Τετάρτη 20 Ιουλίου 2022

VRASJA

 

              Hakmarja nuk kryet në çast por përgatitet pak e nga pak prej kohësh .                                       

 U çua prej vendit ku qe ulur pa e shkëputur shikimin prej atij metali prerës ku me një lëvizje të vogël mund ta fshehte brenda dorezës të saj prej druri. Me gjithëse ndjente një lloj pasigurie ishte i vendosur ta kryente atë vrasje. Përreth nuk frymonte njeri përveç atyre të dyve. Ai ndodhej i ulur në stolin e vetëm që ndodhej diku aty pranë, i përqëndruar mbi gazetën që mbante në duar. Pa i lënë kohë të reagonte kryejti atë veprim të paramenduar prej kohësh por dora e tjetrit nga instikti për t’u mbrojtur e pengoi. Nga ajo shtytje, maja e shndritëshme e atij metali prerës vetëm sipërfaqen e lëkurës i preku duke krijuar një vijë të hollë në ngjyrë vishnje të errët. Ja shtyu dorën me furri duke e qëlluar përsëri por nuk mundi aty ku mendonte por diku midis qafës dhe klavikulës të majtë. Rrjedha e gjakut e cila nuk mendonte të ndalonte po mbulonte me shpejtësi bardhësinë e këmishës e cila si çdo veshje tjetër e tij, i qëndronte hijshëm mbi trup. U ndje keq. I erdhi për të vjellë por e mblodhi menjëherë veten pasi kishte vendosur ta vriste atë njeri duke e sulmuar edhe më shumë. Nga ajo pamje e tmershme për çka po kryente, e humbi ndjenjën njerëzore duke e qëlluar barbarisht me atë mjet prerës. Në vazhdim pa e kuptuar kohën, momentin e aktit që po kryente u rrëzua pranë viktimës së tij pa shfaqur ndjenja ekzistence duke kaluar në një dimension tjetër. Aty i'u ri shfaqën ato skenat e tmershme dhe fytyra e egër e atij njeriu që dergjej  pranë tij. Terrori që shfaqte ai mbi të gjithë të burgosurit të strehuar në atë kamp pune. Vuajtja e atyre shpirtrave njerëzor tek shuheshin pa pritur nga keqtrajtimi dhe mos ushqyerja. I u shfaq babai, skena kur zbrazën mërinë e plumbave mbi të, ja aty përpara syve pasi e kishin tërhequr zvarrë prej shtëpie. Edhe nëna me të motrën tek përdhunoheshin brutalisht prej tyre. E ndihmoi të motrën të lindte duke e pritur në duart e tij atë krijesë të ardhur në jetë prej atyre shëmbëlltyrave. Do t’i kryente vet ato shërbime ndaj motrës shpirtvrarë, ndaj asaj shtatzanie të pa dëshiruar. Do të ishin përsëri ata që do të vendosnin për fatin e saj. Pas një ore do të jepte edhe ajo shpirt. Si mbetje do t’i groposnin diku në një vend të përcaktuar për ata njerëz. Më tej tek përballoi me dhimbje vetminë e tij edhe urrejtjen e madhe që kishte për ata njerëz mbijetoi duke i shpëtuar atij burgimi të përjetshëm. Ndryshuan kohët erdhi demokracia. Nga të gjitha sa po kujtonte ndjeu t’i shpeshtoheshin të rrahurat e zemrës. Midis atij çasti, asaj ndjesie të çuditshme që po përjetonte brenda dhe jashtë ekzistencës së tij trupore një thirrje e përmendi, e zgjoi. U përpoq të orientohej, të pastronte shikimin por nuk mundi pasi ekzistenca e tij përjetohej në dy  kohë. I ndjeu përsëri ato thirrje. Në të turbullt një figurë njerëzore po i afrohej. Ishte një vajzë e vogël. Pas disa përpjekjesh prej saj për ta ndihmuar ajo, duke kthyer shikimin diku përtej, filloi të thërriste nënën e saj. Hapa të shumtë ndjeu t’i afroheshin. Ata në aq sa ishin, e rrethuan duke e parë me vëmendje. Edhe ai në aq sa po fillonte të kuptonte, u përpoq të përshtatej me realen, me atë që po ndodhte duke hedhur shikimin e tij gati mbi të gjitha ato fytyra të panjohura. Në ato çaste, me aq sa mundej, ndjeu një lloj ngjashmërie midis tyre, ndoshta  ishte një familje e madhe. Por diçka e çuditshme po e thërriste përbrenda, ndoshta instikti i tij i përhershëm ende e kthente në kohën e shkuar. Duke menduar transformimin më të mundshëm të asaj fytyre, të atij njeriu, filloi ta kërkonte mes atyre njerëzve. Si përherë me ato veshjet e tij të puthitura pas trupit dhe me hapin e tij të qetë u shfaq ai. Njeriu që po e torturonte prej kohësh i ndodhej aty në krye të atyre njerëzve. Megjithëse në moshë të madhe, shumë të madhe nuk kishte ndryshuar shumë. Ndjeu dëshirë për të folur por nuk mundi. Si për ta vërtetuar atë që po mendonte ktheu kokën ku kishte lënë çantën të cilën nuk e ndante prej vetes. Aty pranë saj shamia ku kishte të mbështjellë ato çka kishin mbetur nga ushqimi i pakët. E hapi me rrëmbim. Thika ndodhej si e kishte lënë, e pastër pa pika gjaku. Pra e gjitha sa kishte përjetuar në ëndrat e tij kishte mbetur veçse një ëndër. I ndodhur ende në të ndenjura mbi barin e butë nuk bëri as edhe një lëvizje tjetër por brenda ndjenjave që përjetonte vazhdimisht, i u kujtua se atë njeri e kishte vrarë sa herë i shfaqej koha e atyre viteve më të vështira të jetës së tij. Ja, më së fundi e kishte vrarë përsëri. Përpara asaj turme të së njëjtës racë, për të vërtetuar mos ekzistencën e atij njeriu hapi shaminë dhe me atë thikën të cilën e kishte sajuar brenda atij rrethimi telgjembash filloi t’i priste në pjesë të vogla bukën, djathin dhe domaten e mbetur. Në ato që po mendonte se e kishte kryer atë veprim që i kishte premtuar vetes, në fytyrën e atij njeriu ri ndjeu atë egërsinë e dikurshme. U lumturua mbijetesa e tij, ishte goditja e fundit për të.