Πέμπτη 31 Μαρτίου 2016

POROSIA


   U mundua t’i kapte reagimin tek shihte të rrëshqiste nën shikimin e tij trekëndëshi i bardhë i të brendëshmeve të saja. Duke buzëqeshur ajo i puqi  kofshët me njera tjetrën dhe u ul në kolltukun e vendosur disi larg tavolinës së shtruar për të ngrënë. Ai po përpiqej t’i shmangej  duke drejtuar shikimin e tij nga puna që kishte filluar të kryente në një nga faqet e sallonit të madh. Me elegancë, ashtu siç mbante pinelin kapi gotën e mbushur me verë. E drejtoi nga ajo dhe duke e çukitur me të i dhuroi një buzëqeshje të lehtë. E zonja e shtëpisë, së bashku me gllënkën e verës kapërceu edhe ndjenjën e papërcaktuar  që po kalonte në ato çaste. Me një rrokullimë të shpejtë ajo ndjesi i u përhap në të qenurit e saj të brendshëm femëror. Drithërrima e lehtë e shoqëruar me buzëqeshjen që u rishfaq në fytyrën e saj e bënë atë më joshëse. Piktori, si i ngacmuar nga diçka që s’mund të emërtohej u ngrit rrëmbimthi. Shkoi drejt tabllos dhe, duke trazuar bojërat mbi tavallocë, hodhi disa pinela mbi të. U ndal, drejtoi  shikimin mbi të zonjën e shtëpisë që vazhdonte të rinte e ulur përballë tavolinës  së shtruar. I dhuroi buzëqeshjen e radhës dhe vazhdoi punën. Shqetësimi i realizimit të tabllos e kishte shoqëruar që nga momenti kur mori porosinë. Kërkesa kryesore e saj ishte që puna të  realizohej direkt  në mur. Tema ishte e thjeshtë dhe e përcaktuar qartë: idilike. Që në skicat që ai i tregoi, ajo u bind  se do të kishte në sallonin e saj një punë serioze prej  tij. Tek rrinte e ulur në kolltuk, ajo po ndiqte çdo pinel që hidhej mbi trupin e vajzës, ravijëzuar në tabllo. I ndjente si ledhatime mbi trupin e saj. Atë ndjenjë që i u shfaq  filloi ta ushqente përbrenda vetes. Veçoria e tij i ra në sy që në prezantimin e parë. Qetësia  në gjithçka që ai kryente e tërhoqi si me magnet. As vet ajo nuk e kuptoi se ç'farë tjetër po kërkonte prej tij. Që në ditët e para ai i foli  asaj me “ti”.
   Duke i dhuruar buzëqeshje e prekje të lehta në sup ai drejtohej nga tabloja e vazhdonte të punonte pa pushim. Dhe vinte ora që  do të lënte punën e do të ikte për të ardhur të nesërmen. Ajo sikur  çohej nga ndonjë ëndërr e ëmbël. Në vazhdim tek e shoqëronte, prej tij do të merte  buzëqeshjen e rradhës dhe prekjen e lehtë në sup dhe do të shkëputej nga ai përjetim, nga kërcitja e portës tek mbyllej  nga jashtë prej tij.
   Ashtu e ulur në kolltuk, përballë, si në ditën e parë ajo po rikujtonte skenat ëndërrimtare të netëve në vazhdim. Tek shihte t’i pushtohej trupi prej prekjeve të tij ledhatare, përhumbej në ndjenjën që po i shtohej për ditë për të.Tek zgjohej do të shihte të  merrte formë e po plotësohej tabloja, ndoshta dhe vegimi i saj. Dhe femra e tablos më në fund u shfaq në tërësinë e saj. Duke treguar haptazi gjoksin dhe qafën e saj elegante, ajo kishte drejtuar shikimin nga djaloshi që kishte pranë. Drithërima që përshkonte të qenurin e saj aty, tregonte haptas se ç'farë po kërkonte prej tij.
    Si çdo ditë, tek hyri në shtëpinë e saj, ai porositi kafen. Që në momentin e parë tek u përballua me të, e pa me kureshtje, sikur ishte duke zbuluar diçka të re. Menjëherë u drejtua nga tabloja dhe vazhdoi punën me vrull. Duke u plotësuar portreti, e zonja e shtëpisë ndjeu vetveten. Joshja qe e plotë. Tek uli kokën përpara, flokët i mbuluan ndjesinë që po e përshkonte ndërkohë që monologonte  me vetveten përse duhej të kishte portretin e saj vajza në tablo, joshja që ndjeu ishte më e fuqishme  se sa ajo e “shkeljes se kontratës”. Si pa dashje, ajo plazmë e brishtë, u përhumb përbrenda ndjenjave që po e tundonin në vazhdimësinë e asaj kohe. 
    Nuk e di tha me vete piktori tek e pa atë trup femëror të lëshuar mbi kolltuk me kokë të mbështetur në një nga anët e tij .Po fle apo… Tundi kokën lehtë si për ta miratuar veprimin e saj duke i u kthyer sërish punës. As vet nuk e kuptoi se si iku koha. Vetëm atëherë, pasi e pa të nevojshme se i duhej dritë të shihte. Po errej. Ndezi dritat dhe vazhdoi punën me këmbëngulje.
   Tepër i lodhur e i kënaqur mori filxhanin e madh të mbushur me kafe duke u ul në kolltukun e vendosur pothuajse përballë tablos së përfunduar dhe zonjës së shtëpisë. Ajo, në përfjetjen ose ndoshta përhumbjen e saj që mund të kërkonte vazhdonte të ishte e trajtësuar në formën e kolltukut. Mendoj se e kuptova se ç’farë dëshironte mërmëriti piktori. Besoj se ja dhurova tundimin dhe dëshirën që i vlonte në këto ditë të bukura. U ngrit  qetë, qetë nga kolltuku. La filxhanin  diku dhe hodhi sytë për herë të fundit nga tabloja. Djaloshi ezmer,  për çudi kishte një përngjasje me të. Duke  parë në thellësi të asaj që po ndjen te ajo, po i kërkonte përjetësinë e momentit.  
   Aty pranë në kolltuk e zonja e shtëpisë po mërmëriste ëmbëlsisht.   

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου