Tek po kërkoja përbrenda sirtarit
të dollapit të rrobave, duart mu ndeshën me një send të mbështjellë me kujdes.
Ishte një këmishë nate e nënës. Mes ngazëllimit që më kapi buzëqesha. E
shtrëngova prej vetes me mall. Në të ndjehej ende era e saj. U ula buzë
krevatit si dikur kur kthehesha nga puna. E shtrirë aty, ajo priste me padurim
ardhjen time. Pa kaluar në brendësi të shtëpisë dëgjoja zërin e saj të më
thoshte “erdhe biro.” Dhe ledhatimi im do tu jipte dritë atyre syve tek
përpiqej t'i mbante hapur. E deshte ende jetën.
Nisa të përkëdhel atë rrobë të butë e të bardhë si shpirti i saj. Më
thërriti ajo erë nëne që më kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës. Pika loti
rrodhën nga sytë e mi tek mu krijua ndjesia se po i dëgjoja tik-takun e të
rrahurave të zemrës si atëherë kur mbështetja kokën në gjoksin e saj. Do t'i dëgjoja
zërin me të folurën karakteristike si të gjitha gratë e bregdetit tek i
thërrisnin njera-tjetrës dhe zemra do të më gufonte. Kështu më kujtonte vitet e
vegjëlisë kur kaloja kohën në fshat. Në vazhdim, pa përtuar, me orë të tëra ajo do të më rrëfente me
kënaqësi si e kishte kaluar ditën duke shprehur edhe pakënaqësitë më të vogla
kundrejt nuses, gruas time. Duke ngritur kokën i fshiva ato pak pika loti prej
fytyrës. Hodha sytë përreth. Tashmë në atë dhomë ka veçse kujtime nëpërmjet
fotografive të vendosura kudo. E pagëzuar me emrin e nenës (gjyshes), ime bijë
do të linte gjurmët e fëmijërisë. Buzëqesha mbyturazi. Pa bërë
përpjekje për t'u shkëputur prej asaj ndjesie të bukur i hodha një sy të shpejtë dhomës. Mbi krevat kuverta ndodhej ende e shtruar. Kuadrate të shumtë me një
trendafil në mes. Tek e punonte, për të vërtetuar se sa pjesë të krevatit
mbulonte, ajo do ta shtronte mbi të dhe do të dëgjoja të mërmëriste se duhej të
shtonte edhe një rrjesht prej tyre. Më pas do ta shihte me ëndje duke e shtruar
me dorën e saj të vogël. Mu shfaq aty përpara si dikur. Në guzhinë, në divanin
përballë televizorit do të kalonte orë të tëra duke qëndisur. Si gjithmonë e
dyzuar në veprime. Me sy e me vesh tek televizori ndërsa tek qëndisma veçse me
instikt dhe nuk do të gabonte kurë në ato llogaritje milimetrike. Për humor do t'i dilja përpara ekranit të televizorit dhe veprimi
i saj i kryer veçse me një lëvizje të shpejtë të kokës më bënte ta ngacmoja dhe
përpiqesha ta bëja të qeshte. Sa netë dimri do të kalonte mbi to për të shtuar
të ardhurat familjare. Kohë të vështira ku vet ajo e dinte peshën e atij
mundimi për mbijetesë si femër, bashkëshorte, nënë.
Tashmë, besoj se Zoti i dha jetë
asaj femre veçse për për t'u kujdesur për të tjerët. E palosa me kujdes këmishën
e saj. Mes ngacmimit të aromës e putha dhe e rivendosa tek sirtari, në fund të
tij.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου