Τρίτη 27 Σεπτεμβρίου 2016

PO BIE SHI

Po bie shi. Nesër dhe pasnesër është festë. Më të guximshmit nga nxënësit e gjimnazit kanë ikur nga mësimi para kohe. Anës detit, në çifte të vogla, poshtë kurorave të pemëve dhe gjetheve që po bien nga era ata shkëmbejnë me ëndje puthjen e tyre të  parë.
Në malet përreth, re të shumta si kacekë të fryrë presin radhën të shkarkohen mbi qytet.
Në qendër tek sheshi, punëtorët e dekorit të qytetit duke hedhur herë pas here shikimet e tyre mbi ato pështjellje ajri dhe uji tek po çahen nga thikat e tej nxehta të vetëtimave, nxitojnë të bëjnë zbukurimet e fundit. Aty pranë, përgjegjësi i tyre po shfryn mbi ta për vonesën. Për lënien e atyre punëve në çastin e fundit. Pritet shi i furishëm.
Dy ditë janë ato festime. Ndërkohë në qytet nuk ka entuziazëm. Duket  sikur asnjë s’do ta dijë për to, përveç atyre që merren me mbarëvajtjen dhe organizimin e asaj feste kombëtare. Në plazh, poshtë kurorave të pemëve, nxënësit e ikur nga mësimi edhe ata nuk ta dinë se për çfarë do të festohet të nesërmen e të pasnesërmen, ata ende vazhdojnë të shkëmbejnë puthje të ëmbla. Retë përmbi kurorat e maleve përreth, po presin me padurim. Përgjegjësi i punëtorëve të dekorit ende po shfryn nga zemërimi. 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου