Na lajmëruan se gjatë gërmimeve mbi
shkollën 8-vjeçare në fshatin Pllakë dolën në dritë pjesë muresh të një banese. Duke qenë të
njohur në të gjithë zonën, lajmi i parë i daljes në dritë të objekteve të tilla
vinte tek ne. Aty shkuan pas dy ditësh. Nga rruga ku na la autobuzi deri
tek shkolla e cila shfaqej në krahun e djathtë, në vijë të drejtë objekti ndodhej rreth 200 m larg. Prej andej kaluam midis disa tarracimeve të gjera të terrenit që
shkonin në ngritje. Tek shkolla na priste po ai mësues që na kishte njoftuar. U
përshëndetëm me të dhe përnjëherësh shkuam tek vendi ku kishin dalë mbi
sipërfaqe pjesë të objekti në fjalë. Gjatë vëzhgimit vurëm re murret e një banese, dy
varre si dhe një grumbull të mjaftueshëm enësh të përdorimit të përditëshëm.
Gjithashtu edhe dy kollona të fragmentuara me diameter 0.30 m . Mbi to ndjeheshin
dhëmbët e kovës të skrepit të cilin po ai mësues e kishte ndaluar të vazhdonte
gërmimin.
Gjatë matjeve që kryejtëm banesa kapte përmasat 15x15 m me
një hyrje nga ana perëndimore. Muret e saj ruhen deri në lartësinë 0.50m. Janë
të ndërtuar me blloqe gurrësh të mëdhenj me përmasa që lëvizin nga 1.20 x 0.80 x
0.30 m dhe 1.00 x 0,80 x 0.50 m të lidhur në të thatë, pa llaç. Kanë një trashësi nga
0.30 m në 0.50 m
Me një shikim të lehtë, jashtë banesës ndjehej materiali i
bollshëm qeramik dhe trakti i një muri. Ai ndodhej në anën perëndimore të banesës,
dy metra pranë hyrjes me drejtim nga veri-perëndimi. Gjatësia e tij shkonte në
4m. Gjatë kërkimeve që kryem vumë re një numër të madh fragmentesh qeramike.
Fragmente pitosash me grykë të gjerë e me buzë të sheshta dhe sidomos pjesë
amforash,vorbash dhe kupash.
Duke vëzhguar terrenin, gati me të njëjtin material u
ndeshëm edhe në kodrat përreth. Aty
gjetëm një antefiks prej qeramikë të pastër në okër. Ajo kapte përmasat
0.24 x 0.29 x 0.03 m. Në të paraqiten dy kuaj në kulm të vrapit të cilët janë duke
tërhequr një karro.*
Pranë banesës zbuluam dy varre. Varri i parë ndodhet në jug të banesës, jo shumë larg prej saj. Ai
ka formën e një arke të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, tre prej të cilave
shërbenin si mbulesë dhe ishin mjaft të dëmtuara. Kapte përmasat 1.00 x 0.55 m me
thellësi 0.60 m. Kishte orientim jug-perëndim. Skeleti ishte i dëmtuar dhe ndodhej
i shtrirë me shpinë e me gjymtyrë të
tendosura përgjatë trupit dhe duar të kryqëzuara para barkut. Kokën e kishte të
mënjanuar nga jugu. Skeleti shoqërohej vetëm nga një fibul bronxi.
Varri i dytë, ndodhej jo shumë larg të parit nga ana veriore. Ai u zbulua nga hapja e një
kanali vaditës. Edhe ai ka formën e një arke
të ndërtuar me rrasa guri gëlqeror, ku pllakat e të katërta anëve ishin
të plota ndërsa e pesta që shërbente si mbulesë ishte mjaftë e dëmtuar. Ka
përmasat 2.10 x 0.97m me thellësi 0.90 m me orientim verilindje-jugperëndim.
Skeleti ndodhej i vendosur drejtpërdrejt në tokë i cili shoqërohej nga disa
fragmente enësh të shpërndara në të gjithë varrin.**
Si gjithmonë, në bazë të materialit arkeologjik të zbuluar pranë fshatit
Pllakë Sofokliu do të përcaktonte, datonte si kohë më të mundshme periudhën antike shek. III-II p.e.s. kohë në të
cilën këto kodra mund të kenë pasur ndonjë vilë ose tempull. Prej andej morëm
antefiksin dhe fibulën prej bronxi të cilat i dorëzuam në qendrën arkeologjike.
Nga qendra nuk u ndërmor asnjë veprim për të shkuar në Pllakë.
*Antefiks-Eng-Alb. Fragment objekti në qeramikë.
25 Shkurt 1987
*Artikullin
për zbulimin e këtyre objekteve e botuam në gazetën “Bashkimi” datë 1 Mars 1987.
**Gjatë
rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, në vitin 2005, të gjitha efektet
dekorative si në gips edhe në kolor, i zbatova me grupin tim të punës. Aty vura
re të ekspozuar Antefiksin e Pllakës. Ai, në katalogët e muzeut cilësohej si
objekt i gjetur në Butrint. Duke pyetur një nga specialistët që po kryenin sistemimin e vitrinave, përgjigjja e tij ishte se do të mbetej si objekt i
zbuluar aty. Nuk mund të kryhet ç’regjistrim. Këtej e tutje ai quhet objekt i
gjetur në Butrint. Për fibulën e bronxtë nuk kishte as edhe një informacion.