Në atë natë të qetë, njëri prej të dy burrave aty ku po peshkonin buzë detit dikur rekordmen kombëtar në gara noti, duke i krahasuar përplasjet e valëve mbi shkëmbinjtë si përkëdhelje e puthje, foli me zë të lartë: A mundet. A mund të kenë lidhje me njëra tjetrën. Si valët e detit edhe puthjet e femrave të rrëmbejnë e të zhysin në thellësi të tyre. Edhe thellësia e madhe poshtë valëve të detit të mbyt. Duke u kthyer në intonacionet e ulëta të zërit të tij të mëparshëm mërmëriti: Dikur i mbytur isha edhe unë.
Ndjesia që po përjetonte në ato çaste nuk ishte dhe aq e thjesht. Kishte nevojë të dëgjonte zërin e tij. Kishte nevojë ta dëgjonte edhe dikush tjetër. Duke treguar po rikrijonte përpara syve të tij atë periudhë. Pasi hodhi shikimin nga i vetmi njeri që kishte pranë, nisi monologun gati me zë të lartë. I kishte të gjitha shijet e frutave puthja e saj. Ishte një përzierje magjike që më tundonte vazhdimisht. I ke provuar shegët e athëta. Megjithëse të thartojnë, kërkon t'i konsumosh deri në fund. Athëti e ëmbëlsi të shoqëruara me gjithfarë frutash ekzotikë, të përziera me mjeshtëri, mbushnin vazhdimisht prej saj gota të tëra me musht dehës erotik. Si Circia, më robëroi ajo magjistare e tërbuar
Ishte si një ëndërr. Nuk po e ndjeja më ekzistencën time, as tokësor as perëndi. Në atë “ishull magjik” të veshur me mister prej saj, nuk po e kuptoja më konceptin e kohës dhe të hapësirës ndërsa energjia e saj femërore shkarkohej tek unë vazhdimisht e pambarim. Në të vërtetë diçka të tillë e kisha dëshiruar. Tek lëvizja në ato hapësira të pafund, në ato labirinte portash, dhomash, ndjeja të më shoqëronin tinguj muzikor të pafund të një bote të mistershme. Të krijohej bindja se koha kishte ndaluar. Edhe graviteti. Pikërisht atje ku përpiqesha të ndjeja formën e gjithçkaje tek i prekja, ato shpërbëheshin duke u kthyer në grimca të vogla fosforeshente shumëngjyrëshe dhe më pas ribashkoheshin duke konfiguruar trajtën trupore të saj. Ajo do të afrohej duke më buzëqeshur dhe do të më rrëmbente puthjen e dëshiruar. Si venduza të fuqishme ajo masë mishi e lëngshme do të shkarkonte tek unë energji të pafund. Do të përgatiste ushqimin special me filtra magjik dhe aty, duke i konsumuar ato, do të më rrëfente gjithçka që ajo mendonte se duheshin thënë. Për jetën, kënaqësitë e saj.
U ndal dhe ktheu shikimin prej njeriut të vetëm që i ndodhej aty pranë. Megjithëse kishin ardhur për peshkim, të dy ishin të rrëmbyer nga ajo histori. Njëri rrëfente tjetri dëgjonte. Në atë që po kuptonte se ai dëshironte të mësonte më shumë për atë histori dashurie, për atë femër, vazhdoi. Ke të drejtë të habitesh por kështu ka ndodhur. Isha i ftuar në atë takim prej një mikut tim. Festa kishte filluar kur ne u ndodhëm aty. Tek po hidhja shikimin gjithandej, nuk mund të mendoja se çfarë po më sillte ai rast. Më vonë e mësova se gjithçka ishte e sajuar. Ajo kishte kërkuar të më njihte nga afër. Ai më prezantoi me të tre vajzat ku të cilat gati po na prisnin aty përpara. Në mënyrë të ndërsjelltë dhe tepër të shpejtë sikur komandoheshim nga diku, sytë e mi dhe të saj u përplasën fuqishëm. Vetëm shikim nuk ishte. Nga ai çast, koha deri tek veprimet e mëtejshme nuk mund të mendoheshin se si do të zhvilloheshin. Të gjithë sensorët e komunikimit nuk po më funksiononin. Veçse do të ishte aroma e saj të më zgjonte aftësinë time mashkullore. O zot mërmërita dhe me sytë gati të mbyllur kërkova të zhytesha brenda gjendjes të saj trupore por reagimi i lehtë i shfaqur në çast, në fytyrën e saj, më bëri të stepem. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Eshtrat e asaj dore elegante të mbërthyer prej meje, ishin gati të thyheshin. Ndjeva një hutim dhe pavendosmëri të madhe në atë se si duhej të sillesha më tej. Të gjitha këto do të mjaftonin për të dhe shoqërinë që na rrethonte. Shikimeve të mikeshave të saja kundrejt meje, ajo u vuri fre. Që në ato çaste, u përpoq në forma të ndryshme të vërtetonte se tashmë isha pronë e saj. Më rrëmbeu. Tek kërcenim u bë njësh me trupin tim. Në atë mbrëmje pa mbarim, të dehur më tepër nga afshet e ndërsjellta se sa nga pijet e shumta që kishim kthyer, në të gdhirë u ndodhëm në shtëpinë vilë të saj. Ish kampioni notit, si për të mar fuqi për ato që do të tregonte në vazhdim heshti. Ndroi ushqimin e pakët që kishte mbetur në grep. Tek hodhi filispanjën vazhdoi historinë. I kujtoj shpesh ato momente. Aty gjithçka zotërohej prej saj. Edhe ato që mendoja e përpunoja në mendjen time “çelësin”e kishte ajo ku vetëm me një kërcitje gishtërinjsh i vinte dhe u ndryshonte funksionin. Ai përsëri heshti. Ngërçi që e kishte kapur nuk po e lejonte të fliste. Qe larguar prej gjithçkaje nga familja e shoqëria. U përpoq të “kruante” zërin si për të gjetur fjalën, mendimin e radhës të asaj që kishte përjetuar. Të asaj kënaqësie ku herë herë mendonte se nuk do ta gjente më. Të asaj që mendonte se në ato çaste brenda asaj “kulle të filndishtë” përjetoi vetminë më të madhe të jetës së tij. Të asaj tek kuptoi se ajo nuk ja kishte më nevojën. Të asaj që kishte filluar ta ndjente që po vinte ajo ditë. Asaj Circe-je nuk i shpëtonte asgjë. Koha me të kishte mbaruar. Ajo po kërkonte tjetrin, mashkullin e radhës. Sensualiteti i saj femëror do të tërhiqte gjithkënd. Tek shfaqej shpesh në ekranet e stacioneve televizive, rrezatimi i saj femëror do të joshte këdo. Falë këtyre cilësive bëri karierë dhe dhe gjithçka që ajo kërkonte.
Të gjitha këto ai ja rikujtoi vetes, nën zë. U ngrit. Pa menduar shumë u zhvesh. Drita e hënës shfaqi bukurinë e tij mashkullore. Ende e zotëronte atë që shumë shokë e meshkuj të tjerë do ta dëshironin ta kishin. Me një të kërcyer thjeu sipërfaqen e shndritshme ujore. Ajo do të qëndronte e qetë për aq kohë sa ai do të qëndronte në thellësi të saj, vetëm kështu mund të freskohej e të shkëputej nga gjithçka tjetër. Më pas, duke dalë vrullshëm në sipërfaqe, në formën më instiktive, me krahët e tij të fuqishme filloi të shtynte mbrapa masa të shumta ujore dhe më tej tek do të mbështeste duart mbi mbajtëset e hekurta të zadrës do të ndjente atë magjinë e brohoritjeve të pafund tek thyente rekordet e shumta kombëtare në atë stil që ende nuk kishte kundërshtar t'ja kalonte. Doli, tek po ecte ende pa mbritur aty, vazhdoi rrëfimin pa u shqetësuar në se ai tjetri, nuk e kishte vëmendjen. -Që atëherë nuk pata më lidhje me femra. As nuk guxoja t'i shihja e jo më t’u afrohesha. Kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë deri sa u njoha me gruan që vura kurorë.
Por i ish
dashuruari nuk mundi të heshte. Është për t’u çuditur vazhdoi, se pas shumë
kohësh po më kujtohet shpesh puthja e parë e adoleshencës. Megjithëse ishim të
dy fruta ende të pa bërë, pesëmbëdhjetë ajo, gjashtëmbëdhjetë unë, sot nuk mund
ta gjejë atë aromë pjeshke. Dhe nuk besoj. Në fshatin tonë pjeshka kishte një
shije të veçantë.