Për
mos u tronditur nga ajo që do të shihte,
kaloi në brendësinë e saj me sytë gati në të mbyllur. Mes asaj errësire të
plotë, të shpërthyer nga themelet e kalasë shekullore, si të burgosurit e
dikurshëm në kontaktin e parë me dritën e diellit, ai nuk mundi të
ambjentohej. I mbylli më fortë për t'u bindur se pas hapjes së tyre do t'i
shfaqeshin të gjitha skenat e asaj mbijetese gati gjysëm shekullore që i jati
kishte kaluar. Tek e mbështeti dorën në ato mure ndjeu ftohtësinë e lagësht të
tyre. Me frikë se mos ato dhimbje dhe të thirrura njerëzore ri dilnin nga
gërvishjet e thella të bëra aty, duke lëvizur lehtë pëllëmbën e dorës mbi to,
hapi sytë. Menjëherë, brenda krahut ndjeu një lëvizje të shpejtë gati si
rrymë elektrike t'i përcillte një goditje të fuqishme krahërorit të tij.
Dëshira
dhe dhimbje të shumta të mbetura si kujtesë e një brezi të privuar nga jeta vazhdonin të klithnin akoma. Nuk u ndje mirë. Mori frymë thellë si për t'i thënë
vetes se ishte gati të përballohej me atë që po e priste. Ja qoshja ku i jati
mbi një thes kashte e shumë rrecka të tjera përballoi netët e atij dimri të
gjatë e të pafund. Atje përballë ndjeu
praninë e djaloshit që mposhti frikën, vdekjen. Vegimi i tij i shfaqur me
buzëqeshjen e vazhdueshme në fytyrë sikur i thoshte;- “Jam ende gjallë”
Kudo
nëpër mure kishte shkrime e figura të lëna ndoshta kur ai sistem ishte në grahmat e fundit. Atje lartë diku, një rrjesht i shkurtër
fjalësh bënte thirrje për përmbysjen e rregjimit. Më poshtë dy duar të shtrënguara jepnin
shpresën e mbijetesës. I u kujtua rrëfimi i vazhdueshëm i të jatit për kohën e
gjatë që kishte kaluar në atë qeli me bashkëvuajtësin, me atë djalë të hekurt e
të pa mposhtur. Pasi e mori vesh vendimin e ekzekutimit të tij, pa u trembur u
a dorëzoi trupin atyre. Por zemrën jo. Jo, kurrë. Edhe në çastin e ekzekutimit
atje lartë në sheshin e kalasë shekullore, i tmerroi ata me thirrjen e tij :
“Mermani trupin, por zemrën kurrë s’u a jap.”
Ndjeu
t'i buçiste në vesh ajo shprehje gati në
thirrje. Aty lartë, nga dritarja e vogël, rrezet e pakta të diellit të
copëtuara nga shufra hekuri të trasha, po përpiqeshin të ndriçonin në atë faqe
muri thirrjet e dhimbjet e shumta të atyre njerëzve të dënuar nga diktatura
komuniste.
Për
një çast, ato dritë-hije, nisën të lëviznin dhe të merrnin trajta të ndryshme.
Tek përpiqeshin të shkëputeshin prej andej, ende lëshonin thirrje e ulërima
therrëse. Gjithçka përreth filloi të përmbysej dhe trupi i tij u përplas për
muri. Kur u përmend e pa veten në një nga ambientet e kalasë. Nën efektin e
asaj që përjetoi ndjeu sikur do ta merrnin edhe atë për ta ekzekutuar. Bëri disa
lëvizje të shpejta me duar si për tu thënë atyre të largoheshin prej tij. Zotëri duhet të qetësoheni i u drejtua një prej tyre i cili shërbente në
kalanë ish burg sot muze u përpoq ta qetësonte duke i shërbyer me më të mundëshmet. E mblodhi veten shpejt. Kërkoi të dalë. U nis pa kërkuar
ndihmë prej tyre. Kumbimi i hapave të tij mbi atë kalldrëm të shkelur në shekuj
nga mijëra njerëz, tek përplasej në faqet e gurta të atyre katakombeve sikur e
thërriste të mos ikte për të mësuar shumë gjëra të tjera që kishin ndodhur aty.
Ktheu kokën edhe hijes të mekur tek i zvaritej pas i u trëmb. Dhe i thërriti vetes për të dalë sa më shpejt prej andej. Zhurmën e hapave, klithmat e vuajtjeve të atyre njerëzve të mjerë që nuk e panë më dritën
e diellit i mbyti me zërin e tij. “Duhet
të dal prej këndej sa më shpejt. Duhet të dal.”
I
ndodhur jashtë sikur e solli në jetë ngrohtësia e diellit vjeshtak. Ktheu kokën
mbrapa për të hedhur vështrimin e tij të fundit atij përbindëshi të krijuar nga
vet njerëzit por ndjeu sikur ai hark i madh guri i mbështetur fuqishëm në
tabanin e themelet e kështjellës po përpiqej ta gllabëronte. Por jo. Ai nuk do
të hynte më atje. Me intuitë, pak më parë ende pa kaluar në brendësi të tij e kishte
imagjinuar anën fizike të atij konstrukti gjigant ku në çdo kohë veçse kishte
marë jetë njerëzish. Ajo ftohtësia e lagësht e injektuar që në kohën e krijimit
të saj e trembi. Nuk do t'i kushtonte më vëmëndje asaj që përjetoi. Edhe
historinë e vuajtjeve të babait do të përpiqej që të mos ta kujtonte më. Kishte
çështje dhe probleme të tjera që ai duhej t'u përkushtohej e të kujdesej. Jetën e re që po krijonte.