Pasi i kishte hequr bizhamet u përpoq të rregullonte
rrobat e veshura në çast. Me këpucët u përpoq edhe më shumë pasi ato kërkonte t'i
vishte si gjithmonë pa i zgjidhur lidhëset, duke i shtyrë këmbët në brendësi të
tyre me vështirësi.
Doli. Në rrugë nuk pa këmbë
njeriu. Nuk u ndje mirë. Mori për nga parku, nga qendra e lagjes duke ecur si i
çallakatosur. Por në rrugë e gjithandej nuk pa njeri ku ai mund të këmbente
ndonjë fjalë. Tek po ecte me rrëmbim ndjeu se duhej të fliste, ore edhe të
bërtiste. I u kujtuan përsëri fjalët e
pakta të asaj bukuroshes kur lajmëronte për reklamë dhe ripërsëriti ato fjalë.
Duke vendosur dorën pas veshit dhe me shikimin e tij kudo dhe askund, ndjeu
zërin e vet të oshëtinte mes atij blloku ndërtesash. Qeshi me veten duke
përplasur hapin mbi asfalt. Aty zbuloi se kishte me se të merrej. I pëlqeu
kërcitja e këpucëve të cilat dikur ishin pjesë të kostumit të dhëndërisë. Edhe
pse e tërhoqi kërcitja e thatë e tyre, vëmendjen e kishte pas çdo gjëje të
re që mund të zbulonte. Ja, diku aty përpara tij një dritare u hap. E
përshëndeti me një lëvizje koke. Me njëherë përsëriti të dyja shprehjet e
moderatores. Tek
u ndesh me fytyrën e personit femër të ndodhur brenda kuadratit të dritares
ripërsëriti fjalën e dytë të saj dhe vazhdoi të ecte më tej. Në çastin tek do
të hidhte këmbën në asfalt për të kaluar në krahun tjetër të rrugës, shpejtësia
e hekurt e një mjeti policor përveç erës dhe pluhurit pas tij, shoqërohej me
ulurimën therrëse të sirenës që nuk deshte të pushonte. Mbeti pa lëvizur aty
në anë të rrugës si një mumje e pluhurosur. Dhe ndoshta nuk dihej se sa mund të
qëndronte në qoftë se ata njerëz të rendit nuk do të riktheheshin. Të papërfillshëm
ndaj ekzistencës njerëzore të tij, e mbërthejnë duke e rrasur në pjesën e pasme
të xhipit. Duke mos reaguar ndaj asaj që po i ndodhte dhe me atë çehre që
shfaqte në fytyrë që nuk ishte gjë tjetër veçse habi, nisi të fliste: pas pak, pas pak. Ju lutem jo tani pas pak. Kur dikush prej atyre ruajtësve të rendit do të drejtonte
shikimin prej tij, do të shihte se tashmë ai njeri i çuditshëm do ta ripërsëriste
atë frazë nën zë, deri në çastin kur ata do ta çonin në komisariat. E lanë diku në një qoshe të birucës. E lanë aty pa kryer as edhe një veprim të vetëm
për të mësuar identitetin ose gjithçka tjetër rreth tij. E lanë në mendësinë e
ngacmimit të radhës, të vetmisë së madhe që e kishte pushtuar prej kohës. Dhe
do ta kalonte ditën së bashku me të nesërmen që ishte e diel, aty brenda duke u
ulur e kryer ec e jake të shpeshta të shoqëruar me frazën e vetme të ngecur si gramafonët e dikurshëm me ato disqe të keqpërdorur.