Σάββατο 24 Ιουλίου 2021

LOVE STORY

       

   Në atë natë të qetë, njëri prej të dy burrave aty ku po peshkonin buzë detit dikur rekordmen kombëtar në gara noti, duke i krahasuar përplasjet e valëve mbi shkëmbinjtë si përkëdhelje e puthje, foli me zë të lartë: A mundet. A mund të kenë lidhje me njëra tjetrën. Si valët e detit edhe puthjet e femrave të rrëmbejnë e të zhysin në thellësi të tyre. Edhe thellësia e madhe poshtë valëve të detit të mbyt. Duke u kthyer në intonacionet e ulëta të zërit të tij të mëparshëm mërmëriti: Dikur i mbytur isha edhe unë. 

    Ndjesia që po përjetonte në ato çaste nuk ishte dhe aq e thjesht. Kishte nevojë të dëgjonte zërin e tij. Kishte nevojë ta dëgjonte edhe  dikush tjetër. Duke treguar po rikrijonte përpara syve të tij atë periudhë. Pasi hodhi shikimin nga i vetmi njeri që kishte pranë, nisi monologun gati me zë të lartë. I kishte të gjitha shijet e frutave puthja e saj. Ishte një përzierje magjike që më tundonte vazhdimisht. I ke provuar shegët e athëta. Megjithëse të thartojnë, kërkon t'i konsumosh deri në fund. Athëti e ëmbëlsi të shoqëruara me gjithfarë frutash ekzotikë, të përziera me mjeshtëri, mbushnin vazhdimisht prej saj gota të tëra me musht dehës erotik. Si Circia, më robëroi ajo magjistare e tërbuar

   Ishte si një ëndërr. Nuk po e ndjeja më ekzistencën time, as tokësor as perëndi. Në atë “ishull magjik” të veshur me mister prej saj, nuk po e kuptoja më konceptin e kohës dhe të hapësirës ndërsa energjia e saj femërore shkarkohej tek unë vazhdimisht e pambarim. Në të vërtetë diçka të tillë e kisha dëshiruar. Tek lëvizja në ato hapësira të pafund, në ato labirinte portash, dhomash, ndjeja të më shoqëronin tinguj muzikor të pafund të një bote të mistershme. Të krijohej bindja se koha kishte ndaluar. Edhe graviteti. Pikërisht atje ku përpiqesha të ndjeja formën e gjithçkaje tek i prekja, ato shpërbëheshin duke u kthyer në grimca të vogla fosforeshente shumëngjyrëshe dhe më pas ribashkoheshin duke konfiguruar trajtën trupore të saj. Ajo  do të afrohej duke më buzëqeshur dhe do të më rrëmbente puthjen e dëshiruar. Si venduza të fuqishme ajo masë mishi e lëngshme do të shkarkonte tek unë energji të pafund. Do të përgatiste ushqimin special me filtra magjik dhe aty, duke i konsumuar ato, do të më rrëfente gjithçka që ajo mendonte se duheshin thënë. Për jetën, kënaqësitë e saj.

      U ndal dhe ktheu shikimin prej njeriut të vetëm që i ndodhej aty pranë. Megjithëse kishin ardhur për peshkim, të dy ishin të rrëmbyer nga ajo histori. Njëri rrëfente tjetri dëgjonte. Në atë që po kuptonte se ai dëshironte të mësonte më shumë për atë histori dashurie, për atë femër, vazhdoi. Ke të drejtë të habitesh por kështu ka ndodhur. Isha i ftuar në atë takim prej një mikut tim.  Festa kishte filluar kur ne u ndodhëm aty. Tek po hidhja shikimin gjithandej, nuk mund të mendoja se çfarë po më sillte ai rast. Më vonë e mësova se gjithçka ishte e sajuar. Ajo kishte kërkuar të më njihte nga afër. Ai më prezantoi me të tre vajzat ku të cilat gati po na prisnin aty përpara. Në mënyrë të ndërsjelltë dhe tepër të shpejtë sikur komandoheshim nga diku, sytë e mi dhe të saj u përplasën fuqishëm. Vetëm shikim nuk ishte. Nga ai çast, koha deri tek veprimet e mëtejshme nuk mund të mendoheshin se si do të zhvilloheshin. Të gjithë sensorët e komunikimit nuk po më funksiononin. Veçse do të ishte aroma e saj të më zgjonte aftësinë time mashkullore. O zot mërmërita dhe me sytë gati të mbyllur kërkova të zhytesha brenda gjendjes të saj trupore por reagimi i lehtë i shfaqur në çast, në fytyrën e saj, më bëri të stepem. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Eshtrat e asaj dore elegante të mbërthyer prej meje, ishin gati të thyheshin. Ndjeva një hutim dhe pavendosmëri të madhe në atë se si duhej të sillesha më tej. Të gjitha këto do të mjaftonin për të dhe shoqërinë që na rrethonte. Shikimeve të mikeshave të saja kundrejt meje, ajo u vuri fre.  Që në ato çaste, u përpoq në forma të ndryshme  të vërtetonte se tashmë isha pronë e saj. Më rrëmbeu. Tek kërcenim u bë njësh me trupin tim. Në atë mbrëmje pa mbarim, të dehur më tepër nga afshet e ndërsjellta se sa nga pijet e shumta që kishim kthyer, në të gdhirë u ndodhëm në shtëpinë vilë të saj. Ish kampioni notit, si për të mar fuqi për ato që do të tregonte në vazhdim heshti. Ndroi ushqimin e pakët që kishte mbetur në grep. Tek hodhi filispanjën vazhdoi historinë. I kujtoj shpesh ato momente. Aty gjithçka zotërohej prej saj. Edhe ato që mendoja e përpunoja në mendjen time “çelësin”e kishte ajo ku vetëm me një kërcitje gishtërinjsh i vinte dhe u ndryshonte funksionin. Ai përsëri heshti. Ngërçi që e kishte kapur nuk po e lejonte të fliste. Qe larguar prej gjithçkaje nga familja e shoqëria. U përpoq të “kruante” zërin si për të gjetur fjalën, mendimin e radhës të asaj që kishte përjetuar. Të asaj kënaqësie ku herë herë mendonte se nuk do ta gjente më. Të asaj që mendonte se në ato çaste brenda asaj “kulle të filndishtë” përjetoi vetminë më të madhe të jetës së tij. Të asaj tek kuptoi se ajo nuk ja kishte më nevojën. Të asaj që kishte filluar ta ndjente që po vinte ajo ditë. Asaj Circe-je nuk i shpëtonte asgjë. Koha me të kishte mbaruar. Ajo po kërkonte tjetrin, mashkullin e radhës. Sensualiteti i saj femëror do të tërhiqte gjithkënd. Tek shfaqej shpesh në ekranet e stacioneve televizive, rrezatimi i saj femëror do të joshte këdo.  Falë këtyre cilësive bëri karierë dhe dhe gjithçka që ajo kërkonte.

       Të gjitha këto ai ja rikujtoi vetes, nën zë. U ngrit. Pa menduar shumë u zhvesh. Drita e hënës shfaqi bukurinë e tij mashkullore. Ende e zotëronte atë që shumë shokë e meshkuj të tjerë do ta dëshironin ta kishin. Me një të kërcyer thjeu sipërfaqen e shndritshme ujore. Ajo do të qëndronte  e qetë për aq kohë sa ai do të qëndronte në thellësi të saj, vetëm kështu mund të freskohej e të shkëputej nga gjithçka tjetër. Më pas, duke dalë  vrullshëm në sipërfaqe, në formën më instiktive, me krahët e tij të fuqishme filloi të shtynte mbrapa masa të shumta ujore dhe më tej tek do të mbështeste duart mbi mbajtëset e hekurta të zadrës do të ndjente atë magjinë e brohoritjeve të pafund tek thyente rekordet e shumta kombëtare në atë stil  që ende nuk kishte kundërshtar t'ja kalonte. Doli, tek po ecte ende pa mbritur aty, vazhdoi rrëfimin pa u shqetësuar në se ai tjetri, nuk e kishte vëmendjen. -Që atëherë nuk pata më lidhje me femra. As nuk guxoja t'i shihja e jo më t’u afrohesha. Kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë deri sa u njoha me gruan që vura kurorë.

     Por i ish dashuruari nuk mundi të heshte. Është për t’u çuditur vazhdoi, se pas shumë kohësh po më kujtohet shpesh puthja e parë e adoleshencës. Megjithëse ishim të dy fruta ende të pa bërë, pesëmbëdhjetë ajo, gjashtëmbëdhjetë unë, sot nuk mund ta gjejë atë aromë pjeshke. Dhe nuk besoj. Në fshatin tonë pjeshka kishte një shije të veçantë.

 

 

              

             

 

Τετάρτη 23 Ιουνίου 2021

IDIL

 

O lule e barit të njomë

Hajde flemë në një stromë

 

O lule e barit të thatë

Hajde flemë në një shtratë

 

Vargje idilike të kënduara në Piqeras jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga më të mëdhenjtë në moshë, ndoshta që nga koha e mbretërimit të Zogut të Parë. Pjesë nga libri në dorëshkrim me vargje, ngjarje e histori të  bregdetit të poshtëm.

Δευτέρα 14 Ιουνίου 2021

RRUGICAVE TË FSHATIT TIM

Duke përshëndetur

Kujtimin e thica Angjeliqis

Tek e shihja në sofatin e

Portës së saj...

Mora të përpjetën e

Rrugicës së kalldrëmtë.

 

Kujtova edhe të puthurën

Në dorën e hallë Vitorisë

Dhe vazhdova të përpjetën e

Rrugicës që u rrita

 

E këputa trëndafilin,

Tek porta e Rozës!

E ish moshatares sime,

Tek kthesa ku dielli

Lëshon të parat rreze!

 

I përshëndeta të gjithë siç  bënim atëherë,

Tek zbrisnim për në det

E ktheheshim prej tij.

 

Duke mar të përpjetën e kalldrëmtë,

U ndala.

Për një çast, u ndjeva mes tyre.

 

               

                    Prill 2014

Σάββατο 15 Μαΐου 2021

HËNA E MEME

  Pjesë nga libri në dorëshkrim.

 

Keni dëgjuar për “Hënën e Meme”! Jo ?! Po ju a tregoj.

Ishte një natë e bukur behari. Hëna lart në qiell po e shoqëronte hap pas hapi udhëtarin e vonuar i cili po kthehej për në shtëpi të tij pas një udhëtimi të lodhshëm. Sado që rruga e monopatet e detyronin atë t’i fshihej  shikimit të saj nën kurorat e ullinjve, ajo do të gjente të çara midis tyre për t'i ndriçuar rrugën. E shoqëroi deri lart në fshat. Bile për një çast,  ku u ndal në këmbë, mbi kokën e tij ndjeu buzëqeshjen e saj. Aty, duke i dhënë ritmin frymëmarrjes së tij të lodhur, nuk e ndau shikimin prej atij disku dritëlëshues që e shoqëroi përgjatë gjithë udhës. Në çast, nën zë i foli vetes se pa tjetër ai i plotfuqishmi lart ja dërgoi për t’i bërë shoqëri. U a tha të gjithë njerëzve e miqve të tij. “Hëna e Meme” siç u quajt më vonë nga të gjithë, përveç udhëtarit të vonuar i cili quhej Polo Memi u bë sinonim si “m*** pas këpucës.

Ndodhur gjatë mbretërimit të Zogut I-rë                    

                                                                  Piqeras


Τετάρτη 12 Μαΐου 2021

TEK KROI

 

Tek kroi në riz* i  kuaj

Qën-ë i qënit m’u ngarkua

Më ngau njërën grua

 

    Zënkë në kafene. Dikush, duke ngritur gotën e verës përpjetë i thotë tjetrit që ndodhej në tavolinën për ballë: “Kjo gotë me verë të kuqe është si faqet e gruas tënde”. Tjetri,  ishte hera e dytë  që prekej në nder dhe... tavolina, karike të thyera, grushte, shkelma burrash dhe nxjerje thikash. Njëri nga të dy bie i vrarë. Ishte ai që dëshironte gruan e tjetrit. Tre gra kishte në shtëpi vrastari, të jëmën, të motrën dhe të shoqen.

                                                                         Qeparo

*riz- vendi ku mërzejnë kuajt.

 

   Pjesë nga libri në dorëshkrim me ngjarje, ndodhi e vjersha jo vetëm nga Piqerasi por edhe nga gjithë bregdeti i poshtëm, të ndodhura shumë kohë para mbretërimit të Zogut të I-rë e në vazhdim, nga të cilat më të shumtat m’i rrëfente nëna ime.

Τετάρτη 10 Μαρτίου 2021

MATUF-i

                                                

Në fakt, kjo shprehje e shokëve të tij të klasës tek e gjuanin me shkelma në të pasme e përpara, aty lart midis këmbëve, të cilit i mbahej fryma nga dhimbja e madhe,  u përdor për një kohë të gjatë edhe nga të tjerë. Të gjitha këto ndikuan në formimin e karakterit të tij. Do të thoni ju përse i ka ndodhur kështu atij njeriu...Kur Zoti formatoi racën njerëzore mendoi edhe për llojshmërinë e saj. Kur u dha porosia për të, që në aktin e parë seksual që kryen prindërit e tij, në më të parën ngjashmëri ishte gjatësia trupore që ai kapi dhe pothuajse ajo pak që quhet hija në fytyrë e mar nga ata të dy. Kur të ndodhet përpara, brenda një kohe tepër të shkurtër, busti i tij t'a ndryshon atë çka të pëlqen tek ai në qoftë se do ta quajmë kështu. Kërrusia. Pikërisht ajo pjesë përcaktoi identitetin e tij personal. Për shkak të asaj lëvizje që fillonte nga koka, qafa e cila vazhdonte përgjatë shtyllës kurizore ose e kundërta e asaj lëvizje, i kishin zhvendosur gravitetin trupor diku aty përpara këmbëve. Sikur edhe disa centimetra më tutje të zhvillohej ajo lëvizje, ai do të detyrohej të përdorte ndonjë mjet për të mos u rrëzuar si p.sh. bastunin. Tjetra, e cila detyrimisht do ta tjetërsonte pozicionin e qafës tek ja shtynte kokën më përpara, mjekra nga inercia e një sërë lëvizjesh do të zhvendosej edhe më tej duke i dhënë fytyrës së tij atë lloj paraqitje. Në çdo përballim me të tjerët, fytyra e tij do të ndodhej ose do të shprehej në dy mënyra. Si fillim në atë sikur po i thoshte tjetrit,  hë ke për të thënë diçka dhe po aty zotërimin e situatës. I mbushur me mllef nga “padretësitë e shumta” për të cilat nuk mund të fajësonte askënd, i vuri qëllim vetes  të mësonte, të bëhej i zoti për të përballuar jetën. Edhe arsimimin e lartë, të degës që preferonte, do ta mbaronte me nota të shkëlqyera. Do të mbahej si shembull por veçse shokë nuk pati pa le për ndonjë femër për të cilat do të lëngëzohej  deri në sipërfaqe të lëkurës. Në vitet kur ai po shkollohej, rinia mbarë vendit po formonte brezin më të arsimuar e cila me aq sa mundte shfaqte edhe bukurinë e saj. Ai do t’i ndjente të gjitha por veçse si gjithmonë i vetmuar, pa çka se do të ishte midis tyre. Me statusin e familjes intelektuale dhe si të devotshëm karshi politikave shtetërore të asaj kohe, do të gëzonte pozicionin e fituar. Dhe do të vinte një ditë që do të shfaqte ato që ëndëronte. U tregua i kujdesshëm në atë që pretendonte. E zotëronte  forcën e të shprehurit e cila ndjehej që në momentet e para por në vazhdim,  në të shumtën e rasteve, do të fliste veçse për veten ku shpesh, me atë qetësinë  e atij epiteti të trashëguar dhunshëm që nga adoleshenca, do të konsolidonte ato që pretendonte. Tek prezantohej në media e shkruara dhe vizive, përpara emrit do të shfaqte diplomat e titujt e shumtë të tij. Në të parën mundësi nuk do të reshte së foluri. Shpesh rrëmbente mendimin e tjetrit. Si prolog të ligjëratës do të shpaloste nxënësinë mendore e cila do të kapte pjesën më të madhe të kohës. Më pas do të përpiqej të shkatërronte logjikën e tjetrit. Të mendoje se ishin të qëllimshme ato veprime ishte e pamundur pasi ajo fytyra e tij prej një matufi të përhershëm nuk shfaqte as edhe një nuancë të tillë si të hipokritit, grindavecit ose të diçkaje tjetër. Ajo qetësia në fytyrë nuk të jepte as edhe një mundësi që ta lexoje atë çka ai mendonte. Gjatë gjithë kohës kur fliste do ta hidhte gjithandej  shikimin. Kur flitej për seksin tjetër shkëlqimi tek i  shfaqej në fytyrë do t'i shoqërohej me  një tërheqje të buzëve në krahun e djathë me sekrecione mbi to. Në ato që pëshpëriteshin  i kishte ngjarë të atit. Shpesh herë, aty midis këmbëve kur dikur gjuhej nga shkelmat e shokëve, një pikë nga ai lëngu mashkullor do t'i shfaqej mbi pantallona. Pozicioni, ose më saktë vendi i punës që ai zotëronte i krijonte mundësinë të përfitonte “diçka”. Ndërsa kohën postkomuniste do ta kapërcente me të mirat e përfituara prej saj si diploma e tituj shkencor të cilat do t'i paraqiste në çdo moment. Herë pas here do të pretendonte se kishte pika afrimi me të përndjekurit politik deri në emra të përveçëm pasi siç shprehej ai, se mund ta kishte pësuar më keq se ata. Dhe të gjitha këto tek po i tregonte sa kishte përballë, tek askund nuk do ta përplaste shikimin. Do t'u shmangej. Dikur edhe i jati gati në të njëjtën mënyrë do ta fillonte dhe kurorëzonte karierën e tij. Ndoshta në A.D.N. e tyre ishte parapërcaktuar karakteri i asaj race.