Nuk jam mirë. Prej kohësh po ndjej se të
gjithë përreth meje më përçmojnë, më shtyjnë më përplasin. Duke udhëtuar me
mjetin tim, me duart e shtrënguara fort mbi timon dhe shikimin përpara po
mendoja nëse në këto orë të vona, do të gjeja pak qetësi në shtëpi. Por edhe
aty, këto ditë gjithësecili po sheh punën e vet duke mos treguar as edhe një
lloj interesi. Gërçi që më ka kapur është i keq, i hidhur. Më i hidhur se
gjithçka tjetër. Tek po ndjeja nxitimin në krah të kundërt të ndriçuesave të rrugës, pa e kuptuar as vet, me një
lëvizje të vogël të timonit i dhash drejtim tjetër automjetit. Duke ulur
shpejtësinë aty pranë vijave të bardha, u përpoqa t'i jap kohë një kalimtari të
kalonte në krahun tjetër. Reagimi i tij qe i kundërt. Më kërkoi ai që të
vazhdoja më tej. Edhe përse ishte në vendin e kohën e duhur, ai ngulte këmbë që të kaloja
unë. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë diçka e tillë. Si mushkat, forca e
kundërshtisë po më detyronte të vazhdoja në atë që edhe ai po më kërkonte. Pas
gjithë asaj kotësie, për t'i dhënë fund sa më shpejt, tërhoqa fort frenat e
dorës dhe dola prej makinës. U përballa me të. Të ndodhur në një situatë absurde,
ai nën efektin e alkolit që kishte konsumuar dhe unë në atë të kundërshtisë,
duke e kryer atë debat me zë të lartë, të shoqëruar me këmbë e duar nuk po i
jepnim zgjidhje. Më pas gjithçka do të kalonte përtej qesharakes. Një sinjal i
shkurtër i prezencës të policisë tek po ndalonte pranë këmbëve tona do të na
hutonte. Aty në trotuar, thirrja e të dy uniformave do të na detyronte të
lidhnim duart pas koke. Pa kuptuar asgjë rreth asaj që po përpiqeshim t'u
tregonim ata e panë të nevojshme të na çonin në rajonin e policicë më të afërt.
Më vonë pas gjithçkaje të sqaruar që nga testi i alkolit, dokumentat personale
të secilit dhe të automjetit u bindën në ato që dëgjuan. Dhe më i bindshëm
ishte pozicioni ynë tepër sportiv në gjithçka që ne rrëfyem.
Që në hapin e parë që hodhëm jashtë asaj
porte, nuk e mundëm të qeshurën.
Thirrëm një taksi. Aty tek po hipnim, edhe taksixhiu do të habitej me të
qeshurën tonë që nuk kërkonte të pushonte. Më në fund u ndjeva mirë. Duke e
qëlluar lehtë në sup mikun tim të ri i dhurova një buzëqeshje. Në pasqyrën përballë, të ndodhur në qendër
të asaj mase të xhamtë, fytyra e taksixhiut
po na vështronte me kërshëri. Kërkesës
time të shpejtë se ku duhej të na çonte ai i u përgjigj me një lëvizje koke.