Τρίτη 11 Ιουλίου 2023

ME SKICAT E LLAÇIT

 

                 

                               ME SKICAT E LLAÇIT SHOHIM AMBIENTIN

                                                          ME SY TË RI

                      

                            

                                                  Dr. FATMIR TERZIU

 

Skicat letrare e autorit Edmond Llaçi na jep një argument që në fillim të herës se është një lëvrim krijues e artistik që duhet të vlerësohet më shumë se zakonisht. Themi kështu pasi lëvruesit e skicës letrare janë disi  më të pakët në numër, janë disi më të rezervuar në këtë gjini letrare. Nëse leximi dhe shkrimi i tij e sjell atë përsëri mes lexuesit shqiptar,  ajo, në këtë mënyrë dëshmon vlerën e saj njëmijë herë të rilindur e të dedikuar në rrugën e saj të hershme. Arsyeja, natyrisht që skicat kanë shijen dhe pëlqimin ndryshe, pothuajse janë të paktë ata që i shkruajnë sikurse cituam, por ama tregojnë se janë një zhanër narativ dhe se çdo transmetim është rastësor dhe zakonisht mbetet vetëm një pjesë e kornizës edhe pse natyrisht në skicat biografike ato zënë një vend më të madh. Skica duke qenë një përshkrim  impresiv i përshtypjeve të një mendjeje të ndjeshme, tregon një fakt se është një skicë e jetës së zakonëshme dhe kështu ndodh që shumë njerëz gjejnë një përshkrim të zgjeruar në prozë letrare të mërzitëshme, duke pasur ndjeshmëri të çmuar në atë që sillen me termin “pak” tekst. Kjo e afron skicën me poezinë didaktike si qasja më e lehtësuar estetike në mendjen e epokës që jetojmë. Kaq, ndoshta vetëm kaq është duke thënë mjaft. Është e domsdoshme së pari të ndalemi shkurt tek rrugëtimi i skicës

    Skica letrare, ose ashtu sikurse njihet më gjerë është tregimi i shkurtër, ose një lloj i shkurtër i prozës. Në botën perëndimore, shpesh skica letrare është një tregim zbavitës i një aspekti të një kulture të shkruar nga dikush brenda kësaj kulture për lexuesit nga jashtë saj. Si shembull  mund të sillen anektodat e një udhëtari në Indi të botuara në ndonjë revistë të një vendi perëndimor ose edhe më gjerë. Por ajo që duhet mirëkuptuar, skica është joformale në stil. Skica është më pak dramatike por ama është dhe duhet të jetë më analitike dhe përshkruese se sa një përrallë, ose edhe vetë tregimi i shkurtër. Një shkrimtar i një skeme të tillë, mban një ton të zhurmshëm dhe të njohur, duke nënkuptuar pikat e tij të mëdha dhe mbetet gjithnjë duke sugjeruar, në vend që të thotë e të japë përfundime. Një variant i zakonshëm është skica e karakterit, një formë e biografisë rastësore që zakonisht përbëhet nga një seri anektodash rreth një personi real ose imagjinar. Skica u prezantua pas shekullit të gjashtëmbëdhjetë në përgjigje të interesit në rritje të klasës së mesme në realizmin social. Forma arriti kulmi e popullaritetit në shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë dhe përfaqësohet nga skica të tilla të famshme si ato të Josep Addison dhe Richard Steele 1711-1712. Ata krijuan karaktere si Z. Spectator, Sir Roger de Coverley, Captain Sentry dhe Sir Andreë Freeport, përfaqësues të niveleve të ndryshme të shoqërisë angleze, të cilët komentojnë mbi sjelljet dhe moralin e Londrës. Libri i skicës së Geoffrey Crayon, Gent 1819-1820, është tregimi i Irving mbi peisazhin dhe zakonet angleze për lexuesit në Shtetet e Bashkuara.

Në Shqipëri dhe në trojet e tjera etnike me shqiptarë, mjaft autorë me emër në vite i janë përkushtuar skicave. Emra të njohur dhe të tjerë kanë lëvruar skicën letrare për të treguar pikërisht atë që synohet me shkrimin dhe lëvrimin e saj . Sulejman Mato, ndërsa “këshillon” për njohjen edhe interpretimin e saktë të skicës letrare, me të drejtë shprehet se “Skica letrare nuk është ekuacion matematike, as ligje kimike dhe as njohuri biologjike. Skica letrare është një krijim ku vlerësohen aftësitë e shprehjes së lirë.”

Duke parë këtë hyrje të shkurtër jo thjesht sqaruese por dhe të domosdoshme në arsyen  e shkrimit tonë, duket qartë se shkrimi i Edmond Llaçit, angazhimi i tij në skicat letrare është sa racoinal dhe po aq i formatuar pasi ai, apriori zbaton preambulën se para se të fillojë të shkruaj është mirë i siguruar se mendimet e tij janë të organizuara si duhet. Mjeti më i mirë i kësaj  rruge të shkrimit të këtij autori natyrisht mbetet, jo thjesht ajo që është për të organizuar mendimet në këtë çast dhe që është skicimi, pra rrugëtimi i parë deri tek skica letrare, por tërësia  e akumulimit dhe shtrydhjes së mendimit në një sitë të veçantë të talentit të tij për të riformatuar mendimin  dhe për të  dhënë skica të lexueshme e të pëlqyeshme.

Në një farë mënyre, skica e Llaçit në vetvete është një lloj projekti  për variantin apo kopjen përfundimtare të  mendimit të tij. Autori për të ndërtuar një skicë të ideve të tij, e cila duket qartë se kryen më pas dy anë të menjëherëshme, e ndihmon vet autorin në shkrimin e skicës dhe lexuesin në interpretimin dhe kuptimin e saj, pra vetvetiu autori kalon në sitën e tij fjalën, respektin për fjalën e gjetur, angazhimin e vetë fjalës në funksionin e duhur, rimodelimin e saj në rastin e skicave autoriale dhe portretore e më tej deri në krasitjen e vetë fjalës së tepërt. Për mes fjalës autori ka një detyrë specifike tek skica letrare, që të gjej dhe të formulojë bukur titullin. Për mes leximit të skicave të këtij autori shohim se titulli është një element që i jep unitet dhe kuptim, por që shpesh kalon pa u vënë re dhe nënvleftësohet, duke bërë kështu që mjaftë skica të kalojnë në një dualitet kuptimi. Kjo në raste të vogla kur titulli i shkurtër qas një mendim të atillë që pret nëntitullin të saktësojë dhe anasjelltas, sikurse ndodh tek skica “Premtim i pashprehur”, me të cilën nëntitulli “Kushtuar Antikes motrës të Bilal Xhaferrit” na kujton se titullin  nuk duhet të vihet në thonjëza dhe është mirë që titujt të jenë të shkurtër. Edmond Llaçi është i kujdesshëm dhe mjaft i sinqertë kur vendos dhe zgjedh titujt e skicave të tij “Të çmëndurit”, “Porosia”, “Rrëfimi i një arxhiu”, Në ato netë”, “Iriqi i detit” etj. Krahas strukturimit  të saktë të titullit tek skicat letrare të këtij autori gjuha letërsia është themeli i procesit të të nxënit, i komunikimit, i formimit të identitetit personal e kulturol, si dhe i krijimit të mardhënieve  shoqërore, në një kënd që ai e sheh  dhe e parashtron si të rëndësishëm në tërësinë e tij, të dhënies së mesazhit dhe komunikimi me lexuesin.

Përmes gjuhës, vetkuptohet  se autori ka një objekt të veçantë që të paraqes dhe të shkruajë fjali të thjeshta dhe të përbëra për të shprehur mendime të caktuara, ku shihet se shkrimi i tij, pra skicat letrare  dhe mishërimi i tyre letrar është i domosdoshëm për çdo nivel lexuesi.

Brenda kësaj rregullsie, skicat e autorit janë piktura efikase të ndërlidhura, ku herë skicojnë natyrën, herë kujtesën, herë traditën, herë dëshirën dhe në të gjitha rastet kanë koloritin e duhur të domosdoshëm për të sanksionuar komunikimin letrar. Duket qartë nga leximi i skicave të tilla si “Vdekja e peshkatarit”, “Vazhdimisht i jëjti”, “Mëzi”, “Të çmendurit” etj. Se pika themelore e tyre është tek fjalët e skicuesit me emër Irving, mes të cilës kuptojmë se shkrimtari duhet të vëzhgojë “me vështrimin e zhurmshëm me të cilin të dashuruarit e përulur të shëtitjes piktoreske nga dritarja e një dyqani  të shkruar në tjetrën, të kapur ndonjëherë nga delineacionet e bukurisë, nganjëherë  nga shtrembërimet e karikaturës dhe ndonjëherë nga bukuria e peisazhit”.

Vetëm mes kësaj, shkrimtari i skicave është ekuivalenti letrar i një artisti në Grand Tour (qoftë amator ose profesional, nuk ka rëndësi) duke tërhequr skica të rrënojave, skulpturave, njerëzve dhe të ngjashmërive, gjëra që janë “piktoreske”ku duket qartë se ai ose ajo ndodhin aksidentalish ose pothuajse aksidentalisht, janë ata ose ato që pranojnë të vëzhgohen me një sy të qetë dhe reflektues dhe i japin një përshkrim evokues atyre që janë me ndjeshmëri.

Skica e Edmond Llaçit përtej të gjitha ngjyrimeve dhe leximeve nga kënde të ndryshme, nuk është zhanër  moralist, por, siç mund të shihet në disa pika ajo afrohet tek skica e të madhit Dikens, duke na dhënë rastin të kuptojmë se skica mund të krijohet për të ngjallur mendime rreth virtytit ose gjykimit ose (siç është skica e Llaçit “Përmendorja në gips”) ku reflekton më tej se qëllimi. Në duart e Edmond Llaçit ajo tregon  se mund të jetë mjaft imagjinative, në të cilën Llaçi  përshkruan  gjithçka tej natyrës duke imagjinuar se të gjitha gjërat që sheh syri i përkasin një njeriu dhe duke lexuar atë histori të njeriut jashtë tyre, lexuesi kupton fare qartë mesazhin e autorit. Sigurisht, ai është një pajisje përshkruese; është shumë e vështirë që të gjitha gjërat i përkasin një njeriu. Por, duke i trajtuar ata sikur të ishin, autori është në gjendje të sjellë çdo inskenim në një skicë të gjallë, të krijojë besim dhe mesazh të qartë.

Skica e Llaçit, ashtu si dhe skica në tërësi nuk është zhanër satirik, por një shkrimtar i tillë në botën e shkrimit të skicave mund të bëj përshkrimin që ngjall një pamje satirike, cinike ose ironike të botës;  disa nga skemat e tij janë shembuj i mirë i kësaj. Po aq, skica e Llaçit nuk është  një zhanër fantastik por dikush brenda leximit, mund të gjejë dhe vetvetiu mund të bëjë përshkrimin me fjalët që të emocionojnë fantazitë  më të egra. Nëse me piktorin dhe fotografin ndodh që fotografia është e përbërë artistikisht siç duhet, çështja e zakonshme e jetës  mund të mbetet intime tek gjërat më të larta dhe më të ulëta, tek ato që krijojnë mundësinë të ndjellin gamën më të plotë të mendimit dhe idesë njerëzore. Gjërat e çmendura tregohen të jenë, siç thotë Dikensi, “ushqim i pashtershëm për spekullime” dhe ne fillojmë ta shohim botën me sy të ri. Me leximin e skicave të Edmond Llaçit ne dhe lexuesi e kemi këtë mundësi.                                                           

Πέμπτη 6 Ιουλίου 2023

PËRSHTYPJE

                                   “ SI MUND TË ECIM NË MONOPATIN E VETËDIJES TË POL MILOS”

 

PËRSHTYPJE RRETH TË DY LIBRAVE TË TIJ “MEDALIONI I DURRAHUT” DHE “TAKOHEMI NË PURGATOR “

     

Tek i lexon, me atë çka po të ndodh e ndjen veten në një dimension tjetër. Ç’ka do të thotë kjo?! Me atë lloj frymëmarje që të krijohet në çast, nuk mundesh të hamendësosh asgjë. Në vazhdim ndjen dhe përpiqesh të përmirësosh dhe ta kontrollosh frymëmarrjen tënde por jo, nuk mund ta pëcaktosh veten si lexues të saj dhe çka ndjen në çast.

Në vazhdim, rreshtat e para pa e kuptuar të ikin me shpejtësi dhe kot përpiqesh t’i kapësh e t’i lexosh. Ndalon, ndalon për të vetmen arsye pasi ai urdhër që të vjen nga nëndërgjegja “nuk” është gjykim i drejtë, për këtë “nuk” mundesh t’i perceptosh, t’i ndjesh ato që përtyp midis dhëmbëve të tua. E ndjen se janë midis tyre dhe ndodhesh në dilemë dhe çfarë do të bësh me ta. Midis dy ndjesive paralele, të përtypjes dhe të kundërtës, të mos përtypjes të asaj ndjesie,  i ri ktheshesh leximit por përsëri nuk shkon në veprim logjik të asaj që po përpiqesh të kuptosh brenda atyre rreshtave dhe ndalesh. Në çast ndjen se diku në një pjesë të saj koka të kruhet ose faqet nga sikleti të përvëlojnë dhe nuk je i vendosur brenda vetes nëse duhet të mëshosh në zhvillim e sipër të asaj mendësie që të ndodhet pezull.

Rifillon leximin, tashmë i gërmëzuar në vetëdijen tënde, çuditërisht ato fillojnë e zhvillohen duke konturuar imagjinatën e autorit i cili e lë në dorën tënde, të lexuesit. Për ta kuptuar, si fillim autori të jep mundësinë ta vrojtosh dhe të hamendësosh më tej por ai “pjesën e errët e mban për vete, ndërsa lexuesit i shfaq një buzëqeshje të lehtë, pak të dallueshme, si ajo e Xhokondës.”

Megjithatë, në fund të rileximit tek po ndjen rikruajtjen e kokës diku në një pjesë tjetër të saj, e ndjen veten pezull dhe tjetërsim të frymëmarrjes. Tek kthen faqen e fundit e përsërit disa herë atë veprim si për të vërtetuar se i gjithë ai përjetim ndodhet brenda atyre fletëve të pakta. 

 

 

 

                        

Παρασκευή 28 Απριλίου 2023

TEK BALLKONI I SHTËPISË

 

Po afronte pranvera. Në ballkonin e vetëm të shtëpisë, në tavolinën e ndodhur në krahun ku tenda qëndronte përherë e ulur pasi aty edhe me disa objekte të  tjera ishte krijuar një ambient i këndshëm ata do të ndodheshin aty gati në të njëjtën orë.. Ishin të moshës së tretë. Me gjithëse bënin jetën e një çifti normal e pa probleme, përjetimet dhe kënaqësitë e tyre ishin jo të njëjta dhe për çudi ato veçse shtoheshin. Si përherë ai shkoi i pari duke zënë vendin e tij ndërkohë edhe ajo nuk vonoi pasi u shfaq me një tabaka duke i sjellë kafen dhe gotën e rakisë. Për vete një kakao të madhe ose ndonjë çaj të cilin e kosumonte që nga ai i malit, ose ata aromatikët aziatik të paketuar. Të dy, në aq kohë sa qëndronin aty gati nuk komunikonin me njeri tjetrin. Në ato çaste ai diçka po lexonte ndërsa e zonja e shtëpisë, me paraqitjen interesante të saj nuk ishte e qartë se si e dëshironte atë moment, të kërkonte ta ngacmonte ose të ngacmohej por ishte e bindur se ai si gjithmonë do të ndodhej në botën e tij të përhershme, nuk do t’u kushtonte vëmendje atyre çka i rrëfente ajo me pasion. U ngrit prej nga ku qe ulur duke u mbështetur në parmakun e hekurt të ballkonit. Diçka e bukur ndjeu se po ndodhte poshtë kurorës të pemës së vetme me atë lulëzimin e përhershëm të saj. Në fillim veçse puthje, puthje të buta të shoqëruara me pëshpërima dhe përsëri puthje. Për një çast ra heshtje. Mund të jetë ndonjë puthje e gjatë mendoi ajo tek po i ndiqte me vëmendje nga aty lartë. Rifilluan me mërmërima të gjata, puthje të zjarrta duke kaluar më tej me gricje dhe zënka sikur po loznin me njeri tjetrin. Djaloshi si për t’i treguar se mundej, përpiqej ta përqafonte, ta shtrëngonte fort në krahërorin e tij, ta puthte gati në çdo pjesë të zbuluar të trupit të saj por lozonjarja, mikesha e tij e vogël i shmangej. Për ta ngacmuar tek i u shkëput, ajo i thirri   t’i shkonte pas, ta kapte. Ai si i marrosur u turr vrapit pas saj dhe gjithçka mbaroi aty. Nata, në atë ikje si me nxitim, po përpiqej t’i kapte e t’i mbulonte me vellon e saj të heshtjes. Pas të gjithave sa pa dhe dëgjoi ajo u përpoq t’i tregonte bashkëshortit se çfarë kishte ndodhur aty poshtë ballkonit të tyre. Duke u kthyer në gjendjen e tij të përherëshme ai vetëm një buzëqeshje i dha por veçse ajo  tjetra tek po i shfaqej me nuanca të ngrohta në fytyrë nuk kishte lidhje me ato sa i thoshte ajo. Ai ngriti kokën duke e parë me vëmendje. Në atë përballim, në fytyrën e tij ndjehej t’i thoshte se në ato çaste i u kujtua  rinia. Aty ajo kuptoi se ai kishte nevojë për një fjalë të ëmbël. Ka të drejtë i tha vetes, ka të drejtë dhe unë budallaqja i shkoj kundra.  I u afrua edhe më pranë. Pasi e vëzhgoi gati si me habi fytyrën e tij e cila për të ende  i kishte ato çka i pëlqente, e puthi fort në buzë ndërsa ai i hutuar e kishte lëshuar veten në gjithçka po mendonte e vepronte ajo. U përpoq të fliste por puthja tjetër e saj e çrroditi, e çarmatosi sepse nuk po mundej t’i shprehte atë dëshirën e tij për t’i treguar atë ngjarje të ndodhur shumë kohë më parë e cila i u kujtua në ato momente. Tek po përjetonte atë çka kishte mbetur në buzë nga ato puthje e cila si kohë ishte disa sekonda të shpejta, shumë të shpejta, ajo kishte shkuar në guzhinë dhe ishte kthyer prej saj por me shishen e rrakisë dhe të një gote tjetër. Tek sa po ulej, përsëri duke i buzëqeshur i mbushi të dyja gotat. Nuk priti veprim prej tij por reagoi duke kthyer në gurmazin e saj nga ai lëng të cilin rrallëherë e pinte. Për ta dëgjuar atë histori ajo i fali buzëqeshjen e rradhës si për t’i thënë se ishte gati ndërsa ai tepër i hutuar hidhte shikimin herë tek fleta e palosur e librit e herë tek ajo.
E filloi tepër ngatëruar atë histori të vjetër duke i treguar se si erdhi ai moment. Duhej të shkonim në Butrint filloi të tregonte ai, brenda parkut arkeologjik aty ku mikesha e tij bashkë me atë tjetrën punonin në të njëjtin vend. Pra aty tek po zbrisnim nga autobuzi ai më shpjegoi cilësitë e asaj femre. Do të kenë ardhur dhe ndoshta janë duke punuar jashtë teatrit. Në të vërtetë aty ishin dhe jo vetëm pasi drejtuessi i gërmimeve po u qëndronte mbi kokë, po dilnin në dritë disa objekte me interes për të cilat ai kishte përgjegjësi. Me drejtuesin e gërmimeve ai njihej mirë, unë shumë pak ndërkohë vëmendjen e kisha prej atyre për të cilat kishim ardhur. Pas asaj ne shkuam lart duke pritur të ulur në murrin e trashë të kalasë. Nuk vonuan. I ndjeva tek po shfaqeshin pas çdo hapi mbi ato shkallë guri dhe ja të dyja po afroheshin drejt nesh. Mikesha e shokut tim pa u nguruar në atë që po mendonte u drejtua prej tij ndërsa unë në çast u ngrita në këmbë. Ajo ende ndodhej aty ku kishte ndaluar. Gati pa vetëdije e thërrita me një lëvizje dore. Duke u përpjekur të rregullonte frymëmarjen u ndodh përpara meje. Ishim shumë pranë njeri tjetrit por nuk guxonim të vepronim. Ajo po më ndiqte me vëmëndje pa e hequr shikimin. E kapa për krahu. Tek po i kërkoja veçse me shikim dëshirën time u ulëm në murrin e kalasë. Ishte një shikim i gjatë sikur kishim kohë që njiheshim dhe kërkonim atë që se kishim gjetur deri në ato çaste. Duke kaluar dorën në krahun e saj të nxirë nga dielli nisa ta përkëdhel. Ishte hera e parë që po e ndjeja nga afër ekzistencën e një femre në dëshirat e mia. I u afrova pranë, mbylla shikimin si për ta shijuar edhe më ëmbël veprimin që do të kryeja por më trembi, se më saktë na trembi një e bërtitur femre e cila ishte një prej atyre që punonin aty poshtë. Ajo gati me urdhër u kërkoi të zbrisnin poshtë. Kaq ishte. Ato, në atë ikje të shpejtë jo vetëm që nuk e kthyen kokën pas por duhej të mendonin se ku duhej ta ndalnin vrapin. Të dy ose më saktë unë e ndjeva veten të raskapitur dhe të pa mundur të ngrihesha prej andej ku isha ulur. I qetë sa nuk kishte më,  miku i historive të shumta duke ndezur cigaren më kërkoi të iknim prej andej. Do të vijmë përsëri vazhdoi ai tek po zbriste më të poshtë shkallëve të përshtatura sipas terrenit. Nxito, mund të gjejmë ndonjë makinë të rastit ndërsa unë gati si somnambul i shkova pas pa pikë dëshire. Ja kjo është e gjitha vazhdoi ai, një kujtim i bukur i asaj moshe dhe si përherë u përqëndrua mbi librin që mbante në dorë.
   

Παρασκευή 17 Μαρτίου 2023

NË ATHINË

 

Sa herë ndodhem në kryeqytetin helen kaloj në një dimension tjetër. Si çdo fenomen, ai ngacmim më është krijuar në momente më mbreslënëse nga bota e mrekullueshme e  antikitetit e deri tek  zhvillimi i pafund i këtij vendbanimi. Shpesh, në atë trajektoren e lëvizjes time, duke ecur me këmbë për të shkuar tek motra e madhe, do të ndeshesha me shumë elemetë natyror e njerëzor ku gjithçka i është përshtatur në formën më interesante atij relievi pothuajse malor. Diku pranë shtëpisë së saj, pa shkuar aty, rreth 20 m më poshtë ku kryet edhe kryqëzimi i parë i asaj rruge, në krahun e majtë të lëvizjes sime, në katin përdhe të asaj godine banimi tre katëshe pjesa më e madhe e gjatësisë të saj ndodhet poshtë nivelit të shtresës asfaltobeton të rrugës. Mbasditeve sa herë ndodhesha përballë portës së vetme në dru, të dyja dritareve me kanatet e tyre në përmasa më të vogla se dritaret e dy kateve më sipër të cilat janë të qarkuara nga fletët e shumta të hardhisë së rrushit e disa pemëve frutorë, ato do të ndodheshin të hapura.
Në brendësi të asaj porte të lyer në ngjyrë jeshile me pak okër dhe të zezë, ashtu si edhe dritaret do të shfaqej e njëjta ekzistencë. Ajo ndërtesë e cila ndoshta është ndërtuar rreth viteve70 të shekullit të kaluar si shumë të tilla në Athinë që i përkasin kohëve të ndryshme kur janë ngritur, nuk duan të lëvizin prej andej. Pikërisht edhe fytyrat e të dy atyre meshkujve duke i rënë atyre veglave muzikorë tradicional, të shoqëruar me ato zërat në të çjerrë por tepër interesant, të çonin edhe pa dëshirën tënde ta pranoje atë lloj egzistence. Nga këta faktor ndodhi ai fenomen, pra, kohëzgjatja e ndalimit tim kur kaloja andej ku jo vetëm të vëzhgoja portretet e tyre por edhe interprentimin e bukur të këngëve popullore të gjitonëve tanë jugor. Ai më i gjati pa e ndërprerë ritmin e të kënduarit dhe të instrumentit i cili emërtohet prej tyre buzuk, duke shtyrë një stol të rrumbullakët më dha të kuptoj të hyja brenda. Nuk hezitova, në çast e ndjeva veten të ulur. Të dy, pa e ndërprerë atë çka po këndonin nuk po e hiqnin shikimin prej meje. Përsëri ai më i gjati i cili sigurish ishte më i madh se tjetri, diku pas tij me një gjysëm rrotullim mori prej andej një gotë qelqi duke e vendosu mbi tavolinë përballë tij. Nganjë një shishe të ndodhur po aty hodhi nga ajo pije që po konsumonin e cila nga aroma shfaqte ekzistencën e saj, si në çdo tavolinë tjetër të atij populli mesdhetar. Aty ndodhi ajo çukitja karakteristike e gotave duke bërë urimin për shëndetin e përbashkët. Ishin të toneve të ulëta që të dy. Me gjithëse u ndjehej në fytyrë për t’u prezantuar, nuk e shfaqën atë. Ndërsa unë pa e kërkuar prej tyre gati kisha filluar flisja për qytetin ku kisha lindur dhe po jetoja, si nga vëndbanimet më të pakta të ndodhura pranë vijës ujore të detit i cili ishte pjesa më e bukur e jetës tonë. Në të vërtetë ata nuk më ndërprenë as edhe njëherë por veçse dëgjonin ku herë pas here rimbushnin gotat me atë lëng.
Ishin tipa interesant, më tepër dëgjonin se sa flisnin. Zëri i tyre ndjehej veçse kur fillonin e këndonin. Në heshtje, në të njëjtën kohë tek po shijoja me kënaqësinë më të madhe, në ato momente po hidhja shikimin tim mbi gjithçka për rreth. Pra kuptova atë që nuk kisha pasur rastin ta vërtetoja. Ata të dy, atë hapësirë banimi e kishin përshtatur si ambient për mësimin e atyre veglave muzikorë ku më të shumtët ishin bashkëmoshatarë me ta. Ktheva shikimn prej tyre. Buzëqesha, buzëqesha pasi u emocionova jashtë mase. Në ato fotgrafitë e shumta të ndodhura gati përrreth mureve ndjeva një kënaqësi të veçantë tek përballesha me tiparet interesante të atyre tipave Ktheva shikimin prej miqve të mi. Me ato fytyrat elegante e cila u krijohej ndoshta edhe nga mbajta e flokëve të gjatë ata m’u dukën edhe më të këndshëm, më njerëzorë. Buzëqesha dhe pa e kuptuar se çfarë po më ndodhte, gati poshtë syve të mi fshiva disa pika loti të cilët ndoshta në formë imagjinare më ishin shfaqur aty. Ëmbëlsia në shikimit tim po shfaqej hapur. Kërkova ta ri mbushte gotën time. Në atë çast heshtje të mendimit ndjenjë të përbashkët, ku të dyja duart e mia dhe të atij që kishte detyrën për rimbushjen e tyre po qëndronin gati pezull. Aty, ku në kushte të veçanta krijohet ai efekti i quajtur alkimi, përveç zërit muzikor, ndjeva atë ëmbëlsinë e atyre njerëzve ku me pak gjëra e jetonin më së bukuri jetën e tyre. Mes asaj përpjekje të vazhdueshme për përvetësimin e asaj gjuhe interesante shfaqa kënaqësinë e veçantë për ta përsëritur atë moment. Që kur përplasëm shikimet e para dhe me gjithëse ende vazhdonin të mbanin të njëjtin qëndrim, një dritë e bukur po fillonte të rezantonte në fytyrat e tyre.
 

                                                                     Athinë, dhjetor 22

 

 

 

 

                                                                 

 

 

Σάββατο 24 Σεπτεμβρίου 2022

NDJENJË

U çua si gjithmonë shpejt. Pas atij veprimi do të hidhte diçka krahëve dhe mes rutinës të përditëshme do të kryente të gjitha ato veprime që kërkon çdo mëngjes. Hodhi shikimin prej saj. Ajo krijesë, e cila ishte zonja e shtëpisë me të cilën kishte mbi tridhjetë e pesë vjet që ndanin sëbashku atë shtrat, ende po flinte. Në qoftë se do të meremi me atë shprehjen "me mblesëri", për atë njeri nuk kishte rëndësi ai veprim sepse aroma e trupit të saj i pëlqeu që në çastin e parë. Në momente kur kishte dëshirë ta pushtonte fort, ai do t’i pëshpëriste ato dy-tre fjalë të ëmbla nga të cilat ajo miklohej, ëmbëlsohej shumë shpejt. Me gjithëse gjumi e kishte zhytur thellë atij jastëku ai nuk ishte vetëm i tillë. Mes buzëve të cilat i mbante mbërthyer fort me njera tjetrën, në skajet e tyre ajo do të shfaqte atë ëmbëlsinë e përhershme. I u afrua pranë, ja përsëri u tundua nga ajo aromë. Dëshirën e çastit për ta puthur nuk e kryejti nga frika se mos zgjohej. I mjaftoi aroma, aroma e trupit të saj e cila ishte ajo që mbante të lidhur atë bashkëjetesë.

 Si çdo mëngjes, mes atyre që shtronte në tavolinë do të  ndodhej edhe një kavanoz me reçel të cilin e përgatitnin si përherë bashkarisht. Pas të gjithave, me heshtjen e përhershme e të ecurit në shtëpi, prej andej doli pa u ndjer. Edhe portën e shtëpisë tek e hapi e mbylli me kujdes. Zbriti shkallët dhe u ndodh në trotuar.

    Kishte nevojë të ndodhej me vetveten. Ai nuk vraponte por vetëm nxitonte. Si veprim ishte  i njëjti ritëm jo vetëm nga adoleshenca, por ndoshta ai kishte filluar që nga bota fëmijnore e tij. Nga brezi ku në të cilën mbante telefonin e sende të tjera, nxori kufjet. Kyçi lidhjet me realitetin dhe rendi duke shijuar muzikën italiane. I pëlqente të mbante të njëjtin ritëm të ecjes përgjatë atij trotuari pa çka se herë pas here ai ndryshonte gjerësinë e tij reale ku aty, gati do të përplasej me të tjerë por kjo nuk e shqetësonte atë. Ata ishin gati pjesë e tij, në të njëjtën ndjesi e ritëm po lëviznin. E gëzonte ai moment tek përplasej me ta. Më të shumtit prej tyre ishin të rinj. Pas “përplasjeve,” prej tyre përveçse buzëqeshjeve merte edhe  ndjesitë e ndryshme të përcjellë prej atyre parfumeve me aromat më të çuditëshme. Tek po kthehej prej shtëpie, prej asaj ecje të këndëshme buzë detit, brenda vetes filloi të ndjente një frymëmarje të çliruar nga çdo gjë.

Ja tek u ndodh përsëri brenda portës së shtëpisë duke e mbyllur atë me kujdes. Qetësia që zotëronte atë hapësirë banimi, e konceptuar prej tij prej një kohe të gjatë, ende do ta thërriste për ta eksploruar. Porta e dhomës së gjumit ishte ashtu si e kishte lënë, e gjysëm-hapur pasi që të dy mendonin se ajo atmosferë e krijuar prej jetës bashkëshortore duhej të shpërndahej në të gjithë hapësirën e shtëpisë. U përball si gjithmonë me atë femrën nudo mbi kokën e krevatit të realizuar prej tij në laps, të kornizuar ose më saktë të përshtatur me çdo element të asaj dhome gjumi. I u kujtua nipi kur e pa për herë të parë tek e pyeti se kush ishte ajo, në formën më të çliruar, duke  buzëqeshur ai i u përgjigj, gjyshja kur ishte e re. E shfaqur në fytyrë, buzëqeshja e pakët e tij ishte gati si miratim. Po në krah të tabllos, gati në të njëjtën lartësi dy tre fotografi po  të atij bukuroshi të vogël. Mbi komodinën e tij, brenda kornizës së vetme që ndodhej ,aty ajo treshja femërore do t’i kujtonte çdo mëngjes ekzistencën e familjes atërore. Aty shfaqeshin duke buzëqeshur nënokja ajo bukuroshja trupvogël me bijat e saj.

    E zonja e shtëpisë ende po flinte. Iu afrua duke e kundruar me ëmbëlsi e dëshirë të madhe. I u afrua edhe më shumë për të shijuar aromën e nxehtë të trupit të saj. Do ta puth pa le ë zgjohet i tha vetes. E nisi nga sytë e në vazhdim në të gjitha pjesët e asaj fytyre që për të ishte gjithçka. Shkoi përsëri tek buzë. Ajo, tek çeli shikimin e saj gati të përhumbur do t’i lëpinte ato pjesë që besonte se do të kishin lëngun e asaj puthje. Në atë përballim, në sytë e tyre do të shprehej e njëjta dëshirë. Ajo, e zhytur thellë asaj dëshire të përherëshme kërkoi me ngulm peshën trupore të tij duke e tërhequr prej vetes.                                                 

Τρίτη 16 Αυγούστου 2022

DREKË MORTI

  Me një përkulje të lehtë të trupit të tij, prifti ai shërbëtor i Zotit i dha fund pëshpëritjes të rastit duke u dhënë shenjë për t’u ulur të gjithë atyre sa kishin mar pjesë në përcjelljen e të ndjerit në botën e përtejme. Ata, duke u përpjekur të zënin vend sa më mirë në ato ndenjëse, gati si me komandë e kryen atë veprim. Ai rit i hershëm ishte trashëguar nga të parët. Ishte i domosdoshëm pasi kishte njerëz që vinin prej larg. Personi që ndodhej pranë priftit, në krahun e djathtë të tij tek po afronte pranë vetes pjatën me supë, me një kureshtje tepër të madhe hodhi shikimin e tij të turbull mbi çka ndodhej aty përreth. Pa i shkëputur bërylat nga tavolina ku në të dy duart e tij mbante lugë e pirun, kapërceu me shpejtësi dy-tre lugë me supë. Menjëherë në fytyrë i u shfaq kënaqësia e asaj që po shijonte. Në vazhdim, me pirunin të cilin e zotëronte gati me forcë me dorën tjetër, nga pjatanca aty pranë mori dy pjesë me djathë. Edhe tek pjatanca që kishte ndoshta salcë kosi ose gjizë të njëjtin veprim kryejti. Ndërkohë, në të dy duart, midis lugës dhe pirunit, e mbetur që nga fëmijëria si veprim, do të mbante copa buke ku një pjesë të tyre do ta copëtonte për t’i kapërcyer në një kohë rekord nga hapësira e gojës, laringu e në vazhdim në çdo pjesë të atij sistemi të çuditshëm tretës të cilën atë masë, e shoqëronte me gllënka të shuma rrakie.

    Më tej me një shpejtësi konstante ku pas çdo veprimi kur i zbrazte në atë hapësirën gojë të tij, e cila nuk rreshti në asnjë çast, po shijonte në pafundësi përtypjen e gjithçkaje. Nga djathi, nga salca, nga sallata e të tjera sa ndodheshin aty. Në të njëjtën kohë, në të njëjtin rritëm si goja, duart nuk do t’i pushonin kurrë. Si gropë thithëse, ajo hapësirë mishtore e cila gati zinte pjesën më të madhe të fytyrës së tij, transformohej në format më të çuditshme për të gllabëruar të gjitha copat e bukës që mbante në duar. Pas çdo gëlltitje të asaj që përtypte, do të shfaqte  kënaqësitë e shumta që po përjetonte. Me pjatën e dytë të cilës ja dinte mirë shijen përveç asaj thele mishi do të kishte edhe gjëra të tjera si patate të skuqura, perime e të tjera. Fshati i tyre shquhej për prodhimin e tyre. Mori një tjetër fetë tjetër buke pasi të cilës nuk i shmangej dot, duke e shoqëruar me djathë, në masa jo të vogla i kapërceu si çdo gjë tjetër. Kënaqësia e radhës në fytyrën e tij u shfaq e jashtëzakonshme. Me shikim të brendshëm pasi sytë i kishte gati në të mbyllur dukej sikur po i lutej zotave për ato çka po konsumonte. Tashmë, pasi i kishte regjistruar në memorie vendodhjen e atyre pjatave vazhdoi atë që kishte si qëllim për të mbushur barkun e tij.   Ajo makineri njerëzore e cila si qëllim kishte boshatisjen e atyre pjatave, po vepronte në formën më të përsosur. Veçse në një moment u shkëput prej asaj që po kryente, për të mar pak frymë. Më tej me atë qëllimin e përcaktuar përse ndodhej në atë tavolinë, ato duart e tij megjithëse gojën do t’a kishte gjithmonë plot, nuk pushuan. Djathin ende nuk e kishte konsumuar megjithatë mori edhe  një pjesë tjetër. Edhe nga sallata, i dëshironte shumë ullinjtë.

    Megjithëse fizikisht shikimi  i tij nuk ekzistonte pasi qepallat dhe vetullat  ishin gati krejt të ulura, shpesh lëvizte kokën si për t’u thënë të tjerëve “jam me ju”. Në një moment i cili do të ishte çasti i radhës për një frymëmarrje të thellë u përplas me shikimin e priftit. Edhe ai ishte duke u përtypur. Ashtu i mbërthyer nga kënaqësia e asaj që po përjetonte duke mos pritur miratimin e tij e përshëndeti. Mori frymë prapë e prapë. Aty ndjeu se përqark asaj tavoline ose më saktë bashkimit të atyre tavolinave nuk kishte mbetur asnjë karike bosh.     Në krye ishin familjarët e të ndjerit të shoqëruar me më të afërmit, prifti nga krahu i tij e të tjerë që ishin pleq si ai nga fshati. Të gjithë po përtypeshin por biseda të shkurtra midis tyre bënin veçse familjarët dhe të afërmit e të ndjerit. Uli kokën dhe këmbënguli tek misioni që kishte për të zbatuar, të mbushte barkun. Në pjatën me mish të shoqëruar me patate e të tjera, me të dyja duart, një e nga një do t’i çonte në hapësirën gojë duke i zhdukur në çast. Ndoshta nga graviteti pasi megjithëse duart do t’i kishte të mbështetura në syprinën e tavolinës trupin e mbante drejt. Me atë qetësinë e tij e boshatisi në çast. Fshiu buzët me pëllëmbën e dorës por nuk u bind, mori disa nga ato pecetat letër duke ushtruar forcë mbi gjithë fytyrën e tij të pushtuar nga djersët. Tek ndjeu në brendësi të barkut më saktë stomakut tij, masën e ushqimit që kishte konsumuar, kaloi me një kënaqësi të madhe disa herë duart. Por nuk mbaroi aty. Kishte mbetur pa plotësuar dëshirën e fundit. Zgjati dorën drejt koshit të frutave, tundi kokën në formë të çuditshme si për t’u thënë të tjerëve që kishte përqark se dëshironte diçka prej tyre. Mori një banane. E pa me  kureshtje  i u duk e vogël. E la duke mar një tjetër. Tek po e zhvishte hodhi shikimin nga ai që i ndodhej në krah i cili nuk ishte i vetmi që po ndiqte gati vjedhurazi veprimet e tij që nga çasti që ishin ulur. Me atë frut të çuditshëm në dorë kreu një veprim si për t’i thënë atij në se dëshironte dhe pa pritur reagim i dha një pjesë prej saj. Me dy kafshime edhe atë e dërgoi të tretej në brendësi të tij ndërkohë prifti duke kryer pëshpëritjen e mbylljes, duke përshëndetur të afërmit e të ndjerit mori për të dalë. Personit që tashmë ndodhej në krah të priftit në ikje prej andej, me të cilin ndau bananen dhe atyre pleqve të përhershëm që shfaqeshin shpesh në raste të tilla, u hodhi një vështrim të shpejtë e të papërfillshëm.

.   

 

 

 

 

 

 

Τετάρτη 20 Ιουλίου 2022

HAKMARJA

 

              Hakmarja nuk kryet në çast por përgatitet pak e nga pak prej kohësh .                                       

 U çua prej vendit ku qe ulur pa e shkëputur shikimin prej atij metali prerës ku me një lëvizje të vogël mund ta fshehte brenda dorezës të saj prej druri. Me gjithëse ndjente një lloj pasigurie ishte i vendosur ta kryente atë vrasje. Përreth nuk frymonte njeri përveç atyre të dyve. Ai ndodhej i ulur në stolin e vetëm që ndodhej diku aty pranë, i përqëndruar mbi gazetën që mbante në duar. Pa i lënë kohë të reagonte kryejti atë veprim të paramenduar prej kohësh por dora e tjetrit nga instikti për t’u mbrojtur e pengoi. Nga ajo shtytje, maja e shndritëshme e atij metali prerës vetëm sipërfaqen e lëkurës i preku duke krijuar një vijë të hollë në ngjyrë vishnje të errët. Ja shtyu dorën me furri duke e qëlluar përsëri por nuk mundi aty ku mendonte por diku midis qafës dhe klavikulës të majtë. Rrjedha e gjakut e cila nuk mendonte të ndalonte po mbulonte me shpejtësi bardhësinë e këmishës e cila si çdo veshje tjetër e tij, i qëndronte hijshëm mbi trup. U ndje keq. I erdhi për të vjellë por e mblodhi menjëherë veten pasi kishte vendosur ta vriste atë njeri duke e sulmuar edhe më shumë. Nga ajo pamje e tmershme për çka po kryente, e humbi ndjenjën njerëzore duke e qëlluar barbarisht me atë mjet prerës. Në vazhdim pa e kuptuar kohën, momentin e aktit që po kryente u rrëzua pranë viktimës së tij pa shfaqur ndjenja ekzistence duke kaluar në një dimension tjetër. Aty i'u ri shfaqën ato skenat e tmershme dhe fytyra e egër e atij njeriu që dergjej  pranë tij. Terrori që shfaqte ai mbi të gjithë të burgosurit të strehuar në atë kamp pune. Vuajtja e atyre shpirtrave njerëzor tek shuheshin pa pritur nga keqtrajtimi dhe mos ushqyerja. I u shfaq babai, skena kur zbrazën mërinë e plumbave mbi të, ja aty përpara syve pasi e kishin tërhequr zvarrë prej shtëpie. Edhe nëna me të motrën tek përdhunoheshin brutalisht prej tyre. E ndihmoi të motrën të lindte duke e pritur në duart e tij atë krijesë të ardhur në jetë prej atyre shëmbëlltyrave. Do t’i kryente vet ato shërbime ndaj motrës shpirtvrarë, ndaj asaj shtatzanie të pa dëshiruar. Do të ishin përsëri ata që do të vendosnin për fatin e saj. Pas një ore do të jepte edhe ajo shpirt. Si mbetje do t’i groposnin diku në një vend të përcaktuar për ata njerëz. Më tej tek përballoi me dhimbje vetminë e tij edhe urrejtjen e madhe që kishte për ata njerëz mbijetoi duke i shpëtuar atij burgimi të përjetshëm. Ndryshuan kohët erdhi demokracia. Nga të gjitha sa po kujtonte ndjeu t’i shpeshtoheshin të rrahurat e zemrës. Midis atij çasti, asaj ndjesie të çuditshme që po përjetonte brenda dhe jashtë ekzistencës së tij trupore një thirrje e përmendi, e zgjoi. U përpoq të orientohej, të pastronte shikimin por nuk mundi pasi ekzistenca e tij përjetohej në dy  kohë. I ndjeu përsëri ato thirrje. Në të turbullt një figurë njerëzore po i afrohej. Ishte një vajzë e vogël. Pas disa përpjekjesh prej saj për ta ndihmuar ajo, duke kthyer shikimin diku përtej, filloi të thërriste nënën e saj. Hapa të shumtë ndjeu t’i afroheshin. Ata në aq sa ishin, e rrethuan duke e parë me vëmendje. Edhe ai në aq sa po fillonte të kuptonte, u përpoq të përshtatej me realen, me atë që po ndodhte duke hedhur shikimin e tij gati mbi të gjitha ato fytyra të panjohura. Në ato çaste, me aq sa mundej, ndjeu një lloj ngjashmërie midis tyre, ndoshta  ishte një familje e madhe. Por diçka e çuditshme po e thërriste përbrenda, ndoshta instikti i tij i përhershëm ende e kthente në kohën e shkuar. Duke menduar transformimin më të mundshëm të asaj fytyre, të atij njeriu, filloi ta kërkonte mes atyre njerëzve. Si përherë me ato veshjet e tij të puthitura pas trupit dhe me hapin e tij të qetë u shfaq ai. Njeriu që po e torturonte prej kohësh i ndodhej aty në krye të atyre njerëzve. Megjithëse në moshë të madhe, shumë të madhe nuk kishte ndryshuar shumë. Ndjeu dëshirë për të folur por nuk mundi. Si për ta vërtetuar atë që po mendonte ktheu kokën ku kishte lënë çantën të cilën nuk e ndante prej vetes. Aty pranë saj shamia ku kishte të mbështjellë ato çka kishin mbetur nga ushqimi i pakët. E hapi me rrëmbim. Thika ndodhej si e kishte lënë, e pastër pa pika gjaku. Pra e gjitha sa kishte përjetuar në ëndrat e tij kishte mbetur veçse një ëndër. I ndodhur ende në të ndenjura mbi barin e butë nuk bëri as edhe një lëvizje tjetër por brenda ndjenjave që përjetonte vazhdimisht, i u kujtua se atë njeri e kishte vrarë sa herë i shfaqej koha e atyre viteve më të vështira të jetës së tij. Ja, më së fundi e kishte vrarë përsëri. Përpara asaj turme të së njëjtës racë, për të vërtetuar mos ekzistencën e atij njeriu hapi shaminë dhe me atë thikën të cilën e kishte sajuar brenda atij rrethimi telgjembash filloi t’i priste në pjesë të vogla bukën, djathin dhe domaten e mbetur. Në ato që po mendonte se e kishte kryer atë veprim që i kishte premtuar vetes, në fytyrën e atij njeriu rindjeu atë egërsinë e dikurshme. U lumturua, mbijetesa e tij ishte goditja e fundit për të.