Ai u shfaq gati pa pritur. Nuk e di se nga erdhi dhe çfarë ndjeu kur u përballua me
shikimin tim, por në çast kërkoi të ulej pranë meje. Deri sa e përshtatit trupin
e tij në formën e karrikes që më ndodhej pranë, nuk e shkëputi as edhe njëherë shikimin.
Menjëherë pas të gjitha këtyre veprimeve, tek e mbante ende në dorë shishen me
birrë, filloi ta pinte atë. Aty vura re lëvizjen ritmike të gurmazit të tij
gjithë rrudha tek kapërcente atë lëng në gllënka të vogla. Ardhja pranë, ulja
dhe mosndarja e shikimit jo vetëm më çuditi por edhe më ngacmoi disi. Edhe më
vonë, megjithëse shikonte diku gjetkë ai vëmëndjen e kishte nga unë. Për një
çast, duke u ngritur në të ndënjura, gati në një pozicion vertikal me karriken,
pasi aty tek qëndronte trupi i tij rrëshqiste shpesh, u drejtua nga unë. Në atë
përballje, në bardhësinë e syve të tij në raport me kokërdhokun dhe lëkurën
ezmere të asaj race endacake, ndjeva një efekt të çuditshëm. Ajo kishte lidhje
me atë që unë po përpiqesha të kuptoja në ato çaste. Ai tip që se kisha idenë
nëse rronte e merte frymë, u ndodh pa pritur para meje. Forma e çliruar dhe gati
naive që po më tërhiqte çmëndurisht. Ishte ajo buzëqeshje e tij tek më
uronte shpesh “gëzuar shoku.” E ndjeu. Kjo i mjaftonte. Ai nisi të më rrëfente
një histori të çuditëshme.
Isha ende i dehur kur më zgjuan herët në mëngjes.
Të paktën kështu e kuptova pasi nuk mbaja mend se deri kur vazhdoi sherri. U
habita kur i pashë duart të lidhura me hekura dhe dy policë tek më tërhiqnin.
Nuk e di, ende sot besoj se e vrava vet vjerrin tim. Për këtë arsye dola si i
tillë, si vrasës. Përderi sa isha pjestar i atij sherri dhe në çdo çast
shprehesha se e kisha vrarë vetë, më dënuan me 9 vjet burg. Pas afër
gjashtë vjetësh më thërrasin e më thonë se isha i lirë. Kishin gjetur vrasësin
e vërtetë. Ai, i kapur për një krim tjetër në një nga shtetet fqinjë, indedifikohet si i
njëjti person edhe për vrasjen e vjerrit tim. Ajo arsye mu duk e çuditëshme dhe nuk
pranova. Nuk desha të dilja prej andej. Në aq sa mbaj mend e kisha gjuajtur edhe vet me shkelma, grushta dhe me ç’farë më dilte përpara.
Me gjithatë duhej të dilja prej andej dhe të shkoja pranë familjes time, aty
pranë lumit në të dalë të qytetit. Pothuajse po ato ditë më vjen e më kërkon
një person të cilin nuk e njihja. Si avokat, ai më shpjegoi mundësinë e
përfitimit të një dëmshpërblimi. Me vitet e kryera, do të merja një sasi lekësh
të pa menduara ndonjëherë. Avokati mbeti shumë i kënaqur, unë edhe më shumë.
