Παρασκευή 15 Ιουλίου 2016

PËRHUMBJE

   
                    
 
 

 Si në të gjitha rastet tek do të ndizte cigaren do të përhumbej mes asaj reje tymi që po lëshonte aty përpara. Duke mos e ditur se për çfarë po përpiqej të rikujtonte në ato çaste, përmes resë gri gati transparente i u shfaq adoleshenca. U habit. Α mund të përballohej me hershmërinë e vet vetes. Kishte afër gjysëm ore që e kishte lënë qëndismën. Nuk mund të punonte. I krijoheshin shpesh  ngacmime të tilla për jetën. Duke kundruar me vëmendje një nga fotografitë e asaj moshe, vuri re se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim nga fëmijtë e tjerë. Ajo, drita e syve që nuk i ekzistonte më, ishte plot shkëlqim e hare. Ndjehej drithërima e tyre tek kërkonin atë që çdo moshatar e kishte vetinë kryesore. Ishin çaste të bukura momentet e ndryshimeve të ndjenjave trupore, por me tepër ankth. Nuk dinte e nuk kuptonte se çfarë po kërkonte atje tek rritej. Në atë fshat malor, përveç shkollës dhe punëve të shtëpisë, nuk e lejonin të merrej me gjë tjetër. U nda për një çast nga rinia e saj. Buzëqeshi dhe u rikthye në atë kohë pas një ngacmimi që pati në kujtesë. Duke lozur në parvazin e dritares të shtëpisë, poshtë saj, rrëzë ullirit të vetëm që ndodhej aty, pa një bashkëmoshatar, gjitonin tek zbërtheu pantallonat dhe nisi të urinonte. Në  fakt me sa iu kujtua, mes gishtrinjve të bashkuar dhe syve të mbyllur fortë, errësira qe e plotë pasi tek u kthye u përplas me karriken që ndodhej në brendësi të dhomës. Në skutat më të thella të ndjenjës së saj fëmijnore ishte vazhdimisht e tunduar nga ndryshimi që kishte gjendja tyre femërore nga djemtë. Për t'u shkëputur nga ajo që po përjetonte u çua pa kërkuar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një shikim të shpejtë dhomës. Instiktivisht u ndal përpara komodinës. Mbi një qëndisëm që mbulonte suprinën e saj kishte vendosur kavanoza qelqi të mbushura me kafe, sheqer, kakao e të tjera sëbashku me pajisjen me gaz për të bërë ato pije të nxehta. Duke u tërhequr nga rituali i përditshëm bëri pijen e saj të preferuar kafen tradicionale. Me filxhanin dhe cigaren e ndezur u ul pranë dritares. Ndërkohë kishte marë edhe një  fotografi tjetër të saj nga komodina. Duke u ndeshur me shikimin e vet bardhë e zi mbi ato letra të vjetëruara nga koha, ndjeu zërin e dikurshëm ta thërrasë: “Të kujtohem, ja ku jam” dhe nisi vazhdimësia. Flerti i parë me një shok të klasës. Mes asaj që ndjente dhe çastit të parë që do të ndodhte pas takimit me të, e tmerronte fakti se si do të tjetërsohej brenda vetes. A do të mundej?! Në qoftë se do të merrej vesh kuptohej se çfarë do të ndodhte. Nuk arriti as edhe një kontakt përveç disa prekjeve të lehta trupore të cilat i rindjente me ëndje. Mes zhvillimit biologjik i rritej tundimi për të qenë kundra dëshirave të moshës. Vlimin e çastit përbrenda vetes me po aq vrrull e kundërshtonte. Ç’farë ishte ajo që e ndryshonte nga vajzat e tjera. Mos vallë tundimi i brendshëm mes dëshirave të moshës dhe tërrheqjes, të mohimit të atyre që ishin ndjesitë e përditëshme e kishin tronditur shpirtin. Aty i krijohej bindja se duhej të tërhiqej në vetminë e saj. Por në të njëjtën kohë, pa vetëdije shpesh e ndjente veten pranë dhe larg tyre. Harku kohor i veprimeve nuk ishte dhe aq i madh por zhvillimi i tyre ishte më i shpejt se sa koha. Sëbashku me ato që po përjetonte, vuri re se çdo gjë po ndryshonte. Asgjëje nuk mund t'i vihej fre. Rrugën për tek kroi i fshatit do ta bënte me kënaqësi të madhe. Ε çliruar, shpesh do të këndonte me zë të ulët. Aty brenda asaj kubeje të gurtë ku gratë e të gjitha moshave do ta kishin si pike takimin larg burrave, do ta ndjenin veten disi të çliruar, edhe ajo të njëjtën ndjesi do të përjetonte të cilën ajo nuk dinte ta emëronte por edhe ta kuptonte se çfarë ishte. Për të, veçse ai freskim me atë ujë ishte kënaqësi. Ndërsa ato gjëra që mund të ndodhnin aty, vetëm në këngët e vjetra i kishte dëgjuar.

Ajo ndjenjë që e kapte shpesh tek freskohej aty, në atë çast nuk ishte asgjë përpara asaj ëmbëlsie që po i rrëshqiste në gjoksin e gjysëm zbuluar në atë pak kohë tek e lëshoi veten në krahët e një të marri. Po vërtet ishte e pa imagjinueshme për të. Duhej provuar ajo ëmbëlsi. Nuk kishte se si ta përshkruante në imagjinatën e saj, atë zjarr drithërues. Nuk mund ta përjetonte pa ato prekje. Por në çast tek i u krijua ideja se çfarë po bënte, me vrull e shtyu tutje. Mbuloi gjoksin e lidhi shaminë mbi kokë. Rrëmbeu bucelën me ujë dhe u largua me të shpejt pa e kthye kokën. Që nga kroi edhe përgjatë rrugës deri në shtëpi, mendoi se nuk duhej të përsëritej ajo ndodhi. Guximi i atij njeriu e trembi ku i cili ndoshta do të kërkonte ta bënte përsëri të njëjtin veprim. Më tej si gjithmonë duke u përpjekur ta haronte atë ndodhi do të vazhdonte të bënte punët e rradhës. Ajo kishte për detyrë të merej me gjithçka që kërkonte shtëpia. Të lante, të shpëlante, të gatuante dhe t'i përgjigjej së ëmës që kishte rënë në shtrat prej kohësh.  Si përherë, i jati do të qe në punë për të mbajtur gjallë familjen. Ishte bija e dytë e asaj familje. E para e martuar jo shumë larg fshatit. Kur kishte mundësi do të hidhej t'i shihte dhe të kujdesej për të jëmën e të motrën tek e shihte të rritej. Më vonë me kalimin e viteve me gjithëse u përpoqën ta martonin ajo nisi të mendonte se qe vendosur nga zoti që ajo të jetonte vetëm. Të plakej në vetmi.

I jati megjithëse ndjeu diçka në atë fytyrë fëmijnore të së bijës, tek po i shtronte për të ngrënë, nuk i vuri rëndësi. E ndjeu si ditë të zakonshme. Përpjekjet për të mbijetuar atij njeriu të urtë nuk i jipnin kohë të mendonte më shumë. Me gjithëse në pamje të parë rrjedha e jetës në atë atë shtëpi dukej e qetë, diçka po niste të ndryshonte e cila në një moment të caktuar do të kishte zhvillime të shpejta. Aty tek përpiqej ta haronte atë moment, një dëshirë e brendëshme, si ato lulet e sapoçelura tek kërkojnë ëmbëlsinë e dritës, edhe tek ajo, instikti i moshës po i përskuqte ndjenjën duke u shfaqur në tërësinë e saj femërore. E ndodhur mes dilemave do të ishte ajo që do të dëshironte ta gjente atë, ta priste aty tek kroi e kudo gjetkë. Do të ishin buzët, duart e tij ti jipnin vlerë trupit të saj. Atëherë do të kuptonte se si funksiononte ajo dëshirë.   Dhe ndodhi përsëri. E shoqëruar me lotë gëzimi e lëshoi veten në krahët e tij. Nuk u kuptua se kush e kishte zënë pusinë kësaj here. Megjithëse pa përvojë, ja rikthente atë ëmbëlsi me puthje të vogla e të shpeshta. Me sytë e mbyllur, u përpoq të kërkojë vazhdimin e saj ndjenje. Një lëvizje tepër e mistershme po e tërhiqte në brendësi të trupit, të shpirtit. Ndjeu një kërcitje më të fuqishme se sa ajo që mund të mendonte se do të ndodhte. Por disa thirrje do ta zgjonin nga ajo ëndër e bukur. Ashtu siç u dëgjuan aty tek kroi, ato të bërtitura grash do të përhapeshin në tërë fshatin e do të zbrisnin zhurmshëm nëpër rrugicat e sokakët e ngushtë të tij. Më shumë se “krisja” e virgjërisë të cilën nuk ariti ta ndjente, ajo që i shpërtheu përbrenda trupit, gjoksit të saj, i krijoi atë plagë që nuk do t’i mbyllej më kurrë. E jëma, si çdo nënë, me instiktin e saj do të kuptonte se çfarë kishte ndodhur. E pa fuqishme fizikisht pasi ajo dreq sëmundje e kishte mbërthyer prej kohësh në shtrat, do të mundohej vazhdimisht ta qetësonte të bijën. Mes atij dialogu të shprehur vetëm me shikime me të jëmën, ajo u tërhoq në vetminë e saj. U përpoq të mos linte shkak te prindërit për asgjë. Fytyra e saj fëmijnore ndryshoi menjëherë. Shfaqte vetëm ashpërsi dhe mosbesim ndaj tjetrit. Në atë vetngujim ku kryesoren kishte kujdesin për të jëmën, pa vetëdije përveç punëve të përditëshme, nisi të qëndisë. Në ditët e vitet që do të iknin, kohën do ta kalonte aty pranë dritares. U shkëputur nga e kaluara duke u çuar prej andej. Shtyu kariken pa menduar se ku do të shkonte dhe çfarë do të bënte. I hodhi një sy të shpejtë atij ambienti ku pothuajse nuk kishte ndryshuar fare që nga koha kur prindërit i rronin ende. Ato mobilje të pakta sëbashku me gjithçka ndodhej aty, do të tregonin se  koha kishte ndaluar. E shtrirë në shtratin përballë, mes vuajtjeve nga ajo sëmundje që e kishte mbërthyer i u shfaq e jëma. Ajo kishte dhënë shpirt në të gdhirë të një dite ku çuditërisht ai diell i bukur qe fshehur për më se një javë prapa rreve tek shkarkuan atë shi të fuqishëm. I jati rrojti goxha sa ajo nuk mbajti mënd. Zoti atë njeri e kishte blatuar vetëm për punë. Si gjithmonë, pasi kthehej nga puna, do të ulej pranë vatrës. Deri sa të përgatitej ushqimi i mundshëm për tu ngrënë, do të dridhte një cigare. Menjëherë pas saj do të konsumonte pa zhurmë çfarëdo që do ti servirte e bija. Do të rinte pak, do të dridhte cigaren e rradhës dhe do të kumbisej pranë vatrës. Dhe një ditë ky program i rradhës do të ndërpritej. Aty tek ai vënd, që kishte kaluar gjithë vitet e jetës së tij, në aq sa mbante mend e bija, pa u ndjer, ai dha shpirt. Megjithëse ai sistem i mallkuar të cilin kështu e quante midis shoqeve të pakta që kishte, i pengonte ato rituale të përcjelljes së kufomës në botën e përtejme si me të jëmën, ajo i kreu në fshehtësi. I meritonte ai njeri.

