tregim
Nuk e mendoi fare se nga duhej të kalonte për tek "Pema e Thatë", tek kthesa e vetme e kanalit vaditës e cilësuar me atë emër ku asgjë nuk kishte mbetur si e tillë. Duhej të hidhej në krahun tjetër të argjinaturës për të shkuar tek grumbulli i kallamishteve, i cili devijohej disi në të majtë. Kanali, kishte një javë që po pastrohej. Më tutje e në vazhdim ai ishte ende i pa prekur. Si gjithmonë, në punët më të vështira do të ishte i njëjti punëtor. Karakteri dhe fiziku i tij i fortë, e ngacmonte për të keq. Pa le që edhe gruan e kishte një dardane që si trembej syri. Duke patur në brigadë të paktën rreth 50 punëtorë, ishte i detyruar t’i kishte vazhdimisht nën kontroll, për më shumë ata që nuk i kishte qejf. Ai ishte “në rreth të kuq.” Duhej të bënte diçka, qoftë edhe ta ndëshkonte në se do të mundej. Pra kishte kohë që po mendonte. Mungonte vetëm shkaku. Dhe ja, tani kishte rastin më të mirë. Pasi i hodhi një shikim të shpejtë vendit ku do të kalonte, mori vrull për t’u hedhur në krahun tjetër të kanalit. Por rrëshqet dhe ndjeu fytyrën t'i përplasej në llucë. Duke u ngritur, midis kallamishteve sytë i zunë një femër tek po përpiqej të mbulonte me të shpejtë kofshët e saj tepër të bardha dhe të zhdukej mbrapa tyre. U ndje i poshtëruar. Më tepër nga indiferentizmi i punëtorit i cili po qëndronte aty përpara duke mbërthyer pantallonat. Me sytë e shqyer nga inati, i zbrazi fjalët më të ndyra për atë veprim jo vetëm imoral por që po e kryente në orar të punës. Ai, i ndodhur aty në këmbë mbi argjinaturë, i hodhi një vështrim të frikshëm brigadierit dhe u mat të zbriste ta qëllonte, por nuk e kryejti atë veprim. Me trastën që mbante ushqimin e pakët e të përditshëm dhe me lopatën në krah, mori për nga argjinatura e pastruar.
I ndodhur në fund të kanalit, i
vrarë në ballë dhe i pistë si asnjëherë
tjetër, por më tepër i poshtëruar, u përpoq të merte veten. Doli
prej andej i pa qartë në veprimet e më tejshme. U drejtua nga rruga
automobilistike, aty ku kishte lënë motorin. Drejtori dhe sekretarja e partisë
duhej të ndodheshin ende në zyra. U shpjegoi atyre jo vetëm ato që pa por edhe
shumë të tjera. Të tre, në mendjet e tyre kaluan variantet më të mundëshme për
ta dënuar. U caktua e diela e nesërme në qendër të fshatit për ta
diskretituar. Ndërkohë ai duhej të përfitonte nga ajo situatë jo vetëm si
përgjegjës por më tepër si komunist.
Në tre tavolinat e ndodhura
jashtë kafenesë së vetme të fshatit ishin ulur pleqtë e përhershëm nga të cilët
po komentohej ngjarja dhe më kryesorja se cila ishte ajo femër e përdalë që
zbulonte në mes të ditës trupin e saj pa pikë turpi. Diku aty përpara u
vendosën katër stola të gjatë. Të tjerët do të gjenin një mënyrën për tu ulur. Gjithashtu para tyre u vendos edhe një tavolinë me katër karike.
Qëndra e fshatit filloi të mbushej. Me gjithëse zhurma e motorit të brigadierit
u ndje më shpejt nga ardhja e tij, i cili shoqërohej edhe nga kryellogaritari,
fshatarët u habitën kur e panë aty pranë, në hyrje të kafenesë. Më tepër u bëri
përshtypje balli i fashuar. Në atë çast të gjithë po përpiqeshin të krijonin
lidhjen që mund të kishte fytyra e tij e dëmtuar me ngjarjen, por nuk mund të
hamendësonin dot asgjë. Ai kërkoi një teke rraki të cilën e ktheu me një herë.
Më pas edhe kryellogaritari tek po përtypte fara luledielli ktheu me
fund dozën e mëngjesit, të rrakisë. Në gishtrinjtë e tij krejt të ngjyrosur nga
nikotina e duhanit nuk do të mungonte cigarja. Ata diçka pëshpëritën me njeri
tjetrin. Po aty, brigadieri, megjithëse nuk i takonte, urdhëroi të mbyllej kafeneja.
Duhej ta mernin vesh edhe ata pleq përse po ndodheshin aty. Ndërkohë u dëgjua
të afrohej xhipi i drejtorit të fermës bujqësore e cila ishte nga më të
zhvilluar në jug të vendit. Prej tij zbritën me rradhë sekretarja e partisë së
fermës një grua rreth të dyzetave e martuar dhe pa fëmijë, drejtori dhe më pas
shefi i sigurimit të zonës ku prezenca e tij i tulati të gjithë. As miza nuk po
dëgjohej. Menduan se nuk ishte e rastësishme. Diçka më e rëndë duhej
të kishte ndodhur. Tashmë ku brigadieri do të kishte mbështetje të fortë nga
sekretarja e partisë, duhej të hidhej në sulm. Me një shikim të shpejtë mbi ata
njerëz kërkoi prej tyre vëmëndje. Çështja ishte tepër serioze. Kishte të bënte
me moralin e shoqërisë. Partia nuk i falte veprime të tilla. E thirri atë të
dilte aty përpara, të jepte llogari, të rrëfente atë turp që kishte kryer. Dhe
ai u nis drejt dënimit më të pa menduar ndonjëherë që mund të ndodhte. Tek
hidhte hapat mbi zhavorishte, ato lëshonin mbrapa tij një pluhur të lehtë, por
që kumbonin tepër frikshëm mbi të gjithë fshatarët. Forca e ligjit e shfaqur në
vështrimet e atyre njerëzve që e përfaqësonin atë, të ulur aty përpara, e
ndalën në vend. Në atë çast ndjeu një tkurje, rrëshqitje ose më saktë tërheqje
brenda asaj humnere të krijuar në të gjithë trupin e tij. Mblodhi veten dhe
hodhi shikimin mbrapa. Nuk duhej të shfaqte frikë pasi ishte i sigurtë se një
pjesë do të kënaqeshin ta shihnin në atë gjëndje. Ndërkohë brigadieri po i
kërkonte se duhej të tregonte për ngjarjen e ndodhur, për atë gruan e përdalë.
Të tregonte cila ishte ajo. Mes atij hutimi të krijuar në çast, u habit për
ç’farë po i kërkohej. Aty vuri re fashosjen e ballit pa i shkuar
ndër mend asgjë. Ç’farë kam bërë përsëriti, ç’farë duhet të rrëfej. Nga
brigadieri shikimin e tij e kaloi tek sekretarja e partisë, drejtori, shefi i
sigurimit të zonës dhe më pas nga fshatarët. Tashmë brigadieri po u tregonte të
gjithëve se si e gjeti atë duke bënte dashuriçka në orar të punës. Kërkesa
këmbëngulëse e brigadierit për tu rrëfyer e trullosi fare. Ç’farë është kjo që
po kërkon i u kthye përsëri atij. Ajo është një çështje personale. A e bëj
punën në kohë dhe me cilësi. Të tjerat nuk të interesojnë. Sekretarja e
partisë, një femër e bëshme dhe tepër autoritare tek po e shihte me vëmëndje
atë mashkull të ri e të fortë, po përpiqej ta imagjinonte atë çast aty mes kallamave. Por e zboi
shpejt atë tundim, aty ishin mbledhur për një qëllim tjetër, duhej mësuar cila
ishte ajo femër që shkonte me të. Në fjalën e saj të rëndë, të shkoqur e të
pastërt në ato që shtronte, nuk lejonte as edhe një njeri të njolloste
shoqërinë e re që po ndërtonte partia me në krye udhëheqësin e tyre të dashur.
Na rrëfe i u drejtua ajo. Partia di t'i mbajë afër ata që e kuptojnë gabimin. Me
dëshirën tënde, tonën mund të ndreqet çdo gjë. Por prej tij e njëjta përgjigje
doli. Nuk kam as edhe një gjë për të thënë përsëriti ai. Ajo është çështje
personale. Sekretarja e partisë, tashmë e inatosur pas këmbënguljes tek po shfaqej si i pa faj, i u kthye me të ashpër. Ajo filloi të fliste për punën e madhe
të bërë nga partia për mirëqenien e popullit dhe emancipimin e shoqërisë. E
veçoi si rastin më negativ veprimin e tij. Edhe të asaj që shkon e ngrin
fustanin në mes të ditës. Ajo u shpreh se ai duhej ti dorëzohej drejtësisë. Po,
u hodh e tha brigadieri duke mbështetur mendimin e saj. Përveç që duhet të
tregojë do të përgjigjet edhe për dhunën që ka ushtruar mbi mua. Jo vetëm kaq
foli kryellogaritari duke u ngritur në
këmbë, do të shkoj në terren për të parë nga afër volumin e punës me ditët që
ka punuar. Brigadieri i kënaqur nga mbështetja e tij hodhi shikimin mbi
drejtuesit e mbledhjes dhe kryesisht mbi shefin e sigurimit të zonës. Ai duke u
mbështetur mirë në karike i dha një drejtim më serioz ngjarjes dhe situatës që
po zhvillohej. Sikur vetëm me një prej të dy rasteve që po tregon brigadieri të
jetë e vërtetë tha ai, të arrestoj në çast. Fol vazhdoi, na trego cila është
ajo vajzë ose grua që vjen me ty. E tha shoqja sekretare e partisë së fermës,
partia ja zgjat kujtdo dorën që përpiqet të thotë të vërtetën. Do të
kesh lehtësira, na trego pra. Por në atë ç’farë u dëgjua nga të gjithë ai
përsëriti ato që kishte thënë duke shtuar se ata nuk mund ta kuptonin
pozicionin e tij. Na e thuaj pra. Gruan e ke të re. Edhe vet i ri
je. Keni dy fëmijë si pëllumba ç’farë po kërkon tjetër. Cila është ajo femër
mbaroi fjalën e tij shefi i sigurimit të zonës. Po, pikërish këtu qëndron
problemi i ktheu ai përgjigje menjëherë. Nuk mund të tregoj asgjë, ai është
problem familjar. Sa për atë që thotë brigadieri se e kam qëlluar nuk
është e vërtetë. Ai rrëshqiti e ra në kanal aty tek erdhi në befasi,
për të më kontrolluar nëse isha në punë. Ka kohë që po më ndjek. Ç’farë kërkoni
prej meje. Atëhere iu drejtua sekretarja e partisë, të erdhi tek vëndi i punës
dhe të gjeti duke bërë atë punën tjetër. Shyqyr që pranove më në fund. Na trego
pra cila ishte ajo femër pastaj e vërtetojmë ne nëse e ke qëlluar apo jo
brigadierin. Të gjithë sa ndodheshin aty, pas gjithë kësaj historie që po
dëgjonin nëse u përkiste të mësonin se kush ishte ajo femër, përqëndruan
shikimin dhe dëgjimin e tyre mbi atë njeri që ndodhej aty përpara, në këmbë. I
ndodhur mes asaj nëse duhej ta thoshte ose jo se ç’farë kishte ndodhur në të
vërtetë, nuk duhej të heshte më. Ai burrë, babai i dy fëmijve, përgjegjësi
kryesor i asaj familje që e mbante me shpirt ndër dhëmbë jetën e tyre,
duhej të dilte sa më shpejt nga ajo situatë. A do ta besonin apo
ndoshta do ta kalonin me humor dhe do të bëhej gazi i dynjasë. A do të mundej
të jetonte më në atë fshat. Hodhi shikimin mbi ata njerëz që në ato çaste
kishin në duart e tyre fatin e familjes së tij. Duke u drejtuar prej sekretares
të partisë të fermës, u mundua t’i tregonte se ishte tepër e vështirë për t’u
shpjeguar ajo situatë. U përpoq të ishte më konkret në atë që deshte të
tregonte duke filluar pikërisht nga jeta e saj personale. Për shtëpinë ku ajo
jetonte. Për atë hapësirë banimi e cila quhej hyrje e madhe. Pikërisht këtu
është problemi që unë ende besoj se ju nuk do të më kuptoni. Ju lutem dëgjomëni
me vëmendje për atë që do tju rrëfej. Në qoftë se do të vini në shtëpinë time
do të shihni dhomën dhe një ambient që mund të quhet aneks. Jemi 6
veta që jetojmë aty. Të dy prindërit, unë me gruan dhe të dy fëmijtë e mi. Që
të mësoni se me kë isha dje mes atyre kallamave do t'ju them se isha me gruan
time. Po, po me gruan time. Edhe ata të dy fëmijë mes atyre brazdave dhe ugareve i
kam zënë. Jam ende i ri nuk mund të jetoj pa të. Ajo natën në vënd të shtrihet
pranë meje, pështjell ata dy vocërrakët. Imagjinojeni, atë hapësirë të
dhomës ku flejnë prindërit dhe gruaja me të dy fëmijtë. Po unë ku mendoni se
shtrihem, në hapësirën që mund të mbetet bosh. Heshtje nga turma e fshatarëve
dhe nga ata që kishin në dorë fatin e tij. Buzëqeshja cinike e shfaqur tek ata
dhe më së shumti në fytyrën e brigadierit të tij, i dha kurajë të
vazhdonte: sa për fashon që ai ka në fytyrë shkak është rrëzimi në
kanal. Mes njerëzve kishte rënë një heshtje e çuditëshme. Ndjehej trishtim,
humor dhe disi ëmbëlsi. Por për brigadierin dhe kryesinë ai rrëfim nuk ishte
asgjë. Ata i kërkuan që ti bindte që
ishte ajo. Duke e parë brigadierin në sy i kërkoi nëse mbante mënd rrobat që
ajo kishte veshur. Fustan i kaltër me pulla roz në vishnjë. Bluzë e
kuqe me vija të bardha. Po, ja ku jam u dëgjua një zë. Të gjithë kthyen kokat
prej nga erdhi, ishte e shoqja e tij. Me hapin e rëndë të saj, ajo u afrua
pranë atyre njerëzve që përfaqësonin ligjin. E mendoi edhe vet se duhej të
vinte aty, ndryshe nuk dihej se ç’farë drejtimi mund të merte ajo çështje. E
vështroi ëmbël të shoqin dhe pastaj u drejtua nga brigadieri. U thuaj shokëve
të partisë dhe të pushtetit tani se kush ishte ajo femër. Mos isha gjë unë. Tek
po i merej goja, brigadieri hodhi shikimin nga njerëzit e pushtetit të ndodhur
pranë tij, nga ajo dhe fshatarët aty përpara. U mundua të artikulonte ndonjë
fjalë por e pati të pa mundur. Ndjeu sikur po e humbiste aftësinë e
të folurit dhe po bëhej qesharak para të gjithëve. Tek po përpiqej të gjente
një pikë mbështetje, përballja me shikimin e shefit të sigurimit të zonës sikur
i dha një siguri. Në çast e mendoi. Po shoqja sekretare filloi të flas ai. Po
shoku shef tani e kuptoj ai ishte veçse një kurth. Kjo ishte ajo femër. Përse
iku dhe u fsheh, për të më diskretituar mua. Përse nuk qëndroi dhe më pas të
shpjegonin arsyen e atij veprimi. Gjatë gjithë asaj kohe për të krijuar siguri
në ato që thoshte nuk e ndau shikimin prej shefit të sigurimit të zonës. Më
thuaj përse më ofendon në personalitetin tim. Çohu ti, i u drejtua dikujt aty
pranë. Ç’farë të ka thënë për mua. Fol. Personi në fjalë i ndodhur diku tek
rrjeshti i dytë mbeti i hutuar. Duke lëvizur kokë dhe duar gati si fshehurazi
nga të tjerët, kërkoi ndihmë prej tij. Reagimi i brigadierit e detyroi jo vetëm
të çohej por edhe të fliste. Tashmë këtej e tutje fshatarët do të njihnin
njeriun që mund t’i kishte qëndruar afër brigadierit dhe t’i tregonte gjithçka
që ndodhte në brigadë. Po është e vërtetë nisi të flasë ai. Aty tek
po hanim në pushimin e drekës, në bisedat e ndryshme ra muhabeti tek shoku
brigadier. Në fakt unë nuk fola fare të tjerët nisën të komentonin shprehjen e
tij. Unë nuk do të guxoja as ti mendoja ato fjalë e jo t'i shprehja. Më e keqja
ishte se ajo shkaktoi komente dhe të qeshura të mëdha, jo vetëm atë ditë por
edhe të nesërmen e të pasnesërmen. Ai heshti për një çast, si për të
marë pëlqimin e tyre nëse do të vazhdonte por reagim nuk pati nga asnjë.
Heshtjen e krijuar nga ai rrëfim e thjeu shefi i sigurimit të zonës. Kërkoi ata
të tjerët që u ndodhën në atë moment. Nga turma e fshatarëve, si për të kërkuar
bashkëpunëtorët e atij “krimi,” pati reagim të shpejtë. Në ato përballje veçse
përgjigje nuk mund të mernin. Përsëri do të ishte i plotfuqishmi i zonës që do
të kërkonte të shfaqeshin vetë ata njerëz. Apo kishin frikë. U ndje
një përpjekje aty mes turrmës por u tulat shpejt. Fshatari që i kishte qëndruar
afër brigadierit prej kohësh duke e marë përsipër detyrën e tij, i thirri në
emër. Mërmërima dhe pëshpëritje të pa fund mes fshatarëve. Tashmë gjithçka po
merte drejtim tjetër. Përsëri nga vështrimi i egër i pushtetit aty përballë, në
veçanti të shefit të sigurisë, si pula të lagura, ata u ngritën në këmbë. Nisën
të flisnin njëherash, por kohën, rradhën e morën nga pushteti i ndodhur aty
përpara tyre. Dhe nisën të tregonin. Megjithëse kishte shtesa dhe interprentime
midis tyre për të plotfuqishmin e zonës, thelbi nuk ndryshonte. Mendoi se deri
tani gjysmën e dosjes e kishte mbushur. U ngrit në këmbë dhe urdhëroi ata, të
cilët ishin tre, së bashku me protagonistin e ngjarjes të veçoheshin nga turma.
Krerëve të fermës të cilët po e ndiqnin me vëmëndje, nuk u dha asnjë shpjegim. Pasi
komunikoi me qendrën në telefonin e vetëm të fshatit, u kërkoi të gjithëve të
bënin durim dhe mos të gabonin, përpara tyre kishin një person që jo vetëm
duhej demaskuar, por edhe ti dorëzohet drejtësisë sëbashku me këta që në
heshtje miratuan mendimet e tij.
Pretendimi i brigadierit, i bazuar në
dëshmitar e fakte, të cilat flisnin për cilësime dhe ofendime kundrejt anës
fizike dhe karakterit të tij, u quajtën veprime të rënda edhe për vet faktin
pasi poshtërohej figura e njeriut militant, komunistit. Në të njëjtën kohë kur
ai punëtor bujqësie po merte dënimin e merituar, brigadieri u ngrit në detyrë.