Duhej të shkoja në burg që të më ndryshonte jeta. Bleva një furgon të vogël dhe
automatikisht u bëra “bosi” i të gjithë arxhinjve që jetojmë sëbashku. Ishin ditë të
bukura se e shtroja me të pira, të ngrëna, klarino domethënë vetëm qejf. Sa për
punën, të gjitha hekurishtet që mblidhnin tek unë i sillnin. Një ditë prej
ditësh duke e ngarë i dehur, tek po përpiqesha të parakaloja, nuk llogarita
kohën dhe pas një rrëshqitje dhe humbje ekuilibri furgoni përmbyset duke kryer
katër-pesë salto dhe pastaj, në fundin e kanalit vaditës në anë të rrugës. Unë
shpëtova por ai nuk bëhej më. Kështu që sa më kishin mbetur nga ata lekë i
harxhova
Ai heshti për një çast. Hoqi shikimin nga unë duke parë sasinë e birrës të mbetur
në shishe. E ktheu me dy-tre gllënka në gurmaz. Prej meje asnjë reagim. Por nga
ai, as edhe njëherë nuk e shkëputa shikimin. Besova se diçka po zbuloja mbi
jetën e atyre njerëzve prej endacaku tek përshtateshin në çdo vend, ku ata
ngrinin çadrat e tyre të çuditëshme. Ai buzëqeshi dhe u çua prej karrikes. Pas
pak u kthye me dy shishe birra. “Ta pimë shoku” më tha duke më drejtuar njërën
prej tyre. Në ato çaste mu kujtua një film italian i viteve 50-60 i Etore Scola-s.
Aty flitej për një vëndbanim romësh të ngritur diku në periferi të Romës. Në
ato shtëpi prej dërrasash të ngritura pranë njera-tjetrës ata përjetonin
delirin më të bukur të jetës së tyre. Në qoftë se do tju bie rasti mos e lëni
pa e parë atë film.
Pas asaj, tek po e shihja drejt e në sy, ai njeri krijoi idenë sikur po i kërkoja
vazhdimin e mëtejshëm të asaj historie. Me një veprim, i cili s’ishte gjë
tjetër veçse një instikt, fshiu buzët me pëllëmbën e dorës dhe nisi rrëfimin e
lënë në mes:
Në fakt, nuk më kishte shkuar kurrë ndërmënd të
zihesha me vjerrin, e jo më ta qëlloja. E gjitha ndodhi nga dehja pa çka se ai
kishte filluar ta tepronte prej kohësh. Gruan, ish vjerrën time e kishte të re. Të
dy të pangopur. Atë punë gati natë për natë e
bënin. Deshte të ngatërohej me kunatën, motrën e gruas, vjerrën e vajzës
time të vogël. Në fakt qe e mirë dreqi. E ndarë nga burri. Atje në “akademi” mendjen
tek ajo e kisha. Ajo sot është gruaja ime. Ndërsa e para më iku nga shtëpia menjëherë pas dënimit tim, ende pa mbushur muajin.
Atëhere vajzën e kisha 13 vjeçe ndërsa dhëndërin 27 vjeç, i cili kishte edhe
një fëmijë nga gruaja e tij e parë. Lëmsh hesapi.” Pas asaj heshtje të gjatë
prej meje, ku nuk kisha ndërmend të flisja nuk u përmbajta. Përse e martove kaq
të vogël vajzën e pyeta. Ranë në dashuri mu përgjigj ai. E deshën shumë
njeri-tjetrin. Nuk mund tu shkoja kundër. Sot kanë dy fëmijë dhe presin të
tretin. Edhe unë i vogël isha kur u martova 15 ndërsa ajo 11.
Nga ai rrëfim i shpejtë ende nuk po e kuptoja se
si po ndjehesha. Ishte një pështjellim tepër i çuditshëm ku më bënte të qeshja
e të mendohesha për jetën e atyre endacakëve. Por përsëri ai njeri nuk më la
kohë; Nga ato që u thanë në gjyq doli se u
vra nga dashnori i vajzës së motrës të gruas që kam tani. Kishte kohë që
i vinte vërdallë. Ndoshta shkaku kryesor do të ishte se ai kishte mësuar se ku
i kishte fshehur lekët vjerri im. Dhe të gjitha këto ndodhën kur të gjithë
ishim duke pirë e kërcyer. Ai kreu vrasjen, mori lekët dhe iku pa ardhur
policia, pa lënë gjurmë dhe ndoshta po atë ditë kishte kaluar kufirin. Duhej ta
haja unë. Por nejse, prap i fituar dola. U bëra me patentë, makinë e me lekë ku
nga të gjitha ato, sot nuk kam asgjë prej gjëje.
Në atë
çast, si gjithmonë me shishen e birrës në dorë, tek më shihte si triumfator filloi
ta rrëkllente pa ndërprerje atë lëng të tej ngrohur nga duart e tij.