Në
çastet tek i ujiste e i pastronte nga barërat e egra ato pemë frutore ai bëhej
njësh dhe ndjente gati sikur bashkëbisedonte me to. Shpesh, i ndodhur përmes
kurorave të tyre, do të përkëdhelej nga reagimi i gjetheve të shumta tek
përpiqeshin të ngatëroheshin përmes gishtrinjve të tij dhe do të kalonte orë
të tëra aty, e do të shkëputej nga ajo përhumbje vetëm atëherë kur do të
thërritej prej të tjerëve. Kohët e fundit diçka po e mbërthente mes atyre
pemëve. I ndodhur pranë një fidani të mrekullueshëm në zhvillim gati të
marrosur të degëve të tij të shkujdesura, me sytha në të çelur, ende nuk po i
kujtohej se si ishte mbjellë. Po
përpiqej më kotë.
Kishte kohë që nuk po kuptonte se çfarë po i
ndodhte. Dëshirën e kishte shumë të madhe për t'u ndodhur në atë kopësht të
mbjellë në vite me lloje të ndryshme drurësh frutorë. E shfaqte këndshëm
gëzimin tek përshkonte atë rrugë të shkurtër deri sa mbrinte aty. Më pas, i ndodhur mes kurorave të tyre e ndjente veten të huaj. Duke hedhur shikimin e
tij gati të verbër, niste t'i prekte një nga një me duart e tij të buta. I duhej
ta kryente atë veprim si për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Por jo vetëm atë,
në brendësi të tij përpiqej t'u kujtonte emrat dhe do të ndjehej i lumtur kur
arinte t'i shqiptonte nën zë. Më pas, buzëqeshja në fytyrë do t'i shtohej pasi
çuditërisht, do t'i kujtoheshin të gjitha me rradhë. Dhe ato prekjet e lehta të
trupave dhe gjetheve të atyre pemëve vetëm me mollëzat e gishtrinjve do ta
lumturonin edhe më shumë. Më pas ai nuk do ta kishte të lehtë shkëputjen prej
andej. Në ato çaste një shkëlqim i bukur po shfaqej në sytë e tij. Dikush po e
thërriste. Përmes atij zëri femëror njohu nusen e djalit. Ata banonin në qytet prej
kohësh dhe ardhja e tyre do ta ngazëllente së tepërmi kopështarin plak. Po aty
si i zënë në faj, do të rikthente edhe
njëherë shikimin nga ai fidan, të cilit nuk po i kujtohej ende emri. Kishte kohë pa u parë me djalin dhe me nusen. Në atë përballje me të, do të ishte vet
ajo që do ta ndihmonte duke i shkuar pranë, pa u përpjekur të fshihte ndryshimin që kishte filluar në trupin e saj. dhe do ta ndihmonte të shkëputej nga ajo përhumbje tek vazhdonte të prekte me dorën e tij gjethet dhe sythet e sapo të çelura të fidanit.
Bab, unë e mbaj mend kur e mbolle dëgjoi nusen t'i kujtonte atë çast. Nga ato duart e tua të buta mori jetë. Duke kthyer shikimin nga i shoqi tek po qëndronte si i hutuar vazhdoi, sëbashku me mua do të rritet e do të lulëzojë ai fidan, kështu më the. Erdhën me gëzim për të të dhënë një lajm të bukur. Tek po lëvizte buzët të cilat më të shumtën e kohës i mbante të mbërrthyera me njera tjetrën do të shfaqtje tronditje dhe emocione të shumta tek ai kopështari plak i cili do të përpiqej të mos ngashërehej. Por përsëri i pa aftë.
Si
fluturat tek e ndiqnin kur ai dilte herët në mëngjes, bir dhe nuse i u ndodhën pranë dërsa ai pa hequr dorë nga sythet e sapo çelur, të atij fidani që e kishte çoroditur, nuk e kishte shkëputur shikimin prej saj. Në aq sa kuptonte ku herë shtrëngonte
buzët e herë çelte e mbyllte sytë, në fytytrën e tij u ndje të përhapej ajo
buzëqeshja e tij e kursyer. I kujtua dita kur e mbolli atë dru frutor..Menjëherë
fill pas dasmës të djalit, trashëgimtarit të vetëm.
Mes duarve të tij, të birit
dhe nuses, nënës së ardhshme, i shoqëruan në thellësi të
tokës rrënjë e asaj bime. Tek do rritej e piqej, ai frut do të kuqëlonte jashtë
e brenda tij. Në të mijta kokra, duke
çarë lëkurën tek përthyej drita mbi to, do të shfaqeshin me atë ngjyrë të
trëndafiltë. Shega ajo bimë e vjetër sa vet njerëzimi do të simbolizonte begatinë
e mirëqenien e asaj familje.
Në
ato çaste i sigurtë në veprimin që po kryente, e shkëputi dorën prej atij
fidani duke i përqafuar me një ngashërim gëzimi vazhdimësinë e familjes së tij.