Σάββατο 18 Απριλίου 2020

ELENI

 Në atë lamtumirën e fundit që i dha të shoqes, pranë i u ndodhën veçse një grup i vogël miqësh. Kërkesa e saj ishte të prehej në vendlindje. Pasi i mbaroi të gjitha çka kishte në program menjëherë u rikthye në atdheun e dytë të tij. Gati për një çerek shekulli me punë dhe jetë bashkëshortore me të cilën kishte kaluan pjesën më të lumtur të jetës tashmë ai do të jetonte i vetëm. Me ëndra të bukura për të krijuar një familje të madhe punuan fort duke siguruar strehën e tyre por prindër nuk mundën. Shfaqja e asaj sëmundje të keqe në trupin e saj do të zhdukte edhe shpresën më të vogël për vazhdimësinë e jetës.

Tashmë po kthehej pa të. Si do të mundte pa frymëmarrjen e saj. Pa e prekur dhe pa u kujdesur për trupin e saj të brishtë. Të gjitha këto dhe shumë të tjera i kaloi në trurin e tij deri në çastin kur ai automjet i madh pasagjerësh do të bënte ndalimin e zakonshëm në atë qendër shërbimi anës autostradës, ku për ta do të ishte shplodhje ose konsumim i diçkaje.
Tek po ulej për të shijuar kafen, ai çast do ta trondiste dhe do t'i rikujtonte sagën e vuajtjeve të dikurshme me të shoqen. Nga një tavolinë aty pranë, një fytyrë gati “e panjohur” u përball me shikimin e tij. Pothuajse pas një kohe të gjatë i u rishfaq po ai zemërim i asaj fytyre ku ende nuk mundi ta kuptonte shkakun. Ai ishte bashkëmoshatari dhe ish shoku i klasës, vëllai i Elenit, gruas së tij. Nga të gjitha veçse një çast i u kujtua, ai mëngjes teksa ajo po nxitonte për në shkollë. Duke i dhuruar buzëqeshjen e përhershme të saj ajo e miratoi atë ç'ka dëshironte që ai të  bënte. Pra të bisedonte me të vëllanë e saj e më pas me prindërit. I u kujtua edhe veprimi i përhershëm tek  hidhte gërshetin e vetëm mbi krahë. Gjithashtu edhe ai ndryshimi në ecje pas asaj ndjesie të bukur që ajo po përjetonte. U përpoq të përballonte shikimin me atë njeri që se kuptoi ndonjëherë arsyen për atë mos miratim të asaj dashurie të bukur por nuk mundi. Çfarë kishin më tepër ata njerëz nga ai. Po, vetëm një gjë i mungonte, i ati. Në atë kohë ai kishte veçse dy vjet që kishte ndëruar jetën. Ishte fëmija i vetëm i asaj familje që përpiqeshin të mbijetonin nga jeta e vështirë në fshat. Në mënyrë krejt të mistershme, e regjistruar dhe e ruajtur fort shpirtin e tij ajo drita e bukur e syve të saj u rishfaq në pika loti. Tashmë nuk po ndjente gjë tjetër. Për të gjithçka kishte mbaruar. Nuk i bënte përshtypje se çfarë mund të mendonte ai njeri. Krejt familja e saj nuk e miratoi ndjenjën e bukur që po përjetonte vajza e tyre. Megjithëse ndërhynë edhe njerëz dashamirës për t'u bërë ai bashkim, nuk u realizua asgjë. Të detyruar, kryen arratisjen ose rrëmbimin siç e quajtën ata, si veprimin më të drejtë për të përjetuar dashurinë e tyre pa dashurinë e të tjerëve. Si fillim ikën nga qyteti. Pothuajse për një muaj i mbajtën njerëzit e afërt e të dy familjeve. Ndërkohë me njohje pasi ishte tepër vështirë të siguroje një strehë në ato vite, do të mundeshin të jetonin me një familje në një hyrje e cila nuk ishte gjë e rrallë. Menduan se do ta përballonin si gjithë të tjerët. Por nuk do të mundnin të qëndronin gjatë atje se do të kishte të tjerë që do ta donin atë dhomë të vogël me një banjë të përbashkët. Do t'i strehonin në një barakë disi të mirë, me një  banjë me mbulim eterniti të ndodhur në periferi të qytetit. Tek shtriheshin për të fjetur, të shtrënguar fortë me njeri-tjetrin, do të shiheshin në sy si për t'u shfajësuar se nuk ishte faji i tyre për atë mjerim. Më tej ajo familje e betuar ndaj qëndrimit të vajzës së tyre, nuk e pranoi më.      
 Mes vuajtjeve, era e re tek po kalonte lirshëm kufirin shtetëror do t'u jepte shpresë të madhe edhe dy të dashuruarve. Do të shfrytëzonin momentin më të parë për t'u ndodhur në botën e lirë, matanë atij brezi me tela dhe gjemba dhe të shijonin jo vetëm lirinë por edhe bukurinë e moshës së tyre. Të etur për të jetuar e morën me dëshirë të madhe atë hyrje në katin e dytë të asaj ndërtese. Do të ndjeheshin mirë me të gjithë bashkëjetuesit të atij pallati disa katesh dhe dhurata më e bukur për ta do të ishte ardhja e një çifti të rinjsh nga qyteti ku ata kishin jetuar. Megjithëse nga mosha ishin fëmijët e tyre do të lidheshin me ta gati si familjarë.
Në pjesën tjetër të udhëtimit u ndje më i çliruar. Të tjera gjëra po kalonte në mendjen e tij. Kohët e fundit me të shoqen kishin menduar se në rastin më të parë të ardhjes në jetë të një fëmije prej tyre do t'u kërkonin ta pagëzonin vet. Edhe për ta do të ishte një gëzim të madh. Dhe si në ato ëndërimet që mund të përjetojë çdo çift bashkëshortësh në pamundësinë e një fëmije, do t'i dhuronin asaj krijese më të mirat e botës. Pa orën, kishin ende kohë për të mbritur në kryeqytetin e atdheut të tij të dytë. Mendoi se po i puthiste bukur ato që kërkonte të zbatonte. Pra, në qoftë se do të lindte vajzë, emri Eleni ishte më i përshtatshëm për të, por edhe emri i tij nuk ishte i keq në qoftë se lindte djalë. Do t'i përkushtohej jetës së asaj fëmije deri në çastin që nuk do të kishte më fuqi. U prek pa e kuptuar arsyen. Ndoshta nga ajo nëse ata nuk do të pranonin ose do të realizohej ajo dëshirë e cila ishte edhe e Elenit. Në ato momente, për shumë gjëra që po kalonte ishte gati të bërtiste. Po e shqetësonte ajo hapësira midis realitetit dhe dëshirave të tij. Mendoi se më e mira e të mirave ishte të shkonte në shtëpi, të bënte një dush dhe të binte për të fjetur. Ata do ta ndjenin ardhjen e tij dhe në momentin më të parë do t’u a thoshte të gjitha, të gjitha ato që kishte menduar me Elenin. Me imtësitë më të vogla të pasurisë të krijuar me të, gjithashtu edhe dëshirën e tij të mjerë që kur t'i vinte koha të prehej pranë saj.   
                                               

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου