtuar se të keqen e kishte përbrenda vetes së tij. U përpoq të shkulte flokët e qethura zero, por asgjë. U përpoq të fuste përbrenda gojës thonj e gishtrinj për ta shqyer atë. Prapë, e pamundur. Heshti duke drejtuar gishtin tregues të një prej duarve të tij drejt asaj kutie. Lëshoi një ulërimë gati si të dragonjve flakë hedhës për t’i trembur e larguar prej andej ato turma tek vinin e shtoheshin. I rrëmbeu tavolina e karrike duke bllokuar porta e dritare
Në fytyrën e tij nuk ndjehej më egërsi por frikë ndaj asaj turme të zhurmëshme tek po përhapej në të gjithë qytetin. Instikti i mbrojtjes bëri që çdo gjë që ndodhej aty t’i ngjeshte pas portave e dritareve
E pa mundur. Si një ciklon, ato të bërtitura e ulërima njerëzore të shoqëruara me kërcitje armësh nisën të hynin vrrullshëm në sallën ku ndodhej. Ajo vorbull thithëse gjigante fuste brenda ç'ka gjente jashtë dhe sëbashku me ta shkatërronte çdo gjë që u dilte përpara.
Forca magnetike e poleve të kundërta e krijuar në ato çaste, ishte aq e fuqishme sa e hodhi jashtë atë mjeran. Nuk e kuptoi se si u ndodh në mes të rrugës. Për herë të parë e pa veten matanë asaj godine dhe atij rrethimi të madh me tela. Zhurma e madhe e njerëzve që po shtyheshin të hynin brenda dhe kërcitja e armëve po e hutonin së tepërmi. Duhet të kisha dalë më shpejt prej andej i tha vetes. Turma, si bisht gjarpëri vazhdonte të hynte brenda asaj godine të çmendurish.
E pa edhe një herë dhe ja kërciti vrapit më të poshtë këmbëzbathur, duke ulëritur. Ajo klithmë nuk kishte lidhje fare me të bërtiturat e turmës.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου