Δευτέρα 17 Φεβρουαρίου 2020

NDËSHKIMI


                                              
        
Ai ndryshim i madh që kishte nga vërsniku, shoku i lagjes dhe i shkollës kishte nisur që nga fëmijëria e tij e hershme. Ishte një ndryshim që e shoqëroi në çdo moment të jetës. U përpoq por e kishte të pamundur t'i shmangej. I ndodhur nën ndikimin e ndihmës që ai shpesh i jepte, të cilën ai e kishte të nevojshme, diku aty brenda gjoksit të tij si kancer i rritej urrejtja për të. Në ato përballje të vazhdueshme me shikimin e tij të butë e tepër njerëzor, tek mundohej t'i shmangej, ndjente sikur ai ja kishte lexuar mendimet. Dhe qenia trupore i tjetërsohej  menjëherë duke e çekuilibruar sistemin e tij të formulimit zanor të fjalës. Në pamundësi, e paralizuar brenda asaj zgavre që quhej gojë tek hapej dhe mbyllej tmerrësisht keq gjuha nuk i kapte pozicionin e duhur për artikulimin e shprehurit. I rishfaqej difekti fëmijnor i ngecjes së fjalës e cila e ndëshkonte herë pas here.
Duhet larguar prej këndej i thoshte shpesh vetes dhe sa më larg të jetë e mundur ndoshta edhe në burg. Megjithëse e ndjente se nuk kishte mundësi të realizonte një veprim të tillë, kjo ishte përgjigjja e shpeshtë tek dialogonte me vetveten. Ajo gryerje e vazhdueshme që i kishte pushtuar gati gjithë trupin e përbërë prej dy elementësh frikës dhe hakmarrjes po e çonin në ekstremet e të menduarit. Shpesh në ato që mendonte, zhurma e përplasjes të çekiçit mbi tavolinë prej gjykatësit duke i dhënë dënimin më të ashpër, do t'i jepte kënaqësinë më të madhe, atë të mposhtjes së tij. Por në atë përballim të përditshëm shikimesh me të, për të kuptuar se kush do të mbijetonte, përsëri do të ndjente timbrin e veçantë të zërit të tij sikur i thoshte “po pastaj.”
Mendimi se duke e  zhdukur prapa hekurave, portave të rënda dhe viteve, do ta harronte atë fytyrë. Por frika e ndodhur brenda formimit të tij biologjik po bënte punën e vet. Gjatë ditës me çdo person që përballej, ajo fytyrë do t'i shfaqej. Natën vonë, tek shtrihej për të fjetur i shqyeshin sytë nga tmerri. Në brendësi të dhomës së gjumit, në ato dritë-hijet e zbehta tek lëviznin e merrnin trajta të ndryshme përsëri  buzëqeshja e tij do t'i shfaqej.
        Në një nga  netët në vazhdim, vonë, duke u përpjekur ta largonte gjumin,  ndjeu një masë ajri të hynte nëpërmjet portës dhe dritares. Një ndrithërrimë e shpejtë i pushtoi trupin duke ja shtuar edhe më shumë ankthin dhe frikën. Në një ngjyrë të cilën nuk mundi ta përcaktonte, duke  i tërhequr vëmendjen kryejti disa lëvizje të çuditëshme e të pakuptimshme. Në çastin e parë ndjeu t'i bllokohej frymëmarrja  dhe më pas shikimi. Ajo masë në të zezë, duke i kapërxyer honin e grykës, u shpërnda në brendësi të tij duke ja mar të gjitha ndjesitë njerëzore. Mes asaj shurdhmemecërie dhe errësirës të plotë që kishte pushtuar dhomën i u shfaq fytyra e tij duke i buzëqeshur.