Τετάρτη 3 Ιουλίου 2019

KULLA E VROJTIMIT NË NIVICË

Tek përballesh me peisazhin përgjatë Bregdetit të Poshtëm, që nga fshati Nivicë e fshatrat në vazhdim, vëren një reliev tepër të thyer e interesant. Një majë mali që ngrihet me vërtik midis detit Jon dhe fushës së Krekëzës nga juglindja. Diku në zemër të tij, të emëruar Shëndëlli nga vëndasit, ndodhet Nivica “Porta e Bregdetit.”  E gjithë kjo zonë  që fillon nga gryka e Brodanit e lë rrugën të lëviz lirshëm duke u ngjitur në shpatin e tij. Dhe sipas terrenit ajo vazhdon gjarpërimin për të dalë në qafë. Aty duke i qëndruar disi vjedhurazi detit është ndërtuar Shën Vasili. Më tutje, në shpatet juglindore të vargmalit vazhdojnë fshatrat e bregetit të poshtëm. Dhe instiktivisht syri i çdo udhëtari tek lundron me automjet do të kërkoj në pafundësi atë që nuk e ka parë në asnjë vënd. Kjo kënaqësi, do të vazhdojë përgjatë gjithë rrugës që syri do të zbulojë atë mrekulli natyrore që në fshatin e parë të bregdetit, Nivicë Bubari.
Në atë të përpjetë, syri ndjek me ëndje një reliev tipik mesdhetar, të mbuluar nga kurorat e ullinjve si mbi rrugë e nën të. Dhe mali duke u zbutur në çuka e brigje të buta, poshtë në këmbët e tij bashkohet me fushën. Diku atje, midis rrënjëve të malit të Shëndëlliut që përpiqet të gllabërojë fushën, në vendin e quajtur Krekëz fabrika e tullave me oxhakun e saj tek tymos vazhdimisht i ka ndërprerë rrugën duke ja mar pak e nga pak dheun për ta kthyer në tulla. Forma si është konstruktuar relievi këtu, të thërret ta vëzhgosh. 
  Në 1983 pas një informate, në Shën Vasil, mbrapa shkollës 8-të vjeçare, bashkë me Sofokliun gjetëm disa varre antike, me inventar disi të plotë dhe në krah të tyre gati buzë greminës nga ana që shikon kodrën e Finiqit, përsëri  gjetëm objekte me interes. Ato ishin të përdorimit të përditshëm të periudhës të Ali pashës. Me vëzhgimin që kryem krijuam bindje se ndërtimi duhej të ishte fortifikim ose kulle vrojtimi. Kjo ishte arsyeja përse e kishim në vëmendjen tonë atë zonë. Po i rikthehem prapë të përpjetës të Shëndëlliut. Nga ana e poshtme e rrugës nacionale, në vendin e quajtur nga niviciotët “Bregu i Argjirit,”një rrugë tjetër zbret më të poshtë për afër 100 m e cila të çon në kreun e një kodre pak më të veçuar, e me një lartësi më të madhe. Në krye të ekspeditës ishte Sofokli Liti, miku ynë i ri arkeologu Halil Shabani dhe unë. Bensi-n e vendosa në një vend ku më pas të manovroja për t'u kthyer. Në krahun juglindor në një distancë 20 m larg na u shfaq një shtëpi e ndërtuar kohët e fundit. Me një fjalë, faktori kohë dhe njeriu e kishin bërë të vetën. Kreu i kodrës dikur i sheshtë qe tjetërsuar. Zhvillimi i tepërt i bimësisë së egër sikur i kishte flakur tej ato mure. Nuk ishin më ato ledhe që shikonim dikur nga rruga. Atë që pretendonim nuk e pamë. Traktet e murit ishin të pakta. Ai ishte ndërtuar me gurë gëlqeror paralelopiped  të punuar në faqet  ballore dhe në dy anësoret. Pjesa më e madhe e këtyre gurëve ndodhej e shpërndarë në faqet e kodrës. Ato kapnin përmasa të ndryshme si 1.10 x 0.25 m, 0.90 x 0.25 m, dhe 0.75 x 0.25 m. Gjithashtu, midis tyre viheshin re edhe gurë më të vegjël që kapnin përmasat 0.50 x 0.20 m dhe  0.40 x 0.20.
Gjatë vëzhgimit, të shpërndarë mbi të gjithë sipërfaqen e kodrës, gjetëm dy lloj tullash me përmasa të pa përcaktuara plotësisht por të ruajtura mirë me trashësi prej 6 cm dhe me gjerësi deri në 25 cm. Në faqet lidhëse të tyre gjendet ende llaç gëlqeror me kokriza rëre të pastër. Ato kanë ngjyrë okër dhe brumi i tyre i përzier me kokriza rëre e zhavor të imët, i pjekur mirë e ruan ende fortësinë e tij. Ndërsa tullat e tjera janë të kuqëremta dhe më të holla nga të tjerat.
Duke u rikthyer tek kreu i kodrës kur dikur ngrihej ai ndërtim, me dëshirën për të gjetur edhe një material sa do të vogël, ndjemë se bazamenti i ishte i dëmtuar keq.  Gjithashtu nga ana jugperëndimore të zbuluara nga këto gërmime gjenden edhe disa rrasa guri shtufor me përmasa 1.10 x o.66 x 0.07 m. Mandje dy prej këtyre rasave janë ende të vendosura vertikalisht duke dhënë përmasat e një varri me orientim përsëri nga juglindja. Rreth tyre gjenden me shumicë parete enësh me brumë të kuqëremtë  dhe fragmente tjegullash me të njëjtin brumë si ato të gjetura në kullat e Çukës dhe të Vagalatit.
Qeramika përbëhet nga tjegulla të tipit kalypter (me hark) dhe solen (të shtrira) që luhaten në trashësinë 2.5 x 3 cm. Njëra prej tjegullave kalypter, jep edhe gjerësinë e plotë të saj, deri në 28 cm. Rreth gropës së hapur në qendër të kodrës, u gjendën edhe disa eshtra (kocka) që ka gjasa të jenë të inventarit të varreve të hapura.
Nga një kontroll i imët që kryem në sipërfaqet e pjerrëta të kodrës, mundëm të gjenim buzë pitosi (enë balte të përmasave të mëdha) që përbëhen nga brumë i kuqëremtë, parete amforash dhe enë të përmasave më të vogla prej balte që i përkasin përdorimit familjar. Në brumin e tyre ndjehet pjekja e fortë dhe e mirë.
Në këtë inventar me materiale ndërtimi prej gurësh paralelopiped në dy përmasa, tullat e ndërtimit dhe enët prej balte të përmasave të mëdha rezulton se kemi të bëjmë me një objekt dykatësh, me përmasa aq sa e lejon syprina (sipërfaqja e sheshtë e kodrës), 5 x 6 m.
Mbështetur në pozicionin strategjik të kodrës, ku diku në lashtësi kalonte rruga këmbësore dhe e karvaneve që lidhte pjesën qendrore të fisit të zhvilluar të Kaonëve, me shtegun e kalimit për në Bregdetin Jon,  nga Qafa e Pazarit në veriperëndim të saj, nga ku dallohet qartë kryeqendra e Epirit Foenike, si konkluzion doli se mund të ishte një kullë vrojtimi.
Në qoftë se do të ishte si një e tillë, kjo kullë vrojtimi në periferi, duhej lozte një rol me rëndësi në koinonin  (shoqërinë) e Foinikes. Andej merrej informacioni i të gjitha lëvizjeve që kryheshin përgjatë kësaj rruge që të çon në bregdetin e Jonit. Pikërisht, materiali arkeologjik i zbuluar ishte i bindshëm se datohet me shek. III-II para krishtit.  Atëherë kur edhe Foinike kishte arritur fuqizimin e lulëzimin e saj.
I gjithë ai material arkeologjik përkon me ato të gjetura edhe në  kullën e vrojtimit në Vagalat dhe me ato të banesës tip kullë në Çukë. Gjithashtu dy përmasat e blloqeve të gurëve në formë paralelopipedi dhe tullat e ndërtimit, janë të mjaftueshme për të na bindur se kulla përbëhej nga dy kate. Prej të gjithave sa u konkludua u krijua ideja e ekzistencës së saj. Më vonë, mes dy, tre skicave në laps, njëra prej tyre ishte e bindëshme për atë që pretendohej në grup.
Pikërisht, zbulimi i kësaj kulle të jep një mundësi për të aluduar se sikurse kulla e Vagalatit, Karalibeut dhe muri i Demës, vërtetojnë se edhe ajo do t'i ketë shërbyer unazës mbrojtëse dhe informacionit nga “unaza mbrojtëse “ e kryeqendrës e koinonit të Foinikes përgjatë shek. III-II para krishtit. Nga vendasit kjo kodër ka dy emërtime : “Bregu i Shën Argjirit” dhe “Bregu i Kullotës Krekëz”.                                                                  


                                                                                           13. 8. 2013



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου