Κυριακή 30 Σεπτεμβρίου 2018

VARRET ANTIKE TË MURSISË


        
  Vjeshta kishte filluar. Ishte koha më e mirë për eksplorim. Kur më krijohej mundësia, tek Sofua shkoja  edhe në mes jave. Kishim planifikuar që ti hidhnim një sy fushës së Vrinës. Do të fillonim  nga buza e liqenit, në rrënojat e akuaduktit romak, dhe do të vazhdonim të ecnim sa të mundeshim. Kaluam matanë lumit me lundrën dhe morëm monopatin përgjatë tij. Me një shkop që mbanim në duar, nuk linim asgjë pa e prekur dhe pa e kthyer përmbys. Në atë zonë nuk ka centimetër katror të nëntokës të mos të ketë gjurmë të jetës së hershme të njeriut. Ndoqëm linjën e akuaduktit sa do pak shfaqej ai mbi tokë.
Kur je me shikim nga Konispoli, nga krahu i majtë  ka disa të ngritura  të buta  nga rrafshi i fushës së Vrinës (Kestrinës). Me intuitën që na ishte krijuar prej kohësh, menduam se nuk do të dilnim bosh. Dhe me të vërtetë në sipërfaqen e njerës prej tyre e cila ishte dhe më e larta, ramë në material të pasur arkeologjik. Aty ndodhej një grumbull varresh, më saktë një varrezë. Orientimi i tyre  ishte pothuajse jugperëndim. Duke ndjekur linjën e pllakës pasi kishte dalë në dritë një cep i saj e pastruam dhe e ngritëm lehtësisht prej andej. Ajo qe thyer më dysh diku atje nga mesi i saj. Skeleti që ndodhej brenda ishte i pa dëmtuar dhe i plotë me shikim nga lindja. Nga të dy anët e tij ai qe i shoqëruar me enë balte të punuara hollë në brum të pastërt të cilat kapnin lartësinë 12cm, dy lotore po thuajse në ato përmasa, ku njëra ishte  në gjëndje shumë të mirë e me përafërsi në ngjyrë të kaltër.Tjetra, qe e thyer dhe copat e saj ndodheshin po aty. Gjithashtu ndodheshin edhe dy kandila të plotë balte  në trajtë disku me lëfyt horizontal të dekoruar me figura gjeometrike. Edhe pjesët anësore të arkës ishin monolite me nga një për seicilën anë të cilat kapnin afro 10cm trashësi. Të dyja pjesët e thyera të kapakut i rivendosëm në vendin e tyre dhe e rimbuluam varrin me dhe. Objektet e gjetura i morëm me vete dhe i çuam në Butrint. Si gjithmonë Dhimitër Budina do të ishte tepër i interesuar. Materiali i u duk me interes dhe na kërkoi që të nesërme ta çonim tek varret.
Nga vëzhgimi që u bë të nesërmen, vendosën të kryenin ekspeditë të rregullt. Pas një jave një grup i përbërë prej 3-4 vetash të udhëhequr nga Dhimosten Budina e Çondin sëbashku me ne, rreth orës 8-të u ndodhëm aty. Pasi formuan dy kuadrate 2x2 pranë njeri tjetrit nga ana perëndimore e saj, filluan gërmimet. Ato vazhduan dy ditë dhe në dritë dolën katër varre. Të nesërme punimet duhej të fillonin që herët dhe u detyruam të flinim në kalanë e Butrintit. Aty në krye të kalasë të rindërtuar, Ugolini shkruajti historikun e gërmimeve dhe ditaret e tij. Duke “fjetur”në një nga kolltuqet që ndodheshin përballë oxhakut të madh dhe i sulmuar nga myshkonjat e shumta me vështirësi e kalova natën. Në të gdhirë fillova të dremitja pak me gjithë atë së bashu me Çondin e Sofon, të cilët edhe ata ishin si mos më keq nga pickimet e tyre, zbritëm poshtë me vrap.
Ora 8.30 - 9 na kapi tek vendi. Puna qe e pastërt pasi punohej brenda varreve. Me gjithëse në të shumtën e rasteve vëzhgoja, ndihmoja në spostimin e dherave jashtë tyre. Pasi i fotografuan me rradhë në vendodhje dhe hodhën skicat e tyre në letër, sëbashu me skeletet dhe objektet e gjetura aty i vendosën nëpër arka. Në fund pllakat e sipërme i rivendosën  në vendet e tyre duke i mbuluan me dhera për të mos u dëmtuar varret.
Mbasditja kishte kaluar. Unë e Sofua ikëm të parët pasi nuk kishim se çfarë të bënim më aty dhe më e keqja ishte se kishim që nga darka e djeshme pa ngrënë.
       Nga lundra deri në Ksamil ecëm me këmbë. Në atë orë nuk kishte qarkullim automjetesh. Filluam ta ndjenim më shumë lodhjen jo vetëm se kishim udhëtuar gjithë ditën  por, po na gryente urria. Në kthesat, para se të shkosh në Ksamil mbi rrugë e nën të, midis ullinjve kishin mbjellë qepë të njoma. Shkulëm nga një dorë seicili, dhe rrugës duke ecur e duke shpresuar se mos kalonte ndonjë makinë, filluam ti përtypnim.  Duke qeshur, e duke fshirë lotët nga djegja që na shkaktoi ajo, pamë  njeri tjetrin në sy  e ja nisëm refrenit të një kënge që këndohej  nga rinia e aksioneve:

                                             Nëpër faqe shpate mali
                                             Neve gjetëm lumturinë


        Deri në Ksamil rrugën e bërëm me këmbë. Aty nuk pritëm shumë na mori një Zis nga të Parkut të Mallrave të Sarandës.


                                                                                                   10 Shtator 1980