Δευτέρα 5 Σεπτεμβρίου 2016

KOPËSHTARI PLAK

        Në çastet tek i ujiste e i pastronte nga barërat e egra ato pemë frutore ai bëhej njësh dhe ndjente gati sikur bashkëbisedonte me to. Shpesh, i ndodhur përmes kurorave të tyre, do të përkëdhelej nga reagimi i gjetheve të shumta tek përpiqeshin të ngatëroheshin përmes gishtrinjve të tij. Dhe do të kalonte orë të tëra aty, e do të shkëputej nga ajo “përhumbje” vetëm atëherë kur do të thërritej prej të tjerëve. Kohët e fundit diçka po e mbërthente mes atyre pemëve. I ndodhur pranë një fidani të mrekullueshëm në zhvillim gati “të marrosur” të degëve të tij të shkujdesura, me sytha në të çelur, ende nuk po i kujtohej se si ishte mbjellë.  Po përpiqej më kotë.
       Kishte kohë që nuk po kuptonte se çfarë po i ndodhte. Dëshirën e kishte shumë të madhe për t'u ndodhur në atë kopësht të mbjellë në vite me lloje të ndryshme drurësh frutorë. E shfaqte këndshëm gëzimin tek përshkonte atë rrugë të shkurtër deri sa mbrinte aty. Më pas, i ndodhur mes kurorave të tyre e ndjente veten të huaj. Duke hedhur shikimin e tij gati të verbër, niste ti prekte një nga një me duart e tij të buta. I duhej ta kryente atë veprim si për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Por jo vetëm atë, në brendësi të tij përpiqej t'u kujtonte emrat. Dhe do të ndjehej i lumtur kur arinte ti shqiptonte nën zë. Më pas, buzëqeshja në fytyrë do ti shtohej pasi çuditërisht, do ti kujtoheshin të gjitha me rradhë. Dhe ato prekjet e lehta të trupave dhe gjetheve të atyre pemëve vetëm me mollëzat e gishtrinjve do ta lumturonin edhe më shumë. Më pas ai nuk do ta kishte të lehtë shkëputjen prej andej. Në ato çaste një shkëlqim i bukur po shfaqej në sytë e tij. Dikush po e thërriste. Përmes atij zëri femëror njohu nusen e djalit. Ata banonin në qytet prej kohësh dhe ardhja e tyre do ta ngazëllente së tepërmi kopështarin plak. Po aty si i zënë  në faj, do të rikthente edhe njëherë shikimin nga ai fidan, të cilit nuk po i kujtohej ende emri. Kishte kohë pa u parë me djalin dhe me nusen. Në atë përballje me të do të ishte vet ajo që do ta ndihmonte duke i shkuar pranë, pa u përpjekur të fshihte ndryshimin që kishte filluar në trupin e saj. dhe do ta ndihmonte të shkëputej nga ajo përhumbje  tek vazhdonte të prekte me dorën e tij gjethet dhe sythet e sapo të çelura të fidanit.
Babi, unë e mbaj mend kur e mbolle. Nga ato duart e tua të buta mori jetë. Ai sëbashku me mua do të rritet e do të lulëzojë, kështu më the. Dhe ajo ktheu shikimin prej të shoqit tek rinte i hutuar. Erdhën me gëzim për ti dhënë atë lajm të bukur.  Ardhja e asaj jete të re në familjen e tyre, do të shfaqej me tronditje dhe emocione tek kopështari plak i cili do të përpiqej të mos ngashërehej. Por përsëri i pa aftë.
Si fluturat tek e ndiqnin kur ai dilte herët në mëngjes, bir dhe nuse i u ndodhën pranë. Ndërsa ai pa hequr dorë nga sythet e sapo çelur, të atij fidani që e kishte çoroditur, nuk e kishte shkëputur shikimin prej saj. Në aq sa kuptonte ku herë shtrëngonte buzët e herë çelte e mbyllte sytë, në fytytrën e tij u ndje të përhapej ajo buzëqeshja e tij e kursyer. I kujtua dita kur e mbolli atë dru frutor..Menjëherë fill pas dasmës të djalit, trashëgimtarit të vetëm.  
Mes duarve të tij, të birit dhe nuses nënës së ardhshme, i shoqëruan  në thellësi të tokës rrënjë e asaj bime. Tek do rritej e piqej, ai frut do të kuqëlonte jashtë e brenda tij.  Në të mijta kokra, duke çarë lëkurën tek përthyej drita mbi to, do të shfaqeshin me atë ngjyrë të trëndafiltë. Shega ajo bimë e vjetër sa vet njerëzimi do të simbolizonte begatinë e mirëqenien e asaj familje.

Në ato çaste i sigurtë në veprimin që po kryente, e shkëputi dorën prej atij fidani duke i përqafuar me një ngashërim gëzimi vazhdimësinë e familjes së tij. 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου