100 m pa shkuar në fund të rrugicës së kalldrëmtë i
cili është edhe fundi i fshatit, nga krahu i djathtë i saj mer një degëzim
tjetër. I pa shtruar me gurë ai zbret më të poshtë duke u kthyer në monopat.
Diku aty në një tarracim gati natyral ngrihen muret e kishës të Shën Premtes.
Për të kisha dëgjuar shpesh nga pleqtë e fshatit të
Piqerasit. Si besimtarë të rregullt, ata fshehurazi do të shkonin të ndiznin
aty qirinj të shumtë. Nëpër zgavrat midis gurëve nga jashtë pasi porta prej
hekuri do të ishte e mbyllur me dryn do të gjeje qirinj të shumtë. Duke qenë
kishë me vlera të veçanta e periudhës së bizantit të hershëm, ajo u kthye në monument kulture.
Unë nuk e dija se ku ndodhej dhe, e kërkova duke ndjekur
rrugën më të poshtë që zbriste deri në
fund të fshatit por nuk e pashë. Duke vëzhguar rrugicën e kalldrëmtë e cila
mirëmbahet nga banorët e fshatit, murret e larta që rrethojnë shtëpitë e tyre
me lulet e shumta përmbi mure, përmes hapësirës të një porte të hapur me hark
guri përmbi të, vura re një plakë tek
fshinte oborin. Nuk arita të trokisja pasi një nga fletët e mëdha u tërhoq
përbrenda. Në atë përballje, në sytë e saj ndjeva urtësinë dhe ëmbëlsinë e
plakave të bregdetit. I përgatitur për atë që mund të ndodhte në kureshtjen e
tepërt të vëndasve karshi të huajve, dhe si cilësi e veçantë e moshës së saj,
do të mund të më mbante aty dhe do të konsumoja tepër kohë me të, nuk i dhashë
mundësi. Bile as i tregova që isha nga Piqerasi. Mund të shkonte edhe më larg
ajo bisedë. Me shikimin e ëmbël që shkonte deri në zhibrim të thellë përbrenda
meje ma bëri me dorë ta ndiqja. I shkova pas duke u ngjitur në ca shkallë të
gurta që na çuan në një tarracë të vogël betoni ku e cila nga ana perëndimore
mbështetej tek muri rrethues i shtëpisë ku po aty poshtë ndodhej edhe porta e
madhe e oborit. Me dorën e zgjatur përpara nga ana perëndimore, më tregoi
kishën e cila fshihej midis kurorave të ullinjve. Në vijë ajrore ajo ndodhej përafërisht 300m larg prej andej. Përsëri pa e ndarë shikimin e ëmbël të saj më ftoi
të pija një gotë me ujë të ftohët. Në atë shikim që po vazhdonte të më
kundronte akoma aty tek po pija ujin e ftohët ndjeva peshën në vite që mbante
mosha e saj. Duke ma mbushur përsëri gotën, mu drejtua “të kesh kujdes se
vërdallë ka shumë gjërpërinj.” Në çast nuk i kuptova dhe aq mirë ato fjalë por
më vonë tek po shkoja drejt kishës, përbrenda tyre fjalëve ndjeva diçka tjetër.
Pasi zbritëm tek porta, poshtë atij harku të skalitur bukur dhe të mirëmbajtur,
më shpjegoi se ku duhej të kthehesha. Aty duke marë kalldrëmin në të përpjetë
dëgjova të më thotë gati nën zë “Në uratë të perëndisë djalo”. Duke kaluar
përmes tarracave kisha ende nuk po dukej. Pas një gjarpërimi dhe zbritje të
monopatit ajo m’u shfaq përpara. Nuk ishte shumë e madhe. Terreni ku ajo qe
ndërtuar merte një pjerrësi të lehtë në zbritje. Pjesa e pasme e saj ku në
brendësi ndodhej ikinostasi, kapte pothuajse 1m nën sipërfaqen e tokës.
Në çastin e parë porta e hekurt e vendosur jo në qendër,
në faqen me shikim nga lindja, mu duk e mbyllur por me një prekje të lehtë ajo
u shty në brendësi. Si gjithmonë e njëjta ndjesi do të më tërhiqte fuqishëm
përbrenda atij ambienti që nuk do të kishte fare lidhje me jetën e përditëshme.
Nuk ishte një tërheqje çasti por një
vazhdimësi, që më mbante rob prej
kohësh. Besoj se e para si arsye ishte kujtesa nga fëmijëria. Momentet e shumta
në fshatin tim, që nga kisha në qendër deri tek manastiri lart në mal ku ato
festa tradicionale i përjetoja me emocione të mëdha. Për këtë arsye në atë
periudhë fëmijnore shpesh herë ikja fsheurazi nga Saranda dhe shkoja tek
gjyshërit, prindërit e nënës. Ndoshta është forma e të ndërtuarit tim, qenia
ime njerëzore që më bënte të reagoja tepër njerëzisht karshi çdo fenomeni
njerëzor dhe natyror. Dhe tjetra që pas burgosjes të tim eti ishte e vetmja
mënyrë të shpëtoja nga realiteti i hidhur ku po jetoja.
Ajo hapësirë që merte përpjetë në brendësi të saj, pas çdo
harku dhe kubature të krijonte ndjesinë e kundërt të kontaktit të parë nga
jashtë. Sikur të tërrhiqte fuqishëm drejt lartësive.
Ngjyrat e ftohta të murreve tek shfaqeshin në çdo gurë të
lidhur me llaç, nga harqet dhe kubeja kryesore që ngrihej më lartë nga pjesët e
tjera, shkonin në gri të çelët , në ohër dhe vende-vende të pistë nga tymrat e
kandileve. Nëpër to diku nga ikonostasi ndodheshin fotografi ikonash. Në murret
e saj që kapnin trashësinë 0.75x o.80m ndjeheshin të çarra të cilat po jepnin
sinjalin për rrezikun që po i afrohej atij objekti me vlera. Nga jashtë murreve
kisha kapte përmasat 11x 6m.
Harqet dhe kubetë e saj mbështeten në gjashtë këmbë guri (kolona) me
diametër rreth 0.45m të vendosura larg faqeve të murreve në një distancë 0.65m.
Largësia e kollonave nga njera tjetra nuk është e njëtrajtëshme por shkon afërsisht në 2m. Ato kapnin pothuajse 4m lartësi dhe pikërisht aty fillon të tjetërsohet për
t'u kthyer në hark. Mbi to harqet të lidhur me njeri tjetrin mbajnë peshën e rëndë e një radhe tjetër harqesh më
të vegjël, ku mbi to është vendosur çatia. Sheshi i shtruar me pllaka guri
gëlqerorë ndjehej pak i dëmtuar. Në krye të saj nga ana lindore ndodhet
ikonostasi. E vendosur në qendër me një gjerësi 2.10m, e thellësi të harkuar nga
jashtë në 1.10m. Ajo hapësirë e kufizuar në një distancë të përafërt 1.30m nga
kollonat e para është e mjaftueshme për të kryer shërbimet e veta prifti. I preka
me duar të gjitha ato që po më ngacmonin. Në atë lëvizje të ngadaltë tek ndjeja
në mollëzat e gishtërinjve ftohtësinë e gjithçkaje që prekja pa pritur e pash
veten jashtë saj. Duke ndjekur gjithë perimetrin e mureve të saj ndjeva atë
ndjesi tek shikoja atë pakujdesi të institutit përkatës për mirëmbajtjen e
këtyre objekteve me vlerë. Tek po përpiqesha të kapja lartësinë e tarracimit i
preka edhe njëherë ato mure të gurta.
30 shtator 1980
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου