Mbështetur në ngjarje të jetuar
Atje në hyrje të qytetit ku dikur ngrihej
kisha e hershme e tij dhe e vetmja, të cilën hapësirë sot e zotëron një
shkallare e re, në një prej sheshpushimeve të saj gjithmonë në të zbritur, nga
ana e majtë, e ndodhur jo vetëm si distancë por edhe si lartësi me sipërfaqen e
detit, tarraca e drunjtë e një taverne
do të ishte një prej kënaqësive të shumta. Dikush, i ulur në krah të faqes
kryesore të asaj ndërtese të vjetër dy katëshe nga të paktat që ka mbetur në
këmbë, nuk do ta ndante shikimin e tij për nga hyrja e saj deri sa do t'i
shfaqeshin ata që ai po priste. Ja me një lëvizje të dorës i thërriti t'i
shkonin pranë. Nga ata të dy, ai më i
vogli në moshë dhe në trup, deri sa të çoheshin prej andej do të ishte në rolin
e dëgjuesit ose më saktë në atë të vëzhguesit. Në gjithçka të asaj bisede midis
tyre, ai kuptoi se njiheshin prej kohe. Në vazhdim, ai u përpoq të mos i shpëtonte
asgjë nga ato që po dëgjonte. E thërriti paraqitja e atij burri në moshë jo të
vogël. Ishte shtatlart. Në të gjitha ato çka personifikon një individ të racës mesdhetare i ndjehej në ballë, në sytë me ngjyrën e tyre të kaltër paksa
të blu ullinjtë, në hundë e buzë dhe mjekrën të cilat në sinkron me njëra
tjetrën dhe në një tërheqje pakëz vertikale të fytyrës, shfaqnin bukur tiparet e tij mashkullore. Në mënyrën
më instiktive e cila i ndodhte shpesh kur kërkonte thellë
karakterit të tjetrit që i ndodhej përballë, tek ai ndjeu një lloj ngjashmërie
me të atin e tij.
Pasi kamarieri sistemoi mbi tavolinë
gjithçka të porositur, ata i çukitën me kënaqësi gotat me verë. Dhe ai
shfrytëzoi momentin për t’u thënë se kishte gati për botim një libër
autobiografik. Duke qenë njeri i letrave e cila kjo ishte cilësia e asaj lidhje
midis tyre, shtoi se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend të bënte një hap të
tillë, të rrëfente vetveten. Ato vite të tmerrshme i kujtoj shpesh. Jeta e
gjatë brenda atyre hekurave është e pa mundur të shuhet, të harrohet dhe kjo
ishte arsyeja ku të gjithë si familje dëshironim një orë e më parë të merrnim
atë rrugëtim të largët që në ditët e para të demokracisë. Ishte ajo vuajtja e
përbashkët familjare, brenda dhe jashtë atij burgu famëkeq të ndodhur në ato
zgavrat e thella të atyre shpateve malore tepër të egra, ku veçse në pak orë
mund të shihje një fije dritë dielli. Dhe ja sot ndodhem këtu sepse thellë
brenda meje ende ekzistojnë të strukura dëshira dhe kujtime të shumta. Kjo
është ndoshta një nga arsyet që më shtynë të shkruaja atë histori të hidhur. Ai
heshti për një çast. Me gotën në dorë, si për të plotësuar atë moment bëri edhe
një urim tjetër, por veçse me një
lëvizje koke. Mori frymë thellë. Duke parë mikun e tij, më saktë të dy ata, u
tha se më në fund realizoi edhe qëllimin e tij kryesor. Tashmë zotëronte një
kopje të dosjes, të procesit gjyqësor nga i cili u privua me pesëmbëdhjetë vjet
heqje lirie për agjitacion propagandë.
“Vëzhguesi” duke u përqendruar edhe më shumë mbi fytyrën e tij vuri re
një tjetërsimin e saj. Ndjehej se në ato
momente, nga të gjitha sa bluante në kokën e tij, ishte përballimi me atë njeri
me të cilin siç thoshte ai, ata për një kohë të gjatë kishin qenë koleg në të
njëjtin institucion shtetëror. Nuk do të mundesha të ikja pa e takuar por ishte
e pa mundur pasi ai tashmë nuk jeton më. Në atë dosje
voluminoze shkruheshin të pamenduarat dhe të pa ndodhurat prej meje. As edhe një
herë nuk më shkoi ndërmend se ai përveç shfaqjes së tij të përditshme kishte
edhe një fytyrë tjetër. Nga të gjitha çka shkruhej, aty shpalosej thjesht dhe
pastër karakteri i tij negativ. Një
ditë, si i dërguar posaçërisht për të zgjidhur atë problem, përballohem me një
nga bashkëvuajtësit Të përmalluar biseduam për shumë gjëra për vitet brenda
dhe jashtë atij burgu famëkeq.
I tregova për dosjen dhe qëllimin përse ndodhesha rrugëve të kryeqytetit
tonë. Ai më krijoi mundësinë por tepër
shokuese. Shkuam tek një lokal i cili ende sot mbledh në ambientet e tij njerëz
të artit. Me qëllim për të krijuar një situatë të qetë ai e vërtiti bisedën
rreth zhvillimit të çështjeve të kohës e gjëra të tjera. Duke shfrytëzuar
momentin e çoi në atë që dëshiroja duke më kërkuar të ktheja kokën mbrapa ku
me gishtin e tij drejtuar diku më pyeti nëse i njihja dy personat të ndodhur
pranë njeri-tjetrit. Po i u përgjigja, ai djathtas është im bir. Po a të
tjetrin e njeh dhe pa pritur përgjigjen time më thotë, ai është i biri i atij
që ka qenë dëshmitar kryesor në gjykimin tënd. U shtanga. Në atë çast nuk po
mendoja asgjë. Isha gati ta mbërtheja për rrobash dhe me pa të drejtë, gati si
për t'i kërkuar llogari atij bashkëvuajtësi dhe njeriu të mirë. Më erdhi pranë
duke më hedhur dorën mbi krah. Ndoshta
nuk duhej të ndodhte kjo gjë u shpreh ai. Ose ndoshta më mirë pasi kështu do t'i
krijohet mundësia për të mësuar të vërtetën. Yt bir nuk është i vogël. Një çast
i pa pritur i bashkoi. Ndihma që ai mori në momentin më të vështirë nga
përplasja prej një automjeti dhe kjo është njohja me të. I duhet pak kohë. Po
ai tjetri kur ta mësoj se kë shpëtoi. Mbaroi të gjitha ato që ke në plan për të
realizuar, jepi kohë birit tënd pa i treguar asgjë çfarë ke mësuar dhe shko
atje ku ke ndërtuar jetën e re. Yt bir përpara ka kohën, jetën e tij për të
cilën dëshiron ta shijoj. Po ai tjetri, pasi asgjë sot nuk mund të qëndrojë e
fshehtë si do të reagoj, a e mendon dot. I ndodhur pranë meje, me dorën ende të
hedhur në supin tim u përpoq të më zbonte mankthin që më kishte kapur, të cilën
po e ndjeja të shfaqur në sytë e tij.
Pas gjithë atij rrëfimi, asnjë prej tyre nuk po guxonte ta përballte
më shumë se tre katër sekonda shikimin tek tjetri për të vetmen arsye të mos shfaqej ajo që po përjetonin. Ishte një situatë e cila nuk kërkonte fjalë por
vetëm heshtje. Ajo do të thyhej veçse nga prania e kamarierit tek do të
vendoste në tavolinë një kanë me verë, prej të zotit të lokalit. Megjithëse në
heshtje, në fytyrat e tyre u shfaq ajo e miratimit dhe e përpjekjes për të dalë
prej asaj situate. Çukitën gotat. Në ato çaste, ku heshtja mes tyre nuk ishte
gjë tjetër pasi ishte veçse në ikje, ata po përtypeshin, po konsumonin diçka
nga ato që ishin shtruar aty. Ishte një moment ku dëgjohej kërcitja e lehtë e
ndonjë piruni a thike mbi pjata e cila vërtetonte kënaqësinë e asaj që po
përtypnin dhe si vazhdim do të ndjeheshin disa prova të lehta mbi telat e një
kitare. I zoti tavernës e kishte menduar ose më saktë e kishte kuptuar se
klientët përveç ushqimit do ta dëshironin edhe një interpretim të këndshëm prej
tij. Midis ritmeve të ndryshme muzikore ai do të luante edhe ato të viteve
shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
Si
shumë herë të tjera, për atë tavernë ishin nga moment më të këndshme. Një natë
magjike për të gjithë ata që po pushonin në atë qytet të ngritur buzë detit.
Ajo treshe e këndshme e kishte flakur heshtjen dhe jo vetëm atë, por edhe të
kaluarën e hidhur ku e cila për ta e shumë të tjerë ishte një vuajtje e
përbashkët. Në ato çaste nuk të krijohej kureshtja për të mësuar se në cilën
gjuhë fliste grupi që kishe në krahë pasi gjuha e atyre pajisjeve tek kërcisnin
mbi pjata ishte më e komunikueshmja në ato momente .