Τρίτη 15 Οκτωβρίου 2019

MANASTIRI I Shën GJERGJIT DHE STELA E VOLLODERIT


                                   Qershor 1976

    Ora 8-të e mëngjesit na gjeti në Manastirin e Shën-Gjergjit në Volloder. Manastiri është një objekt jo i madh, i ndërtuar në vendin më të përshtatshëm pasi diku rreth 20m larg dhe më lart prej tij, në krahun e majtë kur e sheh nga rruga automobilistike Sarandë Bregdet ndodhet një burim i cili prurjet e tij më të shumta i ka në dimër. Muri rrethues është i dëmtuar rëndë dhe mund të kalosh në brendësi të tij nga çdo drejtim. Mbi portën e kishës e cila ndodhet me shikim nga rruga automobilistike ka të vendosur tabelën e vogël prej llamarine në ngjyrë blu që e cilëson atë si objekt kulture. Si në të gjitha këto objekte edhe aty është vendosur një portë e hekurt. Me gjithëse fletët e saj ishin të mbyllura, dryni aty nuk ekzistonte. Κaluam në brendësi duke i tërhequr ato nga jashtë. Keqardhja që pësova ishte tepër e madhe. Megjithse nuk besoj në atë që thonë për Zot e Krisht, në atë që shoh tek prindërit e mi, në jetën e përditëshme për ekzistencën e tyre, pikërisht tek ndjesia se ajo ishte pjesë e jetës që ata kishin kaluar me këto simbole, më ligështuan. E dija se ky manastir për bregdetarët ishte një simbol bashkimi për ta. Veçse në një kohë tjetër. Sot mund të shikosh tek-tuk kavanoza të vegjël qelqi të ndezur, të vendosura fshehtas.
E gjithë ajo hapësirë brenda, sheshi ku ne kishim shkelur me këmbë e deri tek ajri që po thithnim ishte tepër i rënduar nga era mbytëse pasi ai ambient përdorej për të strehuar bagëti të imtë. Në mure  ndjehej dhuna e vazhdueshme e ushtruar mbi to. Që nga ikonostasi, tek portretet e shënjtorëve.Gërvishje të shumta dhe emra të ndryshëm për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Me gjithëse herë pas here e vështroja heshtur Sofon* për të kuptuar se ç'farë po ndjente ai në këto çaste, unë për vete isha tepër i dërmuar. Ndoshta për vet faktit të karakterit tim të ndjeshëm.
      Dolëm prej andej duke i hedhur një shikim të gjithë terrenit ku ishte ndërtuar manastiri me murin e rrethimit dhe ato pak ambiente që shkojnë drejt degradimit. Vendodhja e tij ka orientim jugperëndim-verilindje
Qëllimi ynë nuk ishte vetëm manastiri por edhe ato ngritje të buta, të ndodhura përgjatë rrugës automobilistike poshtë saj, të cilat zbresin ëmbël deri në fushë. Kur kishim shkuar një herë në Finiq, në krye të kodrës ku është ndërtuar akropoli i Foinikes, pasi sot ka vetëm disa fragmente e trakte muresh  të asaj mrekullie, ndjemë atë çka zotërohej prej andej nga shikimi ynë. Nga ajo lartësi, gjithçka e kishe në pëllëmbë të dorës. E ngritur gati në qendër të asaj fushe të begatë, duke bërë një rrotullim 360’ kontrolloje gjithë hapësirën që të zinte syri. Nga ekspeditat informative të kryera, ajo nëntokë e pasur me material të bollshëm arkeologjik nuk do të na lënte as edhe një herë duar bosh, ku të cilat pothuajse do t'i përkisnin periudhës të shek. III-II p.e.sonë. Edhe këtu në Volloder në kurizet e këtyre ngritjeve të vogla do të shfaqeshin objekte arkeologjike. Para gërmimeve për tarracimin e asaj zone mbi sipërfaqe do të gjeje me lehtësi mbetje qeramike. Kur filloi tarracimi i tyre, kovat e mëdha të eskavatorëve thyen e copëtuan pa pikë mëshire çdo gjë që kishte qëndruar në heshtje për mijra vjet. Pjesë vazosh, pitosash dhe enë të përdorimit të përditshëm. Edhe ato dy tre vare të zbuluara nga gërmimet e eskavatorëve ishin të dëmtuara tmerrësisht keq. Në  pjesën ku kryhet shkallëzimi midis dy tarracave me një lartësi afër 0.50 m, po thuajse po aq larg burimit prej manastirit, ndjehej pjesa e sipërme e një guri gëlqeror të punuar nga dora e njeriut. Me mjete rrethanore e zbuluam dhe e nxorëm në sipërfaqe. Ishte një stelë varri me lartësi afër 1.05m. dhe gjerësi 0.37m. Trashësia e saj shkonte në 0.10 m. Nga pjesa e sipërme e faqes ballore ka një fronton në formë trekëndëshi dybrinjëshëm ku në kulm të tij lartësohet një gjethe në formë koni. Poshtë këtij trekëndësi ndodhen dy vija paralele të ndara në kuadrate të vegjël jo shumë të thellë. Më poshtë ndodhet mbishkrimi në dy rrjeshta ΝΙΚΟΛΑΟΣ ΑΝΤΙΠΑΤΡΟΝ (Nikolau Antipatru). Gërmat kanë një lartësi prej 2cm. Në qendër të stelës ndodhet vendi bosh ku vendosej sipas porosisë një relief në baltë të pjekur. Anash tij zbresin dy kollona të gdhendura. Besohet se stela i përket shek. III-p.e.sonë dhe ka ngjajshmëri me ato që janë gjetur në nekropolin e Finiqit.
Duke kërkuar, aty pranë ndjeheshin mbi sipërfaqen e tokës fragmentet e një ndërtimi me përmasa 5x5 m të ndërtuar me gurë. E shtrirë në bazë të terrenit, në pjesën më të lartë kapte 0.75m. Është i ndërtuar me blloqe gurrësh kuadratikë, në fuga të drejta të puthitura mirë me njëri tjetrin në të thatë. Trashësia e tyre shkon nga 0.5cm në 0.10cm. Kudo përreth përveç mbetjeve të shumta në qeramikës shfaqen varre të shkatëruara. Një pjesë e tyre të ndodhur në gjendje disi të mirë janë me orientim veri-jug. Ata kanë përmasa të ndryshme ku shkojnë nga 2.10m në 1.20m gjatësi dhe me gjerësi përsëri të ndryshme nga 0.80m në 0.40m.  Edhe thellësia e tyre ishte e ndryshme. Varret ishin të mbuluar me rrasa guri gëlqeror. Në brendësi të tyre u gjetën skelete të dëmtuara, të vendosura direkt në tokë në shpinë dhe me duar të kryqëzuara përpara. Ato janë të gjitha pa inventar ndërkohë që jashtë tyre ka material të mjaftueshëm të përdorimit të përditshëm.
Duke menduar se ky material të jep të kuptosh se jeta përreth ekzistonte që prej shekullit të III-p.e.sonë ndoshta duke vazhduar deri në shekujt e parë të erës sonë, kjo hapësirë mund të vërtetohet si një varrezë kolektive. Këto ishin mendimet e Sofos për gjithçka që pamë e zbuluam aty.
Stela duhej marë prej andej. Ishte shumë e rëndë. Na lodhi sa e çuam lart tek rruga. Me një mjet të rastit dhe sëbashku me një pjesë të vogël qeramike i dorëzuam pranë qëndrës arkeologjike në Sarandë që ndodhet tek kryqëzimi i martenitetit. Më vonë ajo u ekspozua tek muzeu me mozaik në qendër të qytetit, në katin e parë të ish PTT-së.  Më pas Sofokliu me ato që kishte mbajtur shënim e çoi për botim tek gazeta “Fitorja.”    


*Sofo- është emri i shkurtuar i shokut tim të përhershëm Sofokli Liti.