Τρίτη 12 Ιουλίου 2016

VAZHDIMISHT I NJËJTI

   Në çastin e parë të jep përshtypjen e një babaxhani dhe  tek përballohesh me të ndjen shkëlqimin e dikurshëm të syve të  tij. Megjithëse mosha ka filluar ta bëj efektin e saj, zhibrimi i tyre ndjehet akoma sidomos kur e shoqëron atë me një ironi të lehtë.
   Jeta nuk e kishte përkëdhelur por “fati”e kishte ndihmuar. Nuk mund ta quaje karierë atë periudhë në të cilën ai e jetoi në mënyrë të njëtrajtshme ku u cilësua si specialist në profesionin e tij. Sot si shumë të tjerë që kanë punuar në atë administratë burokratësh të sistemit më të korruptuar të kampit komunist të Evropës lindore, tek mburren për atë që kanë jetuar dhe bërë edhe ai e shfaq si pjesën më të bukur të karierës së tij. Tek kujtojnë ato vite “të lavdishme,”ata mundohen t’i fshijnë me kujdes njollat e mbetura në ndërgjegjen e tyre. Në fakt ai nuk shfaq asgjë, është shumë i kujdesshëm pasi e di ku ka qenë dhe ku është “thembra e Akilit”për të. Ai kushtëzim e përcaktoi në  vazhdimësi, sidomos edhe sot pozicionin e tij shoqëror, i cili po e zbulon me kujdes duke e ridimensionuar. Vazhdimisht kërkon të posejdojë gjithçka që vërtitet rreth tij. Në biseda dhe diskutime  tek flet në tone  të ulëta, gati duke i ngrënë fjalët e tepërta, ironia i shkon në tallje e sarkazëm. Ato kanë  akoma lidhje me ngjyrën e syve të tij. Edhe fytyra ja shfaq në një lloj forme. Pavarësisht se natyra ka vepruar mrekullisht me portretin e tij  ajo ngjyrë prapë i ndjehet. Duke nxjerrë në pah rregullsinë e dhëmbëve, të cilat nuk kanë fare lidhje me anën shpirtërore të tij, përpiqet t’i tërheqë vëmendjen bashkëbiseduesit. Duhet kuptuar një gjë se  edhe i fshehur, edhe i dukshëm në të dyja pozicionet, ai as edhe një herë nuk ka qenë i plotë. Në qoftë se çdo gjë  që lëviz përreth nuk i prish trajektoren e lëvizjeve, çdo mëngjes me fytyrën e babaxhanit do të dalë nga shtëpia. Cilësitë dhe përpjekjet e tjetrit do të përpiqet t’i copëtojë me sarkazmë. Gjithmonë kështu, duke e ndjerë veten brenda “tempullit të vlerave” të krijuara në atë rreth shoqëror. Vazhdimisht, duke mos e treguar dritën e syve të tij.
Tek ecën me hapat e ngathëta,  duke i shoqëruar ato  me copëzat e vogla nëpër dhëmbë të ligjëratave filozofike,  përpiqet vazhdimisht ta  ri dimensionoj figurën e tij dhe të jetë qëndra e gjithçkaje dhe të gjitha këto pa e nxjerrë veten fizikisht përpara të tjerëve. Gjithmonë brenda turmës as në krye dhe as në fund të saj.


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου