Πέμπτη 28 Δεκεμβρίου 2023

NË PËRJETIMIN E ATIJ TINGULLI

Me gotën e verës përpara dhe në përjetimin e asaj tjetrës që e ngacmonte tingulli i një zëri të çjerrë mashkullor ku veçse një pjesë ose grup i veçantë njerëzor mund ta shfaqnin në atë lloj muzikaliteti, ndjeu se ai person do të ishte një prej atyre banorëve të shumtë që jetonin në fund të çizmes Apenine, italianët jugorë. Ishte një bisedë telefonike me dikë të cilën po e kryente me zë të lartë. Ai u entusiazmua kur dëgjoi prej tij ta shprehte në atë gjuhën e tyre melodike emrin e qytetit ku ndodhej me pushime,  qytetin më jugor të gadishullit ballkanik të ndodhur gati përballë tyre. Duke e ndjekur me vëmendje atë bisedë, i cili si veprim më shumë ndjehej si një aktrim, pranë tij ishte një femër. Përshtypja e parë, pra ngjajshmëria midis tyre e cila fillonte që nga cilësitë trupore e gjithçkaje tjetër që zotëronin ata të dy. Ajo, pasi e preku lehtë në sup si për t’i thënë se është me të, u drejtua nga tavolina ku ndodhej personi me gotën e verës përpara. Tek  i kërkoi atij të ulej në një prej karikeve bosh e kryejti atë veprim pa pritur miratim prej tij ndërkohë, ai jugori, banor i hershëm në fund të çizmes italike diku tek thembra e saj, i dha fund asaj bisede duke drejtuar shikimin prej atyre të dyve me një buzëqeshje gati pa mbarim, mikeshës dhe personit me gotën e verës përpara. Mes asaj shkathësie, duke e shoqëruar edhe me  një ëmbëlsi gati të ekzagjeruar tek u shkoi pranë, e cila ishte e përherëshme në fytyrën e tij, shprehu se ajo mikesha e tij do të ndjehej  më e sigurtë po të qëndonte aty deri sa ai të kthehej nga ku do të shkonte. Pasi i dha një puthje të shpejtë edhe ai nuk kërkoi miratim për çka kërkoi por u largua në çast prej andej.

                     

Më tej si në ato lajmet e shpejta televizive gjithçka u mbyll me  ikjen e atij “llafazani”.  Ai i gotës me verë, për të vërtetuar se ajo ende ndodhej pranë tij, ngriti kokën dhe në atë përballim ndjeu atë që përpiqej ajo të shfaqte, ekzistencën e saj femërore. Tentoi të komunikonte por në atë formë si po e shikonte ajo e cila gati këmbëngulte në atë që kërkonte, nuk mundi. Nga portreti, flokët me onde tek përpiqeshin të vetpërshtateshin ku edhe vet ajo ashtu i dëshironte, më tej gjithçka tjetër që kishte veshur në cilësinë e një fustani, shfaqte hapur linjën e saj trupore. Pra ajo do të qëndroj aty deri sa të kthehej ai “llafazani”i tha vetes. Ktheu gllënkën e radhës me verë duke i kushtuar vëmendje asaj femre e cila ndodhej “në besë” e tij. Mes dy koloreve, fytyrë e flokë, një ngjyrë në të florinjtë të pluhurosur zotëronte gjendjen e saj. U magjeps. Gati, gati, për ta prekur atë ndjesi ngriti dorën por nuk e kreu. Më tej vuri re se gjithçka që zotëronte mbi trupin e saj nga vathët interesant që shkonin bukur edhe me krehjen e lëshuar të flokëve bile edhe me gjithçka tjetër si tatuazhet që fillonin nga llërët, parakrahu më të poshtë të shoqëruar edhe me byzylyk pasi edhe prerja e fustanit shfaqte mistershëm format e trupit të saj. Aty ku mbaronte ai fustan, diku poshtë vitheve një dekor i imët tato i shoqëruar po me atë kolorin e mësipër të krijonin ndjesinë e linjës të mbathjeve. Aty mendoi se ai qëndrim prej saj, do të ishte i mirëmenduar. Ishin punime sa një fije peri. Të ndjeje figuracionin, koloritin e tyre duhej të përqëndroje vëmendjen mbi to. Ajo jeshilja interesante e cila shoqërohej me nuanca të shumta në okër e të tjera, hynin ose më saktë plotësonin asetet më të çmuara të botës së saj femërore.

                      

Duke krijuar edhe humor tek i përgjigjej asaj në atë gjuhë  pasi dialogun e shpejt e kontrollonte lehtë, do të ndjehej më i çliruar.  Më tej,  në përfundim të asaj situate nuk do të përfitonte asgjë pasi dhe nuk i kishte kërkuar.

                 

 Megjithëse në forma e ndjesi të ndryshme të dy ende e vëzhgonin njeri tjetrin. Ai me gotën përpara, nga ngacmimi i mëparshëm prej atyre tatuazheve të shumtë do ta zbriste shikimin në pjesët e tjera të saj. Pulpat e këmbëve tek i shfaqeshin bukur në çdo lloj forme të ndodhej ajo, qarkoheshin  me një dekor tato tepër interesant, me koloritin e gjithçkare që ajo mbarte më vete. Gjatë këtij harku kohor ai i gotës me verë nuk e ndjeu kamarierin tek kreu disa porosi të saj edhe tek i konsumonte. I zhytur në botën e mistershme të asaj femre ende përpunonte se si mund t’i hidhte në letër ato momente pasi për t’i regjistruar në memorien e tij duhej t’i “ripërtypte ato”                       Ja ai “llafazani italian” tek i u shfaq gati pa pritur do ta shkëpuste nga gjithçka. Me gjithë dialogun me zë të lart midis tyre të shoqëruar edhe me artikulacione të shumta trupore do të kuptonte një lloj hakërimi drejt saj dhe më tej ikjen e tyre pa as një përshëndetje nuk do ta ndjente. Porositi edhe një gotë tjetër me verë pavarësisht se nuk e kishte mbaruar atë. Në mendjen e tij po përpunonte idenë nëse do të mundej të ravijëzonte në letër trupin e asaj femre që e ngacmoi kaq shumë.

 

 

                                                                                              

                                                   Sarandë  Shtator 2023