Σάββατο 21 Οκτωβρίου 2017

EKSPEDITA, ZBULIME DHE PËRSHTYPJE UDHËTIMI

          
      Përkrah shënimeve të ndryshme mbi çka zbulonim në ato ekspedita të karakterit të njohjes së terrenit, të objekteve antike, të ndërtimeve të ndryshme e deri të një cope qeramike të gjetur në një vend gati të “pa njohur” në hartat arkeologjike, të guvave nëntokësore e deri në shpellat më të çuditëshme të rrethit të Sarandës, të kryera përgjatë një harku kohor gati njëzet vjeçar, me shokun tim të fëmijërisë Sofokli  Litin, kisha filluar të shkruaja përshtypjet, përjetimet  e mia. Me thënë të drejtën ishim dhe jemi ende një çift interesant. Të dy të ujorit pa ç’ka se unë jam disa ditë më i madh se ai. Megjithëse i përkasim të njëjtës shënje, që është nga më interesantet nga të dymëdhjetat e horoskopit, në atë rrugëtim të përbashkët kemi edhe perceptime e ngacmime të veçanta. Duke qenë anëtar i qendrës akeologjike të rrethit të Sarandës ai do të përcaktonte më së fundi destinacionin përfundimtar të tij. Do t'i përkushtohej arkeologjisë, në veçanti antikitetit. Do t'i krijohej një dëshirë e madhe për atë shkencë ku ai ende nuk e njihte. Që nga ai çast do të fillonte të  studionte e grumbullonte njohuri të pafund. Në bibliotekën e tij do të kishte literaturë të bollshme. Do të krijonte lidhje me qëndra arkeologjike e speleologjike të ndryshme jashtë kufirit shtetëror duke shkëmbyer edhe mendime. Do të mbante referate të ndryshme në simpoziume mbi numizmatikën e shumë të tjera. Ndërkohë do të më tërhiqte edhe mua në atë botë të bukur. Ajo ndjesi për natyrën,  për veç pikturës, do të më joshte edhe më shumë sa që Butrinti do të ishte për ne të dy, destinacioni kryesor për të dalë jashtë “rrëmujës së qytetit.” Në adoleshencë, figurat homerike do të vizatoheshin e do të ri vizatoheshin prej meje pa mbarim. Do t'i dizenjoja ato veshje e do të bënim fotografi të shumta me to. Iliada, Odiseja, Roma madhështore dhe figura e Spartakut do më tundonin në vazhdimësi. Më së fundi do t'i dorëzohesha edhe unë asaj aventure, arkeologjisë. Dua të veçoj diçka në lidhe me shokun, bashkëudhëtarin të njëzet viteve kërkimore të filluar që nga adoleshenca. Në të gjitha ato eksplorime mbitokësore e nëntokësore që nga guvat e deri në shpellat e thellësive të mëdha inisiatori i parë ishte ai. Të dy ishim të prirur për veprime të tilla ose “çmënduri” siç na i quanin të tjerët, por ai ishte promotori i kësaj ideje e cila ishte veçse e pa qëllimshme e pa menduar për më tutje. Më tej mes korespodencave të krijuara me përtej Adriatikun morëm literaturë mbi speleologjinë. Gjithashtu do të kërkonim edhe në bibliotekën e qytetit me gjithëse qe e pakët. Më vonë ndjesia jonë e bukur për nëntokën mori një drejtim më serioz. Do të rishkonim për herë të dytë në ato shpella që ndodheshin afër qytetit. Tashmë të paisur me mjetet më modeste që na afronte koha. Që nga elektriku, busulla, termometri, litari, mjetet për të vizatuar hapësirat nëntokësore dhe objektet e ndryshme që mund të gjendeshin. Me një aparatit tim mund të fotografonim hyrjen nga jashtë dhe nga brenda në qoftë se do të na lejonte hapësira për të kaluar drita në brendësi. Më tej, nëqoftë se mund ta imagjinoi filloi “marrëzia.”
       Duke mos respektuar rradhën po filloj nga Shpella e Sasaj-t.
       Për të, për herë të parë më ka folur nëna ime. Midis vjershave  dhe historive të ndryshme më ka treguar edhe për shpellën. Aty fshatarët janë strehuar gjatë bombardimeve në luftën e dytë botërore. Lufta italo greke ishte në mbarim e sipër dhe gjermanët kishin zbarkuar në ballkan. Aleanca anglo-amerikane kishte hyrë në luftë me armatimin më të rëndë të saj. Ajo e mbante mend bukur dhe me imtësi ardhjen e tyre në fshat. Do të kujtoj një moment. Ata (ushtarët grekë), u mirëpritën nga fshatarët, të cilët ishin tepër të rraskapitur dhe të urritur. “Të pa larë, të pa rruar e të pa qethur dhe të mbushur plot me morra, sa që rrobat e tyre u desh ti përvëlonim”, kujtonte ajo. Ishte një dimër i egër, sa kuajve dhe mushkave u zhytej këmba në llucë deri në gju. Aty tek vinin anijet luftarake angleze për të bombarduar fshatin pasi e dinin që aty ndodheshin forcat kundërshtare, ushtarët e mjerë grekë tek mendonin se po u vinte ndihmë e cila nuk u erdhi kurrë, thërrisnin të entusiasmuar “Irthan. Ine ta dhikamas.” Duke i pasur topat statikë, anijet duhej të bënin një rrotullim dhe pastaj fillonin gjuanin. Një fëmijë 12-13 vjeçar, jo i zhvilluar mirë mendërisht tek i shihte ushtarët të strehoeshin me fshatarët ja nisi “dhikamas, dhikamas por kur na kthehu bitët (bythët)”. Dhe duke vrapuar qeshte me të madhe pa e kuptuar se ç’farë do të ndodhte më tej. Me një fjalë shkak u bë shpella e Sasajt që fola kaq shumë pasi gjatë bombardimeve, pjesa më e madhe e fshatit u strehua aty.
Shkuam të dielën e parë të muajit Gusht të 1987 me autobuzin e linjës Sarandë-Borsh. Pasi zbritëm, morëm të përpjetën për në fshat. Rrugës na shoqëruan  vëndas të cilët na dhanë me përafërsi vendodhjen e shpellës. Megjithëse i erdhëm disa herë pranë, me vështirësi të madhe e gjetëm. I gjithë shpati i malit mbulohej nga bimësia vendase mesdhetare me 2-3m lartësi, e cila nuk të krijonte mundësinë të ndesheshe me të
        Hyrja e saj  ishte një e çarë e çregullt me përmasa 1.90 m x 2 m dhe binte vertikalisht me sipërfaqen e tokës me shikim nga jugu. Jo shumë lart saj vurëm re një të çarrë tjetër me përmasa 1.20m x 1.30 m e cila shërbente si dritare.
        Me një herë pasi kaluam hyrjen këmbët na prekën në një dysheme të ngjeshur argjili ngjyrë okër. Ajo pjesë kapte 7m gjatësi dhe lartësi që lëvizte nga 6 m në 9m
        Shpella ka vetëm një drejtim nga perëndimi. Pasi kthehesh majtas zbret në një pjerrësi të madhe dhe u detyruam të ecnim në thembra pasi ishte e vështirë. Kjo pjesë shkon në  5m gjatësi. Aty, po ta identifikojmë si të tillë, ndodhet qendra e dyshemesë me një trajtë pothuajse vezake që kap  përmasa 10m x 13 m. Lartësia më e madhe është në qendër të saj  dhe shkon në 9m dhe nga ana perëndimore ku është edhe fundi i saj faqja shkëmbore zbret duke bërë një hark nga jashtë. Diku kap 3m lartësi dhe mbaron mbi sipërfaqen e dyshemesë të mbushur me çakëll e cila dikur duhej të qe në nivele më të ulëta.Midis gurëve ndodheshin edhe copa stalaktitesh të rëna nga lartë. Nga ana veriore vurëm re të kishte pikime të ngadalshme e të vazhdueshme uji. Instiktivisht pashë termometrin, kishte shkuar në 11 o C. Gjatë kohës kur po e kërkonim shpellën jashtë saj termometri tregonte 23 o C.
         Duke e vëzhguar me kujdes dyshemenë e ambientit ku ndodheshim i cili ishte edhe fundi, vurëm re të shpërndara midis gurrëve disa pjesë eshtrash njeriu. Kafka e cila pjesën e ballit dhe të gropëzave të syve e kishte të shkatëruar, klavikulën e majtë dhe atë të pulpës e cila vinte e harkuar nga jashtë e cila na bëri shumë përshtypje. Midis tyre dhe gurëve u gjendën edhe disa fragmente stralli. Prej këtyre fragmenteve na ngjallën interes dy pjesë të cilat të linin përshtypjen për prerëse. E para kishte trajtën e bajames me përmasa 7cm me 3cm. Nga të dyja krahët e saj duke u bashkuar në nëj majë ishi tepër të mprehta. E dyta e cila paraqitet si prerëse kapte përmasat 5.5 x 3.5cm. Ka trajtën e një trekëndëshi pak të harkuar nga një anë. Në faqen shkëmbore e cila ishte pjesa fundore  e shpellës vurëm re gjurmë zjarri. Hoqa këmishën dhe mbështolla eshtrat. Duke i ndarë “trofetë,” Sofua mori presat dhe i futi në xhep. Pasi hodhëm për herë të fundit një shikim të shpejtë rreth e rrotur dolëm. Për të gjitha këto veprime na u deshën afër tre orë. Në fshat e kishin marë vesh ardhjen tonë. U ulëm për të pirë një kafe, gjithashtu edhe për të marë ndonjë informacion. Po ndjeja kërshërinë e njerëzve që kishim për rreth, të cilët kryesisht ishin pleq. Duhej të prezantoheshim, sidomos unë, si patriot. Duke u dhënë nga një cigare të cilat edhe i ndezëm në çast, kuptova se njeri prej tyre më njihte. Të tjerët, pasi dëgjuan emrim e tim eti, lëvizën menderet si për të zënë vënd më mirë në karriket ku rinin. Mua ajo gjendje nuk më shqetësonte pasi ai reagim i njerëzve qe kudo i njëjtë. Kishim interes të mësonim ndonjë gjë për shpellën pasi eshtrat mund të ishin gjithçka ose asgjë. Ata nuk mbanin mend për ndonjë vrasje që mund të kishte ndodhur aty. Për humbje ose zhdukje njerëzish. Pasi i falënderuam u çuam dhe morëm rrugën më të poshtë për të dalë në rrugën automobilistike. Autobuzi i linjës kishte kaluar, duhej të prisnim për ndonjë të rastit.
Të nesërmen pasi ishte dita e parë e javës, të gjithë materialin, Sofua e çoi tek qendra arkeologjike e vendosur në themelet e pallatit të ri të ndërtuar mbi  rrënojat e murrit rrethues të kalasë romake. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia po në atë vënd në drejtim të themeleve të kalasë, ndërtuan godinat e garnizonit ushtarak i cili fillonte nga ish shtëpia e kulturës dhe vazhdonte më të lartë në kufi me murrin rrethues të shkollës “Adem Sheme.”Për fat të mirë ato ditë kishte ardhur të bënte praktikën një student  i sapo diplomuar në degën e antropologjisë
Materialin e çuam tek gazeta “Bashkimi” i cili u botua më datën 23 Gusht 1987*                     



           * Ky material është reduktuar pjesërisht. Tek orgjinali përmenden momente dhe emra individësh të cilët në formë direkte janë përpjekur të më pengojnë vazhdimisht në ato pak gjëra që kërkoja. Pinelin dhe lirinë për të njohur bukuritë e vendit tim.



PAMJE E VENDODHJES SE SHPELLES

HYRJA E SIPERME E SHPELLES
PRERJA VERTIKALE DHE HORIZONTALE E SHPELLES