Τετάρτη 27 Ιουλίου 2016

PËRSIATJE MBI SKICAT E EDMOND LLAÇIT

TIMO MËRKURI

1.-Thuhet se…një ditë, një lypëse e moshuar, i zgjati dorën dhe i lypi lëmoshë një zotërie, që po shëtiste i menduar asaj ane. Plaka lypëse e zgjati dorën instiktivisht dhe po instiktivisht  bëlbëzoi formulën e zakonëshme të lypjes, ndoshta edhe duke menduar se zotëria që po kalonte para saj, i zhytur në mendimet e tij, do ta shpërfillte plakën dhe lutjen e saj. Si shumë të tjerë. Ndaj u habit shumë kur zotëria ndaloi hapin dhe pasi e kqyri me vëmëndje, filloi të kërkonte me duar nëpër xhepa. Plakës i ndritën sytë, duke shpresuar se, së paku mëngjezin e asaj dite e siguroi. Por shumë shpejt trishtimi ja eklipsoi shkëlqimin e syve, kur pa se zotëria, pasi i kontrolloi të gjithë xhepat, nuk nxorri gjë prej tyre. Një mbledhje supesh  dhe një tundje e lehtë koke në formë mohuese, bashkë me një shtrëngim buzësh të zotërisë, i krijoi plakës ndjesinë e një humbjeje të diçkaje që e kishte patur. Thua se zotëria duke mos i dhënë lëmoshë, diçka i mori  plakës.
Plaka uli kokën dhe kërrusi supet, si nën një peshe të stërmadhe, gjest që e shtangu zotërinë, i cili, pasi u mendua një çast, filloi të kërkonte përsëri  nëpër xhepa. Por këtë herë më me rrëmbim. Pasi nxorri prej xhepit një diçka të zezë, pyeti plakën në se kishte t’i jipte ndonjë copë letër. Plaka e hutuar, rrëmoi nëpër  trastat e saj, prej nga nxorri  një copë kartoni, të gjetur s’di se ku, të cilën ja drejtoi zotërisë. Zotëria e mori kartonin dhe me atë gjënë e zezë  zhgaraviti ca vija mbi të dhe pas pak ja dha plakës, duke i thënë ëmbëlsisht:
- Më fal moj nëne që s’kam gjë të të jap. Por merre këtë  karton, jepja ndonjë shitësi dhe thuaji që është një pikturë e Pikasos. Ai me siguri diçka do të të japë…
…Thuhet se në atë copë kartoni ishte skica  e një vajze flokëlëshuar nëpër erë. Nuk dihet sa e shiti plaka, e cila, me siguri që nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për Pikasson. S’ka rëndësi edhe fakti se sa dollarë vlerësohet  sot. Rëndësi ka fakti që ajo skicë, ka ndezur fantazinë, jo vetëm të piktorëve, duke hyrë në kryeveprat e pikturës moderne. Dhe tjetra, është fakti se, në atë kohë Pikasso  ishte në kulmin e talentit të tij, sa që me dy-tri lëvizje karboni mbi karton  krijoi një kryevepër pikture. Thuhet se qysh atë ditë  morën rrugë skicat e famëshme të tij, që edhe sot na mrekullojnë…
2.-Kjo histori mu kujtua sot, ndërsa rilexoja skicat e Edmond Llaçit, botuar së shumti nëpër portale  dhe pregatitur së fundmi për botim nga shtëpia botuese “Milosao” në Sarandë në titullin “Kutia me paparunë”.
Mu kujtua kjo histori për vetë faktin se, edhe skicat e Edmond Llaçit janë  të ngjashme me disa vijëzime mbi letër, me disa skicime portretesh  në lëvizje, si ajo vajza e skicës së  Pikassos. 
Dallon flokët që valëviten në erë dhe nuk mendon në janë flokë të verdhë apo të zinj, por mendon se ajo vajza flokëvalëvitur në erë nxiton për në takim. Dhe ëndërron që ai fatlumi të jesh ty vetë.
 Dallon zjarrin e syve dhe s’të duhet të dish në se janë sy bojëqielli apo të zinj.
Ata janë sy të dashuruar.
Ah, sikur të të shihnin ty!
3.-Ravijëzime të tilla pikture, më së shumti një fletë formati zënë. Një skicë e Edmond Llaçit, as dy faqe libri nuk  kap. Po sa shumë thonë në ato pak rreshta.
Dendësia e mendimit dhe intensiteti i shprehjes së autorit, nëpër këto skica, të krijojnë ndjesinë e dendësisë së një bërthame atomi, shpërbërja dhe shpërthimi i të cilës krijon një përflakie dhe  tronditje në subkoshiencën e lexuesit.
 …Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera herë flet më shumë se një roman…shkruan me të drejtë Fatmir Terziu.
4.-Por ajo që do të thoshja unë është fakti se këto skica janë të gjalla, janë në lëvizje. Personazhet e tyre të marrin përdore dhe të çojnë, dy tri  rreshta larg, aty ku gëlon jeta. Duke të ftuar edhe ty që të bëhesh pjesë e kësaj jete. Skica “Mëzi” është një konturim nëpër një mjegull të shkaktuar nga tymi i barotit të luftës, i një fragment beteje, dhe pikërisht i momentit kur luftëtarët e lirisë, kanë nevojë për një prijës, pa qënë nevoja ta njohin e ta shohin fytyrën e tij. Mjafton që tu prijë drejt fitores, nëpërmjet sakrificash. Dhe të lind dëshira që të rendësh edhe ty pas atij mëzi, me flamur a jatagan në dorë. “Hetuesi” është profil portreti i një njeriu, mekanizëm dikature, i cili nuk e njeh dhe nuk e kupton të bukurën, dhe vetkuptohet që nuk e pranon, sepse për atë, të bukurën e fluturimit të pulëbardhave s’ka folur ndonjëherë udhëheqësi i atëhershëm. Vetkuptohet që lexuesi kalon përbri tij, jo vetëm duke i hedhur  një shikim përbuzës  por edhe duke menduar  se sa “bukurira” jete ka këputur e shkelur ky njeri, ndërkohë që askush  nuk  kërkon tek ai hakmarrje për ato që ka bërë. Këta lloj njerëzish jetojnë nën indiferencën e shoqërisë,  për egzistencën e tyre. Ky është i vetmi dënim që u dha koha.
Me dy tre vija, në dy tre rreshta janë skicuar profile njerëzish e  fragmente jete dhe në leximin e tyre, ty të lind dëshira të plotësosh me një laps me ngjyra hapësirat boshe midis vijave. Ashtu siç i ndjen  apo i ke përjetuar vetë. Duke e bërë këtë plotësim, ju siguroj se nuk shkelni të drejtën e autorit, por realizoni pikërisht qëllimin dhe dëshirën e tij.
5.-Te skicat e Mondit  karakteristike është  finesa e figuracionit, që  të  ngjan si të jetë ravijëzuar në ajër fluturimi i një pulëbardhe, apo të jetë filmuar shtjella e ujit në zhytjen fundo...
Të mirje fundo disa metra tutje bregut…do të thoshte se ishe rritur, ishe vajzëruar apo djalëruar, pasi nuk kishte dallim në se ishe vajzë apo ishe djalë në atë konkurim fizik.
…Pas turbullimit që ndjeu nga puthja…ajo nuk e kuptoi se si qënia e saj u zhyt papritur në brendësi të detit…Trupi i saj shpërndante mbi sipërfaqen e kuqerremtë atë ndjesi të re…duke e kthyer ..atë në nimfë…
Që nga ai çast nuk u ndanë  as edhe njëherë. Zhyteshin e ridilnin në botë të panjohura më parë…shkruan autori te skica “Fundo përtej bregut shkëmbor”, që më saktë është… puthja e parë, në fundo, përtej bregut shkëmbor, skicë që të detyron të shohësh me ëndërrim…bulëzat e ajrit që ngjiteshin të ngarkuara me të kuqtë e trëndafiltë të faqeve  të … porsa puthura….
Ka të drejtë Fatmir Terziu, një nga të paktët, apo i vetmi studiues i krijimeve të Edmond Llaçit kur shkruan:
- Skica e Edmond Llaçit është një çupëlinë e brishtë joniane e sharmuar mes valëve të kaltëra të detit dhe jetës. Nusëron dhe na diktohet e pastër. Gjuhëkthjellët. Racionale. Tërheqëse…
Pas skicave të tilla ëndërrndjellëse, natyrshëm mbrrin te skica “Përtej dashurisë” ku, pasi ke lexuar rreshta të ëmbël çastesh dashurie, tronditesh në rreshtat  e fundit, ku lexon…Pardje mbushi tre vjet nga dita që është paralizuar. Është ora që duhet ta laj, ta pudros, t’i ndrroj rrobat dhe ti vendos bebelinon…duke  zbuluar sekretin magjik se…të dashurosh do të thotë të japësh dashuri  pa llogaritur se sa do marrësh. Sepse thelbi i dashurisë është, që të mbash gjallë dashurinë, të jetosh me dhe në dashuri…
Në sa pak rreshta, gati një faqe është dhënë  jo vetëm një jetë e tërë, por edhe filozofia e kësaj jete. Si të thuash, që Mondi ka ngritur vetëm  kollonat dhe arkitrarët prej arto-betoni të një ndërtese të re, duke ja lënë lexuesit në dorë të bëjë ndarjet e brendëshme, duke lënë hapërsirat që dëshiron për dhomat e sallonet e ëndërrimeve.
6.- Dhe unë ju them, se do jenë të shumta  këto ëndërrime, sepse në vend të personazheve, është lexuesi ai që do banojë në  këtë ngrehinë artistike. Dhe do ta ndjejë veten, jo vetëm  komod, por edhe  plot gjallëri. Le të shohim, psh Fluturim Magjik…
…I trëmbej ikjes së asaj krijese të brishtë…Gati gati, përveç netëve dhe momenteve të shumta erotike, ishte shërbëtori dhe qeni më besnik i saj… Aty tek e pa që t’i hidhte shikimin e saj lozonjar një bashkëmoshatari, iu turr për ta ndaluar...Nuk mundi. Në duart e tij kishte mbetur një nga flatrat e fluturës lidhëse të rrobave të banjës…
E pra, ta lexosh këtë skicë në  plazh, një ditë gushti, do të duhet një forcë e madhe që ta përmbash veten për të mos zgjatur duart drejt atyre …fluturave. 
7.- Por mua më duket sikur i njoh personazhet e këtyre skicave, madje edhe i kam takuar. Në Sarandë, ndoshta, apo në fshatrat e bregdetit. Jo vetëm pse ajri nëpër këto skica është i mbushur me jod Joni, por edhe e folura e personazheve është e folura e viseve të mia. Dhe sidomos të menduarit e të vepruarit të tyre. Ja shikoni skicën…Kutia e vogël me paparunë. Nuk është asgjë tjetër veçse gërnja e një plaku me vetveten, sepse plaka e tij, në atë moment ka shkuar të bëjë muhabet me plakat e lagjes, gjë tepër e zakonëshme në fshatrat tona. Por plakun e gërnjeps vetmia…U më març të keqen, tha duke mërmëritur plaku  - Edhe sot do vonosh. Mjafton vetëm kjo frazë e folur tipike e fshatrave të bregut, dhe je gati të  veshë gishtin, jo vetëm mbi fshatin ku ka ndodhur ngjarja, por e njeh edhe personazhin. Madje e ke takuar. Dhe je gati të dëshmosh edhe ty, që tej gërnjës  pleqërishte të këtij plaku, është një zemër e madhe, të cilën autori na e zbulon te fraza e fundit e skicës, ku personazhi thotë me vete, kinse me zemërim, por plot dhimshuri …Ajo ku do dimërojë, pa u jam rehat në shtëpinë time…
Dhe, pas leximit të kësaj skice, je gati të betohesh, se ky çift pleqsh  janë ata që kanë ngritur këngën…U plake mike u plake/bran i heq ato çorape/…U plake o mik dhe tinë/mbete si kau në brinjë 
8.- Ashtu si vetë skicat, edhe frazat janë të shkurtëra, të hartuara me fjalë të zakonëshme, të latuara nga dalta e kohës dhe e autorit. Me këto guriçka të lëmuara, shumë prej të cilave me ngjyra të ndezura të koloritit dhe frazeologjisë dialektikore, Mondi ka ndërtuar  një  mozaik  të  bukur, para të cilit nuk mund të kalosh indi-ferent. 
9-Vërtet, mozaikët ndërtohen mjeshtërisht me gurë të vegjël, me ngjyra të ndryshme. Për t’u bindur për këtë, unë do t’ju ftoja  të admironit jo vetëm mozaikët e baptisterit, në Butrint, por edhe mozaikët te muzeu  arkeologjik, në qëndër të qytetit të Sarandës. Dhe pas kësaj, do dilja me ju në një shëtitje të zakonëshme në bulevardin Hasan Tahsini, anës detit. Aty, pranë  bustit të Hasan Tahsinit, ju do admironi edhe një fragment porte të Onhezmit të dikurshëm, ndërtuar me finesë. E pra, ky fragment porte, që u ka rezistuar rrebesheve të shekujve, është ndërtuar me gurë të vegjël, gati sa gjysma e shuplakës së dorës. Gdhendur në forma të ndryshme, vendosur në grup, në pozicione të ndry-shme, duke shfaqur estetikisht figura gjeometrike, ata gjithësesi janë pjesë e pandashme e asaj porte-kalaje të Onhezmit të djeshëm, ardhur deri në ditët tona, si dëshmi e finesës së ndërtimit dhe e rezistencës stër-shekullore të  atyre “gurëve” të vegjël, që mbajtën një kala në këmbë. Edhe unë kam patur idenë se kalatë e forta ndërtohen vetëm me gurë të stërmëdhenj, pellazgjikë dhe gurët e vegjël shërbejnë vetëm për  mozaikë sallonesh, por duke lexuar  skicat e Mondit, e sodita edhe njëherë me admirim këtë portë kalaje të Onhezmit antik dhe pranova në vetvete se…kalatë (edhe ato letrare) janë të forta, jo nga madhësia e gurëve me të cilët ndërtohet (romane disa vëllimesh), por nga mjeshtëria e ndërtimit të mureve dhe lidhja e gurëve me njeri tjetrin. Siç janë lidhur fjalët dhe frazat te skicat e Mondit, siç janë të gdhëndur artistikisht skicat te libri i tij. Të cilat, unë ju siguroj se do t’u rezistojnë “rrebesheve” të kohës. Si ajo portë-kalaje në Sarandë, ndërtuar me gurë të vegjël, lidhur mjeshtërisht dhe artistikisht me njeri-tjetrin, që vjen në ditët tona që nga thellësia e shekujve.
Ndaj unë, që e pashë dhe e shijova bukurinë e këtij krijimi, duke perifrazuar Pikason te ngjarja e treguar në krye, ju them:
- Merrini këto skica dhe lexojini. Ato i ka shkruar Edmond Llaçi, për të cilin do dëgjoni shumë  shpejt.



Παρασκευή 15 Ιουλίου 2016

PËRHUMBJE

   
                    
 
 

 Si në të gjitha rastet tek do të ndizte cigaren do të përhumbej mes asaj reje tymi që po lëshonte aty përpara. Duke mos e ditur se për çfarë po përpiqej të rikujtonte në ato çaste, përmes resë gri gati transparente i u shfaq adoleshenca. U habit. Α mund të përballohej me hershmërinë e vet vetes. Kishte afër gjysëm ore që e kishte lënë qëndismën. Nuk mund të punonte. I krijoheshin shpesh  ngacmime të tilla për jetën. Duke kundruar me vëmendje një nga fotografitë e asaj moshe, vuri re se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim nga fëmijtë e tjerë. Ajo, drita e syve që nuk i ekzistonte më, ishte plot shkëlqim e hare. Ndjehej drithërima e tyre tek kërkonin atë që çdo moshatar e kishte vetinë kryesore. Ishin çaste të bukura momentet e ndryshimeve të ndjenjave trupore, por me tepër ankth. Nuk dinte e nuk kuptonte se çfarë po kërkonte atje tek rritej. Në atë fshat malor, përveç shkollës dhe punëve të shtëpisë, nuk e lejonin të merrej me gjë tjetër. U nda për një çast nga rinia e saj. Buzëqeshi dhe u rikthye në atë kohë pas një ngacmimi që pati në kujtesë. Duke lozur në parvazin e dritares të shtëpisë, poshtë saj, rrëzë ullirit të vetëm që ndodhej aty pa një bashkëmoshatar gjitonin tek zbërtheu pantallonat dhe nisi të urinonte. Në  fakt me sa iu kujtua, mes gishtrinjve të bashkuar dhe syve të mbyllur fortë, errësira ishte e plotë pasi tek u kthye u përplas me karriken që ndodhej në brendësi të dhomës. Në skutat më të thella të ndjenjës së saj fëmijnore ishte vazhdimisht e tunduar nga ndryshimi që kishte gjendja tyre femërore nga djemtë. Për t'u shkëputur nga ajo që po përjetonte u çua pa kërkuar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një shikim të shpejtë dhomës. Instiktivisht u ndal përpara komodinës. Mbi një qëndisëm që mbulonte suprinën e saj kishte vendosur kavanoza qelqi të mbushura me kafe, sheqer, kakao e të tjera sëbashku me pajisjen me gaz për të bërë ato pije të nxehta. Duke u tërhequr nga rituali i përditshëm bëri pijen e saj të preferuar kafen tradicionale. Me filxhanin dhe cigaren e ndezur u ul pranë dritares. Ndërkohë kishte marë edhe një  fotografi tjetër të saj nga komodina. Duke u ndeshur me shikimin e vet bardhë e zi mbi ato letra të vjetëruara nga koha, ndjeu zërin e dikurshëm ta thërrasë: të kujtohem, ja ku jam dhe nisi vazhdimësia, flerti i parë me një shok të klasës. Mes asaj që ndjente dhe çastit të parë që do të ndodhte pas takimit me të, e tmerronte fakti se si do të tjetërsohej brenda vetes. A do të mundej. Në qoftë se do të merrej vesh kuptohej se çfarë do të ndodhte. Nuk arriti as edhe një kontakt përveç disa prekjeve të lehta trupore të cilat i rindjente me ëndje. Mes zhvillimit biologjik i rritej tundimi për të qenë kundra dëshirave të moshës. Vlimin e çastit përbrenda vetes me po aq vrrull e kundërshtonte. Ç’farë ishte ajo që e ndryshonte nga vajzat e tjera. Mos vallë tundimi i brendshëm mes dëshirave të moshës dhe tërrheqjes, të mohimit të atyre që ishin ndjesitë e përditëshme e kishin tronditur shpirtin. Aty i krijohej bindja se duhej të tërhiqej në vetminë e saj. Por në të njëjtën kohë, pa vetëdije shpesh e ndjente veten pranë dhe larg tyre. Harku kohor i veprimeve nuk ishte dhe aq i madh por zhvillimi i tyre ishte më i shpejt se sa koha. Sëbashku me ato që po përjetonte, vuri re se çdo gjë po ndryshonte. Asgjëje nuk mund t'i vihej fre. Rrugën për tek kroi i fshatit do ta bënte me kënaqësi të madhe. Ε çliruar, shpesh do të këndonte me zë të ulët. Aty brenda asaj kubeje të gurtë ku gratë e të gjitha moshave do ta kishin si pike takimin larg burrave, do ta ndjenin veten disi të çliruar, edhe ajo të njëjtën ndjesi do të përjetonte të cilën nuk dinte ta emëronte por edhe ta kuptonte se çfarë ishte. Për të, veçse ai freskim me atë ujë ishte kënaqësi. Ndërsa ato gjëra që mund të ndodhnin aty, vetëm në këngët e vjetra i kishte dëgjuar.

Aty tek kroi tek freskohej një ndjenjë e ëmbëlt po i rrëshqiste në gjoksin e gjysëm zbuluar e cila e lëshoi veten në krahët e një të marri. Po vërtet ishte e pa imagjinueshme për të. Duhej provuar ajo ëmbëlsi. Nuk kishte se si ta përshkruante në imagjinatën e saj, atë zjarr drithërues. Por në çast tek i u krijua ideja se çfarë po bënte, me vrull e shtyu tutje. Mbuloi gjoksin e lidhi shaminë mbi kokë. Rrëmbeu bucelën me ujë dhe u largua me të shpejt pa e kthye kokën. Që nga kroi edhe përgjatë rrugës deri në shtëpi, mendoi se nuk duhej të përsëritej ajo ndodhi. Guximi i atij njeriu e trembi ku i cili ndoshta do të kërkonte ta bënte përsëri të njëjtin veprim. Më tej si gjithmonë duke u përpjekur ta haronte atë ndodhi do të vazhdonte të bënte punët e rradhës. Ajo kishte për detyrë të merej me gjithçka që kërkonte shtëpia. Të lante, të shpëlante, të gatuante dhe t'i përgjigjej së ëmës që kishte rënë në shtrat prej kohësh.  Si përherë, i jati për të mbajtur gjallë familjen do të ndodhej në punë. Ishte bija e dytë e asaj familje. E para e martuar jo shumë larg fshatit kur kishte mundësi do të përpiq t'i ndihmonte. Më vonë me kalimin e viteve tek përpiqeshin ta martonin ajo nisi të mendonte se qe vendosur nga zoti që ajo të jetonte vetëm. Të plakej në vetmi.

I jati megjithëse ndjeu diçka në atë fytyrë fëmijnore të së bijës, tek po i shtronte për të ngrënë, nuk i vuri rëndësi. E ndjeu si ditë të zakonshme. Përpjekjet për të mbijetuar atij njeriu të urtë nuk i jepnin kohë të mendonte më shumë. Me gjithëse në pamje të parë rrjedha e jetës në atë atë shtëpi dukej e qetë, diçka po niste të ndryshonte e cila në një moment të caktuar do të kishte zhvillime të shpejta. Aty tek përpiqej ta haronte atë moment, një dëshirë e brendëshme, si ato lulet e sapoçelura tek kërkojnë ëmbëlsinë e dritës edhe tek ajo, instikti i moshës po i përskuqte ndjenjën duke u shfaqur në tërësinë e saj femërore. E ndodhur mes dilemave do të ishte ajo që do të dëshironte ta gjente atë, ta priste aty tek kroi e kudo gjetkë. Do të ishin buzët, duart e tij t'i jepnin vlerë trupit të saj. Atëherë do të kuptonte se si funksiononte ajo dëshirë.   Dhe ndodhi përsëri. E shoqëruar me lotë gëzimi e lëshoi veten në krahët e tij. Nuk u kuptua se kush e kishte zënë pusinë kësaj here. Megjithëse pa përvojë, ja rikthente atë ëmbëlsi me puthje të vogla e të shpeshta. Me sytë e mbyllur, u përpoq të kërkojë vazhdimin e saj ndjenje. Një lëvizje tepër e mistershme po e tërhiqte në brendësi të trupit, të shpirtit. Ndjeu një kërcitje më të fuqishme se sa ajo që mund të mendonte se do të ndodhte por disa thirrje do ta zgjonin nga ajo ëndër e bukur. Ashtu si u dëgjuan aty tek kroi, ato të bërtitura grash do të përhapeshin në tërë fshatin e do të zbrisnin zhurmshëm nëpër rrugicat e sokakët e ngushtë të tij. Më shumë se “krisja” e virgjërisë të cilën nuk ariti ta ndjente, ajo që i shpërtheu përbrenda trupit, gjoksit të saj, i krijoi atë plagë që nuk do t’i mbyllej më kurrë. E jëma, si çdo nënë, me instiktin e saj do të kuptonte se çfarë kishte ndodhur. E pa fuqishme fizikisht pasi ajo dreq sëmundje e kishte mbërthyer prej kohësh në shtrat, do të mundohej vazhdimisht ta qetësonte të bijën. Mes atij dialogu të shprehur vetëm me shikime me të jëmën, ajo u tërhoq në vetminë e saj. U përpoq të mos lënte shkak te prindërit për asgjë. Fytyra e saj fëmijnore ndryshoi menjëherë. Shfaqte vetëm ashpërsi dhe mosbesim ndaj tjetrit. Në atë vetngujim ku kryesoren kishte kujdesin për të jëmën, pa vetëdije përveç punëve të përditëshme, nisi të qëndisë. Në ditët e vitet që do të iknin, kohën do ta kalonte aty pranë dritares. U shkëputur nga e kaluara duke u çuar prej andej. Shtyu kariken pa menduar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një sy të shpejtë atij ambienti i cili pothuajse nuk kishte ndryshuar fare që nga koha kur prindërit ende jetonin. Ato mobilje të pakta sëbashku me gjithçka ndodhej aty, do të tregonin se  koha kishte ndaluar. E shtrirë në shtratin përballë, mes vuajtjeve nga ajo sëmundje që e kishte mbërthyer i u shfaq e jëma. Ajo kishte dhënë shpirt në të gdhirë të një dite ku çuditërisht ai diell i bukur qe fshehur për më se një javë prapa rreve tek shkarkuan atë shi të fuqishëm. I jati rrojti goxha sa ajo nuk mbajti mënd. Zoti atë njeri e kishte blatuar vetëm për punë. Si gjithmonë, pasi kthehej nga puna, do të ulej pranë vatrës. Deri sa të përgatitej ushqimi i mundshëm për tu ngrënë, do të dridhte një cigare. Menjëherë pas saj do të konsumonte pa zhurmë çfarëdo që do t'i servirte e bija. Më tej tek kumbisej pranë vatrës, cigaren e dredhur të rradhës. Dhe një ditë ky program i rradhës do të ndërpritej. Aty tek ai vënd, që kishte kaluar gjithë vitet e jetës së tij, në aq sa mbante mend e bija, pa u ndjer, ai dha shpirt. Megjithëse ai sistem i mallkuar të cilin kështu e quante midis shoqeve të pakta që kishte, i pengonte ato rituale të përcjelljes së kufomës në botën e përtejme si me të jëmën, ajo i kreu në fshehtësi. I meritonte ai njeri.

 E vetmuar si shumë bashkëmoshatare të saja, kalonte ditë e netë të tëra duke qëndisur pranë vatrës, pranë dritares e herë tek sofati i portës së madhe duke parë nga qendra e fshatit. Menjëherë pas 90-tës, si shumë fshatarë të tjerë edhe e motra e saj do të merte rrugën e emigracionit. Me fëmijët e rritur u ngul diku andej nga Europa. Do t'u rriteshin fëmijtët. Më pas do të bëheshin edhe ata me fëmijtë e tyre. Atje do të ndjente kënaqësinë më të madhe kur pas shumë kohësh do të shihte të motrën me fëmijtë e nipërit e saj. Tek i mbante në krahëror nuk ngopej me  erën, frymëmarjen e tyre. Përjetoi momente të bukura me ta. Duke dalë shëtitje, megjithëse nuk e ndjente veten mirë mes asaj mizërie njerëzish, shkoi në shumë vende të atij qyteti me ato rrugë të sistemuara. Kudo pemë e parqe ku herë-herë i dukej se ndodhej përbrenda ndonjë ëndërre, përralle. Në një nga ato ditë me vezullimin e vakët të diellit, jo si në vendin e saj, ku ata njerëz do ta shfrytëzonin për aq kohë sa ai do të shkëlqente, i zunë sytë një statujë të çuditëshme. E ngritur në një piedestal pak më lartë turrmës së njerëzve, një fëmijë e vogël po urinonte duke u kapardisur. Brenda çastit të pakuptimtë që po kalonte i shpërtheu një e qeshur e madhe. Fëmija statujë kënaqej tek kryente atë veprim. E kundroi me vëmëndje. Vërtet ishte një çast hareje i asaj fëmije të bronxtë. Me gjithëse po kalonte ditë të papërsëritëshme, atë e thërriste vazhdimisht ndjesia e të jetuarit vetëm. Shtëpia në fshat. Në një lloj forme, për të monotonia e përditëshme e asaj jete ishte më e këndëshme. Në vetmi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.

