Τρίτη 14 Ιουνίου 2016

NO STRESS

         Lokali i ardhshëm i cili do të çelej së shpejti ndodhej nga ana e poshtme të rrugës së dytë. Direkt në anë të trotuarit, në fund të atyre shkallëve. Sikur të mos mjaftonin ato aty sipër, ku të tillë kishte në të dyja anët e rrugës, të gjithë pa e shprehur po habiteshin me vendosmërinë e atij djaloshi. Atyre u bëri çudi edhe ai emër i shkruar fare thjesht në një tabelë të zakonshme të vendosur mbi atë portë. “NO STRESS” shkruhej aty. Në vazhdim, tek zbrisnin ato shkallë të ngushta, të  gjithë do ta pëshpëritnin nën zë atë emërtim të çuditshëm.
Ajo lagje ende vazhdon të jetë zemra e qytetit. Në të gjitha objektet, në katet e para të tyre ka veçse lokale. Të vënë në funksion prej qiraxhinjve, nuk kalojnë harkun kohor dy vjeçar. Zonja të reja të cilat tek i sheh të ulura në stolat jashtë tyre duke tymosur cigare, do të kënaqen me aq sa do t'u mbetet nga xhiroja mujore. Nuk kanë mundësi tjetër. Punimet në lokalin e ri po ngadalësohen. Edhe kurioziteti i një pjese të atyre njerëzve që banojnë aty pranë u shua shpejt. Më të shumtën e rasteve ai ndodhej mbyllur. Aty lart, zonjat e sipërpërmendura pak u morën me arsyen e mbylljes ose të mos hapjes të NO STRESS-it. Përse të merreshin me të. Ato ç'farë po bënin. Më pas ai që e mori atë lokal vetëm tabelën hoqi, por atë emër të çuditshëm nuk mundi ta shuante nga memoria e njerëzve megjithëse që nga çasti i parë, harku kohor i mos hapjes ishte tepër i shkurtër. Qiraxhiu i ri, i cili nuk ja kishte haberin, më tepër pinte për vete se sa u shërbente. Më pas një tjetër e një tjetër. Tashmë aty lart, zonjave qiraxhesha tek po pakësohen, nuk u bën më përshtypje se ç'farë po ndodh dhjetë shkallë më poshtë tyre.
Νë të gjithë qytetin ka ulje qepenash. Diku sheh të shkruhet shitja e mallit në kosto ose ulje çmimi. Në qoftë se ndonjë është  hapur, në brendësi, do të shohësh të zotët e tyre të kalojnë kohën përpara kompjuterit. Në lagje edhe kalimtarët po rrallohen. Edhe ata që zbresin ato shkallë përveç banorëve që banojnë poshtë rrugës, nuk guxojnë të kalojnë më andej. “NO STRESS-i” si shprehje u tingëllon si një kambanë kobzezë. Dikush e kishte hedhur në google. 
E mbetur ende aty, kishte thirrur nga larg klientin e vetëm. Thatim me tipare të përafërta me malësorët verior tanë. Kësaj radhe ishte zonjë ajo që e administronte.  Lokali funksiononte por pa tabelë. Turisti i huaj, me një hartë në dorë dhe më shumë me intuitën e tij, duke zbritur me kujdes nëpër ato shkallë, në fund të tyre u ndesh me të. Ngriti kokën më lart jo për t'u shmangur shikimit të saj por për gjetur atë që dëshironte. Buzëqeshi. Ajo pa i lënë kohë i shprehet: -Here, no stress. Më tej, duke shpërndarë nota gazmore ai kaloi në brendësi. Thirrjet e tij të gëzueshme mbushën zbrazësinë e sallës. U ul në kolltukun me shikim nga banaku. Me përvojën e saj si femër, dikur e martuar, duke e vështruar atë tip të çuditshëm i cili vetëm buzëqeshte, ajo u drejtua nga banaku në brendësi të tij. E dinte që ajo pije e fortë shqiptare rakia, ishte e njohur edhe për ta. Mbushi dy gota. Duke i shkuar pranë i vuri mbi tavolinë dhe u ul pranë tij. Bashkë me shikimin përplasi edhe gotën me të. Pasi u mbështet mirë në kolltuk i dha një buzëqeshje të tillë klientit të ardhur nga ai vend i largët si për t'i treguar se po ndjehej mirë. Po, vërtet mirë. Pavarësisht se deri në ato çaste nuk kishin arritur të komunikonin në të shprehur, të dy, po ndjeheshin mirë. Filluan t'i buzëqeshnin njeri-tjetrit. Ishin buzëqeshje të tilla ku të paktën ajo po i jepte pa paragjykim. Nuk ishin si ato kur donte të joshte klientët e saj meshkuj që gënjeheshin aty tek kthenin gotat e pafund me raki.
Në të vërtetë as vet nuk po e kuptonte se çfarë po përjetonte në ato çaste. U çua dhe mori shishen prej banakut. I rimbushi ato gota të qelqta me atë lëng të çuditshëm. I trokitën përsëri me vrull. Dhe sa herë i puqnin ato në buzët e tyre, aq herë i jepnin buzëqeshje njeri tjetrit. Me anglishten çalë të saj, filluan të bënin humor. Në atë bashkëbisedim me shenja dhe të folur, nuk e ndjenë praninë e klientëve të parë dhe të vetmit e asaj dite. Të ulur në thellësi të ambientit, të tre sa ishin, shkëmbenin midis tyre shikime dhe habi. Ishte hera e parë që ajo po pinte me një klient. Bile të huaj. Ndërkohë ku e zonja e lokalit dhe turisti verior nga pjesa më e epërme e Evropës po merreshin me njeri tjetrin, treshes dikur të përditshme i humbi durimi. Thirrjes së tyre ajo nuk i u përgjigj. Edhe atë gjysmë lëvizje të kokës që kreu për të parë nga ata, e la përgjysmë. Si musketierë, të tre njeri pas tjetrit, me të njëjtën kërkesë por në forma të ndryshme i u hakërryen. Ajo përsëri por kësaj radhe duke e kthyer plotësisht kokën për t'u ndeshur me shikimin e tyre, i qesëndisi. Mos përfillja i tërboi edhe më shumë. Të tre pa shpata, bile pa pirunë e pjata përpara tyre, i u vërsulën ashpër duke sharë me epitete dhe batuta nga më të ndryshme. Reagimi i saj duke u çuar në këmbë shkaktoi heshtje. Atë që u kërkonte vazhdimisht klientëve për të mos kujtuar emrin e dikurshëm të lokalit, ajo e shprehu të gërmëzuar. Duke e shoqëruar me duar fjalën e saj vazhdoi: Ju kam thënë nuk dua stres. Këtu nuk ka stres. Por ku kuptoni ju. Çohuni e dilni prej këndej. Deri sa e përcolli me shikim ikjen e tyre, ato dy shprehje një rrokëshe u përsërit disa herë prej saj.
Në mënyrën më të pa vullnetshme, tek i rimbushi gotat, në fytyrë i u shfaq ajo ndjenjë që e brente që nga çasti që hyri në atë ambient të zbrazët. Në atë të mos besimit se ai mund të funksiononte. Aty në çast, mikut verior përveç përplasjes të atyre gotave të qelqta i fali një të puthur të shpejtë paçka që e gudulisën ato qimet e pakta midis buzës dhe mjekrës. Ai i hutuar, i buzëqeshi dhe ktheu atë lëng të çuditshëm në gurmazin e tij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου