Τρίτη 30 Απριλίου 2019

NË XHUNGËL


 Ishin të çuditshëm u shpreh ai dhe heshti. Pasi hodhi edhe njëherë vështrimin përreth qetësisë të natyrës që zotëronte shikimi i tij nisi të rrëfente historinë e ndodhur mes atyre njerëzve, të asaj bote gati të panjohur.
      Do të ndiqnim nga afër zgjedhjen e kryetarit i cili do të ishte edhe udhëheqësi luftarak i tyre. Festimet kishin nisur përpara mbritjes tonë. Nën rritmin e disa veglave muzikore tradicionale, kërcenin të gjithë kudo ndodheshin. Ishte një rritëm monoton që filloi të na bezdiste por të detyruar do ta ndiqnim atë festim. Shoqëruesi i cili u dinte gjuhën na shpjegoi se ato do të vazhdonin rreth një javë. Mes konkurimit të këngëve dhe valleve do të kishte edhe ndeshje trup me trup midis djemve, ku të cilët do të përdornin grushtin, shkelmin e çdo lloj veprimi të mundshëm për ta asgjësuar kundërshtarin.
  Pambarimisht, ato kërcime të zhurmshme vazhdonin të shtoheshin duke u dhënë rritëm dhe kuptim edhe më të madh lëvizjeve. Të mbledhur aty, gjithë secili prej tyre do të shfaqte vrrullshëm karakteristikat dhe tiparet e fisit të tij. Nëpërmjet këngëve dhe valleve, do të tregonin dinamikën, forcën. Bëhej fjalë për marrje pushteti. Fytyrat gati mistike të krerëve të atyre fiseve të ulur përqark atij rrethi të madh nuk shfaqnin asgjë. Në kohë të shkurtra, në ato shikimet e tyre jo të drejtpërdrejta, po shfaqej diçka që nisi të më shqetësonte. Duke kërkuar atë që nuk po kapja, në atë rrethin e madh njerëzor që qarkonte sheshin e kërcimit, me bustet e tyre gati të palëvizshëm, krerët e fiseve sikur ishin gati të ndalonin kohën pasi çdo gjë varej prej tyre.  Me vathë gjigant në buzë e në vesh dhe me ngjyrat e shumta të sajuara në fytyrat e tyre, u jepnin edhe më shumë rëndësi vetes. Mes sinjaleve tek kontrollonin situatën një shqetësim i padukshëm po u shfaqej. Më vonë në fytyrat e se cilit prej tyre instikti im prej zbuluesi u përpoq të kuptonte atë që nuk shfaqej. Çfarë po prisnin.  Çfarë mund të ndodhte. Ai shqetësim në rritje, tek po u shfaqej në forma të ndryshme kapej prej kërcimtarëve. Të kushtëzuar prej atyre reagimeve ata rrisnin edhe më tepër rritmin e kërcimit. Më vonë pas përplasjeve më të forta të shputave të këmbëve mbi tabanin e tokës ai kërcim do të ashpërsohej edhe më shumë.
      Të gjitha palët ishin përgatitur për atë ditë. Ishte harxhuar kohë për zbukurimin e trupave të tyre me dekore e ngjyra të shumta, ku se cili grup kishte simbolet dhe ngjyrat e preferuara. Në të gjitha ato lëvizje tek ngriheshin në ajër e përplaseshin në tokë me ato trupa tepër të zhdërvjellët, të mahnitnin. Më vonë egërsia e tepruar në fytyrat e tyre ku mund të preknin edhe hundën e njëri tjetrit në atë përballim, do të shoqërohej me ashpërsimin e përplasjeve të këmbëve mbi atë truall të ashpër. Nuk e di përse ndjeva një buzëqeshje gati të hidhur brenda vetes. Ndoshta po nisja të kuptoja atë më të pamundurën që mund ndodhte aty.
      Të gjithë, të përgatitur për fitore ku asnjë nuk po shfaqte shenja tërheqje. Ata që duhej të jepnin sinjalin ishin vet krerët e fiseve të ulur përqark vendit ku do të bëhej demostrimi fizik. Djemtë riosh që kishin mar përsipër të mbronin dinjitetin e fisit, po humbnin durimin. Sinjali, me atë tingull të veçantë, ende nuk po dëgjohej. Rritmi muzikor  i atyre pajisjeve të sajuara vetëm me dru nuk sinkronizohej më me kërcimet e tyre. Vullnetin e mëparshëm tashmë po e zotëronte zemërimi. Për pak, gjithçka mund të dilte jashtë kontrollit. Në ato çaste, përtej thellësisë të pyllit po ndjehej oshtima e të thirrurave, e britmave të një grupi njerëzish. Ajo veçse shtohej nga minuta në minutë. Përplasja e parë ndodhi në ajër midis jehonës që po vinte nga thellësia e pyllit dhe të thirrurave të kërcimtarëve. Ishte një përplasje që ngatërohej midis degëve dhe gjetheve të pemëve të shumta. Aty në lartësi duke i rrëshqitur njëra tjetrës nuk kuptohej se çfarë do të sillnin pas asaj loje. Por çdo gjë do të ndryshonte shumë shpejt. Pas asaj përplasje që po zhvillohej mes kurorave të pemëve, furia e atyre njerëzve do të ishte e dhunshme. Dhe jo vetëm. Prej kamave të shkurtra teh prerëse dhe atyre shtizave tek lëshonin do të derdhej gjak, shumë gjak. Nga paniku i shkaktuar prej atij sulmi të shpejtë do ta lëshonin veten në mëshirën e fatit. Edhe dikush që do të mundohej të largohej, disa metra më larg do të ndjente rrëzimin e trupit të tij mbi tokë prej atyre shigjetave. Ndërkohë rreshti i parë i atij rrethi ende po qëndronte i pa prishur. Një djall po ndodhte në mendjet e atyre njerëzve që pretendonin se ishin përfaqësuesit e atyre që pas çdo përpjekje për të shpëtuar nga ai tmerr veçse binin përtokë të pa jetë.
     Atë masakër nuk arrita ta kuptoj pasi jo vetëm frymëmarrjen por gjithçka prej shqisave të komunikimit m'i shkatërroi sa që aty mendova se kishte ardhur fundi. Më tej pa e kuptuar se sa zgjati ajo histori e  ndjeva veten të përkulur, me kokë gati duke prekur tokën sikur po prisja shpëtimin prej zotit. Më pas, disa fjalë gati si në thirrje do të më detyronin të reagoja. Ngrita trupin së bashku me kokën dhe u përballa me një turmë sysh të egërsuar. Nga ajo që kisha përjetuar pak më parë ndjeva sikur përpara meje ndodhej një përbindësh shumë kokësh që ishte gati të zbrazte zjarr e vrer. Shoqëruesi i ndodhur në çdo çast pranë meje pasi kameramani së bashku me atë pajisje “të frikshme” kamerën kishin pushuar  së ekzistuari, pa e kthyer kokën nga unë më shpjegoi se ata donin të mësonin se cilët ishim ne. Aty mendova se a do të më kuptonin vallë. Për misionin që kishte mbaruar pa filluar ende. Shoqëruesi duke ndjerë se diçka do të ndodhte ktheu kokën nga unë dhe më kërkoi se duhej t'u shpjegonim pozicionin tonë. Por të gjitha ato lëvizje e të shprehura nga ai u panë prej tyre si të dyshimta, të cilat ishin ato që përcaktuan ekzistencën e tij. Shoqëruesi, pa kuptuar se çfarë do të ndodhte me të, ra në tokë me kokën përtej. Pas përplasjes me shikimin e ngrirë në sytë e tij do të ndjeja trupin të më rrëzohej dhe më tej errësirë e plotë. Ajo kohë ndau atë çka ndodhi mes atij pylli dhe ditës tjetër ku ndodhesha i shtrirë mes baltës dhe ujërave të shumtë të shkaktuar nga ai shi i rrëmbyeshëm. Pa folur për kohën kur u përballova me njerëzit e parë që më morën dhe u kujdesën për mua, por edhe kur erdhën të gjithë ata që ishin të interesuar për atë mision të pa realizuar nuk më besuan se mund të kishte ndodhur një masakër e tillë. Më vonë mësova se u krijuar një forcë ushtarake e ndërhyrjes së shpejtë me specialista përkatës për të shkuar në vendin e ngjarjes. Nuk e mora mundimin të pyesja se çfarë mësuan prej atyre “fitimtarëve” por për një gjë jam i bindur, të vërtetën e asaj masakre nuk do ta zbulonin.