 E vetmuar si shumë bashkëmoshatare të saja, kalonte ditë e netë të tëra duke qëndisur pranë vatrës, pranë dritares e herë tek sofati i portës së madhe duke parë nga qendra e fshatit. Menjëherë pas 90-tës, si shumë fshatarë të tjerë edhe e motra e saj do të merte rrugën e emigracionit. Me fëmijët e rritur u ngul diku andej nga Evropa. Do t'u rriteshin fëmijtët. Më pas do të bëheshin edhe ata me fëmijtë e tyre. Atje do të ndjente kënaqësinë më të madhe kur pas shumë kohësh do të shihte të motrën me fëmijtë e nipërit e saj. Tek i mbante në krahëror nuk ngopej me  erën, frymëmarjen e tyre. Përjetoi momente të bukura me ta. Duke dalë shëtitje, megjithëse nuk e ndjente veten mirë mes asaj mizërie njerëzish, shkoi në shumë vende të atij qyteti me ato rrugë të sistemuara. Kudo pemë e parqe ku herë-herë i dukej se ndodhej përbrenda ndonjë ëndërre, përralle. Në një nga ato ditë me vezullimin e vakët të diellit, jo si në vendin e saj, ku ata njerëz do ta shfrytëzonin për aq kohë sa ai do të shkëlqente, i zunë sytë një statujë të çuditëshme. E ngritur në një piedestal pothuajse në lartësinë e turrmës së njerëzve, një fëmijë e vogël po urinonte duke u kapardisur. Brenda çastit të pakuptimtë që po kalonte, i shpërtheu një e qeshur e madhe. Fëmija statujë kënaqej tek kryente atë veprim. E kundroi me vëmëndje. Vërtet ishte një çast hareje i asaj fëmije të bronxtë. Me gjithëse po kalonte ditë të papërsëritëshme, atë e thërriste vazhdimisht ndjesia e të jetuarit vetëm. Shtëpia në fshat. Në një lloj forme për të, monotonia e përditëshme e asaj jete ishte më e këndëshme. Në vetmi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.

 

Pas ngacmimit që pësoi, në ditët që do ta ndiqnin filloi të qëndiste. Mes atyre kuadrateve të vogla e të bardha, nga maja e çuditëshme e atij teli të hollë, të tej ndritshëm nga përdorimi i shumtë, në atë që quhet perde u shfaq djaloshi i vogël. E hekurosi duke e ngrirë me traditën e vjetër të trashëguar nga e ëma. Me miell niseshteje. Duke hipur në kariken me moshë sa vet ajo, e mbërtheu me thumba në anët e drunjta të fletës së dritares. Mori frymë e letërsuar. Tërhoqi kariken. Duke u ulur u përhumb përsëri në renë e madhe të tymit të cigares të sapo ndezur dhe dritës që depërtonte përmes perdes qëndismë. Buzëqeshi dhe u kënaq tek pa përbrenda  saj  linjën e atij djali të vogël tek kapardisej me veprimin që kryente
 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου