Δευτέρα 6 Ιουνίου 2016

MËZI

     E ndjente përbrenda shpirtit ritmin e ecjes të asaj krijese të fuqishme. Hingëllima, troku i rregullt dhe elegant i saj e kishte joshur vazhdimisht. Pas shumë përpjekjesh, lodhjesh e sfilitjesh  e kalëroi dhe të dy e kuptuan  se do të ishin të pandarë. Shpesh i mbërthyer fortë pas krifës të asaj kafshe katërkëmbëshe,  mëzit që rritej për ditë, të bërë njësh me njeri tjetrin, duke çarë me tërbim ajrin i kapte çmenduria e të rendurit. Aty, tek dëgjoje përplasjen e hapave nuk arrije t’i shihje. I gëzoheshin forcës që u kishte falë mosha. Kishin lindur për të qenë të lirë. Të dy, të përhumbur në çmendurinë e arratisë, kapërcenin brigje, përrenj, monopate të vështira ku vetëm ata i dinin, duke u shkëputur nga jeta e përditshme e vendlindjes.
      Instikti i riktheu në çastin e duhur pranë njerëzve të tyre në fshat. Armiku, pabesisht i kishte sulmuar dhe po vriste e priste. E shqetësuar nga tringëllima e shpatave dhe të bërtiturave ajo kafshë luftarake u sul duke çarë mes për mes trupat armike. Bashkëfshatarët i shkuan pas luftëtarit të panjohur. Pas tij, të gjithë  nisën  të qëllonin e të shponin me tehun e shpatës këdo që u dilte përpara. Armiku i çoroditur, pa e pritur atë sulm, u tërhoq duke ikur nga sytë këmbët. Ndërkohë, ajo krijesë, e eksituar nga kërcitja e shpatave, ulërimave ngjethëse dhe gjakut të derdhur kudo, duke shkelur mbi trupat armike me të zotin e saj në shpinë, e ngriti trupin  muskuloz, duke u mbështetur në të dyja këmbët e pasme. Hingëlliu fuqishëm dhe sulmoi ushtarët e fundit të asaj ushtrie vrastare, duke humbur brenda rrezeve të diellit të përflakur tek perëndonte.
      Kishte luftëtarë që nuk e çanë kokën fare se kush i udhëhoqi, por nisën t’u faleshin zotave të tyre që u dhanë mundësinë të vazhdonin jetën. Ata që luftuan në krah të tij, do ta kishin për krenari të njiheshin me të, por asnjërit nuk i kujtohej se kush qe ai. Ndërkohë, djaloshi në të njëzetat, fill pas betejës, i gjakosur dhe tepër i ngarkuar nga ana psikologjike e veprimi i kryer, u drejtua nga shtëpia ku jetonte jashtë fshatit, vetëm me nënën e tij. Nuk i tregoi asgjë së ëmës se çka kishte bërë në atë luftim të përgjakshëm. Në ditët në vazhdim mëzi, ajo krijesë fisnike, e lidhur pranë ullirit  në anë të shtëpisë të trimit, zotit të tij, e thërriste vazhdimisht duke hingëllitur për të rendur, për të qenë të lirë.       Hingëllimat dhe silueta e shfaqur në dritën e pastër të mëngjeseve tek ngrihej e mbështetej në këmbët e pasme duke valëvitur në ajër krifën e tij madhështore i shqetësoi fshatarët. ”Çka ndodhur?”,- pyesnin ata pa e ditur se kush mund të ishte. “Mos vallë ka pësuar gjë i zoti tij”. E pa  mësuar me shumë njerëz, duke i parë ata t’i afroheshin, me sytë gati në të shqyer, duke shfryrë, nga flegat e hundëve filloi të rrëmonte me thundrat e këmbëve të para tokën. U çua, duke i tundur ato në ajër, filloi të hingëllinte fuqishëm. Ndërkohë djaloshi doli vrullshëm nga shtëpia me flokët në ngjyrë gështenjë të shpurpurisur tek i rrethonin kokën e bukur, të vendosur midis shpatullave dhe trupit vigan. Të magjepsur nuk po kuptonin se ç'farë po shihnin. I u afruan.  Duke e prekur lehtë si për të mos prishur vegimin e shfaqur brenda tyre, njohën trimin me kalin e tij të fuqishëm që i udhëhoqi në luftë. Lajmi u përhap menjëherë. Ashtu siç ishin mbledhur, tek shtohej ajo turmë e madhe, e rrethuan duke brohoritur. Ato brohoritje nuk ishin gjë tjetër veçse thirrjet e tyre karakteristike, tek hidheshin në sulm kundër armikut
     Vazhdonin ta thërrisnin. Mes vrapit dhe atyre sokëllimave rrëqethëse, ku çdo gjë e gjallë që mund t’i dëgjonte do të ikte e tmerruar, turma e njerëzve e rrethoi  Nën efektin e asaj thirrje, e cila sa e sa herë e mbushte me entusiazmin e luftëtarit hyri mes tyre. Turma e sugjestionuar nga ideja e përballimit me heroin, e mori në krahë dhe, duke përsëritur thirrjet luftarake shkuan drejt tempullit për të marrë bekimin e priftërinjve. Në zemrat e tyre figura e udhëheqësit, komandantit qëndronte madhështore. 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου