Δευτέρα 18 Δεκεμβρίου 2017

DIKUR MË 1980

                                
         Pas një kohe të gjatë do të shkonte lart në manastir. Një nga kujtimet e shumta të fëmijërisë  së tij. Ishin nga copëzat më të bukura e të pa haruara. Nuk e kuptoi se si e mori të përpjetën aq shpejtë, atë kreshtë shkëmbore që e çonte drejt manastirit. Me hapin e përshtatur me lartësinë trupore të tij, i hidhte këmbët me një siguri tepër të madhe mbi ish kalldrëmin e dikurshëm. Në ato momente i u krijua ideja se edhe dje kishte kaluar andej. Duke hedhur shikimin përpjetë, aty përpara, si me frikë se nuk do ta gjente aty,  u bind vetëm atëherë kur ai objekt po i afrohej dhe i zuri gjithë ekranin e syrit.
         Konturet e tij të zymta, nga koha dhe harresa njerëzore e trishtuan jashtë mase. Mbeti për një çast. Këmbët nuk po i lëviznin prej andej. U përpoq të rikujtonte ato vite, ato momente të adoleshencës, të rinisë së tij kur në raste festash mblidheshin aty me bashkëmoshatarët nga fshati, por qe e pamundur.
E kaloi portën kryesore të rrethimit duke shkelur me kujdes mbi plloçat e gurta si për të mos thyer qetësinë që po zotëronte gjithçka që ndodhej aty, duke hedhur shikimin e tij gjithë-andej. Mendoi se gjithçka do të qe në vendin e duhur që nga hera e fundit. Për një moment, vetëm për një moment, me forcën e imagjinatës u përpoq  t’u jipte jetë. Ajo kohë ishte tepër e largët. E shkuar. Për të kujtuar ato vite të haruara por të jetuara u përpoq të shihte veten përmes atyre njerëzve. Të ndjente zhurmën e atyre festave si dikur kur kalonin poshtë ikonës së Shën Marisë, ose kur shkonin e tërhiqnin fshehurazi litarin e kambanës dhe prifti i gjurmonte me vrap, por qe e pa mundur.
         I ndodhur përpara portës së kishës nuk po guxonte ta prekte atë. Një e çarrë e madhe kishte zënë vendin e asaj doreze të bukur. Në cep të buzës i u shfaq një buzëqeshje e shpejtë dhe e hidhur. Kur ishte i vogël do ta mbërthente me të dyja duart atë dorezë duke i ndjerë në mollëzat e gishtrinjve të tij ato gdhëndje të bukura të atij metali të shndritshëm nga prekjet e shpeshta të njerëzve të shumtë. Do të shihte me ëndje edhe portën e rëndë të ndërtuar me dru lisi. Sot ato nuk ekzistonin më. Duke e çliruar prej telit i cili kalonte nëpërmjet asaj të çarre ku dikur ndodhej doreza dhe kasës, e shtyu në brendësi.
          U përpoq të merte frymë thellë për të ekuilibruar imagjinatën me realitetin që do të shihte. Gjithçka e shkatëruar. Trarë dhe mure të zhveshura. Nuk ekzistonte më ai shandan i bukur. Të gjitha ato ishin vetëm në kujtesën e tij. Dëshira i thoshte se do ti gjente aty të gjalla si gjithmonë. Por zhgënjimi që pësoi ishte tepër i madh. Në brendësi të saj ekzistonte heshtje. Një heshtje që të trishtonte. E trishtuan edhe më shumë ata kavanoza kandilë të vendosur fshehurazi nga fshatarët. Ajo tymosja e çdo kavanoz-kandili dhe vaji që digjej në to aty mbrapa ish ikonostasit e gjunjëzuan. Aty, gati në pëshpëritje të thellë lëshoi shumë fjalë të pakuptimta.
         Kishin shqyer e rrëmbyer gjithçka me vlerë. Ikonostasi me ato gdhëndje në dru masiv tek rrethonin portretet e shenjtorëve ishte zhdukur sëbashku me ta. Të tjerët, të sakatuar, të mbetur në mure si njolla gati të pakuptueshme, me fytyra e krahë të dëmtuar e trembën. I u krijua ideja sikur i kërkonin të ikte e ti linte të qetë në mjerimin e tyre. Duke  u ripërsëritur përbrenda tij ajo “thirrje” e trembi dhe përnjëherësh doli gati me vrap prej andej.
U ndje tepër keq. Koha e vrejtur ja errësoi edhe më tepër mendimin. I ndodhur në kreshtën e poshtme të malit, fshati i u duk edhe më i zymtë.
 Shtëpi të zhngjyrosura, ullinj të zhngjyrosur dhe det i pistë.      
Mori më të poshtë duke zbritur me vrrull pa ja kthyer përshëndetjen njeriut të vetëm që hasi gjatë gjithë asaj kohe. Mendimin e mëparshëm për të kaluar natën tek një i afërm i tij që kishin në fshat e anulloi. Zbriti në rrugë diku atje në të dalë të fshatit nga ana që shkonte për në qytetin e tij për të pritur mjetin e rastit. 

80-2015
                       

       

                       

Σάββατο 21 Οκτωβρίου 2017

EKSPEDITA, ZBULIME DHE PËRSHTYPJE UDHËTIMI

          
      Përkrah shënimeve të ndryshme mbi çka zbulonim në ato ekspedita të karakterit të njohjes së terrenit, të objekteve antike, të ndërtimeve të ndryshme e deri të një cope qeramike të gjetur në një vend gati të “pa njohur” në hartat arkeologjike, të guvave nëntokësore e deri në shpellat më të çuditëshme të rrethit të Sarandës, të kryera përgjatë një harku kohor gati njëzet vjeçar, me shokun tim të fëmijërisë Sofokli  Litin, kisha filluar të shkruaja përshtypjet, përjetimet  e mia. Me thënë të drejtën ishim dhe jemi ende një çift interesant. Të dy të ujorit pa ç’ka se unë jam disa ditë më i madh se ai. Megjithëse i përkasim të njëjtës shënje, që është nga më interesantet nga të dymëdhjetat e horoskopit, në atë rrugëtim të përbashkët kemi edhe perceptime e ngacmime të veçanta. Duke qenë anëtar i qendrës akeologjike të rrethit të Sarandës ai do të përcaktonte më së fundi destinacionin përfundimtar të tij. Do t'i përkushtohej arkeologjisë, në veçanti antikitetit. Do t'i krijohej një dëshirë e madhe për atë shkencë ku ai ende nuk e njihte. Që nga ai çast do të fillonte të  studionte e grumbullonte njohuri të pafund. Në bibliotekën e tij do të kishte literaturë të bollshme. Do të krijonte lidhje me qëndra arkeologjike e speleologjike të ndryshme jashtë kufirit shtetëror duke shkëmbyer edhe mendime. Do të mbante referate të ndryshme në simpoziume mbi numizmatikën e shumë të tjera. Ndërkohë do të më tërhiqte edhe mua në atë botë të bukur. Ajo ndjesi për natyrën,  për veç pikturës, do të më joshte edhe më shumë sa që Butrinti do të ishte për ne të dy, destinacioni kryesor për të dalë jashtë “rrëmujës së qytetit.” Në adoleshencë, figurat homerike do të vizatoheshin e do të ri vizatoheshin prej meje pa mbarim. Do t'i dizenjoja ato veshje e do të bënim fotografi të shumta me to. Iliada, Odiseja, Roma madhështore dhe figura e Spartakut do më tundonin në vazhdimësi. Më së fundi do t'i dorëzohesha edhe unë asaj aventure, arkeologjisë. Dua të veçoj diçka në lidhe me shokun, bashkëudhëtarin të njëzet viteve kërkimore të filluar që nga adoleshenca. Në të gjitha ato eksplorime mbitokësore e nëntokësore që nga guvat e deri në shpellat e thellësive të mëdha inisiatori i parë ishte ai. Të dy ishim të prirur për veprime të tilla ose “çmënduri” siç na i quanin të tjerët, por ai ishte promotori i kësaj ideje e cila ishte veçse e pa qëllimshme e pa menduar për më tutje. Më tej mes korespodencave të krijuara me përtej Adriatikun morëm literaturë mbi speleologjinë. Gjithashtu do të kërkonim edhe në bibliotekën e qytetit me gjithëse qe e pakët. Më vonë ndjesia jonë e bukur për nëntokën mori një drejtim më serioz. Do të rishkonim për herë të dytë në ato shpella që ndodheshin afër qytetit. Tashmë të paisur me mjetet më modeste që na afronte koha. Që nga elektriku, busulla, termometri, litari, mjetet për të vizatuar hapësirat nëntokësore dhe objektet e ndryshme që mund të gjendeshin. Me një aparatit tim mund të fotografonim hyrjen nga jashtë dhe nga brenda në qoftë se do të na lejonte hapësira për të kaluar drita në brendësi. Më tej, nëqoftë se mund ta imagjinoi filloi “marrëzia.”
       Duke mos respektuar rradhën po filloj nga Shpella e Sasaj-t.
       Për të, për herë të parë më ka folur nëna ime. Midis vjershave  dhe historive të ndryshme më ka treguar edhe për shpellën. Aty fshatarët janë strehuar gjatë bombardimeve në luftën e dytë botërore. Lufta italo greke ishte në mbarim e sipër dhe gjermanët kishin zbarkuar në ballkan. Aleanca anglo-amerikane kishte hyrë në luftë me armatimin më të rëndë të saj. Ajo e mbante mend bukur dhe me imtësi ardhjen e tyre në fshat. Do të kujtoj një moment. Ata (ushtarët grekë), u mirëpritën nga fshatarët, të cilët ishin tepër të rraskapitur dhe të urritur. “Të pa larë, të pa rruar e të pa qethur dhe të mbushur plot me morra, sa që rrobat e tyre u desh ti përvëlonim”, kujtonte ajo. Ishte një dimër i egër, sa kuajve dhe mushkave u zhytej këmba në llucë deri në gju. Aty tek vinin anijet luftarake angleze për të bombarduar fshatin pasi e dinin që aty ndodheshin forcat kundërshtare, ushtarët e mjerë grekë tek mendonin se po u vinte ndihmë e cila nuk u erdhi kurrë, thërrisnin të entusiasmuar “Irthan. Ine ta dhikamas.” Duke i pasur topat statikë, anijet duhej të bënin një rrotullim dhe pastaj fillonin gjuanin. Një fëmijë 12-13 vjeçar, jo i zhvilluar mirë mendërisht tek i shihte ushtarët të strehoeshin me fshatarët ja nisi “dhikamas, dhikamas por kur na kthehu bitët (bythët)”. Dhe duke vrapuar qeshte me të madhe pa e kuptuar se ç’farë do të ndodhte më tej. Me një fjalë shkak u bë shpella e Sasajt që fola kaq shumë pasi gjatë bombardimeve, pjesa më e madhe e fshatit u strehua aty.
Shkuam të dielën e parë të muajit Gusht të 1987 me autobuzin e linjës Sarandë-Borsh. Pasi zbritëm, morëm të përpjetën për në fshat. Rrugës na shoqëruan  vëndas të cilët na dhanë me përafërsi vendodhjen e shpellës. Megjithëse i erdhëm disa herë pranë, me vështirësi të madhe e gjetëm. I gjithë shpati i malit mbulohej nga bimësia vendase mesdhetare me 2-3m lartësi, e cila nuk të krijonte mundësinë të ndesheshe me të
        Hyrja e saj  ishte një e çarë e çregullt me përmasa 1.90 m x 2 m dhe binte vertikalisht me sipërfaqen e tokës me shikim nga jugu. Jo shumë lart saj vurëm re një të çarrë tjetër me përmasa 1.20m x 1.30 m e cila shërbente si dritare.
        Me një herë pasi kaluam hyrjen këmbët na prekën në një dysheme të ngjeshur argjili ngjyrë okër. Ajo pjesë kapte 7m gjatësi dhe lartësi që lëvizte nga 6 m në 9m
        Shpella ka vetëm një drejtim nga perëndimi. Pasi kthehesh majtas zbret në një pjerrësi të madhe dhe u detyruam të ecnim në thembra pasi ishte e vështirë. Kjo pjesë shkon në  5m gjatësi. Aty, po ta identifikojmë si të tillë, ndodhet qendra e dyshemesë me një trajtë pothuajse vezake që kap  përmasa 10m x 13 m. Lartësia më e madhe është në qendër të saj  dhe shkon në 9m dhe nga ana perëndimore ku është edhe fundi i saj faqja shkëmbore zbret duke bërë një hark nga jashtë. Diku kap 3m lartësi dhe mbaron mbi sipërfaqen e dyshemesë të mbushur me çakëll e cila dikur duhej të qe në nivele më të ulëta.Midis gurëve ndodheshin edhe copa stalaktitesh të rëna nga lartë. Nga ana veriore vurëm re të kishte pikime të ngadalshme e të vazhdueshme uji. Instiktivisht pashë termometrin, kishte shkuar në 11 o C. Gjatë kohës kur po e kërkonim shpellën jashtë saj termometri tregonte 23 o C.
         Duke e vëzhguar me kujdes dyshemenë e ambientit ku ndodheshim i cili ishte edhe fundi, vurëm re të shpërndara midis gurrëve disa pjesë eshtrash njeriu. Kafka e cila pjesën e ballit dhe të gropëzave të syve e kishte të shkatëruar, klavikulën e majtë dhe atë të pulpës e cila vinte e harkuar nga jashtë e cila na bëri shumë përshtypje. Midis tyre dhe gurëve u gjendën edhe disa fragmente stralli. Prej këtyre fragmenteve na ngjallën interes dy pjesë të cilat të linin përshtypjen për prerëse. E para kishte trajtën e bajames me përmasa 7cm me 3cm. Nga të dyja krahët e saj duke u bashkuar në nëj majë ishi tepër të mprehta. E dyta e cila paraqitet si prerëse kapte përmasat 5.5 x 3.5cm. Ka trajtën e një trekëndëshi pak të harkuar nga një anë. Në faqen shkëmbore e cila ishte pjesa fundore  e shpellës vurëm re gjurmë zjarri. Hoqa këmishën dhe mbështolla eshtrat. Duke i ndarë “trofetë,” Sofua mori presat dhe i futi në xhep. Pasi hodhëm për herë të fundit një shikim të shpejtë rreth e rrotur dolëm. Për të gjitha këto veprime na u deshën afër tre orë. Në fshat e kishin marë vesh ardhjen tonë. U ulëm për të pirë një kafe, gjithashtu edhe për të marë ndonjë informacion. Po ndjeja kërshërinë e njerëzve që kishim për rreth, të cilët kryesisht ishin pleq. Duhej të prezantoheshim, sidomos unë, si patriot. Duke u dhënë nga një cigare të cilat edhe i ndezëm në çast, kuptova se njeri prej tyre më njihte. Të tjerët, pasi dëgjuan emrim e tim eti, lëvizën menderet si për të zënë vënd më mirë në karriket ku rinin. Mua ajo gjendje nuk më shqetësonte pasi ai reagim i njerëzve qe kudo i njëjtë. Kishim interes të mësonim ndonjë gjë për shpellën pasi eshtrat mund të ishin gjithçka ose asgjë. Ata nuk mbanin mend për ndonjë vrasje që mund të kishte ndodhur aty. Për humbje ose zhdukje njerëzish. Pasi i falënderuam u çuam dhe morëm rrugën më të poshtë për të dalë në rrugën automobilistike. Autobuzi i linjës kishte kaluar, duhej të prisnim për ndonjë të rastit.
Të nesërmen pasi ishte dita e parë e javës, të gjithë materialin, Sofua e çoi tek qendra arkeologjike e vendosur në themelet e pallatit të ri të ndërtuar mbi  rrënojat e murrit rrethues të kalasë romake. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia po në atë vënd në drejtim të themeleve të kalasë, ndërtuan godinat e garnizonit ushtarak i cili fillonte nga ish shtëpia e kulturës dhe vazhdonte më të lartë në kufi me murrin rrethues të shkollës “Adem Sheme.”Për fat të mirë ato ditë kishte ardhur të bënte praktikën një student  i sapo diplomuar në degën e antropologjisë
Materialin e çuam tek gazeta “Bashkimi” i cili u botua më datën 23 Gusht 1987*                     



           * Ky material është reduktuar pjesërisht. Tek orgjinali përmenden momente dhe emra individësh të cilët në formë direkte janë përpjekur të më pengojnë vazhdimisht në ato pak gjëra që kërkoja. Pinelin dhe lirinë për të njohur bukuritë e vendit tim.



PAMJE E VENDODHJES SE SHPELLES

HYRJA E SIPERME E SHPELLES
PRERJA VERTIKALE DHE HORIZONTALE E SHPELLES


Σάββατο 12 Αυγούστου 2017

DËSHIRA DHE DHIMBJE

  Për mos u tronditur nga ajo që do të shihte,  kaloi në brendësinë e saj me sytë gati në të mbyllur. Mes asaj errësire të plotë, të shpërthyer nga themelet e kalasë shekullore, si të burgosurit e dikurshëm në kontaktin e parë me dritën e diellit, ai nuk mundi të ambjentohej. I mbylli më fortë për t'u bindur se pas hapjes së tyre do t'i shfaqeshin të gjitha skenat e asaj mbijetese gati gjysëm shekullore që i jati kishte kaluar. Tek e mbështeti dorën në ato mure ndjeu ftohtësinë e lagësht të tyre. Me frikë se mos ato dhimbje dhe të thirrura njerëzore ri dilnin nga gërvishjet e thella të bëra aty, duke lëvizur lehtë pëllëmbën e dorës mbi to, hapi sytë. Menjëherë, brenda krahut ndjeu një lëvizje të shpejtë gati si rrymë elektrike t'i përcillte një goditje të fuqishme krahërorit të tij.
Dëshira dhe dhimbje të shumta të mbetura si kujtesë e një brezi të privuar nga jeta vazhdonin të klithnin akoma. Nuk u ndje mirë. Mori frymë thellë si për t'i thënë vetes se ishte gati të përballohej me atë që po e priste. Ja qoshja ku i jati mbi një thes kashte e shumë rrecka të tjera përballoi netët e atij dimri të gjatë e të pafund. Atje përballë  ndjeu praninë e djaloshit që mposhti frikën, vdekjen. Vegimi i tij i shfaqur me buzëqeshjen e vazhdueshme në fytyrë sikur i thoshte;- “Jam ende gjallë”
Kudo nëpër mure kishte shkrime e figura të lëna ndoshta kur ai sistem ishte në grahmat e fundit.  Atje lartë diku, një rrjesht i shkurtër fjalësh bënte thirrje për përmbysjen e rregjimit. Më poshtë dy duar të shtrënguara jepnin shpresën e mbijetesës. I u kujtua rrëfimi i vazhdueshëm i të jatit për kohën e gjatë që kishte kaluar në atë qeli me bashkëvuajtësin, me atë djalë të hekurt e të pa mposhtur. Pasi e mori vesh vendimin e ekzekutimit të tij, pa u trembur u a dorëzoi trupin atyre. Por zemrën jo. Jo, kurrë. Edhe në çastin e ekzekutimit atje lartë në sheshin e kalasë shekullore, i tmerroi ata me thirrjen e tij : “Mermani trupin, por zemrën kurrë s’u a jap.” 
Ndjeu t'i buçiste në vesh ajo shprehje gati në  thirrje. Aty lartë, nga dritarja e vogël, rrezet e pakta të diellit të copëtuara nga shufra hekuri të trasha, po përpiqeshin të ndriçonin në atë faqe muri thirrjet e dhimbjet e shumta të atyre njerëzve të dënuar nga diktatura komuniste.
Për një çast, ato dritë-hije, nisën të lëviznin dhe të merrnin trajta të ndryshme. Tek përpiqeshin të shkëputeshin prej andej, ende lëshonin thirrje e ulërima therrëse. Gjithçka përreth filloi të përmbysej dhe trupi i tij u përplas për muri. Kur u përmend e pa veten në një nga ambientet e kalasë. Nën efektin e asaj që përjetoi ndjeu sikur do ta merrnin edhe atë për ta ekzekutuar. Bëri disa lëvizje të shpejta me duar si për tu thënë atyre të largoheshin prej tij. Zotëri duhet të qetësoheni i u drejtua një prej tyre i cili shërbente në kalanë ish burg sot muze u përpoq ta qetësonte duke i shërbyer me më të mundëshmet. E mblodhi veten shpejt. Kërkoi të dalë. U nis pa kërkuar ndihmë prej tyre. Kumbimi i hapave të tij mbi atë kalldrëm të shkelur në shekuj nga mijëra njerëz, tek përplasej në faqet e gurta të atyre katakombeve sikur e thërriste të mos ikte për të mësuar shumë gjëra të tjera që kishin ndodhur aty. Ktheu kokën edhe hijes të mekur tek i zvaritej pas i u trëmb. Dhe i thërriti vetes për të dalë sa më shpejt prej andej. Zhurmën e hapave, klithmat e vuajtjeve të atyre njerëzve të mjerë që nuk e panë më dritën e diellit i mbyti me  zërin e tij. “Duhet të dal prej këndej sa më shpejt. Duhet të dal.”
I ndodhur jashtë sikur e solli në jetë ngrohtësia e diellit vjeshtak. Ktheu kokën mbrapa për të hedhur vështrimin e tij të fundit atij përbindëshi të krijuar nga vet njerëzit por ndjeu sikur ai hark i madh guri i mbështetur fuqishëm në tabanin e themelet e kështjellës po përpiqej ta gllabëronte. Por jo. Ai nuk do të hynte më atje. Me intuitë, pak më parë ende pa kaluar në brendësi të tij e kishte imagjinuar anën fizike të atij konstrukti gjigant ku në çdo kohë veçse kishte marë jetë njerëzish. Ajo ftohtësia e lagësht e injektuar që në kohën e krijimit të saj e trembi. Nuk do t'i kushtonte më vëmëndje asaj që përjetoi. Edhe historinë e vuajtjeve të babait do të përpiqej që të mos ta kujtonte më. Kishte çështje dhe probleme të tjera që ai duhej t'u përkushtohej e të kujdesej.  Jetën e re që po krijonte.   
        



            

Τετάρτη 1 Μαρτίου 2017

RRËFIMI I NJË ARXHIU


Ai u shfaq gati pa pritur. Nuk e di se nga erdhi dhe çfarë ndjeu kur u përballua me shikimin tim, por në çast kërkoi të  ulej pranë meje. Deri sa e përshtatit trupin e tij në formën e karrikes që më ndodhej pranë, nuk e shkëputi as edhe njëherë shikimin. Menjëherë pas të gjitha këtyre veprimeve, tek e mbante ende në dorë shishen me birrë, filloi ta pinte atë. Aty vura re lëvizjen ritmike të gurmazit të tij gjithë rrudha tek kapërcente atë lëng në gllënka të vogla. Ardhja pranë, ulja dhe mosndarja e shikimit jo vetëm më çuditi por edhe më ngacmoi disi. Edhe më vonë, megjithëse shikonte diku gjetkë ai vëmëndjen e kishte nga unë. Për një çast, duke u ngritur në të ndënjura, gati në një pozicion vertikal me karriken, pasi aty tek qëndronte trupi i tij rrëshqiste shpesh, u drejtua nga unë. Në atë përballje, në bardhësinë e syve të tij në raport me kokërdhokun dhe lëkurën ezmere të asaj race endacake, ndjeva një efekt të çuditshëm. Ajo kishte lidhje me atë që unë po përpiqesha të kuptoja në ato çaste. Ai tip që se kisha idenë nëse rronte e merte frymë, u ndodh pa pritur para meje. Forma e çliruar dhe gati naive që po më tërhiqte çmëndurisht. Ishte ajo buzëqeshje e tij tek më uronte shpesh “gëzuar shoku.” E ndjeu. Kjo i mjaftonte. Ai nisi të më rrëfente një histori të çuditëshme.
Isha ende i dehur kur më zgjuan herët në mëngjes. Të paktën kështu e kuptova pasi nuk mbaja mend se deri kur vazhdoi sherri. U habita kur i pashë duart të lidhura me hekura dhe dy policë tek më tërhiqnin. Nuk e di, ende sot besoj se e vrava vet vjerrin tim. Për këtë arsye dola si i tillë, si vrasës. Përderi sa isha pjestar i atij sherri dhe në çdo çast  shprehesha se e kisha vrarë vetë, më dënuan me 9 vjet burg. Pas afër gjashtë vjetësh më thërrasin e më thonë se isha i lirë. Kishin gjetur vrasësin e vërtetë. Ai, i kapur për një krim tjetër në një nga shtetet fqinjë, indedifikohet si i njëjti person edhe për vrasjen e vjerrit tim. Ajo arsye mu duk e çuditëshme dhe nuk pranova. Nuk desha të dilja prej andej. Në aq sa mbaj mend e kisha gjuajtur edhe vet me shkelma, grushta dhe me ç’farë më dilte përpara. Me gjithatë duhej të dilja prej andej dhe të shkoja pranë familjes time, aty pranë lumit në të dalë të qytetit. Pothuajse po ato ditë më vjen e më kërkon një person të cilin nuk e njihja. Si avokat, ai më shpjegoi mundësinë e përfitimit të një dëmshpërblimi. Me vitet e kryera, do të merja një sasi lekësh të pa menduara ndonjëherë. Avokati mbeti shumë i kënaqur, unë edhe më shumë. Duhej të shkoja në burg që të më ndryshonte jeta. Bleva një furgon të vogël dhe automatikisht u bëra “bosi” i të gjithë  arxhinjve që jetojmë sëbashku. Ishin ditë të bukura se e shtroja me të pira, të ngrëna, klarino domethënë vetëm qejf. Sa për punën, të gjitha hekurishtet që mblidhnin tek unë i sillnin. Një ditë prej ditësh duke e ngarë i dehur, tek po përpiqesha të parakaloja, nuk llogarita kohën dhe pas një rrëshqitje dhe humbje ekuilibri furgoni përmbyset duke kryer katër-pesë salto dhe pastaj, në fundin e kanalit vaditës në anë të rrugës. Unë shpëtova por ai nuk bëhej më. Kështu që sa më kishin mbetur nga ata lekë i harxhova
Ai heshti për një çast. Hoqi shikimin  nga unë duke parë sasinë e birrës të mbetur në shishe. E ktheu me dy-tre gllënka në gurmaz. Prej meje asnjë reagim. Por nga ai, as edhe njëherë nuk e shkëputa shikimin. Besova se diçka po zbuloja mbi jetën e atyre njerëzve prej endacaku tek përshtateshin në çdo vend, ku ata ngrinin çadrat e tyre të çuditëshme. Ai buzëqeshi dhe u çua prej karrikes. Pas pak u kthye me dy shishe birra. “Ta pimë shoku” më tha duke më drejtuar njërën prej tyre. Në ato çaste mu kujtua një film italian i viteve 50-60 i Etore Scola-s. Aty flitej për një vëndbanim romësh të ngritur diku në periferi të Romës. Në ato shtëpi prej dërrasash të ngritura pranë njera-tjetrës ata përjetonin delirin më të bukur të jetës së tyre. Në qoftë se do tju bie rasti mos e lëni pa e parë atë film.
Pas asaj, tek po e shihja drejt e në sy, ai  njeri krijoi idenë sikur po i kërkoja vazhdimin e mëtejshëm të asaj historie. Me një veprim, i cili s’ishte gjë tjetër veçse një instikt, fshiu buzët me pëllëmbën e dorës dhe nisi rrëfimin e lënë në mes:
Në fakt, nuk më kishte shkuar kurrë ndërmënd të zihesha me vjerrin, e jo më ta qëlloja. E gjitha ndodhi nga dehja pa çka se ai kishte filluar ta tepronte prej kohësh. Gruan, ish vjerrën time e kishte të re. Të dy të pangopur. Atë punë gati natë për natë e  bënin. Deshte të ngatërohej me kunatën, motrën e gruas, vjerrën e vajzës time të vogël. Në fakt qe e mirë dreqi. E ndarë nga burri. Atje në “akademi” mendjen tek ajo e kisha. Ajo sot është gruaja ime. Ndërsa e  para më iku nga shtëpia menjëherë pas dënimit tim, ende pa mbushur muajin. Atëhere vajzën e kisha 13 vjeçe ndërsa dhëndërin 27 vjeç, i cili kishte edhe një fëmijë nga gruaja e tij e parë. Lëmsh hesapi.” Pas asaj heshtje të gjatë prej meje, ku nuk kisha ndërmend të flisja nuk u përmbajta.  Përse e martove kaq të vogël vajzën e pyeta. Ranë në dashuri mu përgjigj ai. E deshën shumë njeri-tjetrin. Nuk mund tu shkoja kundër. Sot kanë dy fëmijë dhe presin të tretin. Edhe unë i vogël isha kur u martova 15 ndërsa ajo 11.
Nga ai rrëfim i shpejtë ende nuk po e kuptoja se si po ndjehesha. Ishte një pështjellim tepër i çuditshëm ku më bënte të qeshja e të mendohesha për jetën e atyre endacakëve. Por përsëri ai njeri nuk më la kohë; Nga ato që u thanë në gjyq doli se u  vra nga dashnori i vajzës së motrës të gruas që kam tani. Kishte kohë që i vinte vërdallë. Ndoshta shkaku kryesor do të ishte se ai kishte mësuar se ku i kishte fshehur lekët vjerri im. Dhe të gjitha këto ndodhën kur të gjithë ishim duke pirë e kërcyer. Ai kreu vrasjen, mori lekët dhe iku pa ardhur policia, pa lënë gjurmë dhe ndoshta po atë ditë kishte kaluar kufirin. Duhej ta haja unë. Por nejse, prap i fituar dola. U bëra me patentë, makinë e me lekë ku nga të gjitha ato, sot nuk kam asgjë prej gjëje.
 Në atë çast, si gjithmonë me shishen e birrës në dorë, tek më shihte si triumfator filloi ta rrëkllente pa ndërprerje atë lëng të tej ngrohur nga duart e tij.