Τρίτη 5 Φεβρουαρίου 2019

NË NJË LAGJE TË QYTETIT TIM


                                    
Në anë të trotuarit, pranë shtyllës të betontë të linjës elektrike u dëgjua rrëshqitja dhe zhurma karakteristike e një biçiklete. Prej saj zbriti një djalosh në të kapërcyer të tridhjetepesë viteve. Me punën që ai bënte ishte i pari që jepte lajmin për ikjen nga jeta të ndonjë qytetari. Shumë pak qëndroi si emigrant duke u kthyer në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Tashmë ai punon në një zyrë varrimi si vendosës i lajmërim vdekjeve në shtyllat e betonta. Pleqtë e përditshëm të ndodhur në tavolinat aty pranë të kafenes së vetme të lagjes, tek kthyen kokën u ndeshën me shikimin e tij. Egërsia e shfaqur në atë fytyrë i hutoi ata. Më pas, vendit ku ishte lajmërimi i vjetër ai i kaloi një lyerje të shpejtë me kollë duke ngjitur një të ri. E përsëriti lëvizjen e dorës së tij sëbashku me furçën duke i kaluar edhe një shtresë mbi të. Kur i mbaroi të gjitha veprimet e rihodhi shikimin mbi ta . Të hutuar nuk shfaqën asnjë reagim. Jo vetëm egërsia por edhe fiziku i tij, gati u preu frymëmarjen. Ndërkohë ai kishte shaluar biçikletën dhe duke i rënë ziles së saj u nis.
Ata pleq, të përditëshmit e asaj kafeneje, ishin nga banorët më të hershëm të lagjes. Erdhën aty rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar. Kishin të njëjtin mbiemër. Pa shkollë dhe zanat por u përshtatën shumë shpejt me vendbanimin e tyre të ri. Duke qenë fis i madh e tërhoqën njëri-tjetrin duke u shkëputur më së fundi nga ai fshat tepër malor dhe i vështirë për të jetuar. Nuk e shuan natyrën dredharake por e shfrytëzuan më së miri. Disa prej tyre, për të mbajtur një vend pune të mirë, u vunë në shërbim të atij institucioni të egër që mbante në këmbë diktaturën e proletariatit. Historitë që tregonin aty tek pinin kafen e ndonjë teke rraki, ishin gati të njëjtat. Histori personale gjatë ndërtimit të socializmit por edhe të periudhës të luftës së dytë botërore ku ata të paktën do të ishin në atë kohë afër 2-3 vjeçarë. Të fundosur ose më saktë të kërrusur në ato karike tek shihnin ndonjë kalimtar që mund ta njihnin, duke e shoqëruar me shikim në ikje do ta përgojonin në biografi si dikur. Në vazhdim të atyre ditëve, tek po kalonin orët e mbasdites e dëgjuan sërisht zhurmën e asaj biçiklete. E panë të zbriste prej saj. Në formën më instiktive të tyre po prisnin reagimin e radhës. Ata ndjenë sytë e tij të ndaleshin një për një mbi kokat e tyre. Më pas ai u drejtua nga biçikleta. Tek po ikte e detyroi zilen e saj të kërciste pa ndërprerje për disa metra rresht.
Të nesërmen, vendosjen e lajmit të ri tek shtylla pranë kafenesë, ai e planifikoi në orën më të përshtatshme që i shërbente qëllimit të tij. Ata pleq, të zhytur në pikëllim po prisnin me ankth ardhjen nga çasti në çast të lajmëtarit të vdekjes. Dikush që kishte gotën e rrakisë në dorë, për t'u siguruar se mos i derdhej nga ajo që po pësonte, e uli mbi tavolinë. Të gjithë, të urtë dhe të vëmëndshëm po ndiqnin çdo lëvizje të tij. Në atë përballim, dikush prej tyre vuri pëllëmbën e dorës mbi gojë me frikë se mos lëshonte ndonjë thirrje. Shkëlqimi i syve të lajmëtarit të vdekjeve i shoqëruar me harenë në fytyrë i çarmatosi ata të mjerë. Ai zbriti prej biçikletës duke u drejtuar nga shtylla. E mbuloi me kollë lajmërimin e vjetër dhe pasi e shtroi fortë me dorë të riun, i kaloi edhe disa herë furçën mbi të si për t'u siguruar se ai nuk do të kishte mundësi të lëvizte prej andej. Ata tek pëshpërisnin, kishin shpresë se shpirti i shokut që tashmë u mungonte, mund të kishte shkuar në xhenet por fishkëllima e asaj gome biçiklete në ikje e sipër i përmendi. Xhebrahili ishte ende vërdallë tyre.  Më pas ai kaloi disa herë prej asaj rruge por pa e kthyer kokën. Kaluan dy ditë kur u rishfaq përsëri. Tashmë për dy përkujtimore. Pasi mbaroi punën tek shtylla u drejtua prej tyre. Lëvizja e shikimit të tij gati sikur vërtetoi atë që mendonin ata kohët e fundit. Dikush ngriti dorën me gishtin përpjetë si për të thënë diçka por e uli shpejt. Duke i u marë goja i tha se ai që mungonte ndodhej i shtruar në spital me infrakt kardiak. Si dhuratë prej xhebrahilit ai mori veçse zgërdheshjen e rradhës.
Ngjitësi i lajmërim-vdekjeve pas dy ditësh kreu veprimin e përhershëm të tij. Njeriu që do të shfaqej me emër dhe fotografi në atë lajmërim ishte i sëmuri nga zemra. Në fytyrën e lajmëtarit gati profesionist, dhe i vetmi i qytetit, nuk mund të kuptoheshin qartë nuancat e emocioneve që po kalonte. E ndodhur diku aty pranë, e zonja e lokalit një grua në moshë dhe e vjetër në qytet, tek hodhi shikimin e saj mbi të shfaqi një dëshirë për t'i folur por u tërhoq duke u larguar prej andej.

DHE ËNDËRAT MBAROJNË SHUMË SHPEJT


Tek po flinte një dritë e fuqishme  i u përplas me forcë në fytyrë. Pas asaj ai e pa veten të ulur në të ndënjura buzë krevatit. Si fillim ishte i vetmi veprim më  i shpejtë që mund të kryente pas atij çasti të frikshëm. U përpoq të ambientohej. Hodhi shikimin përreth dhe megjithëse ndodhej në dhomën e tij të gjumit, gjithçka i u duk e huaj. Aty jashtë përtej masës së madhe të xhamtë të dritares ndjehej të çelej dita e re. E riktheu shikimin në brendësi të dhomës. Në krahun e djathtë të tij nga aty ku qe ulur, në komodinën e ndodhur buzë krevatit, i rënë mbi të, ndodhej abazhuri me pjesën e qelqtë të thyer. Ai fakt nuk i bëri përshtypje megjithëse e admironte sa herë ndodhej përballë atij poçi të dekoruar bukur.
Ashtu siç ishte, i ulur në krevat me brylat e mbështetur mbi gjunjë dhe pëllëmbët e duarve mbi fytyrë po përpiqej të kapte shkakun, arsyen që ndodhej në atë moment të vështirë. Por nuk mundi të arsyetonte për asgjë. Në ato çaste për të koha gati kishte ndaluar. Koha?! Cila kohë?! Dhe sa mund të zgjaste ajo. Ja, sa të kalojë edhe njësia tjetër kohë i tha vetes. Në fakt në trurin e tij në ato çaste nuk artikulohej asgjë përveçse asaj buzëqeshje të hidhur që i kishte ngirë në cep të buzës disa minuta më parë.  I shkoi ndërmend të shtrihej por, po të mos ta zinte gjumi ose në se  do të flinte, më tej  do të zhytej në ëndërimet e tij të pafundme. Ai kishte një veti tepër të veçantë ku arinte ti mbante mënd shumë mirë ëndrat, gati me imtësinë më të vogël. Kishte një pjesë të tyre që nuk kishin më interes për të kështu që ai i haronte shumë shpejt. Kishte raste që ato i rishikonte por me ndryshime të vogla ku thelbi i tyre ishte i njëjtë.  Në to ai shtronte zhvillimin e më tejshëm të cilësive të tij për aktrim. Dhe ishte tepër i bindur. Çdo ditë ende pa filluar  veprimet për ditën e re do të dilte përpara pasqyrës që i kalonte lartësinë e trupit dhe nga garderoba do të tërhiqte kostumin e personazhit të rradhës. Ja, aty përpara,  brenda asaj palltoje të madhe i shfaqej vetvetja tepër krenare me mjekrën dhe atë krifë flokësh të dëndur të dallgëzuara mbi shpatulla e deri tek balluket mbi ballë duke imituar lëvizjet e tij. Dhe të dy më perfekt se vëllezërit binjakë do ta përsërisnin disa herë pjesën. Të paktën për dy arsye. E para se ndjehej që diçka nuk po shkonte mirë dhe e dyta gjatë aktrimit do të ndodheshin në dy pozicione, nga protagonist në kritik të asaj që luhej prej tyre. Në fakt ishte disi e ngatëruar për të, por ai kishte besim tek vetja. Koha më e gjatë e këtij procesi ishte mbasditja. Do të punonte fuqishëm. Dhe i thoshte shpesh vetes se kishte bërë mirë që nuk kishte lidhje me ndonjë femër pasi do të konsumonte shumë kohë me të.
I  ndodhur ende buzë krevatit, tashmë as nuk i shkonte ndërmend të shtrihej. Ishte ende herët. Aty jashtë dritares natyra shfaqte gati të njëjtin çast. Para pak kohe ndjeu një moment tepër të vështirë që kishte të bënte me atë që ai e kishte qëllimin kryesor të jetës së tij, se çfarë ndodhi me të në atë përjetim. I u kujtua e gjitha fije për pe. Gati të gjitha rolet që ai kishte improvizuar. I mbusheshin duart nga DV-të e shumta. Ishte gjë e bukur. Po pra, kishte qenë në ëndër duke luajtur personazhet e tij të preferuar. Më tej do ta zinte gjumi i lumturuar. Aty ndodhi çudia. Nga humbja e gravitetit mëndësor i cili si proces kishte kohë që po zhvillohej brenda tij, ndjeu një si fluturim të shpejtë tek po kalonte në hapësirën kohë të ëndrës tjetër. Ishte fatlum, tashmë ndodhej përpara kamerave. Aty pranë grimierë, operatorë, kameramanë po bënin gati momentin e shumë pritur. Dhe çasti solli atë që nuk mund ta imagjinonte, shkatërimin përfundimtar të tij. Shpërthimi i fuqishëm i një projektori gati e verboi. Gjithçka ndryshoi shumë shpejt. Aty ndjeu trupin ti rrëshqiste dhe të rikthehej në ëndrën e parë me shpejtësi dhe brenda asaj kohe u soll si i marrë për atë që humbi. Si gjithmonë, ëndërat mbarojnë shumë shpejt mërmëriti nëpër dhëmbë. I rihodhi një shikim të shpejtë dhomës. Tek u ndesh me abazhurin mendoi se do ta kishte rrëzuar vet, se si kishte ndodhur nuk mundej ta kuptonte.
U ngrit prej krevatit duke ardhur vërdallë nëpër dhomë. U ndodh përpara pasqyrës. Në fytyrë nuk pa asgjë të shëmtuar por ndjeu pavendosmërinë e tij për atë çka bluante në kokë. Tashmë kishte filluar lufta për atë që kishte kohë që bluante.