Δευτέρα 20 Ιουνίου 2016

DEKORATORI PLAK


     Sa herë do të merrja rrugën për nga puna e tij do të qeshja nën zë, pasi e dija se ç'farë më priste aty.
Si gjithmonë, në qoftë se ishte duke punuar, do të lënte mjetet e punës për të më dhënë dorën. Nuk është njeri i keq. Hyn në tipat “e leshtë “ siç i thonë andej nga zona jonë.
   Në qoftë se vazhdimi i bisedës do të drejtohej nga ai, në artikulimin e fjalës ose më saktë të ligjëratës , nuk do të mungonte as edhe një prejse, pikëprejse, kllapa, thonjëza e kush i mban mend përveç atij të gjitha ato shenja pikësimi dhe për të plotësuar të gjithë atë kohë që kishte në dispozicion, ku në të shumtën e rasteve e kishte vet në dorë, do të gërmonte deri në imtësitë më të pakapshme të ngjarjes që tregonte ose komentonte, duke vënë në lëvizje të gjithë trupin e tij. Duhej ta lëje të mbaronte dhe më pas të nisje të flisje, pasi edhe ai, pothuajse e respektonte këtë veprim.
    Në çastet e para të dëgjimit të tjetrit ishte i vëmendshëm. Dalëngadalë, duke të dëgjuar dhe pa e kuptuar as ai vetë do të fillonte  të merrej me pëllëmbët e duarve të tij. Duke i vendosur ato përballë njera tjetrës dhe puthitur mollëzat e të dhjetë gishtrinjve me njeri-tjetrin, do të ndiqte linjat e të gjithë atyre “vëllezërve siamezë” për të parë deri ku shkonte ngjajshmëria e tyre. Me gishtrinjtë të puthitur kokë më kokë, do t’i lëvizte të dyja duart për të parë edhe më thellë atë ngjajshmëri të madhe  që u kishte dhënë Zoti.
    Në ato çaste vëmëndjen nuk e kishte më nga unë. Aty tek niste të ndjente formën e gishtrinjve, sikur të kishte arritur të prodhonte me to një lloj energjie biologjike, tek i prekte një nga një, duke provuar njëlloj ndjenje mistike me shfaqjen e kësaj “energjie”. Pyetjes time për t’i kërkuar mendimin, i përgjigjej sikur nuk ishte aty: Si e the. Pa përsërite edhe njëherë. Buzëqeshja shvejkiane e tij më çarmatoste. Mes atij naiviteti të vazhdueshëm sikur më thoshte: duhet të ma thuash edhe njëherë që ta kuptoj. Për ta shkëputur nga ajo që po jetonte në ato çaste, i thoshja se duhej t’i numëronte edhe njëherë gishtrinjtë, pasi mund t’i mungonte ndonjë prej tyre. Ai në çast do t’i shkëpuste nga njera tjetra dhe do t’i kalonte mbrapa si për t’i fshehur nga diçka e frikshme. Si i zënë në faj do të më dhuronte disa buzëqeshje të shpejta.
     Nuk dua të kaloj në kundërshtitë, shijet dhe konceptet e kundërta ku herë pas here na bënin të flisnim me zë të lartë, por do të vazhdoj të tregoj  këtë shfaqje të pavetëdijshme të karakterit, që më nxiste të zhbiroja thellë qenies së tij.
     Gjatë kohës që flisja, i ndiqja me vëmendje lëvizjet e duarve. Sendet e ndryshme të ndodhura mbi tavolinën e punës do t’i zhvendoste, e vendoste në vende e pozicione të tilla, duke krijuar figura gjeometrike, simetrira të ndryshme të konfiguruara në ato çaste përbrenda trurit të tij. Duhej t’i shikonte nga pozicione të ndryshme ato figura për të vendosur nëse do t’i lënte në idenë e parë. Duke bërë humor, brenda asaj që po e kënaqte në ato momente, ja lëvizja ato pjesëza të atij pazëlli që jetonte përbrenda tij duke i thënë se kështu mund të dukej më mirë. Prapë, duke më buzëqeshur do të fshehte duart mbrapa.
     Në jetë kishte realizuar me dhjetra makete si dekorator. Kishte qenë i kërkuar sidomos për maketet e muzeumeve. Edhe në muzeun kombëtar e patën thirrur dikur. Gjithmonë dukej sikur ndërtonte në miniaturë skena të ngjarjeve nga më të ndryshmet. Edhe pse butafori, ato i jepnin atij ndjesinë e të lëvizurit lirshëm brenda tyre. Shtesa e një kthese rruge, vendosja e një porte me qemer, shpesh i nxiste fantazinë që historisë t’i jepte një drejtim të ri. Edhe pas kaq kohësh duart e tij ndërtonin në ajër skena të lira, ashtu siç do të donte të kishin ecur gjërat. Duhej t’i tërhiqje vëmendjen për ta kthyer tek e tashmja. I zënë në befasi gjithmonë shpikte një sebep me bashkëbiseduesin.
     Edhe kur shkonim për kafe, gjatë gjithë kohës që nuk fliste do të merrej me tavllën e paketën e duhanit  e me ç'fardo objekti tjetër që ndodhej aty mbi tavoline. Në çastet kur i kërkohej fjala ose dëshironte, do të fliste pasi të bindej se tavlla, më të shumët e rasteve, në kuadratet e stampuara mbi suprinën plastike, do të qe në pozicionin e duhur. Duke ndjerë se shikimi im nuk i ndahej veprimeve që ai kryente, duke i përplasur duart lehtë me njera tjetrën sikur i pastronte nga diçka, do t’i shkëpuste prej andej.
     Kur kam kohë, shkoj shpesh nga ai pasi ndjehem këndshëm.

Πέμπτη 16 Ιουνίου 2016

ShËN - MËRRIA

          Pas zënkës me të dy fëmijtë e m'i në shtëpi ra heshtja. Për arsye mos acarimit të më tejshëm të  situatës ata shkuan në dhomat e tyre. Në ato momente tek heshtja po na zotëronte të gjithëve, si për të zbutur situatën, në sallon, në tone të ulëta nisën të shpërndaheshin tingujt e një kënge shumë të dëgjuar  latino-amerikane të viteve të rinisë. Buzëqesha. Në  guzhinë me kërcitjen e ndonjë pjate ime shoqe vërtetonte praninë e saj. Hyra në bibliotekë. Duke shkelur tastierat e kompjuterit, mes kërcitjes së tyre po përpiqesha të mbysja zemërimin që po më pushtonte. Pas pak të dy, djali dhe vajza të veshur bukur, pa më përshëndetur, duke puthur të ëmën dolën nga shtëpia.
Më vonë, i përhumbur në rrjeshtat e frymëzimit, ikjen e tyre të pa përfillshme kundrejt meje e kisha harruar. Diçka e çuditshme po më ndodhte. E ndjeva se nuk ishte i njëjti çast si herët e tjera ku e dashura, ime shoqe do të hapte derën e do të më thoshte “Ta sjell tani çajin.” Dhe unë në vrullin e punës do ta miratoja me kokë. Ndodhi e kundërta. Pas hapjes së shpejtë të derës, menjëherë sëbashku me pjatancën ajo e la kupën e çajit në cep të tavolinës. Në atë orë, në ato momente, magjia e zërit të saj do të më jepte spunton e duhur. Por ndodhi e kundërta. Ajo pa përfillshmëri dhe mbyllja e menjëhershme e derës më ngacmoi keq. Ashtu siç u ngrita u ula menjëherë. Duke monologuar, nga vetvetja nuk mora asnjë përgjigje. Edhe ideja për t'i thënë dy fjalë time shoqe se ç'farë po ndodhte m'u shua ashtu siç erdhi. Pasi e ri mata me hapa të shpejtë hapësirën që kisha në dispozicion përbrenda atyre mureve kur nuk kisha se ç'farë të bëja, u ula të shkruaja. Por më kot.
Në ato çaste kur të dy fëmijtë tanë me shoqërinë e tyre po kalonin ato orë të vona, ne  na  kishte pushtuar marrëzia. Po i mbanim mërri njëri-tjetrit. 
                                                                                                         janar 1917

Τρίτη 14 Ιουνίου 2016

NO STRESS

         Lokali i ardhshëm i cili do të çelej së shpejti ndodhej nga ana e poshtme të rrugës së dytë. Direkt në anë të trotuarit, në fund të atyre shkallëve. Sikur të mos mjaftonin ato aty sipër, ku të tillë kishte në të dyja anët e rrugës, të gjithë pa e shprehur po habiteshin me vendosmërinë e atij djaloshi. Atyre u bëri çudi edhe ai emër i shkruar fare thjesht në një tabelë të zakonshme të vendosur mbi atë portë. “NO STRESS” shkruhej aty. Në vazhdim, tek zbrisnin ato shkallë të ngushta, të  gjithë do ta pëshpëritnin nën zë atë emërtim të çuditshëm.
Ajo lagje ende vazhdon të jetë zemra e qytetit. Në të gjitha objektet, në katet e para të tyre ka veçse lokale. Të vënë në funksion prej qiraxhinjve, nuk kalojnë harkun kohor dy vjeçar. Zonja të reja të cilat tek i sheh të ulura në stolat jashtë tyre duke tymosur cigare, do të kënaqen me aq sa do t'u mbetet nga xhiroja mujore. Nuk kanë mundësi tjetër. Punimet në lokalin e ri po ngadalësohen. Edhe kurioziteti i një pjese të atyre njerëzve që banojnë aty pranë u shua shpejt. Më të shumtën e rasteve ai ndodhej mbyllur. Aty lart, zonjat e sipërpërmendura pak u morën me arsyen e mbylljes ose të mos hapjes të NO STRESS-it. Përse të merreshin me të. Ato ç'farë po bënin. Më pas ai që e mori atë lokal vetëm tabelën hoqi, por atë emër të çuditshëm nuk mundi ta shuante nga memoria e njerëzve megjithëse që nga çasti i parë, harku kohor i mos hapjes ishte tepër i shkurtër. Qiraxhiu i ri, i cili nuk ja kishte haberin, më tepër pinte për vete se sa u shërbente. Më pas një tjetër e një tjetër. Tashmë aty lart, zonjave qiraxhesha tek po pakësohen, nuk u bën më përshtypje se ç'farë po ndodh dhjetë shkallë më poshtë tyre.
Νë të gjithë qytetin ka ulje qepenash. Diku sheh të shkruhet shitja e mallit në kosto ose ulje çmimi. Në qoftë se ndonjë është  hapur, në brendësi, do të shohësh të zotët e tyre të kalojnë kohën përpara kompjuterit. Në lagje edhe kalimtarët po rrallohen. Edhe ata që zbresin ato shkallë përveç banorëve që banojnë poshtë rrugës, nuk guxojnë të kalojnë më andej. “NO STRESS-i” si shprehje u tingëllon si një kambanë kobzezë. Dikush e kishte hedhur në google. 
E mbetur ende aty, kishte thirrur nga larg klientin e vetëm. Thatim me tipare të përafërta me malësorët verior tanë. Kësaj radhe ishte zonjë ajo që e administronte.  Lokali funksiononte por pa tabelë. Turisti i huaj, me një hartë në dorë dhe më shumë me intuitën e tij, duke zbritur me kujdes nëpër ato shkallë, në fund të tyre u ndesh me të. Ngriti kokën më lart jo për t'u shmangur shikimit të saj por për gjetur atë që dëshironte. Buzëqeshi. Ajo pa i lënë kohë i shprehet: -Here, no stress. Më tej, duke shpërndarë nota gazmore ai kaloi në brendësi. Thirrjet e tij të gëzueshme mbushën zbrazësinë e sallës. U ul në kolltukun me shikim nga banaku. Me përvojën e saj si femër, dikur e martuar, duke e vështruar atë tip të çuditshëm i cili vetëm buzëqeshte, ajo u drejtua nga banaku në brendësi të tij. E dinte që ajo pije e fortë shqiptare rakia, ishte e njohur edhe për ta. Mbushi dy gota. Duke i shkuar pranë i vuri mbi tavolinë dhe u ul pranë tij. Bashkë me shikimin përplasi edhe gotën me të. Pasi u mbështet mirë në kolltuk i dha një buzëqeshje të tillë klientit të ardhur nga ai vend i largët si për t'i treguar se po ndjehej mirë. Po, vërtet mirë. Pavarësisht se deri në ato çaste nuk kishin arritur të komunikonin në të shprehur, të dy, po ndjeheshin mirë. Filluan t'i buzëqeshnin njeri-tjetrit. Ishin buzëqeshje të tilla ku të paktën ajo po i jepte pa paragjykim. Nuk ishin si ato kur donte të joshte klientët e saj meshkuj që gënjeheshin aty tek kthenin gotat e pafund me raki.
Në të vërtetë as vet nuk po e kuptonte se çfarë po përjetonte në ato çaste. U çua dhe mori shishen prej banakut. I rimbushi ato gota të qelqta me atë lëng të çuditshëm. I trokitën përsëri me vrull. Dhe sa herë i puqnin ato në buzët e tyre, aq herë i jepnin buzëqeshje njeri tjetrit. Me anglishten çalë të saj, filluan të bënin humor. Në atë bashkëbisedim me shenja dhe të folur, nuk e ndjenë praninë e klientëve të parë dhe të vetmit e asaj dite. Të ulur në thellësi të ambientit, të tre sa ishin, shkëmbenin midis tyre shikime dhe habi. Ishte hera e parë që ajo po pinte me një klient. Bile të huaj. Ndërkohë ku e zonja e lokalit dhe turisti verior nga pjesa më e epërme e Evropës po merreshin me njeri tjetrin, treshes dikur të përditshme i humbi durimi. Thirrjes së tyre ajo nuk i u përgjigj. Edhe atë gjysmë lëvizje të kokës që kreu për të parë nga ata, e la përgjysmë. Si musketierë, të tre njeri pas tjetrit, me të njëjtën kërkesë por në forma të ndryshme i u hakërryen. Ajo përsëri por kësaj radhe duke e kthyer plotësisht kokën për t'u ndeshur me shikimin e tyre, i qesëndisi. Mos përfillja i tërboi edhe më shumë. Të tre pa shpata, bile pa pirunë e pjata përpara tyre, i u vërsulën ashpër duke sharë me epitete dhe batuta nga më të ndryshme. Reagimi i saj duke u çuar në këmbë shkaktoi heshtje. Atë që u kërkonte vazhdimisht klientëve për të mos kujtuar emrin e dikurshëm të lokalit, ajo e shprehu të gërmëzuar. Duke e shoqëruar me duar fjalën e saj vazhdoi: Ju kam thënë nuk dua stres. Këtu nuk ka stres. Por ku kuptoni ju. Çohuni e dilni prej këndej. Deri sa e përcolli me shikim ikjen e tyre, ato dy shprehje një rrokëshe u përsërit disa herë prej saj.
Në mënyrën më të pa vullnetshme, tek i rimbushi gotat, në fytyrë i u shfaq ajo ndjenjë që e brente që nga çasti që hyri në atë ambient të zbrazët. Në atë të mos besimit se ai mund të funksiononte. Aty në çast, mikut verior përveç përplasjes të atyre gotave të qelqta i fali një të puthur të shpejtë paçka që e gudulisën ato qimet e pakta midis buzës dhe mjekrës. Ai i hutuar, i buzëqeshi dhe ktheu atë lëng të çuditshëm në gurmazin e tij.

Κυριακή 12 Ιουνίου 2016

TAVA ME MISH


            Pa hyrë në analiza gjysma e dytë e atij shekulli të kaluar, e sunduar nga dogma më e errët, solli mjerim shpirtëror dhe ekonomik Nuk mund të flitej më për personalitet njerëzor. Rradhët e shumta për të blerë gjërat më elementare që nga qumështi, gjalpi e deri te frutat e perimet e freskëta, por edhe preshi i grirë e i tharë, binin në sy gjithandej. Në veshmbathje e deri tek të brendëshmet femërore. Do të qe luks i madh ti bëje të dashurës dhurata të tilla pa u shtyrë nëpër radha. Duhej të çoheshe tepër herët. Dhe njerëzit pa vetëdije do të besonin verbërisht se mund të jetohej edhe kështu. Pa ju lodhur, po ju tregoj një moment tepër të vështirë të përjetuar nga ime shoqe.
Ajo, për të mos u turpëruar me miqtë e ar-dhur në shtëpi, shkoi me vrap tek komshija. I vetmi frigorifer ndodhej tek komunistja e vetme në atë pallat. Miqtë e ardhur nga larg duheshin nderuar dhe racioni një mujor i mishit duhej të futej i gjithë në furrën e sobës sëbashku me patatet që i kishin mbetur. Pasi u sigurua se kishte bërë punë të paq-me, duke i hedhur të gjitha se ç’duheshin në tavën e bakërtë të rrumbullakët, e futi atë në furrën e ngro-htë. E lehtësuar se do t’i kënaqte njerëzit e burrit, të cilët jeta i kishte degdisur diku larg vendlindjes, po merrej me përgatitjet e tjera të drekës. Në çastin kur në fytyrë, pasi i kishte hedhur një sy tavës, nisi të ndjehej  kënaqësia e asaj që po bënte, në portë u dëgjua një trokitje e shqetësuar. Nuk arriti ta hapte pasi pa të hynte vrullshëm gjitonia, nënë Vitoria. Pa i lënë kohë të vepronte iu drejtua: “Çe bëre mishin. Më turpëruat! Ajo nusja ime është tutkune. I kam thënë çdo gjë që sillni për në frigorifer, të vendosni nga një copë letër brenda ose nga një lidhëse të veçantë. Ke marrë mishin tonë”. Duke i hedhur sytë gjithëandej, sikur do ta gjente diku, aty përpara, vazhdoi “Nxirre ku e ke vënë. Nuk mund të pres më. Më kanë ardhur njerëzit e mi nga fshati”. Instiktivisht, u drejtua nga soba, duke hapur furrën. Kapi tavën  dhe pa i bërë përshtypje nxehtësia e saj, e vendosi mbi tavolinën aty pranë. Për një çast, të dyja, duke parë copat e mishit me atë ngjyrën e bukur kur marrin tek piqen, përballuan shikimet. Ai dyluftim i pa shpallur në ato çaste i bëri armike të njera tjetrës. Pa i lënë kohë të mendonte ose të vepronte, nënë Vitoria mori ato që i takonin dhe si me qortim i tha “Ç’të të bëj.” Duke e shoqëruar me një shtrëmbërim në fytyrën e plakur të saj si për t’i thënë se nuk mundej të debatonte me të, doli me vrull prej andej.
         Pa e marë veten mirë mori goditjen e dytë nga vjerra, tek po hynte në shtëpi. E ardhur nga jashtë  me nipin e saj, me tim bir, nuk deshte t’ia dinte se si e qysh kishte ndodhur.  
Të gjitha këto dhe të tjerat i mësova  pasi isha kthyer nga puna. Nëna e pikëlluar, duke më parë në dritë të syrit m’u drejtua: “Nuk mundem më, djalo! Edhe nusja nuk ka faj”. Duke mërmëritur shkoi në dhomën e saj. I dërmuar psikologjikisht, i ulur në stolin pranë sobës, duke ngrohur duart, era e mbetur e mishit të pjekur më afroi pranë realitetit. Hapa kapakun e furrës, duke e pranuar me këna-qësi atë aromë dehëse. 

Pa i thënë asnjë fjalë shoqes sime, atje tek po ndiqte lëvizjet e mia, e përqafova duke e shtrënguar fort gjoksin tim. Ajo ishte kurajua më e mirë që po i jipja.

Δευτέρα 6 Ιουνίου 2016

MËZI

     E ndjente përbrenda shpirtit ritmin e ecjes të asaj krijese të fuqishme. Hingëllima, troku i rregullt dhe elegant i saj e kishte joshur vazhdimisht. Pas shumë përpjekjesh, lodhjesh e sfilitjesh  e kalëroi dhe të dy e kuptuan  se do të ishin të pandarë. Shpesh i mbërthyer fortë pas krifës të asaj kafshe katërkëmbëshe,  mëzit që rritej për ditë, të bërë njësh me njeri tjetrin, duke çarë me tërbim ajrin i kapte çmenduria e të rendurit. Aty, tek dëgjoje përplasjen e hapave nuk arrije t’i shihje. I gëzoheshin forcës që u kishte falë mosha. Kishin lindur për të qenë të lirë. Të dy, të përhumbur në çmendurinë e arratisë, kapërcenin brigje, përrenj, monopate të vështira ku vetëm ata i dinin, duke u shkëputur nga jeta e përditshme e vendlindjes.
      Instikti i riktheu në çastin e duhur pranë njerëzve të tyre në fshat. Armiku, pabesisht i kishte sulmuar dhe po vriste e priste. E shqetësuar nga tringëllima e shpatave dhe të bërtiturave ajo kafshë luftarake u sul duke çarë mes për mes trupat armike. Bashkëfshatarët i shkuan pas luftëtarit të panjohur. Pas tij, të gjithë  nisën  të qëllonin e të shponin me tehun e shpatës këdo që u dilte përpara. Armiku i çoroditur, pa e pritur atë sulm, u tërhoq duke ikur nga sytë këmbët. Ndërkohë, ajo krijesë, e eksituar nga kërcitja e shpatave, ulërimave ngjethëse dhe gjakut të derdhur kudo, duke shkelur mbi trupat armike me të zotin e saj në shpinë, e ngriti trupin  muskuloz, duke u mbështetur në të dyja këmbët e pasme. Hingëlliu fuqishëm dhe sulmoi ushtarët e fundit të asaj ushtrie vrastare, duke humbur brenda rrezeve të diellit të përflakur tek perëndonte.
      Kishte luftëtarë që nuk e çanë kokën fare se kush i udhëhoqi, por nisën t’u faleshin zotave të tyre që u dhanë mundësinë të vazhdonin jetën. Ata që luftuan në krah të tij, do ta kishin për krenari të njiheshin me të, por asnjërit nuk i kujtohej se kush qe ai. Ndërkohë, djaloshi në të njëzetat, fill pas betejës, i gjakosur dhe tepër i ngarkuar nga ana psikologjike e veprimi i kryer, u drejtua nga shtëpia ku jetonte jashtë fshatit, vetëm me nënën e tij. Nuk i tregoi asgjë së ëmës se çka kishte bërë në atë luftim të përgjakshëm. Në ditët në vazhdim mëzi, ajo krijesë fisnike, e lidhur pranë ullirit  në anë të shtëpisë të trimit, zotit të tij, e thërriste vazhdimisht duke hingëllitur për të rendur, për të qenë të lirë.       Hingëllimat dhe silueta e shfaqur në dritën e pastër të mëngjeseve tek ngrihej e mbështetej në këmbët e pasme duke valëvitur në ajër krifën e tij madhështore i shqetësoi fshatarët. ”Çka ndodhur?”,- pyesnin ata pa e ditur se kush mund të ishte. “Mos vallë ka pësuar gjë i zoti tij”. E pa  mësuar me shumë njerëz, duke i parë ata t’i afroheshin, me sytë gati në të shqyer, duke shfryrë, nga flegat e hundëve filloi të rrëmonte me thundrat e këmbëve të para tokën. U çua, duke i tundur ato në ajër, filloi të hingëllinte fuqishëm. Ndërkohë djaloshi doli vrullshëm nga shtëpia me flokët në ngjyrë gështenjë të shpurpurisur tek i rrethonin kokën e bukur, të vendosur midis shpatullave dhe trupit vigan. Të magjepsur nuk po kuptonin se ç'farë po shihnin. I u afruan.  Duke e prekur lehtë si për të mos prishur vegimin e shfaqur brenda tyre, njohën trimin me kalin e tij të fuqishëm që i udhëhoqi në luftë. Lajmi u përhap menjëherë. Ashtu siç ishin mbledhur, tek shtohej ajo turmë e madhe, e rrethuan duke brohoritur. Ato brohoritje nuk ishin gjë tjetër veçse thirrjet e tyre karakteristike, tek hidheshin në sulm kundër armikut
     Vazhdonin ta thërrisnin. Mes vrapit dhe atyre sokëllimave rrëqethëse, ku çdo gjë e gjallë që mund t’i dëgjonte do të ikte e tmerruar, turma e njerëzve e rrethoi  Nën efektin e asaj thirrje, e cila sa e sa herë e mbushte me entusiazmin e luftëtarit hyri mes tyre. Turma e sugjestionuar nga ideja e përballimit me heroin, e mori në krahë dhe, duke përsëritur thirrjet luftarake shkuan drejt tempullit për të marrë bekimin e priftërinjve. Në zemrat e tyre figura e udhëheqësit, komandantit qëndronte madhështore. 

Τετάρτη 1 Ιουνίου 2016

PËRTEJ ASPEKTUALITETIT TË SKICËS SË EDMOND LLAÇIT

Nga Fatmir Terziu
Botuar tek “Joni Poetik.” Analiza dhe vëzhgime kritike.
                    

      Leximin e Edmond Llaçit mund ta quajmë ndryshe lexim ‘të shkurtër’. Jo se ai vjen mes zhanrit të prozës së shkurtër. Jo se ai vjen për lexuesin në formën e skicave. Jo. Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera-herës flet më shumë se një roman. Çelësi?! Leximi i detyruar. Kjo mes fjalës së tij tipike. Më saktë: Lexim i dobishëm mes fjalëve të zgjuara e të përzgjedhura. Lexim që vjen nga hapësira me të cilën vetë fjala është mbajtur, ‘stërvitur’, gatuar dhe paraqitur për tu lexuar. Është kjo fjalë që vjen shpeshherë për lexuesin mes skicave. Skica që kanë emrin dhe talentin e hershëm të Edmond Llaçit. Skica që flasin, njësojnë dhe diktojnë kulturë, identitet, harmoni mes vlerave. Në këtë analizë do të ndalem pikërisht tek ky lexim që sjell vite në sinkron, jetëza, porosi dhe portrete. Duke krijuar harmoninë e leximit së pari do të paraqes atë veçori që autori na e sjell mes prozës së shkurtër. Së dyti skica në daltën e autorit që tejkalon sprovën. Dhe së fundi në detajet që kjo harmoni e skicave të shkrimtarit na citohet si arsyeja e leximit tërheqës.
    Aspektualiteti si veçori tipike e ski Le të ndjekim skicën e shkrimtarit Edmond Llaçi, “Të çmendurit”. Fillon me pasthirmat apo ‘zhurmërrimat’ që na kërcëllejnë në shpirt. Janë këto zhurmërrima timbruese, grishëse, lajmëtare të së keqes vrastare. Dhe lexuesi ndihet i tëri teksa lexon: “Bym, bym, kërrr...”. por edhe pse e gjitha është sipas stilit të autorit “Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme.” Ato përsëri nuk shpëtojnë lidhjen me realitetin në të cilin autori kurdis dhe rilexon mes të dhënave faktin e çmendurisë “Ato bënin rikoshet nëpër muret e sallës dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej ne sallën me tavolina e karrike bosh....” Kështu aspektualiteti tregues sapo është dhënë dhe ai pra njeriu që ndodhet në skutën e treguesit diktohet në këtë aspektualitet si një lëvizje metafizike e detyruar: “Nervi i syrit të majtë të tij, zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë noful
      Në leximin e skicës “Porosia” aspektualiteti vjen tërësisht emocional. Ai gatuhet nën avuj të nxehtë ndërgjegjeje që citohet nga gota e verës dhe ‘të brendshmet femërore’ që krasisin vegimin mashkullor. Dhe autori na jep këtë aspektualitet të shkyçur që në fillimin e skicës duke na diktuar me qetësinë më të grishtë emocionale se ai, pra karakteri i tij “U mundua t’i kapte reagimin tek shihte të rrëshqiste nën shikimin e tij trekëndëshi i bardhë i të brendëshmeve të saja. Duke buzëqeshur ajo i puqi  kofshët me njera tjetrën dhe u ul në kolltukun e vendosur disi larg tavolinës së shtruar për të ngrënë.Ai po përpiqej t’i shmangej  duke drejtuar shikimin nga puna që kishte filluar të bënte në një nga faqet e sallonit të madh. Me elegancë ashtu siç mbante pinelin , ai kapi gotën e mbushur me verë. E drejtoi nga ajo,  e çukiti me të duke i dhuruar edhe një buzëqeshje të lehtë...” Por, nëse në këtë rast karakteri i shkrimtarit bëhet një palë udhëtuese e emocioneve të ‘kundërshtisë’ të asaj pjese me të cilin aspektualiteti gatuan lidhjen, zgjidhja është një determinim psikoanalitik i faktorit mashkull-femër, jo thjesht seks për seks, por si një metaforë jete në tërë lidhjen e saj metafizike.
        Kështu skica tjetër “Jetëz” është një këndtipologji tjetër fjalëzgjedhëse, ku faktori njeri është një kokrizë mes diellnajës së jetës. Është Dielli ai që kapërcen dhe hyn, është prau që shënohet në kohë, hapësirë dhe vend, është pastaj kjo mënyrë që na jep aspektualitein e duhur: “Dielli ndodhej në çastin e kapërcimit të vijës së horizontit, midis qiellit dhe detit. Një pjesë nga rrezet e tij të fundit me shpejtësinë  e shkeljes së butonit “i burgosa” në kutinë magjike dixhitale.
        Nuk kaloi shumë dhe kudo  në të gjithë qytetin, si në një ekran të madh, përpara syrit tim, filluan te ndizeshin dritat kudo. Si në ato pjesët muzikore që ekzekutohen me  orkestracione të mëdha, atë buzë mbrëmje harmonie, me logjikën e çastit,  ndjeva se isha unë që po i ndizja ato. Atje tek po shkelja tastierat e pianofortës imagjinare  dhe duke i dhënë çdo instrumentisti  çastin e tij, dritat si në një pentagram pa kufizime vizash, filluan lojën e tyre muzikore. Një lojë që  zgjati pak çaste, por tepër impresive. Me shkeljen e tastierës së fundit të pianofortës i  dhashë dritë edhe ambientit ku unë ndodhesha. Ndjesia e atij çasti u shoqërua me atmosferën që u krijua nga ndriçimet e fshehta që ndodheshin në atë mbulesë masive gjethesh.  Nuk e mora as edhe një herë inisiativën për të pyetur se si quhej ajo bime interesante. Duke qeshur në brendësinë time, mendova se lojën e ekzistencës dhe mos egzistencës midis kopshtarit dhe asaj bime e luante po  ajo. Në çastet e lëvizjes së lirë të saj, kur kopshtari  ja  mohonte duke ia prerë ato me një gërshërë me doreza në ngjyrë te kuqe, ajo, me shpejtësi, në krahun tjetër, i kundërpërgjigjej duke nxjerë në jetë motrën e saj binjake. Nuk e di se sa do të ketë vazhduar ajo luftë. Besoj se kopshtari do të jetë dorëzuar i pari. Ai zëvendësimi i pafund  i dha fund përpjekjeve të tij, deri sa e kuptoni se çfarë ndodhi. Ky çast i bukur ku unë po përpiqem ta shijoj.”
        Ndërsa aspektualiteti është një lloj tipologjie e skicës së autorit, natyrshëm mjaft skica të tjera të tij kanë shumëdimensionin e artistit në brendinë e tyre. Fjala me të cilën ato ndërtohen, ngrihen e flasin i ngjajnë një strukture të hapur, që gjithmonë të përpin në lexim e sipër. Kështu funksionojnë mjaft skica. Ajo më tipikja që përmbyll këtë aspektualitet është skica “Portreti”. Në këtë skicë autori udhëton imagjinatën e kujtesën njëkohësisht në vite pas. Hyn në labirinthet e kujtesës për të na diktuar një aspektualitet kohe dhe jete në të njëjtin temp. Ai na ristrukturon me fjalë të thjeshta dhe flet qartë “Atë vit shkollor, në klasë kisha zënë vend në rrjeshtin e mesit, në bangon e parafundit, nga e djathtë. Kishim matematikë. Mendimi më kishte fluturuar jashtë klase. S’mbaj mend se ç’më ishte shfaqur para syve, por nëpër mjergull, mund të kujtoj disa copëza…pyll i dendur me pemë të larta, lëvizje ritmike e degëve, e gjetheve, e trupave drunorë. Lëvizje e disa trupave të paqartë që afroheshin drejt ekranit të syrit tim, nën ritmin e fyellit e të flautit. Ishin trupa femërorë e jo drunorë. Më erdhi për të qeshur për rimimin pa dashur femëror e jo drunor. Po, vërtet ishin trupa femërorë që vazhdonin të lëviznin ritmikisht para syve të mi. Trupa femërorë të ajthëm, që nën rritmin e lëvizjeve të tyre, përbrenda fustaneve të tejdukshëm  zbulonin plot hir pjesëza epshndjellese. M’u kujtua tablloja e piktorit të rilindjes italiane Botiçelit, “La primavera.” I u afrova më pranë  vegimit-tabllo dhe, ashtu i turbulluar siç isha, e kapërxeva realen dhe rash në irealen. U ndodha mes tyre. Ashtu i turbulluar mes tyre, mundohesha të largoja atë mjergull, atë tis që më pengonte të shihja, fytyrat e atyre trupave femërorë që po më qarkonin...” 
          Duke konkluduar me aspektualitetin si veçori tipike e skicës së Edmond Llaçit, me sa cituam më lart, duket qartë se fjala me të cilën vjen skica e këtij krijuesi është ajo që përcakton kohë, hapësirë dhe vend për të ridimensionuar artistikisht vlerat e leximit.                 

        Skica në ‘daltën’ e autor
       Skica si art më vete vjen në forma të ndryshme. Lexuesi dhe krijuesi e njohin me gjuhë të njëjtë, por e dimensionojnë mes tyre me perceptime të ndryshme arti. Kështu ‘dalta’ apo ‘pena e autorit’ është ajo që nënshkruan fatin e një skice në artin e saj. me këtë rast ajo është shtrydhja e njohurive të një krijuesi piktor, që flet në gjuhën e shkruar. Është spatulla dhe dalta e tij e padukshme që strukturon tërë kompleksin e saj sintaksor. Dhe në këtë strukturë janë elementët që plotësojnë dhe skalisin formën dhe pamjen artistike të saj. skica e Edmond Llaçit, është një çupëlinë e brishtë joniane, e sharmuar mes valëve të kaltra të Detit dhe jetës, duke u pasqyruar krehshëm në sopate e monopate të pashkelura e të traditës së bukur. Është e qetë. Nusëron dhe na diktohet e pastër. Gjuhëkthjellët. Racionale. Tërheqëse. ‘Aromatike’ dhe me shije. Pra një meze në tryezën e një lexuesi sqim. Një arsye më shumë për të mrekulluar lexuesin dhe vetë mjetin që e shtron atë në këtë tryezë. Sakaq skica të tilla si “Fluturim magjik”; “Lustraxhiu dhe trumcaku”; “Përtej dashurisë”; “Hetuesi” etj., flasin me një gjuhë të qartë, ku vetë simbolika, figurat e tjera janë çelësa magjikë në shkurtesën normative të leximit. Tek njëra nga këto skica vetë fjalia është modeli i kësaj mjeshtërie: “U shfaq ai. Ia trembi pulëbardhat  duke përplasur këmbët në shkallët e hekurta tek po hypte në verandë, ashtu si dikur zbriste në birrucat e nëndheshme tek “ata”, armiqtë e popullit. Si mund t’i lejonte “ai”, këta shpendë të fluturonin lirshëm dhe të kërkonin ushqimin e jetës së tyre?! Si mund ta jetonin lirinë e tyre këta shpendë të bardhë si mëngjesi, kur bëheshin pre e armikut të klasës?!”
      Le të mjaftohemi me këtë retorikë të sqimtë dhe këtë filozofi të fjalisë së goditur për të cituar edhe një herë daltën mjeshtërore të autorit.

        Leximi tërheqës
       Për kënaqësinë e vetë leximit ju afroj që në fillim një fragment nga “Lustraxhiu dhe trumcaku”. Shijimi i këtij leximi na dikton forcën e artit që vjen mes fjalës së artistit. Ja si shkruan ai: “Duke i dhënë një shtytje të lehtë përpara, trupit të vet, me ato këmbët e tij të vogla, trumcaku u shkëput nga dega e pemës dhe u ul mbi qeskën e plasmasit të mbushur me fara luledielli. Ai nuk shpëtoi pa u vënë re nga llustraxhiu tek po rrinte e ngrohej në diell. Me bisht të syrit ai vuri re trumcakun të tundte kokën dhe të hidhte shikimin e  mprehtë gjithandej. Pas një stepjeje të vogël filloi çukitjet e tij të  shpeshta dhe nxjerrjen e lëvozhgës të asaj fare të zezë nga jashtë dhe të bardhë nga brenda. I mbështetur për muri siç ishte i ulur në stol, llustraxhiu vuri re shikimin e pa lexueshëm të atij shpendi të imët. Për herë të parë po e ndjente praninë e tij kaq afër. Cicërimën e tij e njihte prej kohësh. Ajo e shoqëronte që herët në mëngjes kur hapte mjetet e tij të punës nga një valixhe e drunjtë dhe trokiste furçën në të për të thirrur myshterinjtë. Cicërima i përgjigjej gjithë dhe mbarote në të errur tek mblidhej me zogjtë e tjerë  për të kaluat natën në kurorat e pemëve. Atje tek përballoi shikimin me të, llustraxhiu ndjeu të  dëgjonte fjalosjen e tij të çuditshme, e cila, për njerëzit, ishte veçse thirrje e shkurtër  dy a tre rrokshe e pa deshifrueshme por me intonacione muzikore të mrekullueshme. Në atë ças ndjeu buzëqeshjen  dhe zërin e atij fluturaku...”
         Në këto fjali ndërhyrja do të ishte ‘mëkati’ më i madh i sakatimit. Çdo fjalë, çdo fjali e kësaj skice mëshon art.