Πέμπτη 23 Απριλίου 2020

HISTORIA E NJË KAFKE

Tregim

 

Pra e hëna e parë e muajit korrik e gjeti në krye të ekspeditës. Dikur, ato pak fragmente të mureve të shfaqura mbi sipërfaqen e tokës të atij terreni të pjerrët ishin hedhur në regjistrat e bërthamës arkeologjike. Shkak për t'u rikthyer aty do të bëhej një çoban në sheshimin e një sipërfaqe të vogël brenda asaj zone. Një kasolle të vogël dhe rrethim me thupra druri për një tufë bagëtish. Si në shumë raste të tjera sidomos i një varri të tillë të pa prekur ndonjëherë të gjithë do të entuziazmoheshin sa ndodheshin përreth tij. Duke u orientuar me cepin e dalë pastruan krejt sipërfaqen prej dy pllakash guri të bardhë gëlqeror. Në heshtje do t'i lëviznin ato me kujdes për t'i ulur në një vend të sigurt. Skicografi i cili ishte edhe drejtuesi gërmimeve do të ishte ai që do ta zotëronte atë hapësirë ajri e të gjithçkaje tek po binte për herë të parë në kontakt me dritën. Menjëherë pas tij edhe të dy punëtorët do të hidhnin shikimet e tyre në brendësi të asaj arke prej pllaka guri masiv që quhej varr.

 Në atë qetësi që mund të gjendet vetëm brenda  një hapësire të tillë ndodhej një skelet njeriu. I shtrirë në shpinë, me “gojën e hapur”  dhe “sytë e shqyer” të jepte përshtypjen se ishte ai që po habitej më tepër. Dora e djathtë ndodhej e përthyer gati përmbi gjoks. Aty në mes, pjesë në bronc të një rripi ku dikur mbante të shtrënguar ndoshta një pelerinë. Në lartësi me kokën, përsëri të punuara në bronc dy kupëza, zinxhir i imët dhe një krah i drejtë me ekstreme të njëjta. Më poshtë, në gjendje të mirë  gati të shpërndara katër kandila ndriçimi në qeramikë të dekoruar bukur. Midis tyre pjesë lotore qelqi në të cilat  ndjehej forma e dikurshme. Më tej, në kohë, prej skicografit do të dëgjohej kërcitja karakteristike e aparatit fotografik. Në format kartoline, ato fotografi do të ishin dëshmitë fillestare të atij zbulimi. Pastaj me një shpejtësi të habitshme ai do të skiconte ambientin me të gjitha elementet që  shoqëronin varrin si brenda dhe jashtë tij. Pasi të bindej se çdo gjë e kishte kryer me sukses do të urdhëronte të  fillonte paketimi i tyre. Duke e  parë me kërshëri atë kafkë, forma e saj i bëri  përshtypje. Buzëqeshi dhe kreu një veprim sikur po e krahasonte me ta, me punëtorët. Kaloi pëllëmbën e dorës përmbi ballë si për ta fshirë nga pluhuri i fundit dhe u përpoq t'i gjente një vend të përshtatshëm në një prej arkave që vendosnin objektet e gjetura. Gati i bindur, ai mendoi se mund të jetonte edhe sot një njeri i tillë. Me të njëjtën kafkë, me të njëjta tipare. Vazhdimisht tek njihej me njerëz të rinj, do të përpiqej të ndërtonte formimin anatomik të tyre. Eshtrat, kockat ku mbi to përshtateshin dhe modeloheshin pas tyre muskujt e fytyrës. I ndodhur mbi fragmentin e pakët të murrit që shfaqej mbi sipërfaqen e tokës, u dha urdhër punëtorëve të  mbulohej ambienti. Ishte në praktikat e zbulimeve arkeologjike. Vetëm kështu mund të mbaheshin ende të konservuara.  Duke parë në shikimet e tyre bindjen e vazhdueshme u premtoi kafe dhe raki.

Pra ajo ekspeditë një ditë pune ishte. Pretenduan për më shumë. Më pas tek Qendra Arkeologjike, në katin e parë të ndërtesës pesëkatëshe të ndërtuar mbi themelet jugperëndimore të kalasë romake, ekipi do të sistemonte materialet e gjetura. Aty ndodheshin zyrat dhe fondi i objekteve të zbuluara. Në atë shqetësim të përditshëm, brenda ndjesisë së tij profesionale ai do ta kishte vëmendjen  ende tek zbulimi  i fundit. Skeleti i gjetur me objektet që e shoqëronin do ta çonin trurin e tij në përpjekje të pafund. Pra, ekzistenca e peshores brenda varrit, të paktën kështu mendonte edhe arkeologu ish kolegu i tij,  tregonte për një njeri me pushtet.  Duhej të shfletonin diçka. Duhej të merrnin një informacion më të saktë. Për të, ai ‘’shikim i zbrazët” i atij njeriu të hershëm sikur e thërriste në vazhdim. Ideja se atë pajisje vetëm një pushtetmbajtës mund ta zotëronte, e joshte për të guxuar në atë që mendonte. Nga literatura që kishin në dispozicion, të cilat ishin të shoqëruara me skica dhe fotografi, vërtetohej disi se në të gjitha rastet, pavarësisht se kishin elemente dhe ndryshime të vogla, flitej për simbolin e  peshores. Mund të ishte një pushtet mbajtës, një ligjvënës, ose ndoshta një gjykatës.

Megjithëse i ngarkuar me punë, ku shpesh do ta thërrisnin në disa ekspedita kërkimore jashtë qendrës së tyre arkeologjike, ai vazhdimisht përpunonte tiparet e mundëshme, fizionominë e atij njeriu. Për të mos ta dëmtuar, “tiparet” e asaj kafke i hodhi në një tastiel prej gipsi. Gjithashtu në shumë skica kishte krijuar imazhin e atij portreti. Nga instituti i arteve kishte ruajtur portrete të shumta në laps. Studimi në imtësi i karaktereve, i lëvizjes që merte çdo pjesë e veçantë e portretit e kishte ndihmuar për të perceptuar në veçantitë e çdo individi. Dhe do t'i mbante mbi tavolinë, diku aty përpara. Do të kalonin ditë e do t'i merte përsëri në duar. Pas gjithë atij informacioni, aty në tavolinën e punës, mes skicave dhe objekteve të shumta filloi mbushjen me material jetësor mbi kafkën prej gipsi. Kishte ardhur koha ta konkretizonte idenë Në ditët në vazhdim, midis asaj tek po e ngjeshte atë baltë argjilore mbi kafkë, ku ajo pjesë e mishtë muskulore e tendinash, do të njësohej e do të jepte pamjen më të mundshme, ngacimi  i përditshëm me njerëzit e qytetit ku ai e përjetonte nga mëngjesi deri në darkë, gati e trembi. Vërtet mund të jetonte një tjetër me të njëjta tipare. Dha urdhër që asgjë mos të prekej nga tavolina. Ditë të tëra nuk do guxonte të kalonte prej andej. Për t’u  justifikuar doli në terren. Megjithëse ishte angazhuar në punët e përditshme, në trurin e tij duar të padukshme ende vazhdonin të punonin pambarimisht në modelimin e asaj fytyre. Nuk mund ta ndalonte atë proces.

Zona ku shtrihej ajo zonë arkeologjike e kishte tërhequr shpesh. Ishte tepër atraktive. Gjatë shkollës, kur kthehej me pushime, shumë prej peizazheve dhe skicave të atyre objekteve të hershme i kishte hedhur në letër. Atëherë nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se mund t’u rikthehej atyre vendeve dhe të emërohej si skicograf i bërthamës arkeologjike. Duke mar pjesë në disa ekspedita të cilat kishin të bënin me varre zotërinjsh të periudhës antike mori njohuritë e para për atë disiplinë. Dhe do të ishte shembull,  tepër korekt dhe profesionist. Për këtë gjë do ta çonin për specializim mbi antropologjinë. Tashmë i ndodhur në një pozicion tepër të rëndësishëm pa pritur ndjehet në siklet. Çfarë po ndodhte me të. Cilët ishin ata njerëz që mendonin se ai kishte gabuar. Me anën instiktive të karakterit të tij filloi të mendonte se nga dikush po vëzhgohej. Mos vallë ishte kafka e atij njeriu të hershëm që po i sillte ato shqetësime

Kishte rreth një javë pa shkelur në studio e cila ndodhej në brendësi të qendrës arkeologjike. Kaloi portën e drunjtë dyfletëshe duke i hedhur një shikim të shpejtë  atij ambienti gati nëntokësor. Dikush do të ishte aty duke punuar pasi të gjitha dritat ishin ndezur. Nuk qëndroi shumë por u drejtua për nga vendi i punës. Ajo hapësirë dhome e cila kishte komunikim me dritën e jashtme nëpërmjet një dritare, ishte në dispozicion të tij. Megjithëse ndjesia e përpunimit të atij portreti e shoqëronte vazhdimisht, sot nuk mundej. Si me përtesë e zbuloi. Ndjeu se dikush e kishte prekur. Mendoi se nuk ishin thjeshtë gjurmë duarsh por veprime dashakeqe. Kush mund ta kishte bërë atë veprim. Doli prej andej. Thërriti dikë. Thërriti një emër në formën më të shkurtër të tij. Nuk kaloi shumë dhe ai u shfaq nga zona më e errët e atij ambienti. Ende pa u afruar e pyeti në se mund të kishte parë dikë të futej në studion e tij. Ai, me një lëvizje të lehtë gati të gjithë trupit shfaqi atë të mohimit, por si me mbase shprehu se ndjeu hapat e dikujt të hynte e të dilte. Ishin hapa fare të lehtë vazhdoi ai. Më bëri përshtypje kërcitja e thatë e këpucëve te tij, por nuk u interesova më tej dhe ende pa mbaruar mori për nga kishte ardhur. I ndodhur ende aty ku u ndal nuk po vendoste se ç'farë duhej të bënte. Tashmë në mendje nuk do t'i shfaqej fytyra e njeriu të hershëm por arsyeja se kush nuk e dëshironte atë. Mori për të ikur. Duke zbritur shkallët e pakta i shkoi ndërmend kolegu i tij, arkeologu. Ai ishte tre-katër vjet më i madh. Kishte mbaruar të lartën për histori-gjeografi. Pasi punoi disa vjet si mësues në një shkollë të mesme e çuan në bërthamën arkeologjike. Më pas për të mbrojtur vendin e punës kreu edhe një kurs. Pas dy-tre vjetësh,  prej andej e çuan në seksionin e arsim kulturës të rrethit. I ndodhur aty në fund të atyre shkallëve i tha vetes se duhej t'i bënte edhe disa pyetje të tjera atij punëtori. I kërkoi informacion për ditët kur ai nuk ndodhej aty. Kush mund të kishte hyrë në studion e tij. Duke aluduar për ish kolegun i tha vetes se mundet. Mund të ketë qenë ai. Po, ai kishte kaluar disa ditë në vazhdim aty. Përgjigjja e punëtorit i u duk e çuditshme. Duke e vërejtur me kureshtje, për të parë nëse përputhej lirshmëria e mimikës së fytyrës me fjalët e thëna, mendoi se diçka nuk po shkonte. Tashmë shumë pikëpyetje do ta shqetësonin. Çfarë po ndodhte me kolegun e tij. Nuk kishte vënë re ndonjë gjë negative tek ai. U përpoq të kontaktonte me të. Duhej të mësonte diçka. Si fillim asgjë. Në ato bisedat e zakonshme, ku flisnin edhe për objektet e zbuluara, përmendën edhe mundësinë e atij njeriu të hershëm për të qenë një zyrtar i lartë. Ligjvënës, ndoshta edhe gjykatës. E përsëriti fare lirshëm mendimin dhe kur u përballua ja kërkoi me ngulm miratimin e idesë së tij. Dikur, për ato objekte që kërkonin bashkëpunim për përcaktime më të sakta kohore ose të diçka tjetre, do të nxirrnin mendime të përbashkëta. Por tashmë reagimi i tij rreth kafkës ishte i pakuptueshëm. Ai u mundua të mos shfaqte asgjë.  Prej tij, padurimi për t'u shkëputur ishte i dukshëm. Nuk duhej të vazhdonte më tej. Nga përvoja, tensionimi i situatës do të pakësonte mundësinë për të kuptuar atë që dëshironte. Përse ai nuk po shfaqte asgjë. Mos vallë nga xhelozia apo nga diçka ku ai nuk mundej ta kuptonte.. 

Në ditët në vazhdim, rrugës tek po ecte nuk e ndjeu përplasej me dikë. Buzëqeshja e tjetrit e ndodhur gati pranë fytyrës së tij nuk e shkëputi aq lehtë nga ajo që po përjetonte. Duhej të kalonin edhe disa sekonda ose disa minuta. Në të njëjtën kohë ai i hodhi krahun. Duke vazhduar ecjen i shprehu se edhe atij i ndodhte të kryente veprime të tilla. Hoqi shikimin prej hapave tek i hidhte mbi rrugë dhe e drejtoi nga ai. Mendoi se duhej të shprehej dhe pa e kuptuar se çfarë po bënte, pa përmendur emra gati i rrëfeu atë  që mendonte. Ai tjetri, me shikimin e hedhur në tokë i shprehu opinionet e mira që kishin për të. I zbutur nga ato fjalë vendosi të mos shqetësohej për asgjë. Që nga ai çast vuri re të përballoheshin më shpesh. Deri dje  nuk e njihte ndërsa tani po i dilte aty ku nuk mund ta mendonte. Duhej të mësonte arsyen e atyre rastësive. Dhe ja e njohu nga ecja. Gjysmë i kërrusur si gjithmonë. Me përkuljen e dyfishtë të qafës dhe të trupit i dha përshtypjen e një njeriu të pështirë. Ja me kollaron tek i tundej aty përpara, larg gjoksit. E gjitha kjo nga devotshmëria dhe përkulja ndoshta prej servili kundrejt eprorëve. Diku kishte lexuar se qendra e gravitetit të trupit të çdo individi përcakton karakterin e tij. Pikërisht kjo e shqetësonte. E kërkoi me sy shikimin e tij. Nuk pa reagim. E la të shkonte. As vet nuk e kuptoi përse nuk i thirri. Në ato pak metra larg, ajo harmoni trupore e ndodhur brenda atij kostumi zyrtar në ngjyrë gri të errët që kishte lidhje me gravitacionin e tij, e ngacmoi keq. Vazhdoi rrugën. Tek po ecte i u kujtua një nga personazhet më të spikatur të Dikensit, Uriah Hip, ai njeri i fëlliqur. Mos vallë ky njeri ishte vënë prej ish kolegut ose prej dikujt tjetër që punojnë në strukturat shtetërore. Po përse vallë.?!

Megjithëse në qendrën arkeologjike kishte ditë pa shkuar, ai kaloi në brendësi të saj pa u përshëndetur me asnjë. Në tavolinë  kafka prej gipsi e mishëruar në njeriun që po kërkonte,  e priste në qetësi. E zbuloi. Si një i verbër kaloi pëllëmbën e dorës mbi të. Mollëzat e gishtërinjve të tij njohën atë që ai mendonte. Ai material që përshtatej lehtë nëpërmjet gishtave, po plotësonte me besnikëri portretin e atij njeriu të hershëm. Balli aty përpara, me vetulla tepër të tendosura e me sytë qe tregonin vet besimin e një njeriu të pushtetshëm e bërën të buzëqeshte. I kënaqur nga ajo që po shihte, gati sikur e përkëdheli mirëseardhjen e atij njeriu të kohëve antike. Nga kjo u nxit edhe më shumë. Nofullat, mjekra dhe çdo element tjetër i fytyrës, të asaj kafke eshtërmadhe u shfaq e plotë para tij. Por nuk u mjaftua. Për t'i përshtatur me tiparet e atij njeriu u mor me flokët duke u dhënë trajtën më të mundshme. Vuri re se me dikë ngjante ose edhe me një tjetër. Çfarë ishte ajo ngjashmëri që atë e përafronin me dy persona ku gati përplasej rrugëve me ta. U ul. Kaloi shpinën e dorës diku atje tek mjekra e tij si për të pastruar diçka dhe ra në mendime. U turbullua. I lindi dëshira ta prishte por nuk e bëri. Duhej të qartësohej ndaj asaj që po e shqetësonte, ndërkohë edhe ta përfundonte punën që kishte nisur. Në ato çaste, njeriun që po i afrohej nuk e ndjeu por pesha e dorës se tij mbi sup i u duk e rëndë. Ktheu kokën. Ishte ai. Aty përpara, si gjithmonë me trupin gjysmë të përkulur. Nuk reagoi. Mendoi se duhej të priste. Duhej t'i jepte atij mundësinë për të folur i pari. Kështu do të kishte kohë të kuptonte arsyen e ardhjes. Por heshtje dhe vetëm heshtje. Dora e tjetrit sa shkonte e po rëndohej edhe më shumë. Tashmë po i kujtoheshin megjithëse të copëtuara momentet kur përballohej me të. Ajo shfaqja e tij e papritur po i bëhej më konkrete. I vënë nga dikush tjetër ai po e vëzhgonte. Dhe në çdo çast sikur i thoshte “jam këtu, po kontrolloj çdo veprim tëndin”. Ngriti kokën dhe u përballua me të si për të vërtetuar të gjitha ato që mendonte. Në ato momente vuri re shikimin e tij të drejtohej nga puna e bërë e cila ndodhej diku aty përpara. Aty ndjeu edhe buzëqeshjen e tij ironike të shfaqur dukshëm në atë fytyrë enigmatike sikur po i thoshte “të kapa më në fund.” Pa e kuptuar nuk reagoi, nuk u përpoq të mbulonte punën e tij. Por mendimet e tjetrit të shprehura me zë e ndaluan. Më kanë thënë se je punëtor i madh. Punon deri vonë. Është e vërtetë. Pa dale të shoh se çfarë ke bërë. Dhe me një shtytje u përpoq të hapte rrugën drejt kafkës prej balte e gipsi. Tashmë i ndodhur mes saj dhe njeriut të sapo ardhur, gjithë vëmendjen e përqendroi mbi të. Në çast i u kujtua prania e vazhdueshme, dhe përplasja me shikimin e tij. Ai do ta shoqëronte kudo. Çfarë kishte ndodhur vallë. Ku kishte gabuar. Përveç lirisë profesionale asgjë nuk kishte kërkuar. Shpesh kohën e lirë të tij e vendoste në dispozicion të punës. I u kujtua se edhe aty rrugës tek i hodhi dorën për herë të parë në sup, si sot, shikimin e kishte të përqendruar mbi shkëlqimin e këpucëve. Në atë çast, ajo rrobë e varur me efekte që kalonin nga ngjyra e kuqe e shoqëruar me disa vija të zeza nisi ti tundej aty përpara gjoksit. Pikërisht këtë fakt ai u përpoq ta eleminonte duke drejtuar edhe trupin që ishte gati të humbiste ekuilibrin. Dhe për të mos i dhënë kohë skicografit në atë që po përjetonte, e goditi në sup disa herë me majat e gishtërinjve. Ato ishin si thirrje, si paralajmërim. Në ato çaste të dy e kërkuan me ngulm përballimin me njeri tjetrin. Ishte shtrëngim nofullash i shoqëruar me shumë lëvizje të tjera në fytyrë. Të gjitha ato shfaqnin epërsinë për të mposhtur tjetrin përballë. I ndodhur ende në këmbë, mbajtësi i kollares përpiqej të dukej më lart tij, si një njeri ku të  gjithë të tjerët duhej t'i trembeshin, t'i nënshtroheshin. Skicigrafi, i ulur e me duar mbi kafkën prej gipsi nuk ja shkëputi shikimin. Për të, ajo kohë qe e mjaftueshme. Sy me shikim inatçiu e idhcaku. Aty mendoi ta tërhiqte me dhunë prej kollares e ta shkelte me këmbë atë njeri. Por jo. Ajo qenie njerëzore në çdo lloj formë që do të ndodhej mbi tokë, shtylla  kurizore e tij do t'i përshtatej anormalitetit gravitacional. 

Nga ai përballim, mbajtësi i kollares, të gjitha sa kishte menduar gjatë rrugës nuk po mundej t'i artikulonte në zë. Ai e ndjente se ngjashmëria e atij njeriu të hershëm me njeriun më të rëndësishëm të qytetit ishte tepër e madhe. Por për sa po ndodhnin në atë çast, shkak ishin edhe shenjat e çuditshme të lëna mbi fytyrën e njeriut më të dashur e më të respektuar të pushtetit popullor.

Për skicografin të gjitha ato nuanca dhe lëvizje muskulore në fytyrën e atij shërbëtori të devotshëm ishin të mjaftueshme. Shumë keq i shkoi mendja. Dhe nga ana tjetër ai Uriah Hip i shëmtuar ende nuk ja kishte shkëputur dorën e tij të lëngshme me veti ngjitëse. Si atë ditë rrugës tek po e ndiqte. Dhe ndjeu përsëri ato goditjet e lehta  të shoqëruara me dy fjalë: Mirë, shumë mirë.  

Tashmë për të dalë prej asaj situate absurde por më tepër komike si e mendonte ai, kuptoi se mundësia do të qe e vështirë. U çua prej karikes pa guxuar të hedh ndonjë hap më tej. Ku të shkonte. Çfarë të bënte. Për të çdo gjë që mund të ndodhte ishte e pa imagjinueshme. Megjithëse që këtej e tutje do të ishte në diskutim ekzistenca e tij në atë qendër arkeologjike, përsëri vëmendjen e kishte tek kafka e atij njeriu të hershëm. Mes shfletimeve të literaturave dhe studimeve arkeologjike, mendoi se e kishte kaluar kufirin e asaj që i kërkohej prej institucionit ku ishte punësuar. Çfarë vlere kishin ato tashmë ku në të vërtetë mungesën e një arkeologu ai e plotësonte më së miri. U ndje keq për të vetmen arsye sepse atyre u shkonte përshtat çka ai bënte. Ata në heshtje gati e miratonin pasionin e tij, ndërsa sot egzistencën e tij mund ta shpërfillnin në çast. Ktheu kokën nga ai njeri i hershëm. Shikimi i tij ndodhej në të njëjtin drejtim që nga çasti ku e kishte lënë. I shkoi pranë dhe pa menduar asgjë u ul duke u mbështetur  mbi syprinën e tavolinës. Nuk e kuptoi se sa qëndroi ashtu por vendosi ta plotësonte portretin e atij njeriu që e kishte mbajtur në ankth.

       Më tej se si vazhdoi ajo histori jo vetëm e asaj kafke por edhe e skicografit, për veçse përfliteshin dy variante, mbijetoi ajo që mendohej si më e bindshme. Ishte ai që krijoi atë situatë absurde, Uriah Hip-i dikensian që do ta shfaqte si një porosi të shefit, pasi vetëm skicografi i qendrës arkeologjike të rrethit mund të realizonte vepra të tilla.

 

 

 






Σάββατο 18 Απριλίου 2020

ELENI

 Në atë lamtumirën e fundit që i dha të shoqes, pranë i u ndodhën veçse një grup i vogël miqësh. Kërkesa e saj ishte të prehej në vendlindje. Pasi i mbaroi të gjitha çka kishte në program menjëherë u rikthye në atdheun e dytë të tij. Gati për një çerek shekulli me punë dhe jetë bashkëshortore me të cilën kishte kaluan pjesën më të lumtur të jetës tashmë ai do të jetonte i vetëm. Me ëndra të bukura për të krijuar një familje të madhe punuan fort duke siguruar strehën e tyre por prindër nuk mundën. Shfaqja e asaj sëmundje të keqe në trupin e saj do të zhdukte edhe shpresën më të vogël për vazhdimësinë e jetës.

Tashmë po kthehej pa të. Si do të mundte pa frymëmarrjen e saj. Pa e prekur dhe pa u kujdesur për trupin e saj të brishtë. Të gjitha këto dhe shumë të tjera i kaloi në trurin e tij deri në çastin kur ai automjet i madh pasagjerësh do të bënte ndalimin e zakonshëm në atë qendër shërbimi anës autostradës, ku për ta do të ishte shplodhje ose konsumim i diçkaje.
Tek po ulej për të shijuar kafen, ai çast do ta trondiste dhe do t'i rikujtonte sagën e vuajtjeve të dikurshme me të shoqen. Nga një tavolinë aty pranë, një fytyrë gati “e panjohur” u përball me shikimin e tij. Pothuajse pas një kohe të gjatë i u rishfaq po ai zemërim i asaj fytyre ku ende nuk mundi ta kuptonte shkakun. Ai ishte bashkëmoshatari dhe ish shoku i klasës, vëllai i Elenit, gruas së tij. Nga të gjitha veçse një çast i u kujtua, ai mëngjes teksa ajo po nxitonte për në shkollë. Duke i dhuruar buzëqeshjen e përhershme të saj ajo e miratoi atë ç'ka dëshironte që ai të  bënte. Pra të bisedonte me të vëllanë e saj e më pas me prindërit. I u kujtua edhe veprimi i përhershëm tek  hidhte gërshetin e vetëm mbi krahë. Gjithashtu edhe ai ndryshimi në ecje pas asaj ndjesie të bukur që ajo po përjetonte. U përpoq të përballonte shikimin me atë njeri që se kuptoi ndonjëherë arsyen për atë mos miratim të asaj dashurie të bukur por nuk mundi. Çfarë kishin më tepër ata njerëz nga ai. Po, vetëm një gjë i mungonte, i ati. Në atë kohë ai kishte veçse dy vjet që kishte ndëruar jetën. Ishte fëmija i vetëm i asaj familje që përpiqeshin të mbijetonin nga jeta e vështirë në fshat. Në mënyrë krejt të mistershme, e regjistruar dhe e ruajtur fort shpirtin e tij ajo drita e bukur e syve të saj u rishfaq në pika loti. Tashmë nuk po ndjente gjë tjetër. Për të gjithçka kishte mbaruar. Nuk i bënte përshtypje se çfarë mund të mendonte ai njeri. Krejt familja e saj nuk e miratoi ndjenjën e bukur që po përjetonte vajza e tyre. Megjithëse ndërhynë edhe njerëz dashamirës për t'u bërë ai bashkim, nuk u realizua asgjë. Të detyruar, kryen arratisjen ose rrëmbimin siç e quajtën ata, si veprimin më të drejtë për të përjetuar dashurinë e tyre pa dashurinë e të tjerëve. Si fillim ikën nga qyteti. Pothuajse për një muaj i mbajtën njerëzit e afërt e të dy familjeve. Ndërkohë me njohje pasi ishte tepër vështirë të siguroje një strehë në ato vite, do të mundeshin të jetonin me një familje në një hyrje e cila nuk ishte gjë e rrallë. Menduan se do ta përballonin si gjithë të tjerët. Por nuk do të mundnin të qëndronin gjatë atje se do të kishte të tjerë që do ta donin atë dhomë të vogël me një banjë të përbashkët. Do t'i strehonin në një barakë disi të mirë, me një  banjë me mbulim eterniti të ndodhur në periferi të qytetit. Tek shtriheshin për të fjetur, të shtrënguar fortë me njeri-tjetrin, do të shiheshin në sy si për t'u shfajësuar se nuk ishte faji i tyre për atë mjerim. Më tej ajo familje e betuar ndaj qëndrimit të vajzës së tyre, nuk e pranoi më.      
 Mes vuajtjeve, era e re tek po kalonte lirshëm kufirin shtetëror do t'u jepte shpresë të madhe edhe dy të dashuruarve. Do të shfrytëzonin momentin më të parë për t'u ndodhur në botën e lirë, matanë atij brezi me tela dhe gjemba dhe të shijonin jo vetëm lirinë por edhe bukurinë e moshës së tyre. Të etur për të jetuar e morën me dëshirë të madhe atë hyrje në katin e dytë të asaj ndërtese. Do të ndjeheshin mirë me të gjithë bashkëjetuesit të atij pallati disa katesh dhe dhurata më e bukur për ta do të ishte ardhja e një çifti të rinjsh nga qyteti ku ata kishin jetuar. Megjithëse nga mosha ishin fëmijët e tyre do të lidheshin me ta gati si familjarë.
Në pjesën tjetër të udhëtimit u ndje më i çliruar. Të tjera gjëra po kalonte në mendjen e tij. Kohët e fundit me të shoqen kishin menduar se në rastin më të parë të ardhjes në jetë të një fëmije prej tyre do t'u kërkonin ta pagëzonin vet. Edhe për ta do të ishte një gëzim të madh. Dhe si në ato ëndërimet që mund të përjetojë çdo çift bashkëshortësh në pamundësinë e një fëmije, do t'i dhuronin asaj krijese më të mirat e botës. Pa orën, kishin ende kohë për të mbritur në kryeqytetin e atdheut të tij të dytë. Mendoi se po i puthiste bukur ato që kërkonte të zbatonte. Pra, në qoftë se do të lindte vajzë, emri Eleni ishte më i përshtatshëm për të, por edhe emri i tij nuk ishte i keq në qoftë se lindte djalë. Do t'i përkushtohej jetës së asaj fëmije deri në çastin që nuk do të kishte më fuqi. U prek pa e kuptuar arsyen. Ndoshta nga ajo nëse ata nuk do të pranonin ose do të realizohej ajo dëshirë e cila ishte edhe e Elenit. Në ato momente, për shumë gjëra që po kalonte ishte gati të bërtiste. Po e shqetësonte ajo hapësira midis realitetit dhe dëshirave të tij. Mendoi se më e mira e të mirave ishte të shkonte në shtëpi, të bënte një dush dhe të binte për të fjetur. Ata do ta ndjenin ardhjen e tij dhe në momentin më të parë do t’u a thoshte të gjitha, të gjitha ato që kishte menduar me Elenin. Me imtësitë më të vogla të pasurisë të krijuar me të, gjithashtu edhe dëshirën e tij të mjerë që kur t'i vinte koha të prehej pranë saj.