 

Pas ngacmimit që pësoi, në ditët që do ta ndiqnin filloi të qëndiste. Mes atyre kuadrateve të vogla e të bardha, nga maja e çuditëshme e atij teli të hollë, të tej ndritshëm nga përdorimi i shumtë, në atë që quhet perde u shfaq djaloshi i vogël. E hekurosi duke e ngrirë me traditën e vjetër të trashëguar nga e ëma. Me miell niseshteje. Duke hipur në kariken me moshë sa vet ajo, e mbërtheu me thumba në anët e drunjta të fletës së dritares. Mori frymë e letërsuar. Tërhoqi kariken. Duke u ulur u përhumb përsëri në renë e madhe të tymit të cigares të sapo ndezur dhe dritës që depërtonte përmes perdes qëndismë. Buzëqeshi dhe u kënaq tek pa përbrenda  saj  linjën e atij djali të vogël tek kapardisej me veprimin që po kryente.
 

Τρίτη 12 Ιουλίου 2016

VAZHDIMISHT I NJËJTI

   Në çastin e parë të jep përshtypjen e një babaxhani dhe  tek përballohesh me të ndjen shkëlqimin e dikurshëm të syve të  tij. Megjithëse mosha ka filluar ta bëj efektin e saj, zhibrimi i tyre ndjehet akoma sidomos kur e shoqëron atë me një ironi të lehtë.
   Jeta nuk e kishte përkëdhelur por “fati”e kishte ndihmuar. Nuk mund ta quaje karierë atë periudhë në të cilën ai e jetoi në mënyrë të njëtrajtshme ku u cilësua si specialist në profesionin e tij. Sot si shumë të tjerë që kanë punuar në atë administratë burokratësh të sistemit më të korruptuar të kampit komunist të Evropës lindore, tek mburren për atë që kanë jetuar dhe bërë edhe ai e shfaq si pjesën më të bukur të karierës së tij. Tek kujtojnë ato vite “të lavdishme,”ata mundohen t’i fshijnë me kujdes njollat e mbetura në ndërgjegjen e tyre. Në fakt ai nuk shfaq asgjë, është shumë i kujdesshëm pasi e di ku ka qenë dhe ku është “thembra e Akilit”për të. Ai kushtëzim e përcaktoi në  vazhdimësi, sidomos edhe sot pozicionin e tij shoqëror, i cili po e zbulon me kujdes duke e ridimensionuar. Vazhdimisht kërkon të posejdojë gjithçka që vërtitet rreth tij. Në biseda dhe diskutime  tek flet në tone  të ulëta, gati duke i ngrënë fjalët e tepërta, ironia i shkon në tallje e sarkazëm. Ato kanë  akoma lidhje me ngjyrën e syve të tij. Edhe fytyra ja shfaq në një lloj forme. Pavarësisht se natyra ka vepruar mrekullisht me portretin e tij  ajo ngjyrë prapë i ndjehet. Duke nxjerrë në pah rregullsinë e dhëmbëve, të cilat nuk kanë fare lidhje me anën shpirtërore të tij, përpiqet t’i tërheqë vëmendjen bashkëbiseduesit. Duhet kuptuar një gjë se  edhe i fshehur, edhe i dukshëm në të dyja pozicionet, ai as edhe një herë nuk ka qenë i plotë. Në qoftë se çdo gjë  që lëviz përreth nuk i prish trajektoren e lëvizjeve, çdo mëngjes me fytyrën e babaxhanit do të dalë nga shtëpia. Cilësitë dhe përpjekjet e tjetrit do të përpiqet t’i copëtojë me sarkazmë. Gjithmonë kështu, duke e ndjerë veten brenda “tempullit të vlerave” të krijuara në atë rreth shoqëror. Vazhdimisht, duke mos e treguar dritën e syve të tij.
Tek ecën me hapat e ngathëta,  duke i shoqëruar ato  me copëzat e vogla nëpër dhëmbë të ligjëratave filozofike,  përpiqet vazhdimisht ta  ri dimensionoj figurën e tij dhe të jetë qëndra e gjithçkaje dhe të gjitha këto pa e nxjerrë veten fizikisht përpara të tjerëve. Gjithmonë brenda turmës as në krye dhe as në fund të saj.